Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Shumica e re parlamentare zhbllokon nismat ligjore që i kishte bllokuar përreth dy muaj

Pas gati dy muaj bllokim, Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e së hënës procedoi disa nisma ligjore e projektligje që priten të shqyrtohen në seancën e 11 qershorit.

Votimi i Qeverisë së re të vendit një javë më parë, krijoi shumicën e re parlamentare me subjektet politike LDK-AAK-NISMA, në bashkëqeverisje me Listën Serbe dhe partitë tjera jo-shumicë. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja tashmë kanë mbetur opozitë në legjislativ.

Pas mbledhjes së kryesisë, partitë tash në pushtet u kritikuan nga opozita se përkrahën nismat e njëjta ligjore, ndonëse të njëjtat nuk lejuan të procedoheshin në kohën e Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi deklaroi se në mbledhje u shpërfaq qasja joparimore e shumicës së krijuar “ilegjitime” në parlament.

“Ne sot futëm në agjendë të gjitha nismat pothujase ishin të cilat dikur të njëjtat, grupet parlamentare i kishin kundërshtuar. Ato nisma që i kanë bllokuar gjatë pandemisë që kanë të bëjnë me masa të mbrojtjes dhe mbështetje të qytetarëve që atëherë i kanë bllokuar, sot i kanë sjellur në Kuvendin e Kosovës, për t’i proceduar”, tha Selimi të hënën.

Por Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë për KALLXO.com, se kjo është çështje procedurale, pasi është formuar Qeveria e re.

“Nuk është punë akuzash, është çështje procedurale. Nuk kemi pas Qeveri, tash është Qeveria, i ka konfirmuar ato iniciativa dhe vazhdojmë tutje. Pas formimit, Qeveria ka dërguar letër me shkrim që këto nisma legjislative i trajton si të vetat dhe vazhdojmë tutje. Është çështje e Kuvendit se a i aprovon apo i refuzon”, tha Gashi për KALLXO.com.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit më 8 qershor 2020, Foto: Kuvendi i Kosovës

Në anën tjetër, Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që monitoron punën e legjisativit, thotë për KALLXO.com se në mbledhjen e djeshme, Kryesia e Kuvendit mori vendim që t’i procedojë për mendim në Qeveri katër nisma ligjore.

Sipas saj, tri prej tyre të inicuara nga grupi parlamentar i PDK-së dhe një tjetër nga Kryetarja e Kuvendit e mbështetur edhe nga pesë deputetë të tjerë.

Haxhiu thekson se këto nisma ishin dorëzuar në Kuvend gjatë muajit prill, para gati dy muajsh nga inicuesit e tyre, por që në mungesë të vullnetit politik të disa prej grupeve parlamentare nuk ishin proceduar tutje.

“Arsyeja e hezitimit të disa prej grupeve parlamentare për t’i shtyrë përpara këto çështje, sipas tyre, ka qenë për shkak të paqartësive kushtetuese nëse duhet ato nisma të procedohen në Kuvend pa marrë mendim nga Qeveria ose nëse Qeveria në detyrë ka kompetencë për të dhënë mendim lidhur me ato nisma”, shtoi ajo për KALLXO.com.

E njëjta situatë, sipas hulumtueses së KDI-së, ka qenë edhe me pesë marrëveshje ndërkombëtare që dje Kryesia e Kuvendit i procedoi për në seancë plenare që mbahet të enjten, të cilat janë negociuar nga Qeveria Kurti dhe ishin sjellë në Kuvend për ratifikim pas inicimit të mocionit të mosbesimit.

“Tash për të njëjtat Qeveria e re ka dhënë pëlqimin që të procedohen tutje me atë përmbajtje ashtu siç janë negociuar nga qeveria paraprake”, tha ajo.

Qeveria me kryeministër Avdullah Hotin u formua me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, më 3 qershor.

Pikat për shqyrtim në seancën e ardhshme dhe nismat e proceduara

Në seancën e rregullt plenare, më 11 qershor duke filluar në orën 10:00, Kuvendi pritet të shqyrtojë një varg projektligjesh, si dhe pika të tjera, të proceduara nga ana e Qeverisë.

Kuvendi i Kosoëvs pas mbledhjes së Kryesisë ka bërë të ditur se në këtë seancë pritet shqyrtimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 02/03, dt. 05.06.2020, me të cilin kërkohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të bëjë ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit, si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm, sipas nenit 22B të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, Ligjin nr. 04/L-116, Ligjin nr. 04/L-194, Ligjin nr. 05/L-063 dhe Ligjin nr.05/L-007.

Gjithashtu në këtë seancë do të shqyrtohen pesë projektligje (marrëveshje ndërkombëtare):

  1. Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar (MFT),
  2. Projektligji  për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan (MFT),
  3. Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (MFT),
  4. Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” (MFT), si dhe
  5. Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020” (MFT).

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe raporti vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, por se këto çështje paraprakisht do të trajtohen në komisionet përkatëse parlamentare.

Kryesia njoftoi se i ka proceduar për mendim në qeveri katër iniciativa ligjore të Kuvendit:

  1. Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e   Republikës së Kosovës,
  2. Projektligji për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19”,
  3. Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007 dhe
  4. Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.