Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Si duhet të menaxhohet mirëmbajtja e ndërtesave kolektive?

Jeta në qytete të mëdha ka shumë përfitime por edhe mjaft sfida. Kaosi në trafik, mungesa e parkingjeve por edhe zhurma e pluhuri janë vetëm disa nga telashet të cilat i sjell jeta urbane dhe është vështirë të përcaktohet se cila nga këto probleme shkaktojnë më shumë kokëçarje.

Por, pa dyshim që një ndër problemet më të mëdha me të cilën sot ballafaqohen qytetarët që jetojnë në ndërtesa kolektive në Kosovë është mungesa e mirëmbajtjes së hapësirave të përbashkëta. Ky është një problem i cili mbetet pezull dhe i patrajtuar sa duhet qysh nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Në shumë ndërtesa kolektive, si në Prishtinë por edhe në qytetet tjera të mëdha të Kosovës, shihet pamje e njëjtë: korridore të papastra, xhama të hyrjeve të thyer, bodrume të mbushura me ujë e me fekale, poqe të korridoreve që nuk punojnë, mure të pagëlqerosura me dekada apo fasada të jashtme të dëmtuar.

Kjo gjendje përpos që shkakton telashe në aspektin estetik, është edhe mjaft e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Rreziqet që shkakton mungesa e mirëmbajtjes është në disa fusha. Rreziqet nga goditjet e objekteve të papërforcuara mirë siç mund të jetë fasada e banesave tek Fontana në Prishtinë, rreziqet nga rënia sidomos për shkak të rrethojave të pakontrolluara me dekada apo edhe rreziqet nga ndonjë epidemi për shkak të papastërtisë.

Me një fjalë, mungesa e mirëmbajtjes së ndërtesave kolektive nuk është më vetëm luks por një urgjencë e madhe. Në një gjendje të tillë në të cilën gjenden janë të rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Kjo shkakton edhe pasiguri te qytetarët, sidomos gjatë përdorimit të ashensorëve.

Ne nuk guxojmë të jemi shoqëri post-tragjike, që i bie që së pari të presim që të ndodh ndonjë tragjedi e pastaj të ndërmarrim masa. Kjo shpesh na ka kushtuar shtrenjtë. Po e marrim shembull vetëm tërmetin në Shqipëri i cili sistemin e emergjencës atje e ka zënë në gjumë të thellë.

Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Por, duhet të pranohet se zgjidhja e problemit lidhur me mirëmbajtjen e ndërtesave kolektive është shumë kompleks dhe kërkon përkushtim si nga institucionet e Kosovës por edhe nga vetë qytetarët që jetojnë në ndërtesa kolektive. Para luftës përgjegjësinë për mirëmbajtjen e ndërtesave kolektive e kanë pasur Bashkësitë Vetëqeverisëse të Interesit – që në popull njihen si BVI. Në Prishtinë BVI-ja për Banim dhe Lokale Afariste në vitin 1989 është shndërruar në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Çështja e mirëmbajtjes së ndërtesave kolektive rregullohet me Ligjin për Ndërtesat e Banimit në Bashkëpronësi (04/L-134). Sipas këtij Ligji përgjegjës për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta (korridore, shkallë, ashensorë, bodrume) janë pronarët e njësive banesore.

Sipas Ligjit, këta të fundit duhet të mblidhen dhe të krijojnë Shoqatën e Pronarëve të cilët duhet të përzgjedhin administrator të licencuar e i cili përkujdeset për mirëmbajtjen e ndërtesave kolektive kryesisht përmes kontraktimit të ndonjë kompanie private. Pagesa për mirëmbajtje duhet të kryhet nga banorët e ndërtesave kolektive në mënyrë proporcionale.

Ky po del të jetë një proces mjaft i komplikuar dhe pothuaj i pazbatueshëm ku disa arsye janë mungesa e informatave nga banorët për skemat e lartëpërmendura, mosdefinimi i saktë i statusit të pronarëve të njësive banesore apo edhe për shkak të mosinteresimit të banorëve që të organizohen dhe të krijojnë strukturat e kërkuara me Ligj.

Po si po funksionon mirëmbajtja e banesave kolektive në terren? Situata në terren mund të ndahet në tri grupe.

Grupi i parë janë banesat e ndërtuara viteve të fundit ku blerësve të banesave u caktohet kompania mirëmbajtëse dhe shuma për t’u paguar.

Kjo formë e mirëmbajtjes nuk është në përputhje me Ligj sepse banorëve po u imponohet mirëmbajtja e ndërtesave e në Ligj ata vetë duhet të organizohen dhe të përzgjedhin se kush duhet t’ua mirëmbajë ndërtesat. Sidoqoftë kjo është një formë shumë e mirë për të zgjidhur këtë problem të madh dhe Ligji duhet të ndryshojë dhe ta njohë këtë mënyrë të funksionimit.

Grupi i dytë janë banesat e Prishtinës të cilat në disa vite të fundit po mirëmbahen nga NPB-ja. Në fakt NPB-ja (ish BVI-ja) deri në përfundim të luftës ka qenë përgjegjëse kryesore për mirëmbajtjen e të gjitha hapësirave të përbashkëta në ndërtesa kolektive por me Ligj të ri u ka pamundësuar që të merren me këtë punë pa dakordimin e pronarëve të banesave.

Për këtë arsye NPB-ja në disa vite të fundit kërkon nga banorët që përmes nënshkrimeve të dakordohen që NPB të mirëmbaj hapësirat e përbashkëta të tyre. Kjo është një nismë e mirë edhe pse shumë e vonuar. NPB ka mundur shumë më herët të zbatojë këtë metodë dhe të shtrijë aktivitetin e vet te të gjithë banorët të interesuar për shërbimet e tyre.

Po ashtu NPB duhet të jetë më transparente, duke treguar numrin e kontratave me banorë, kushtet e ofruara dhe mënyrën e funksionimit. Këtë mund ta bëjë përmes ueb faqes së vetë zyrtare, e cila duhet të jetë më e begatshme me informata.

Edhe komunat e tjera inkurajohen që sa më shpejt të krijojnë NPB-të e tyre dhe të ofrojnë shërbimin e mirëmbajtjes së hapësirave të përbashkëta në ndërtesa kolektive.

Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Në grupin e tretë hyjnë banesat të cilat mbesin në fatin e askujt dhe mirëmbajtja mungon apo varet nga ndonjë individ i vullnetit të mirë.

Lënja në dorë e mirëmbajtjes së hapësirave të përbashkëta tek vet banorët thjesht nuk po funksionon dhe ligji aktual për mirëmbajtjen e ndërtesave kolektive duhet të ndërrohet urgjentisht.

Në ligjin e ri komunave duhet të ju lihen kompetenca më të mëdha në menaxhimin e mirëmbajtjes së banesave kolektive çoftë përmes ndërmarrjeve lokale apo përmes kompanive private që do të licencoheshin për këtë punë. Kështu funksionon mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta në shumicën e shteteve Evropiane dhe është treguar e suksesshme.

Nuk guxojmë të presim që dikush të lëndohet apo të humbë jetën për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së hapësirave të përbashkëta që të ndërmerren masa sepse atëherë mund të jetë vonë.