Jacques Chirac

Si ua arsyetonte francezëve Jacques Chirac bombardimin e Serbisë për Kosovën?

Si një figurë mbizotëruese në politikën franceze për katër dekada, Jacques Chirac, vdiq të enjten në moshën 86 vjeçare. Ai ishte një nga presidentët me shërbimin më të gjatë në historinë e Francës, duke mbajtur pozitën politike nga 1995 deri në 2007.

Chirac ishte presidenti francez që i priu shtetit të madh evropian për më shumë se një dekadë e që më vonë u përfshi në skandale për korrupsion.

Chirac gjithashtu shërbeu dy herë si kryeministër i Francës nga 1974 deri në 1976 dhe nga 1986 deri në 1988.

Ai shërbeu edhe si kryetar i Parisit për 18 vjet – nga 1977 deri në 1995.

Si një politikan i qendrës së djathtë, Chirac ka shërbyer si president i Francës për dy mandate, dhe ishte ai i cili e përfshiu Francën në monedhën euro.

Ai ishte i biri i një menaxheri bankash dhe shërbeu në krye të shtetit francez nga viti 1995  deri me 2007 duke u bërë kështu presidenti i dytë me shërbimin më të gjatë të Francës, pas socialistit François Miterrand që i priu shtetit nga viti 1981 deri më 1995.

Përkeqësimi i shëndetit e largoi Chirac-un nga jeta publike deri në vdekjen e tij. Karriera e tij me nam nisi t’i zbehej kur shërbeu si kryeministër dhe u përfshi në një seri skandalesh.

Afati i parë presidencial i Chirac u shënua nga përpjekjet e tij për të ulur shpenzimet qeveritare dhe për të zvogëluar deficitin buxhetor.

Në vitin 2011 ai u dënua për shpërdorim të parasë publike sa ishte kryetar i Parisit.

Gjatë mandatit të tij, monedha e vetme e përbashkët evropiane, Euro, e zëvendësoi frangën, valutën franceze në vitin 2002 ndërsa në një referendum të mbajtur në vitin 2000 në Francë, afati presidencial u ul nga shtatë vjet në pesë vjet.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2002, Chirac u kualifikua në raundin e dytë të zgjedhjeve së bashku me kandidatin e ekstremit të djathtë, Jean-Marie Le Pen.

Si rrjedhojë, kualifikimi i Le Pen në raundin e dytë e unifikoi gjithë spektrin politik francez për të mbështetur Chirac-un dhe pasi siguroi edhe mbështetjen e socialistëve dhe komunistëve – ai siguroi fitoren më të lartë në çdo zgjedhje presidenciale franceze, duke marrë 82% të votave.

Chirac ishte i njohur gjithashtu për kundërshtimin e tij të fortë ndaj intervenimit ushtarak në Irak në vitin 2003.

“Iraku sot nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm që justifikon një luftë të menjëhershme,” kishte thënë Chirac, në kundërshtim me luftën.

Mandati i tij presidencial u shënua nga protestat e punëtorëve dhe rezistenca tjetër e votuesve ndaj planeve të tij për të reformuar pensionet dhe sistemet tatimore në mënyrë që të nxisë rritjen dhe uljen e deficiteve.

Chirac ishte lideri i parë që njohu rolin e Francës në dëbimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2011, Chirac mori një dënim dy-vjeçar me burgim me kusht nga një gjykatë në Paris, për devijimin e fondeve publike dhe abuzimin e besimit të publikut gjatë kohës sa ishte kryebashkiak i Parisit.

Ai ishte presidenti i parë francez që u dënua nga një gjykatë franceze që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore.

Chirac ishte president i Francës në ditët e vështira për Kosovën nga regjimi serb i Millosheviqit dhe ai mbajti anën e drejtë. Në letrën e tij të përgjigjes drejt shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, në shtatorin e vitit 1998 deklaronte se Franca nuk e përjashtonte ndërhyrjen e NATO-s nëse Slobodan Millosheviqi nuk do t’i bindej perëndimit që do ta bombardonte në marsin e vitit 1999 regjimin e “Kasapit të Ballkanit”.

Këto të dhëna i ka zbuluar vetë Kadare në librin e tij “Mbi krimin në Ballkan – letërkëmbim i zymtë” botuar në vitin 2011.

Më 6 Shkurt 1999, në vlugun e luftës në Kosovë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ta ndaluar luftën në Kosovë, në Konferencën e Rambouillet, ku Presidenti Shirak ishte si nikoqir, në fjalimin hyrës të Jacques Chirac, përveç theksit për rëndësinë e Konferencës jepte edhe porosinë e përgjithshme, ku thuhej se “ne nuk do të tolerojmë vazhdimin e këtij konflikti që shkel parimet thelbësore të dinjitetit njerëzor. Ne nuk duhet të tolerojmë që dhuna të kërcënojë stabilitetin e gjithë Evropës Juglindore, ne duam paqe për kontinentin tonë…”.

Më tutje, atëbotë, ai i drejtohet delegacioneve serbe dhe kosovare në këtë konferencë me fjalët: “Bota po shikon dhe pret për një zgjidhje të mosmarrëveshjes së Kosovës. Paqja është në duart tuaja. Unë ju bëj thirrje ndjenjës suaj të përgjegjësisë dhe guximit tuaj. Mungesa e guximit shpie në luftë, shpie në hakmarrje dhe në një cikël të pafund dhune. Tani nevojitet kurajë dhe guxim i vërtetë … guxim për të pranuar negociata dhe për të bërë paqe”. Atëbotë, udhëheqësi francez vuri në dukje se “ka momente të rralla kur historia është në duart e vetëm disa burrave. Ky moment është tani kur  ju duhet të merrni vendimet  tuaja në tavolinën e bisedimeve”.

Në prag të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj Serbisë, duke iu adresuar popullit francez për arsyet pse Franca ka dalë në përkrahje të një intervenimi ushtarak, Chirac kishte deklaruar:

“Sjellja e qeverisë serbe është e papranueshme. Evropa nuk mund të qëndrojë në këmbë ndërsa ky njeri dhe qeveria e tij janë brenda kufijve të saj. Millosheviq për më shumë se dhjetë vjet po kryen spastrim etnik sistematik në Kroaci, Bosnje, Slloveni dhe tani në Kosovë. Ai ka urdhëruar vrasje dhe masakra dhe ka destabilizuar të gjithë rajonin. Si rezultat, më shumë se 200 mijë njerëz kanë vdekur dhe miliona njerëz u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre, me qindra e mijëra familje janë ndarë mes vete dhe qindra fshatra janë shkatërruar. Kjo tani duhet të marrë fund. Ne kemi provuar të bëjmë gjithçka për ta ndaluar këto mizori. Ka ardhur koha për të ndaluar vrasjet dhe për t’i pamundësuar mjetet me të cilat regjimi i Millosheviqit po shkakton këto krime. Me muaj, Evropa, Amerika dhe Rusia janë përpjekur bashkërisht për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe paqësore të kësaj krizës, së fundmi edhe në Francë në konferencën e Rambouillet. Përballë refuzimit të këtyre përpjekjeve nga serbët dhe presidenti i tyre, duhej të merrej vendimi për t’u përfshirë në aksione ushtarake”, thoshte Chirac.

Chirac u kishte bërë ftesë anëtarëve të delegacioneve nga Kosova dhe Serbia që të pajtoheshin për një kompromis duke ua bërë me dije njëkohësisht se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që kjo spirale dhune të kërcënojë stabilitetin e Evropës Jug-Lindore.

Chirac ishte i  martuar me Bernadette Chodron de Courcel, me të cilën kishte dy vajza,  Laurence dhe Claude.