Siguria Sizmike e Kosovës

Në vitin 518 një tërmet shkatërroi Ulpianën qytetin e lashtë romak që ndodhet jo shumë larg nga Prishtina e sotme.

Dridhjet që tronditën Kosovën të dielën dhe të hënën e kaluar ishin të zbehta në krahasim. Por ato shërbyen si një kujtesë që ky vend mbetet gjatë sizmikisht aktiv.

Tërmete të shkallës gjashtë e mbi godasin Kosovën rregullisht sipas regjistrimeve.

Një studim i vitit 2009, nga Zenun Elezaj, një profesor në Prishtinë, vinte në dukje 60 tronditje të tilla që kanë ndodhur gjatë shekullit të kaluar. Brengosëse , shkruan ai, është se Kosova gjendet në rrezik për t’u goditur nga një tërmet i shkallës së 9-të, i krahasueshëm për nga fuqia me fatkeqësinë e vitit 2011 që vrau rreth 16.000 njerëz në Japoni .

Një tërmet i tillë mund të jetë shumë më shkatërrues në Kosovë, sidomos në Prishtinë, ku pak ndërtesa janë ndërtuar mirë, e le më të jenë përshtatur për të përballuar këtë lloj aktiviteti.

Materiali i preferuar i ndërtimit, tulla, është veçanërisht i rrezikshëm. Ndërtesat nga tulla janë veçanërisht të rrezikuara të rrëzohen nga një tërmet përveç nëse tullat janë të përforcuara me kujdes.

Pastaj, tërmetet janë vdekjeprurëse në mënyrë jo-proporcionale në vendet e varfra. Arsyeja e thjeshtë është se ndërtimi i duhur, ashtu si ripërshtatja e ndërtesave ekzistuese, kërkon investime shtesë. Kjo bëhet një sfidë e vërtetë kur ligjet e ndërtimit nuk zbatohen dhe imponohen si duhet. Dhe nuk ka asnjë fitim të menjëhershëm ekonomik për ata që i bëjnë shtëpitë e sigurta ndaj tërmeteve.

Kosova gjithashtu në historinë e re nuk ka parë ndonjë tërmet katastrofal, ndryshe nga Maqedonia, ku shumë njerëz ende mund të kujtojnë tërmetin që tronditi Shkupin në vitin 1963. Kështu është e lehtë për të parë pse siguria sizmike nuk është një përparësi kryesore kombëtare. Megjithatë, urbanizimi në rritje dhe të dhënat e aktivitetit sizmik duhet të ndikojnë në qasjen e deritashme në ndërtim. 

Në këtë linjë, Yasmin Bhattacharya i Universitetit të Tokios (Japoni) dhe Andrew Charleson i Universitetit Victoria në Wellington (Zelandë e Re), në një studim të paraqitur në shkurt, sugjeruan një ide shpikëse për të inkurajuar ripërshtatjen e ndërtesave në vendet në zhvillim. Sugjerimi gjithashtu ndihmon për të mbajtur temperaturën. Hulumtimi është paraprak, por premtues. Mund të ketë rëndësi të madhe për Kosovën, e cila urgjentisht ka nevojë për të përmirësuar efikasitetin e energjisë në nivel kombëtar, për shkak se vendi përdor më shumë energji se sa që prodhon.

Shumë ndërtesa në Kosovë kanë pak ose aspak izolim. Në dimër, kjo do të thotë fatura të mëdha të energjisë dhe më shumë ndotje nga ato ndërtesa që mbështeten në qymyr dhe dru për ngrohje.
Në kontekstin e debatit më të gjerë kombëtar për termocentralin e ri me qymyr, efikasiteti i energjisë ka filluar të marrë vëmendjen në Kosovë që edhe meriton. Në dritën e studimit të Bhattacharya dhe Charleson, gjithashtu kjo mund të jetë një mundësi për t’u marrë me këtë çështje shumë të lënë pas dore dhe në kontekst edhe të përgatitjes së vendit për situata tërmetesh.

Editoriali është botuar fillimisht në Prishtina Insight, edicioni më i ri i së cilës gjendet në treg që nga e premtja.