Si e vendosi McKinsey “produktivitetin” në qendër të politikës evropiane për refugjatët

Dokumentet e siguruara nga BIRN dhe Der Spiegel tregojnë se si konsulenca amerikane McKinsey e vendosi “maksimizimin e produktivitetit” në qendër të politikes evropiane të azilit, në dëm të të drejtave të refugjatëve, thonë kritikët.

 

Një rreth 65 vjeçare irakiane dhe një fëmijë 6 vjeçar u vranë kur shpërtheu një bombolë gazi e përdorur për zierje: tre burra vdiqën brenda disa ditësh, me sa duket nga helmimi me monoksid karboni i shkaktuar nga një sistem i përkohshëm ngrohjeje. Pesë tragjedi, një skenë: kampi i refugjatëve Moria në ishullin grek Lesbos.

Viktimat ishin në mesin e mijëra njerëzve të bllokuar në “pikën e nxehtë” të ishujve grekë Lesbos, Samos, Chios, Leros dhe Kos gjatë dimrit të parë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje historike ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë në mars të vitit 2016 për të frenuar rrjedhën e azilkërkuesve nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika që përpiqeshin të arrinin në brigjet e BE-së.

Amnesty International kritikoi “kushtet e rënda të jetesës” në kampe, “të ushqyerit e dobët dhe kujdesin e pamjaftueshëm mjekësor”. Autoritetet greke të azilit ishin të mbingarkuara.

Ky ishte sfondi i fillimit të një kontrate në janar të vitit 2017 mes BE-së dhe gjigantit amerikan të konsulencës McKinsey për të eliminuar “grumbullin” e kërkesave për azil.

Një hulumtim i përbashkët i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Der Spegel ka zbuluar se si McKinsey, në muajt para kontratës së janarit, kishte hartuar propozime pa pagesë për implementimin e paktit të refugjatëve me Turqinë, se si këto propozime ishin inkorporuar  në politikën evropiane dhe se si BE përfundimisht- pa një procedurë publike tenderuese- ia dha kësaj konsulence një kontratë në vlerë prej 992 mijë euro për ta implementuar këtë politikë. Gjykata Evropiane e Auditorëve erdhi në përfundim në vitin 2018 se kontrata ishte “e parregullt”.

Tani, qindra faqe të raportit përfundimtar të McKinseyt rreth punës, të siguruara nga BIRN dhe Der Spegel, hedhin dritë në detajet e shërbimit të konsulencës, duke zbuluar një logjikë më të përshtatshme për bordin se sa për punën humanitare në terren.

Parimi udhëheqës i konsulentëve menaxhues, të cilët punuar me Zyrën Evropiane [ër Mbështetje të Azilit (EASO), autoritetet greke dhe agjencinë e BE-së për menaxhimin e kufijve, Frontex, mund të përmblidhen në një shprehje të vetme: “maksimizimi i produktivitetit”- për të procesuar sa më shumë raste azili në një kohë sa më të shkurtër. Grupe të të drejtave të njeriut dhe persona të përfshirë thonë se kjo u bë në llogari të të drejtave të refugjatëve.

“Efikasiteti nuk mund të barazohet lehtë me mbrojtjen e të drejtës së azilkërkuesve për azil dhe qasje në procedura korrekte, sidomos për shkak të hendekut të madh në ofrimin e informatave dhe ndihmës ligjore për azilkërkuesit,” thotë Asterios Kavanos, një jurist i OJQ-së “Refugee Support Aegean” dhe ish punëtor i shërbimit social në EASO në Lesbos në vitet 2018 dhe 2019.

Ndarja sipas shtetësisë, trajnim më afatshkurtër i stafit, komunikim proaktiv

McKinsey propozoi një numër masash për ta arritur qëllimin e vet.

Disa ishin të dukshme si nevoja për t’i llogaritur sa azilkërkues ishin aktualisht në ishull dhe përmirësimi i ndarjes së akomodimit.

Disa, megjithatë, ishin më shumë kundërthënëse: “segmentimi”, për shembull- alokimi i rasteve të azilit sipas shtetësisë.

Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmëruan zyrtarët grekë dhe ata evropianë për diskriminim dhe treguan për tensionet ndërmjet grupeve që ngriten nga frustrimet në mesin e pjesëtarëve të disa shteteve për muajt e pritjes.

McKinsey bënte thirrje për rritjen e numrit të zyrtarëve sa më shpejt që të jetë e mundur. Në një takim me Marteen Verwey, koordinator i BE-së për marrëveshjen me Turqinë, konsulenti tha se një mënyrë për ta bërë këtë ishte shkurtimi i kohës që stafi e kalon në trajnime para se të vendoset në ishujt e Egjeut.

Një mënyrë tjetër për ta përmirësuar efikasitetin do të ishte lehtësimi i ngarkesës së punës, për shembull, duke “minimizuar numrin e rasteve që shkojnë në instancën e parë e sidomos në atë të dytë”. Kjo nënkuptonte dekurajimin e njerëzve madje edhe nga aplikimi ose, nëse tashmë e kishin bërë këtë, nga apelimi kur ata të jenë refuzuar.

Konsulenti propozoi që autoritetet greke dhe zyrtarët e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) duhet të angazhohen në “dispozita të komunikimit proaktiv” rreth perspektivës së një apeli të aprovuar dhe rreth skemës së IOM-it për “kthim vullnetar”. Një komunikim i tillë do të mund të ndodhtë sapo azilkërkuesi të arrinte në Greqi, siç thanë, në fund të një udhëtimi të rrezikshëm shpesh me barka të mbingarkuara përgjatë Egjeut.

Më shumë forca të sigurisë, kapacitete më të mëdha për paraburgime në pritje të deportimit

Përkundër përpjekjeve të tyre më të mira, rezultatet e shkurtit të vitit 2017 ishin qartësisht jo të kënaqshme.

“Produktiviteti aktual” i EASO dhe stafit të Shërbimit Grek të Azilit qe shumë poshtë synimit, tha McKinsey tha atëbotë. Mesatarisht, Autoriteti i Apelit në Greqi bënte 50 vendime apeli në javë në vend të synimit të vendosur për 300, sipas raportit të McKinseyt. Për ta ndryshuar këtë, konsulenca bëri thirrje për thirrje javore telefonike me koordinatorë të EASO-s dhe Shërbimit Grek të Azilit nëpër ishuj. Për më tepër, do të përdoreshin pikët e “performancës” për t’i motivuar nëpunësit.

Në raste, protestat në kampet në ishuj do të çonin në evakuim të stafit, duke shkaktuar vonesa të mëtejme në procedurat e azilit. Në këtë mënyrë, McKinsey kërkoi vendosjen e forcave shtesë të armatosura në mënyrë që “të zvogëlohet kohëzgjatja”.

Kapaciteti për paraburgim në pritje të deportimit gjithashtu duhet të zgjerohet, thuhet aty, dhe sugjerohej që migrantët duhet të paraburgosen menjëherë pasi të ishin informuar se do të deportoheshin. Udhëzimet e Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, të cilat i përmend vet EASO, megjithatë, ofrojnë paraburgim vetëm si masë ekstreme.

Disa azilkërkuesve, megjithatë, kohë pas kohe, u është dhënë leja të largohen nga ishulli, qoftë për shkak se kërkesat e tyre për azil ishin aprovuar ose janë vlerësuar si “të cenueshëm”. Disa, megjithatë, refuzuan të transferohen në kampe në tokën greke sepse ndjenin se kushtet atje ishin më të këqija se në ishuj.

Në mars 2017, McKinsey dëshironte të kundërshtonte këtë “mungesë vullneti” dhe propozoi një mekanizëm sanksioni në Agjencinë e OKB-së për Refugjatë që do ta bënte “qëndrimin në pika të nxehta më pak atraktiv”. Një nga masat e propozuar ishte bërja e kartave të parave të gatshme me të cilën azilkërkuesit do t’i jepeshin 90 euro në muaj, por vetëm për pjesën tokësore të Greqisë.

Më vonë në dhjetor 2016, organizatat e të drejtave të njeriut kritikuan faktin se ata që ishin në ishuj ishin jo mjaftueshëm të informuar rreth procedurave të azilit.

Shumë detaje të mbyllura

McKinsey nuk komentoi kur iu kërkua rreth masave individuale të propozuara nga kompania rreth rrjedhës së aktiviteteve.

“Siç e ka konfirmuar Komisioni Evropian, McKinsey nuk e ka vendosur politikën publike apo vlerësuar meritën e pretendimeve”, tha një zëdhënëse e kompanisë.

“Roli ynë, siç është dokumentuar, ishte për të ofruar të dhëna dhe këshilla operacionale për autoritetet për t’i informuar vendimet e tyre. Kjo nënkuptonte që rastet e azilkërkuesve të ishin procesuar dhe të dëgjoheshin më shpejt, gjë që ofronte qartësi se kush kishte të drejtë të mbeste në BE”.

Është e paqartë deri në çfarë mase janë implementuar masat e propozuara nga McKinsey.

Shumë detaje të aktiviteteve të McKinseyt janë ende të papërfunduara edhe sot. Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, e arsyeton këtë me bazën se zbulimi i plotë do të paraqiste rrezik për sigurinë publike dhe “do të minonte mbrojtjen e interesave biznesore të McKinseyt”.

Një zëdhënës i EASO tha se “procedurat efikase të azilit nuk barazohen me përkeqësimin e cilësisë dhe vlerësimin individual të aplikacioneve. Të gjitha janë elemente të rëndësishme të Sistemit të Gjithëmbarshëm Evropian të Azilit, ku një aplikant jo vetëm ka të drejtë që ta ketë rishikimin e aplikacionit në bazë të meritës, por gjithashtu edhe brenda një afati të arsyeshëm”.

Agjencia nuk komentoi rreth masave individuale të propozuara nga McKinsey. Kompania nuk kishte paraqitur propozimet në EASO, por në Këshillin Drejtues që e drejtoi projektin, tha zëdhënësi i EASO. Edhe pse EASO ishte anëtar i Komitetit, i cili nuk ekziston sot, ai nuk mund të fliste në emër të tij ose si anëtar i tij.

Përveç EASO, Këshilli Drejtues përfshinte edhe Shërbimin e Mbështetjes së Reformës Strukturore të BE-së, agjencinë e BE-së për menaxhimin e kufirit, Frontex), autoritetet greke dhe vet MCKinseyn. Zëdhënësi i EASO sugjeroi që të pyetet Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së rreth asaj se si kishte vijuar propozimi i konsulencës.

Kur u pyet, një zëdhënëse e Komisionit u përgjigj: “Përderisa autoritetet publike mund të vendosin të mbështeten në ekspertizën e kompanive të jashtme aty ku janë relevante, u përket autoriteteve publike të vlerësojnë dhe rishikojnë kontributin e kompanive të jashtme, dhe jo ta bëjnë politikën e tyre në mënyrë të pavarur”.

Komisioni dhe autoritetet e BE-së vepruan vetëm në rolin mbështetës, tha ajo, dhe sugjeroi që pyetjet rreth masave individuale të propozuara nga McKinsey t’u drejtohen autoriteteve greke. Autoritetet greke, megjithatë, nuk u përgjigjen në një email që kërkonte komentin e tyre.

“I dizajnuar për deportim”

Theksi i vënë mbi efikasitetin dhe “produktivitetin” në politikën evropiane për refugjatë gjallëroi përfshirjen e McKinseyt duke ngjallur shqetësimin e grupeve të të drejtave dhe disave nga ata që kanë punuar në terren.

“Siç e kam kuptuar, efikasiteti ishte aspekti më i rëndësishëm i punëtorëve të shërbimeve sociale”, tha Kavanos. “Në një procedurë ku vendimet e shpejta janë prioritet, garancitë procedurale dhe mbrojtja e të drejtave të azilkërkuesve janë të dorës së dytë”.

Sipas Kavanos, ligjet e reja të azilit të miratuara në Greqi këtë vit përfshijnë një numër të dispozitave të ngjashme me ato të mëparshmet të propozuara nga McKinsey: një nga ato dispozita nënkupton referimin e menjëhershëm të një azilkërkuesi të refuzuar në instancën e parë të deportimit dhe vendosjen e tyre automatike në paraburgim derisa deportimi të jetësohet.

Xhiroja e aplikimeve për azil në Greqi është rritur ndjeshëm, por në çfarë kostoje?

“Sistemi i ri grek i azilit është i dizajnuar për t’i deportuar njerëzit e jo për t’u ofruar atyre siguri dhe mbrojtje”, tha Oxfam dhe Këshilli Grek për Refugjatë në një raport të publikuar më 1 korrik.

Në nëntor të vitit të kaluar, Zyra e Ombudspersonit të BE-së i tha Komisionit se duhet të bëhen publike më shumë detaje rreth rolit të MCKinseyt, duke argumentuar se publiku ka të drejtë të jetë i informuar rreth përmbajtjes së projekteve të financuar nga paraja publike.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen megjithatë, tha se materiali përmbante “informacion sensitiv” rreth strategjive biznesore dhe marrëdhënieve të MCKinseyt.

Kreu i organizatës me seli në Berlin, Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus, ideetë e të cilit ofruan bazë për marrëveshjen BE- Turqi, vuri në pyetje nevojën për konfidencialitet. “Pse analiza e McKinseyt ishte konfidenciale? Çka po fshihej nga publiku këtu?”, tha ai për Der Spiegel/BIRN.

Në pranverë të vitit 2017, tha ai, kishte më pak se 6 mijë azilkërkues në ishujt grekë. Do të duhej gjithashtu të kishte pasur mjaft para nga BE për të ofruar strehim humanitar. “Ku shkuan ato (paratë)”, pyeti Knaus.

“Problemi në ishuj nuk është mungesa e resurseve por mungesa e vullnetit politik”.