Grafika: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Si po poshtërohet Kosova nga Amerika e Trumpit

Dinjiteti është një e drejtë e mbrojtur në shumë demokraci moderne, përfshirë Kushtetutën e Kosovës, por për fat të keq është diçka që shumë nga politikanët e Kosovës duket se e harrojnë sa herë kanë të bëjnë me Shtetet e Bashkuara.

 

Në zemër të filozofisë së Georg Friedrich Hegelit është ideja e historisë njerëzore si një luftë për njohje. Ashtu sikurse filozofët e tjerë moralë para tij, përfshirë Immanuel Kantin dhe Zhan Zhak Ruson, Hegelin argumentoi se individët kanë një dinjitet të lindur që kërkon njohje nga të tjerët.

Në antikitet, ky nocion i dinjitetit ishte një privilegj i lidhur me hierarkinë shoqërore. Vetëm aristokratët, luftëtarët, heronjtë dhe grupe të ngjashme me status të lartë shoqëror dhe politik mund të pretendonin dinjitet. Të gjithë të tjerët – të varfrit, skllevërit, gratë – ishin individë jodinjitozë.

Ky nocion ndryshoi nga shekulli i 18-të kur ngjarjet kryesore, siç është Revolucioni Francez, e shtynë idenë e dinjitetit njerëzor në një nivel universal. Që këtej e tutje, mbreti, pronari i skllevërve, plutokrati do të duhet të pranojë se dinjiteti nuk është privilegj për të pasurit dhe të fuqishmit, por një kod moral që definon individin dhe komunitetin në raport me të tjerët.

Të flasësh për dinjiteti njerëzor në kontekstin e politikës ndërkombëtare dhe intrigat Machiaveliste mund të tingëllojë si një qasje naive dhe jo reale. Dhe, pa dyshim, të presësh një trajtim të barabartë dhe me respekt nga presidenti aktual amerikan, është në fakt disi naive.

Është me të vërtetë tragjedi që nëse të duhet t’i kesh punët mirë me qeverinë amerikane këto ditë, dhe nuk dini si t’i shkojë për shtati egos së Trumpit, me fjalë tjera, duke bërë ose thënë gjëra që e bëjnë Trumpin të ndihet i veçantë ose i rëndësishëm, atëherë mund të vuani pasojat. Edhe nëse keni mësuar të luani këtë lojë, nuk ka asnjë garanci që ai nuk do të kthehet kundër jush dhe të përdorë fuqinë e tij politike për të shpifur ose për t’iu shkaktuar dëm juve, familjes ose komunitetit tuaj. Ai e ka bërë këtë në vazhdimësi. Vlerat dhe normat duken të kota dhe të parëndësishme për presidentin aktual amerikan.

E, megjithatë, për shumë vite mendimtarët socialë dhe politikë i janë rikthyer idesë së Hegelit për ta shpjeguar sesi kërkesa për dinjitet ka qenë forca shtytëse prapa shumë lëvizjeve politike duke filluar nga e drejta e votës universale, dekolonizimi, feminizmi, lëvizja LGBT dhe të tjerët.

Të fitosh të drejtën e votës është e pamjaftueshme në qoftë se zëri juaj ose liria e fituar rishtazi nuk është e vlefshme dhe respektuar nga të tjerët. Pse duhet të punosh për të fituar të ardhura më të mëdha nëse bashkë me këto to ardhura nuk vjen edhe respekti për to? Dinjiteti është bërë diçka i rrënjosur thellë edhe për vetë demokracinë.

Kjo shpjegon pse dinjiteti është përfshirë në shumë kushtetuta, përfshirë në vende të tilla si Gjermania, Italia, Japonia, Izraeli, Afrika e Jugut dhe Irlanda. Artikulli i parë i ligjit themeltar gjerman thotë se “Dinjiteti njerëzor do të jetë i pacenueshëm …” Pothuajse fjalë të njëjta paraqiten në nenin 23 të kushtetutës së Kosovës: “Dinjiteti njerëzor është i pacenueshëm …”

Fatkeqësisht, politikanët kosovarë nuk kanë arritur të lartësojnë konceptin e dinjitetit në të menduarit e tyre sa herë që kanë të bëjnë me vendet e tjera. Lufta për dekada të tëra nëpër të cilët kanë kaluar kosovarët nuk ishte thjesht të hidhnin poshtë një regjim vrastar në mënyrë që të nënshtroheshin tekeve të një fuqie tjetër që i poshtëron ata – siç po ndodh nën administratën aktuale të SHBA. Dhe asgjë nuk është më diskutabile në marrëdhëniet aktuale midis SHBA dhe Kosovës sesa dinjiteti njerëzor.

Liria nuk është çlirimi i vetëm nga një marrëdhënie abuzive. Liria e vërtetë, qoftë për një individ apo bashkësi, kërkon njohjen e ndërveprimit njerëzor, të drejtën për të bërë gabime duke administruar punët e tua, të drejtën për të ngecur, dhe të drejtën për trajtim dinjitoz, pavarësisht nga statusi i fuqisë.

Mirëpo, asnjë nga këto nuk duket se ka shumë rëndësi për dikë si Richard Grenell, i dërguari special aktual i SHBA për Dialogun Kosovë-Serbi. Në qasjen e tij agresive për të bindur qeverinë e Kosovës që të heqë taksat ndaj mallrave serbe, Z. Grenell ktheu politikanët kosovarë kundër njëri-tjetrit derisa ata t’i nënshtroheshin presionit të tij duke rezultuar me rrëzimin e qeverisë e tyre të zgjedhur rishtazi në mes të një pandemie globale.

Është e vërtetë, ka çështje tregtare dhe teknike që duhet të zgjidhen midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilat Z. Grenell ka punuar për ti adresuar në emër të administratës Trump. Por qasja e tij për marrëdhëniet e plota midis dy vendeve është reduktuar në një transaksion të thjeshtë.

Kjo është në thelb një filozofi Trumpiane që e thjeshton tepër shumë një situatë komplekse politike dhe sociale në një marrëveshje biznesi. Ideja është që të injorohet historia e fundit, të drejtat e njeriut, drejtësia, ankesat e pazgjidhura politike dhe të largohen rregullat dhe vlerat që njerëzit i çmojnë shumë. Është një qasje konfrontuese dhe arrogante.

Kjo është ajo që u thotë z. Grenell kosovarëve: harro gjithçka që Serbia ka bërë ose po bën me ty. Harrojeni refuzimin e saj për llogaridhënie për mizoritë e luftës kundër popullit tuaj, viktimat e zhdukura, obsesionin e vazhdueshëm për ta delegjitimuar shtetësinë tuaj dhe sabotimin e përpjekjeve tuaja për ti integruar serbët e Kosovës. Injoroni politikanët serbë që kanë bërë gjithçka të mundshme për të minuar stabilitetin dhe lirinë tuaj të brishtë. Harrojeni poshtërimin. Asnjë nga këto nuk ka rëndësi. Ju nuk keni pothuajse asnjë të drejtë të kërkoni trajtim dinjitoz. Taksat thjesht mund të jenë një simptomë e gjithë kësaj prapavije të çoroditur, por në botën e Trumpit, nuk ka durim ose respekt për një histori të larmishme.

Le ta injorojmë politikën, sugjeroi z. Grenell kohët e fundit. Një interpretim bujar i asaj deklarate është të arrihet në përfundimin se ai nuk e kupton faktin se politika mposht pothuajse çdo çështje të pazgjidhur në Ballkan. Por kjo deklaratë duket se është më shumë një shprehje e cinizmit të thellë për kompleksitetin kulturor dhe shoqëror të njerëzve të tjerë – një karakteristikë kryesore e politikës së jashtme aktuale të SHBA.

Pozicionimi më i çuditshëm i Z. Grenell në krejt këtë maskaradë, megjithatë, ka qenë insistimi i tij për të nxitur e qeverinë së Kosovës të heqë taksën sepse taksa dëmton kosovarët e zakonshëm dhe se ai është i shqetësuar për mirëqenien e tyre.

Kjo është hipokrizi. Z. Grenell qëndron plotësisht prapa shefit të tij, administrata e të cilit ka vendosur taksa të ashpra për importet nga Kina që dëmtojnë amerikanët.

Kur Z. Grenell ju shtua pyetja nëse presidenti i Sh.B.A duhet të respektojë këshillat e liderëve evropianë dhe të heqë taksat për importet kineze, si u përgjigj se evropianët duhet të ndjekin politikën tarifore të Trump dhe të jenë më të ashpër me Kinën.

Administrata e Trumpit raportohet se ka përdorur edhe kërcënimin me taksa të importit për të arritur objektivat e veta të politikës së jashtme. Në janar, Ëashington Post deklaroi se administrata kërcënoi me vendosjen e një takse 25% për importet evropiane të automobilave, nëse Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania nuk e akuzojnë zyrtarisht Iranin për prishjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Është qartë, pra, se shqetësimi i Z. Grenell për mirëqenien e kosovarëve është vetëm një temë diskutimi koti. Por fakti më dëshpërues është se disa politikanë kosovarë nuk kanë arritur të kuptojnë fyerjen e Z. Grenell— një fyerje e maskuar si qëllimmirë. Dhe derisa këta politikanë të mësojnë, në emër të shtetit të tyre, të kërkojnë respekt në këtë marrëdhënie të pabarabartë, ata gjithmonë do të trajtohen si skllavë pa një pikë dinjiteti.

 

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.