Shteti shpenzon miliona euro për shërim të qytetarëve në shtetet fqinje

Zyra Kombëtare e Auditmit (ZKA) ka publikuar Raportin e Auditimit të Programit për Trajtim Mjekësor që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky Program ka në vetvete një Fond të Sigurimeve Shëndetësore dhe jep të drejtën për trajtim të barabartë për secilin qytetar, në rastet kur një shërbim i tillë nuk mund të ofrohet brenda Institucioneve Shëndetësore Publike.

Përmes buxhetit të vendit, nën menaxhimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, për tri vitet 2017, 2018 dhe 2019 janë dhënë rreth 28 milionë euro të destiniuara për këtë program.

Fondi është i themeluar në vitin 2013, ndërsa për këtë Fond, Qeveria në baza vjetore ndan rreth 10 milion euro për sëmundjet që nuk mund të trajtohen në institucionet publike.

Duke u bazuar në diagnozën e sëmundjes së pacientit, kryhet vlerësimi nga Komisioni Konziliar nëse sëmundja mund të trajtohet në institucionet shëndetësore publike apo në ato private brenda dhe jashtë vendit.

Sipas Auditorit, në vitin 2017 në këtë fond janë shpenzuar 12,555,852 euro, në vitin 2018 janë shpenzuar 9,192,553 euro, ndërsa në vitin 2019 janë shpenzuar 8,700,000 euro.

Por Auditori ka gjetur se nga viti në vit ka edhe bartje të obligimeve financiare, ku sipas Raportit nga viti 2017 janë bartur mbi 3.7 milionë euro, kurse në fund të vitit 2018 ato janë rritur në mbi 7 milionë euro. Në vitin 2019, janë shpenzuar rreth 8.7 milionë euro për këtë program, edhe pse nga viti në vit ka obligime që janë të afërta me vetë buxhetin e aprovuar të vitit pasues.

Raporti thotë se për vitet 2017, 2018 dhe 2019 kanë aplikuar 3421 pacientë ndërsa janë aprovuar 3135 lëndë. Kurse deri në fund të vitit 2019, Fondi ka bërë pagesën për 2910 pacientë.

Numri i aplikacioneve varet nga lloji i sëmundjes dhe pamundësia e trajtimit të tyre, ndërsa aprovimi bëhet duke u bazuar në plotësinë e dokumenteve.

Turqia, vendi më i kërkuar për shërim

Turqia është vendi më i kërkuar për shërim nga kosovarët. Sipas Auditorit, në vitin 2018 numri i rasteve të trajtuara në shtetin turk është 267 apo 25%, ndërsa në vitin 2019 ka qenë 237 apo 27.4%.

Pas Turqisë, është Maqedonia e Veriut ku kosovarët kanë kërkuar shërim. Në vitin 2018 kanë qenë 149 raste të trajtuara, ndeërsa në vitin 2019 kanë qenë 181 raste, apo 8.79%.

Një tjetër shtet fqinjë është Shqipëria ku qytetarët ia kanë mësyrë për të gjetur shërim. Në Shqipëri në vitin 2018 dhe në vitin 2019 kanë qenë 76 raste të trajtuara, apo 8.79%.

Auditori thekson se për shkak të rëndësisë që ky Program ka për trajtimin e pacientëve në mënyrë të barabartë, Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2019 i ka trajtuar aktivitetet që kryhen nga Fondi dhe mjetet financiare për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Raporti tregon se përkundër punës së bërë nga Fondi, shuma prej 6 milionë eurove e destinuar për këtë qëllim nuk ka arritur të kaloj më shumë se 45% të nevojave të qytetarëve për trajtim jashtë Institucioneve Shëndetësore private.

Po ashtu, obligimet e bartura vit pas viti ndikojnë në krijimin e listës së gjatë pritëse për pacientët.

Gjetjet e Raportit të Auditorit

Në Raportin e Auditimit për trajtimin mjekësor të pacientëve jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore të publikuar në vitin 2017, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte dhënë katër rekomandime. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e rekomandimeve ishin Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi.

Ky auditim ka nxjerrë në pah se dy rekomandimet janë zbatuar, kurse dy prej tyre kanë zbatim të pjesshëm.

Për të vlerësuar nëse kërkesat e pacientëve janë trajtuar në kohë, Auditori ka kryer anketë me 27 pacientë të referuar, duke mbuluar periudhën 2017, 2018 dhe 2019.

Sipas Auditorit, qëllimi i anketës ishte për të kuptuar nëse kanë arritur të marrin shërbimin në kohë, nëse procedura e aplikimit ka krijuar vështirësi në procesin e trajtimi, mënyrën e informimit, kohën e pritjes së përgjigjeve e deri te marrja e mjeteve nga Fondi.

Sipas gjetjes së Auditorit, nga përgjigjet e ofruara del se shumica e pacientëve kanë marrë trajtimin në kohë, nuk kanë pasur vështirësi me procedurat e aplikimit si dhe kanë qenë të informuar brenda kohës optimale nga zyrtarët e Fondit.

Gjithashtu, Auditori ka vërejtur se Bordi Ekzekutiv nuk ka hartuar raporte të punës si dhe nuk ka raportuar te Ministri i Shëndetësisë për punën e tyre në baza tre mujore.

“Për tri vitet e audituara, ekziston vetëm raporti për vitin 2018. Për vitin 2017, nuk është ofruar raport kurse për vitin 2019 deri në mes të qershorit 2020 ishte draft”, thuhet në Raport.

Konkluzionet e Auditorit

Auditori ka nxjerrë disa konkluzione në lidhje me zbatimin e rekomandimeve. Sipas Raportit, Fondi ka arritur të vendos dhe përdor aplikacionin softuerik për regjistrimin, menaxhimin dhe përpunimin e të dhënave të aplikuesve.

Në raste të kufizuara, sipas Auditorit, në aplikacionin softuerik nuk janë të përditësuara të gjitha të dhënat e aplikimeve e cila si pasojë mund të përcjellë informata të gabuara, jo të besueshme, tek aplikuesit.

Ndërsa ende nuk është arritur qëllimi i informimit të pacientëve online, në kohë me informata të besueshme me qëllim të uljes të thirrjeve telefonike apo email-et nga ana e pacientëve.

Barazimet financiare me Institucionet Shëndetësore Private brenda vendit kanë filluar mirëpo ende nuk ka përfunduar. Përderisa, me Institucionet shëndetësore jashtë vendit është në proces dhe nuk ende janë kryer. Kjo rrit, sipas Auditorit, rrezikun që këto institucione private mund të mos jenë të gatshme për barazimin e shpenzimeve të bëra duke marr parasysh se ka kaluar një periudhë e gjatë nga trajtimi i pacientit.

Auditori thotë se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) në vazhdimësi referon pacientë për t’u trajtuar jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, ndërsa mjetet buxhetore për këtë program janë të kufizuara.

Raporti ka gjetur se institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë vlerësimin e rezultateve të Programit.

“Ky vlerësim do t’i shërbente MSh-së dhe ShSKUK-së për vendimmarrje lidhur me procesin dhe investimet në sektorin shëndetësor ku është më shumë e nevojshme. Për më tepër, këto institucione nuk kanë zhvilluar komunikim për të bërë ndonjë vlerësim se sa janë duke arritur që t’i përmbushin kërkesat për trajtimin e të gjithë pacientëve në nevojë”.

Raporti i Fondit që është hartuar në vitin 2019, nuk ka mjaftueshëm informacion për kohën dhe listën e pritjes së pacientëve. Sipas Auditorit, këto informata janë tregues për Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në për koston e trajtimeve sipas klinikave dhe listën e pacientëvve që presin për trajtim.