Shkupi - Foto: REL/MIA

Shtytja për subvencione etnike për punësim shkakton tensione në Maqedoninë e Veriut

Kërkesa nga partia e vogël politike në qeveri për subvencione shtetërore për punësim etnik në sektorin privat po shpërfaq tension brenda koalicionit qeverisës – dhe po i alarmon disa punëdhënës.

 

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, me përbërje – sikurse ajo e vjetra – nga Social Demokratët dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar etnik për Integrim, BDI, ka hasur në përplasjen e saj të parë.

Si shkak është këmbëngulja e BDI-së që, nga viti i ardhshëm, qeveria duhet të prezantojë subvencione për punësimin etnik në sektorin privat.

BDI thotë se subvencionet janë një domosdoshmëri në një vend multi-etnik ku shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë por janë të nënpërfaqësuar në biznes. Ata thonë se jo vetëm shqiptarët por edhe të tjerët do të përfitonin nga kjo masë.

Mirëpo luftëtarët anti-korrupsion, disa vëzhgues politikë dhe shumë punëdhënës thonë se subvencionet e veprimeve pohuese do të ishin diskriminuese, në kundërshtim me parimet e tregut të lirë – dhe mund të nxisin tensione të reja etnike.

Disa punëdhënës janë të bindur se, në një treg të lirë, kuotat etnike në punësim janë ide kundërproduktive.

Mospajtimi vjen ndërkohë që qeveria e re i bën të ditura një seri të re masash ekonomike me vlerë prej 470 milion eurosh si ndihmë në luftimin e efekteve të pandemisë COVID-19.

Paratë do të shpërndahen në të gjithë ekonominë dhe do të shpenzohen gjatë këtij viti. Masat mbi punësimin nuk janë fare pjesë e saj.

Mosmarrëveshje midis partnerëve qeveritarë

Mosmarrëveshja nisi në mesin e shtatorit kur Zëvendëskryeministri i ri i parë i ngarkuar me sistemin politik, Artan Grubi, i cili vjen nga BDI dhe është de facto i dyti në hierarkinë komanduese nën kryeministrin Zoran Zaev, u ankua se përfaqësimi i shqiptarëve në sektorin privat ishte “shumë i vogël”.

Sipas tij, qeveria ka planifikuar t’i “shqyrtojë mundësitë për subvencione në ndërmarrjet private” që punësojnë shqiptarë ose komunitete të tjera më të vogla.

Ai gjithashtu këmbënguli se ideja e subvencionimit të punësimit etnik ishte pjesë e platformës së qeverisë, e paraqitur në fund të gushtit, dhe kështu do të duhej të vihej në veprim.

Fjalët e Grubit u përsëritën nga Zëvendës Kryeministri i ngarkuar me Ekonominë, Kresnik Bekteshi, gjithashtu nga radhët e  BDI. Sipas tij, ndërkohë që modalitetet ishin ende në tavolinë, kjo ide duhet të aktivizohet  vitin e ardhshëm.

Pjesa e platformës qeveritare të cilës Grubi dhe Bekteshi i referohen, thotë: “Qeveria do ti bëjë thirrje, inkurajojë dhe bashkëpunojë me sektorin e biznesit, përkatësisht kompanitë vendase dhe të huaja, për ti dhënë mbështetje marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe vlerave të tolerancës, përfaqësimit dhe besimin në ambientet e tyre të punës, në mënyrë që vendi ynë të mund të përdorë tërë potencialin njerëzor që ka në dispozicion. ”

Disa orë pas deklaratës së Bekteshit të hënën e kaluar, Kosta Petrov, nënkryetari i Social Demokratëve, partisë kryesore në qeverinë e Zaev, e bëri të ditur mospajtimin e tij lidhur me këtë çështje.

“Ne po flasim për inovacionin, teknologjitë e reja, inteligjencën artificiale, bioteknologjinë, shkencën mbi të dhënat, krijimtarinë – dhe ai [Bekteshi] flet për subvencionet për punësimin etnik,” shkroi me sarkazëm Petrov në llogarinë e tij në Facebook.

Këto mospajtime të mëdha si duket e zunë në befasi Kryeministrin Zaev. Në një konferencë shtypi javën e kaluar ai u përpoq ti zbusë dallimet lidhur me çështjet etnike, duke këmbëngulur se seksioni i platformës civile të partisë së tij, i quajtur “Një shoqëri për të gjithë”, ka si qëllim  largimin e shoqërisë nga paragjykimet etnike.

“Do të ketë subvencione për punë,” shpjegoi ai, për të cilat “punëtorët e kualifikuar do të kenë një përparësi, kështu që unë besoj se ne do ta kuptojmë shpalljen e kësaj qeverie në frymën e një shoqërie të orientuar drejt qytetarëve”.

“Do të ketë subvencione për të gjithë, për maqedonasit dhe për shqiptarët, turqit, serbët, vllahët, romët dhe boshnjakët, për të gjithë në vendin tonë, dhe ato subvencione do të jenë të barabarta për të gjithë qytetarët,” shtoi ai.

Përpjekja e Kryeministrit për ta mbyllur njërin sy mbi mospajtimet lidhur me subvencionet etnike tingëllonte jo bindëse.

Kjo u bë ndërkohë që ditën e diel qeveria e bëri publike paketën e saj të katërt të masave ekonomike këtë vit, në vlerë prej 470 milion eurosh, të dizajnuara për të ndihmuar ekonominë  në përballje me pandeminë COVID-19.

Zyra e Statistikave të Shtetit këtë muaj llogariti se rreth 12,000 punëtorë tashmë kanë humbur vendet e punës për shkak të krizës. Projeksionet flasin për një rënie të pritshme të PBB-së me 4 përqind deri në fund të vitit.

Ministri i Financave Fatmir Besimi, anëtar tjetër i BDI-së, të hënën u përpoq të qetësonte mosmarrëveshjen, duke këmbëngulur se çështja kishte të bënte me vlerat shumetnike.

“Në ekonomi, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën, cilësia mbi të gjitha, do të jetë përcaktuese dhe … Unë personalisht besoj se qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, kanë cilësitë e tyre si individë dhe profesionistë,” tha ai. “Diversiteti do të jetë vetëm një vlerë pozitive në ekonominë tonë dhe do të duhej të vijë nga nevojat e tregut,” i tha Besimi medias.

Duke këmbëngulur se përmes këtyre subvencioneve do të përfitonin të gjitha grupet etnike, kolegu i tij nga BDI, Zëvendës Kryeministri Bekteshi, javën e kaluar tha se, për shembull, “të gjitha ndërmarrjet e themeluara dhe të administruara nga shqiptarët do të mbështeteshin nga qeveria nëse punësojnë maqedonas. Do të bëhet në një mënyrë gjithëpërfshirëse ”.

Sektori i biznesit i alarmuar nga implikime të tilla

Megjithatë, shumë punëdhënës mbeten të bindur, duke menduar për koston dhe fërkimet e mundshme me grupe të tjera etnike.

“Këto nuk janë masat e vërteta për të cilat biznesi po pret nga politikanët,” tha Mendres Kuçi, anëtar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, e cila bashkon kryesisht kompani nga pjesët kryesisht shqiptare etnike të këtij vendi.

“Në rast se politikanët duan të krijojnë kushte për një ambient të shëndetshëm ekonomik, trajtimi etnik i popullsisë mund të zgjidhet me dy fjali të thjeshta në kushtetutë. Fjalë për fjalë, gjithçka duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët – dhe , pikërisht, atje e keni zgjidhjen,” tha ai.

“Nuk ka nevojë që këto masa të shtyhen përpara pjesërisht dhe me forcë  duke irrituar në këtë mënyrë etnitë e tjera,” shtoi Kuçi.

Kuçi tha se fokusi qeveritar duhet të jetë më shumë në zgjidhjen e problemeve reale ekonomike që pengojnë zhvillimin, siç është numri i stërmadh i burokratëve.

“Politikanët do ta kurojnë këtë shoqëri në rast se e reduktojnë numrin e punonjësve të tyre në administratën publike,” tha Kuçi.

“Nuk mund t’i detyrosh njerëzit të ndryshojnë mendimet e tyre. Por kur fëmijët [me etni të ndryshme] të fillojnë të bëhën miq në shkolla, jo me forcë, por natyrshëm, ata me siguri do të integrohen shumë shpejt, duke pranuar që të gjitha qeniet njerëzore duhet të kenë nevoja të barabarta dhe mundësi për zhvillim shoqëror, “vazhdoi ai.

Mile Boskov, kreu i Konfederatës së Punëdhënësve, ishte edhe më mospërfillës ndaj politikanëve dhe “përpjekjes së tyre të vazhdueshme për të fituar pikë politike ditore, madje edhe për çështje serioze siç është ekonomia.

Ai tha: “Ajo që dëgjojmë duket si një populizëm primitiv.” Ai shtoi: “Politikanët duhet të propozojnë masa që mund të implementohen, që janë moderne dhe duke shikuar nga e ardhmja si dhe që inkurajojnë barazinë.

“Biznesi nuk ka nevojë për populizëm klasik ose masa që nuk do ti ndihmojnë kompanitë, as shoqërinë, ose konsumatorin, dhe të cilat në fund nuk do andihmojnë konceptin e shoqërisë civile sikurse kjo e jona,” vazhdoi Boskov.

Një prodhues i vogël i ushqimit nga Shkupi i cili punëson 11 persona mori një shembull konkret se çka nënkupton veprim pohues për kompaninë e tij.

“Nëse filloj të shpërfill cilësinë dhe punësoj njerëz bazuar në përkatësinë e tyre etnike, unë mund të përfitoj nga subvencionet në një periudhë afatshkurtër, por biznesi im do të vuajë në planin afatgjatë, sepse unë do të përfundoj pastaj me punëtorë të pakualifikuar”, tha ky punëdhënës për BIRN.

Shoqata e ndërmarrjeve më të mëdha të Maqedonisë së Veriut, Oda Ekonomike e Maqedonisë, deri më tani mbetet e kujdesshme dhe neutrale në reagimin e saj.

“Oda Ekonomike mirëpret çdo vendim që stimulon punësimin e ri dhe krijon mundësi për punësimin e punëtorëve për ekonominë në përputhje me nevojën e subjekteve ekonomike,” tha kjo Odë përmes një reagimi me shkrim.

Analisti politik Albert Musliu, kreu i OJQ-së ‘Shoqata për Iniciativa Demokratike’, thotë se problemi i vërtetë nuk është ideja aktuale, por mënyra se si politikanët e kanë paraqitur atë.

Ai tha se në vend që të shpjegonin se si mund të funksiononin subvencionet ose masat e tjera, politikanët ishin kthyer në drejtim të fitimit të pikave politike.

“Kuota të tilla për punësim në ndërmarrjet private mund të shihen në vende të tjera si Britania, ku kompanitë më të mëdha private me shumë të punësuar kanë disa detyrime për të bërë plane për përfaqësimin racor,” vuri në dukje ai.

“Mendoj se duhet të kemi edhe dispozita të ngjashme, por vetëm për kompanitë që kanë një ndikim të madh publik – jo kompanitë e vogla me vetëm një grusht punëtorësh,” tha Musliu.

Shefja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, është një tjetër skeptike.

Të enjten e kaluar ajo deklaroi se shteti nuk mund të subvencionojë punësimin mbi baza etnike. Duke perifrazuar një parim kushtetues, ajo tha se, “ndërsa kërkojnë punë, të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë”.

Përvojat e sektorit publik lënë shije të thartë

Diskriminimi pozitiv i bazuar në përkatësinë etnike në punë nuk është, në fakt, i ri për Maqedoninë e Veriut. Por deri më tani ai është aplikuar vetëm për sektorin publik.

Pasi Maqedonia e Veriut e përjetoi një konflikt të armatosur në vitin 2001 mes kryengritësve etnikë shqiptarë dhe forcave të sigurisë, i cili përfundoi me një marrëveshje paqësore të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht atë vit, vendi amandamentoi kushtetutën e tij për t’i dhënë më shumë të drejta komunitetit shqiptar.

Një nga premtimet kryesore ishte për të ashtuquajturën “përfaqësim proporcional” në sektorin publik, i cili rezultoi në mijëra shqiptarë që u punësuan në institucione, ushtri dhe polici.

Përderisa kjo e përmirësoi shumë përfaqësimin e shqiptarëve dhe grupeve të tjera në sektorin publik, procesi u njollos nga polemikat.

Ankesat ishin të përhapura se BDI, e cila u bë pjesë e shumicës qeveritare pas vitit 2002, e rrëmbeu procesin për qëllime të veta, duke siguruar punësimin e njerëzve të paligjshëm në administratë. BDI e mohon këtë.

Qeveria e re ende nuk e ka zgjidhur një nga çështjet e mbetura të pazgjidhura nga ky proces – një tepricë e rreth 1,200 punonjësve etnikë në administratë që për vite me radhë kanë marrë paga pavarësisht se nuk kanë mbajtur asnjë post, në fakt nuk kanë bërë asgjë.

Mirëpo Zëvendëskryeministri i Parë, Grubi, thotë se modeli i administratës publike duhet të kopjohet në sektorin privat.

“Përfaqësimi proporcional është një parim kushtetues. Ne po e bëjmë këtë në institucionet tona andaj pse nuk do të duhej ta bëjmë të njëjtën gjë në kompani,” tha ai.

“Nuk po flasim për punësimin e punëtorëve të pakualifikuar të cilët nuk i plotësojnë kushtet.

“Po flasim për mënyrën më transparente të zgjedhjes së punëtorëve më të kualifikuar, duke respektuar në të njëjtën kohë parimin kushtetues të përfaqësimit adekuat,” përfundoi ai.