Presidenti rus, Vladimir Putin.

Si e formësoi ‘Precedenti i Kosovës’ planin e Putinit për të pushtuar Ukrainën

Vladimir Putin e ka përdorur vazhdimisht shpalljen e njëanshme të pavarësisë të Kosovës, të mbështetur nga Perëndimi, si justifikim ligjor për inkursionet e tij ushtarake në ish-republikat e tjera sovjetike për të mbështetur rebelët e mbështetur nga Rusia, shkruan gjykatësi Dean B. Pineles.

Si gjyqtar amerikane, kam përvojë të gjerë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan, Gjeorgji dhe Kosovë. Duke parë atë që ka ndodhur në këto katër vende, mund të jap një shpjegim bindës për ngjarjet e tmerrshme që po shpalosen sot.

Ndërsa bota u tmerrua muajin e kaluar, Rusia, pa provokime legjitime, pushtoi Ukrainën, një vend sovran. Kriza ishte në zhvillim e sipër për një kohë të gjatë, me antecedentë të rëndësishëm historikë, si fakti që  Ukraina që ishte një ish-republikë sovjetike, ambicien e kahershme të presidentit Vladimir Putin për të rikrijuar një perandori të ndikimit rus dhe këmbënguljen e tij që Ukraina nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s apo BE-së.

Por është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se ngjarje të tjera historike kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndikimin e strategjisë gjeopolitike të Rusisë gjatë dy dekadave të fundit.

Siç kuptuam mirë në Kosovë dhe në Ballkan, në vitin 1999 nën udhëheqjen e presidentit amerikan Bill Clinton dhe Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, NATO-ja ndërhyri me një fushatë intensive bombardimesh në luftën brutale midis Serbisë dhe provincës së saj të shkëputur të Kosovës, të cilën Serbia kreu spastrimin etnik të shumicës shqiptare, duke krijuar një krizë humanitare. Pas 78 ditësh, NATO-ja fitoi dhe lufta përfundoi në qershor 1999.

Rusia kundërshtoi fuqishëm ndërhyrjen e NATO-s dhe mbetet aleati i vendosur i Serbisë edhe sot e kësaj dite. NATO-ja krijoi një forcë paqeruajtëse, KFOR, e cila po ashtu vazhdon edhe sot e kësaj dite. Këto ngjarje mbollën farën e “precedentit të Kosovës”, i cili do të përdorej nga Putin në mënyrë dramatike në vitet në vijim.

Në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj nga Serbia me mbështetjen e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të tjera. Kjo ngjarje vendimtare e zemëroi Putinin dhe ai u zotua se kjo krijonte një precedent që do të kthehej përsëri për të dëmtuar Perëndimin. Dhe kjo ndodhi vërtet pas pak kohësh.

Vetëm disa muaj më vonë, në gusht 2008, Rusia pushtoi Gjeorgjinë, një ish-republikë sovjetike e cila po anonte drejt NATO-s dhe BE-së, me pretekstin se rusishtfolësit dhe mbajtësit e pasaportave në provincën separatiste të Osetisë Jugore po kërcënoheshin nga ushtria gjeorgjiane.

Tanket dhe personeli ushtarak rus vërshuan shpejt përmes Tunelit Roki që ndante të dy vendet sikur të kishin pritur këtë moment dhe forcat ruse shpejt mposhtën ushtrinë gjeorgjiane. (Unë isha duke punuar në Gjeorgji në atë kohë dhe u evakuova në Armeni deri në përfundimin e armiqësive.)

Rusia më pas njohu pavarësinë e Osetisë Jugore dhe një krahine tjetër rebele, Abkhazisë, dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot e kësaj dite. Kështu precedenti i Kosovës u zbatua plotësisht.

“Precedenti i Kosovës” në Donbas

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke vlerësuar një padi të paraqitur nga Serbia, vendosi se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Rusia do të argumentonte se ky rezultat duhet të zbatohet njësoj për Osetinë Jugore dhe Abkhazinë. (Unë mbërrita në Kosovë menjëherë pas kësaj në fillim të vitit 2011 dhe qëndrova atje për 28 muaj.)

Më pas në vitin 2014, provinca e trazuar e Krimesë shpalli pavarësinë e saj nga Ukraina pas një inkursioni nga ushtarët rusë dhe një referendumi. Deklarata me shkrim e pavarësisë në fakt citon precedentin e Kosovës – shpalljen e njëanshme të pavarësisë – si një nga arsyetimet për shkëputjen nga Ukraina. Krimea u përfshi më pas në Federatën Ruse.

Në fillim të janarit 2022, protestat paqësore filluan në Kazakistan, gjithashtu një ish-republikë sovjetike, për shkak të një rritje të çmimit të gazit, por shpejt u shndërruan në protesta të dhunshme pas pakënaqësisë në rritje me qeverinë autokratike dhe pabarazisë ekonomike. Qeveria goditi brutalisht, por nuk mundi ta kontrollonte dhunën dhe bëri thirrje për ndihmë nga Rusia nën aleancën e tyre ushtarake. Putini u përgjigj shpejt dhe dërgoi ushtarë rusë për të ndihmuar në shuarjen e trazirave, gjë e cila shkaktoi mbi 200 vdekje dhe mijëra arrestime.

Ndërsa kjo situatë nuk lidhej drejtpërdrejt me precedentin e Kosovës, ajo tregoi qartë se Putini ishte i gatshëm të përdorte forcën ushtarake për të mbështetur kolegët e tij autokratë brenda ish-Bashkimit Sovjetik dhe për të shtypur çdo mospajtim popullor, apo liberalizim demokratik siç ka ndodhur në Ukrainë. (Udhëtova në Kazakistan për një detyrë në vitin 2006 dhe nga dritarja e hotelit tim në Almaty, pashë ndërtesën e madhe qeveritare matanë bulevardit që u shkatërrua në trazirat e fundit.)

Gjatë tetë viteve të fundit, separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar kundër ushtrisë ukrainase në rajonin Donbas të Ukrainës. Një nga veprimet e para të Putinit pas pushtimit të fundit të Ukrainës ishte njohja e pavarësisë së Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut dhe Republikës Popullore të Luhanskut, dy territore rebele në Donbas, duke shfrytëzuar precedentin e Kosovës siç bëri në Gjeorgji dhe Krime.

Ka një debat të vazhdueshëm nëse ngjarjet në Kosovë caktuan një precedent sipas ligjit ndërkombëtar, gjë e cila mohohet nga vendet perëndimore.

Ata argumentojnë se ndërhyrja në Kosovë ishte një situatë unike, e njëhershme, sepse u iniciua dhe justifikua si një mision humanitar i kufizuar në ndalimin e gjakderdhjes dhe spastrimit etnik. Por koncepti duket se mbetet i gjallë, të paktën në mendjen e Vladimir Putin.

Nëse ai është i suksesshëm në Ukrainë, a do të shkojë më pas në Moldavi, një tjetër ish-republikë sovjetike që ndan një kufi me Rumaninë, një anëtare e NATO-s dhe BE-së, nën një maskë të dobët provokimi si në Gjeorgji, Krime dhe Donbas?

Nëse ka ndonjë avantazh në tragjedinë e vazhdueshme të Ukrainës, ai është fakti se NATO-ja dhe BE-ja mund të jenë më të prirura për ta integruar Kosovën në këto aleanca si një mburojë tjetër kundër ndërhyrjes ruse në Ballkanin Perëndimor.

Gjyqtari Dean B. Pineles është diplomuar në Brown University, Boston University Law School dhe Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Ai ka shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar me EULEX-in nga viti 2011 deri në vitin 2013. Përveç se në Kosovë, ai ka eksperiencë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji dhe po shkruan një libër mbi përvojat e tij në këto vende. 

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.