Sihana, Muza e Artit Muzikor

Profesoresha Sihana Badivuku – Hoxha, me violinë të mbështetur në sup, me veprim të gjallë së bashku me tingujt e bashkërenditur, vë në lëvizje tërë potencialin krijues e intelektual, duke na sjell frymë të re në artin muzikor që e pasqyron jetën e vërtetë kulturo-artistike në skenën e muzikës serioze kosovare.

Gjuha e saj universale, muzika e luajtur mjeshtërisht dhe puna e saj pedagogjike bëjnë një kthesë të madhe, duke ecur me hapa të sigurt dhe vizion të qartë për identitetin kombëtar dhe kulturor në drejtim të skenës muzikore ndërkombëtare. Ajo, me punën e saj profesionale është duke dhënë një kontribut të veçantë në organizimin e festivaleve të ndryshme, garave rajonale dhe ndërkombëtare të muzikës klasike, duke bërë sensibilizimin e vlerave të artit muzikor shqiptar dhe zbulimin e talentëve të rinj në skenën e muzikës kosovare.

Me angazhimin profesional dhe pedagogjik, me formimin e shkollës së violinës në Kosovë dhe në Maqedoni, krijoi kuadro të reja… Nga viti 1993 e deri më tash, nga këto shkolla kanë dalë shumë violinistë të talentuar, të cilët tani ndjekin studimet edhe nëpër universitete të ndryshme të Evropës, në SHBA etj., prej të cilëve kemi edhe shumë laureatë të konkurseve të ndryshme në vend dhe jashtë vendit.

Sihana Badivuku – Hoxha u lind më 1967 në Prishtinë, u rrit me predispozita gjenetike-natyrore për muzikën, u edukua dhe u zhvillua në një familje me kulturë muzikore profesionale, e më pastaj mori edukimin shkollor për violinë. Shkollën e ulët dhe atë të mesme të muzikës, i kreu në Prishtinë. Studimet e larta, për violinë, i filloi në Kiev të Bashkimit Sovjetik dhe, një vit më vonë, i vazhdoi në Konservatorin P. I. Tchaikovsky në Moskë, ku me sukses të dalluar, në të njëjtin institucion (në vitin 1989-1991), i mbaroi edhe studimet pasuniversitare.

Pas përfundimit të studimeve, Sihana vazhdoi udhëtimet studimore për kualifikime të mëtejme në Gjermani dhe në Itali. Ajo mori pjesë në shumë konkurse të rëndësishme ndërkombëtare për violinë, si dhe në festivale të ndryshme muzikore-pothuajse në tërë Evropën dhe shtetet e tjera ballkanike. Po ashtu, ajo luajti edhe me Orkestren Filarmonike të RTV të Vjenës, Ensemble XXI të Moskës, me Orkestrën e Operës dhe të Baletit në Tiranë, si dhe me shumë orkestra të RTV-ve të ish-Jugosllavisë. Duhet cekur edhe prezantimet e saja të shumta me recitale (violinë e piano) në Finlandë, në Itali, në Tetovë e Manastir, mandej në Shkup e Slloven-Gradec etj.

Këtu duhet përmendur edhe bashkëpunimin me bashkëpunëtorët e saj me pianistë të shquar nga Kosova e më gjerë. Po ashtu, prof. Sihana Badivuku, dendur bashkëpunoi edhe me pianistë të njohur nga Rusia, Finlanda, Italia, Japonia, Franca, SHBA, Filipine, Greqia, Zvicra, Bullgaria, Polonia, Irlanda, Spanja dhe nga Izraeli. Pra, artistja jonë e shquar kosovare, bashkëpunoi me artistë më eminentë shqiptarë dhe me ata botërorë. Gjithashtu, për përsosjen e karrierës pedagogjike dhe metodike, ajo bashkëpunon edhe tash me profesorët më të njohur nga Evropa dhe me ata botërorë të shkollës për violinë.

Që nga viti 1993, profesoresha Sihanë, ligjëron lëndën e Violinës dhe Metodikën, në drejtimin e instrumenteve me harqe, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Ajo është violina e parë dhe nderi ynë kombëtar, i familjes Badivuku dhe Hoxha, e cila me virtyte të larta njerëzore dhe punë profesionale, na bën të krenohemi me të dhe punën e saj për kontributin e dhënë në fushën e pedagogjisë artistike. lerat e saja në lëmin e muzikës serioze, burojnë nga shpirti artistik dhe lëvizja e lehtë e dorës së sigurt dhe mendja e shëndoshë.

Këto vlera janë të pakontestueshme, me qëllime të drejta e të pastra që ajo i kultivon që nga fëmijëria dhe edukata për çiltërsi shpirtërore e tipare skofiare. Nuk është aspak e tepërt të themi se znj. Badivuku-Hoxha, tashmë e arrirë në profesionin e vet, artin e mjeshtërisë së përkryer artistike, e zotëron dhe e bën të denjë për t`u paraqitur kudo dhe kurdoherë nëpër të gjitha skenat e orkestrave anembanë botës së qytetëruar.

Ajo, në paraqitjet e saj skenike, nuk i lëviz vetëm gishtat, as vetëm harkun; ajo duke interpretuar veprat e njohura, emocionalisht lidhet me kohët – flet me lëvizjen e trupit dhe të kokës, lëviz krahët e fluturës, luan harkun e vetullave, rrahë qerpikët e kafshon buzët, e tëra futet në botën magjepse të muzikës dhe jepet pas tingujve që fluturojnë në vazhdimësi duke u shndërruar në kurora lulesh festive.