Shtyhet Seanca Ndaj ish-Policëve Specialë

Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, ish-pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ishin dënuar me nga 33 vjet burgim, për një vrasje të trefishtë të kryer në shtator të vitit 2007. Ndërsa Nysret Cena ishte liruar nga të gjitha akuzat.

Prokuroria Speciale ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljeve esenciale të Kodit Penal.

Kryetari i kolegji, Tore Thommason, pasi që hapi seancën, konstatoi prezencën e palëve dhe mori të dhënat e të pandehurve prezentë në seancë.

Besnik Hasani u soll në seancë, nën masa të rrepta të sigurisë, i përcjellë nga pesë gardianë nga njësia e transportimit të burgosurve, të armatosur me armë të gjata.

Pas tij, njësiti i mbrojtjes së afërt të EULEX-it, të cilët po ashtu ishin të armatosur me armë të gjata, e sollën Shpend Qerimin. Ky njësit gjatë gjithë seancës qëndruan në këmbë, megjithëse kryetari i kolegjit iu kërkoi që të uleshin, pasi po jepnin përshtypjen e ndonjë gjyqi policor. Por, ata refuzuan një kërkesë të tillë, pasi që kishin urdhër të qëndronin në këmbë.

Para se të fillonte seanca, avokati mbrojtës i Shpend Qerimit, Avni Ibrahimi, pyeti kolegjin e gjykatësve nëse e kishin pranuar ankesën e tij në lidhje me lëndën në fjalë.

Kolegji pasi që e pa ankesën u tërhoq për të shikuar nëse në lëndë ishte, apo jo, ankesa në fjalë. Pas 20 minutash, kolegji i gjykatësve u rikthye në sallë dhe deklaroi se seanca do të shtyhej, ndërsa seanca e radhës u caktua, për të premten, nga ora 10.

Palët pasi të pranojnë ankesën e mbrojtjes së Shpend Qerimit, deri të enjten në orën 12, kanë të drejtë që të paraqesin përgjigje në të.

Hasani dhe Qerimi, dy ish-policë të njësive speciale të Kosovës, të njohur edhe si shokët e Triumf Rizës, qenë shpallur fajtorë për vrasjen e Urim, Neshat e Sylejman Baftiut dhe plagosjen e Sadik e Bujar Baftiut në shtator të vitit 2007.

Ata qenë dënuar pasi, sipas trupit gjykues, më 27-28 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit” afër fshatit Soponicë, i kishin zënë pritën një automjeti që po bartte pesë udhëtarë, duke shtënë në drejtim të tyre nga dy armë automatike AK 47. Si pasojë e kësaj prite tre udhëtarë qenë vrarë, i katërti qe lënduar rëndë, ndërsa personi i pestë kishte shpëtuar pa lëndime.

I akuzuari Nysret Cena, i cili fillimisht ishte arrestuar si i dyshuar, ishte liruar nga të gjitha akuzat.

Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë speciale të Kosovës, dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, po ashtu në shtator të vitit 2009, janë shpallur fajtorë dhe dënuar me nga 25 vjet burgim për tri vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ata janë shpallur fajtorë për shpërthimin e 24 shtatorit 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë ku patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se cak i sulmit me eksploziv ka qenë lokali i Enver Sekiraçës në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Trium Riza, më 30 gusht të atij viti.