Presidenti rus, Vladimir Putin, Foto: Twitter

Si e formësoi planin e Putinit 'Precedenti i Kosovës' për ta pushtuar Ukrainën

Vladimir Putin e ka përdorur vazhdimisht shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, të mbështetur nga Perëndimi, si justifikim ligjor për inkursionet e tij ushtarake në ish-republikat e tjera sovjetike për t’i mbështetur rebelët e mbështetur nga Rusia, shkruan gjykatësi Dean B. Pineles.

Si gjyqtar amerikan, kam përvojë të gjerë të sundimit të ligjit në Rusi, Kazakistan, Gjeorgji dhe Kosovë. Vrojtimi i asaj që ka ndodhur në këto katër vende jep një shpjegim bindës për ngjarjet e tmerrshme që po ndodhin sot.

Ndërsa bota u zmbraps në tmerr muajin e kaluar, Rusia, pa ndonjë provokim legjitim, e pushtoi Ukrainën, një vend sovran. Kriza ishte në zhvillim e sipër për një kohë të gjatë, me paraardhës të rëndësishëm historikë, si Ukraina që ishte një ish-republikë sovjetike, ambicia e kahershme e Presidentit Vladimir Putin për ta rikrijuar një perandori të ndikimit rus dhe këmbëngulja e tij që Ukraina nuk do të bëhet asnjëherë anëtare e NATO-s apo BE-së.

Por është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se ngjarje të tjera historike kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndikimin e strategjisë gjeopolitike të Rusisë gjatë dy dekadave të fundit.

Siç dihet tashmë mirë në Kosovë dhe në Ballkan, në vitin 1999 nën udhëheqjen e Presidentit të SHBA Bill Clinton dhe Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, NATO ndërhyri me një fushatë intensive bombardimesh në luftën brutale vdekjeprurëse ndërmjet Serbisë dhe provincës së saj të shkëputur, Kosovës në të cilën Serbia kreu spastrimin etnik të shumicës shqiptare, duke krijuar një krizë humanitare. Pas 78 ditësh, NATO doli fitimtare dhe lufta përfundoi në qershor të vitit 1999.

Rusia e kundërshtoi fuqishëm ndërhyrjen e NATO-s dhe mbetet aleati i vendosur i Serbisë edhe sot e kësaj dite. NATO ka krijuar një forcë paqeruajtëse, KFOR, e cila po ashtu vazhdon me prezencën e saj në Kosovë edhe sot e kësaj dite. Këto ngjarje mbollën farën e ‘precedentit të Kosovës’, i cili do të përdorej nga Putini në mënyrë dramatike në vitet në vijim.

Në shkurt të vitit 2008, Kosova e shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj nga Serbia me mbështetjen e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të tjera. Kjo ngjarje vendimtare e zemëroi Putinin dhe ai u zotua se ky akt krijoi një precedent që do t’i kthehej një ditë Perëndimit dhe do ta dëmtojë atë. Dhe e bëri këtë në një kohë të shkurtër.

Vetëm disa muaj më vonë, në gusht të vitit 2008, Rusia e pushtoi shtetin e Gjeorgjisë, një ish-republikë sovjetike që po anonte drejt NATO-s dhe BE-së, me pretekstin se rusishtfolësit dhe mbajtësit e pasaportave në provincën e shkëputur të Osetisë Jugore po kërcënoheshin nga ushtria gjeorgjiane.

Tankset dhe personeli ushtarak rus vërshuan me shpejtësi përmes tunelit Roki që ndante të dyja vendet teksa prisnin këtë moment, dhe forcat ruse shpejt mposhtën ushtrinë gjeorgjiane. (Unë po punoja në Gjeorgji në atë kohë dhe u evakuova në Armeni deri në përfundimin e armiqësive.)

Rusia më pas e njohu pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe të një krahine tjetër rebele, Abkhazisë, dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot e kësaj dite. Kështu precedenti i Kosovës u zbatua plotësisht.

Precedenti i Kosovës në Donbas

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke e vlerësuar një sfidë ligjore të paraqitur nga Serbia, vendosi se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk cenon të drejtën ndërkombëtare. Rusia do të argumentonte se ky rezultat duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë edhe për Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. (Unë arrita në Kosovë menjëherë pas kësaj në fillim të vitit 2011 dhe qëndrova aty për 28 muaj.)

Më pas, në vitin 2014, provinca e trazuar e Krimesë shpalli pavarësinë e saj nga Ukraina pas një inkursioni nga ushtarët rusë dhe një referendumi të mbajtur atje. Deklarata me shkrim e pavarësisë në fakt citonte precedentin e Kosovës – një shpallje e njëanshme e pavarësisë – si një nga arsyetimet për shkëputjen nga Ukraina. Krimea u përfshi më pas në Federatën Ruse.

Në fillim të janarit të vitit 2022, protestat paqësore filluan në Kazakistan, gjithashtu një ish-republikë sovjetike, lidhur me rritjen e çmimit të gazit, por me shpejtësi u shndërruan në dhunë mes pakënaqësisë në rritje me qeverinë autokratike dhe pabarazisë ekonomike. Qeveria reagoi në mënyrë brutale, por nuk mundi ta kontrollonte dhunën dhe kërkoi ndihmë nga Rusia duke u futur nën aleancën e saj ushtarake. Putini reagoi shpejt dhe dërgoi ushtarë rusë për të ndihmuar në shuarjen e trazirave, duke rezultuar me mbi 200 vdekje dhe mijëra arrestime.

Ndërkohë që kjo situatë nuk ishte e lidhur drejtpërdrejt me precedentin e Kosovës, u demonstrua qartë se Putini ishte i gatshëm ta përdorte forcën ushtarake për t’i mbështetur kolegët e tij autokratë brenda ish-Bashkimit Sovjetik dhe për ta shtypur çdo mospajtim popullor, apo liberalizim demokratik siç ka ndodhur në Ukrainë. (Udhëtova në Kazakistan për një punë që ndërlidhej me sundimin e ligjit në vitin 2006 dhe nga dritarja e hotelit tim në Almaty, pashë ndërtesën e madhe qeveritare matanë bulevardit që u shkatërrua në trazirat e fundit.)

Gjatë tetë viteve të fundit, separatistët e sponsorizuar nga Rusia kanë luftuar kundër ushtrisë ukrainase në rajonin Donbas të Ukrainës. Një nga veprimet e para të Putinit pas pushtimit të fundit të Ukrainës ishte njohja e pavarësisë së Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut dhe Republikës Popullore të Luhanskut, dy territore rebele në Donbas, duke e shfrytëzuar precedentin e Kosovës siç bëri në Gjeorgji dhe Krime.

Ka një debat të vazhdueshëm nëse ngjarjet në Kosovë kanë krijuar një precedent sipas ligjit ndërkombëtar, gjë që mohohet nga vendet perëndimore.

Ata argumentojnë se ndërhyrja në Kosovë ishte një situatë unike, e njëhershme, sepse ishte inicuar dhe justifikuar si një mision humanitar i kufizuar në ndalimin e gjakderdhjes dhe spastrimit etnik. Por koncepti duket se ka mbetur i gjallë, të paktën në mendjen e Vladimir Putin.

Nëse Putin shënon sukses në Ukrainë, a do të vazhdojë pastaj edhe në Moldavi, një tjetër ish-republikë sovjetike që ndan kufirin me Rumaninë, shtet anëtar i NATO-s dhe BE-së, duke përdorur një maskë të dobët provokimi sikurse në Gjeorgji, Krime dhe Donbas?

Nëse ka ndonjë avantazh në tragjedinë e vazhdueshme të Ukrainës, ajo është se NATO dhe BE mund të jenë më të prirura për ta integruar Kosovën në këto aleanca si një mburojë tjetër kundër ndërhyrjes ruse në Ballkanin Perëndimor.

Gjykatësi Dean B. Pineles është i diplomuar në Universitetin Broën, Shkollën Juridike të Universitetit të Bostonit dhe Shkollën e Qeverisë Kennedy në Universitetin e Harvardit. Ai shërbeu si gjyqtar ndërkombëtar në EULEX në vitet 2011-13. Përveç Kosovës, ai ka përvojë të gjerë të sundimit të ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji dhe aktualisht është duke shkruar një libër për përvojat e tij në këto vende.

Mendimet e shprehura janë vetëm të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight