Shteti Mbuloi Shkëmbimet e Zëvendësministrit

Nuk kishte më shumë se gjysmë viti që kur Sllavisha Filipoviq erdhi zëvendësministër në Forcën e Sigurisë së Kosovës kur autoritetet filluan të dyshonin në disa emaila të tij. 

Ai shkëmbente me një politikan nga Beogradi, sipas eprorit të tij, ministrit Agim Çeku.  

Filipoviqi ishte emëruar në këtë pozitë më 23 maj 2011. 

Shkëmbimet dyshohet se janë kryer në fund të 2011-tës. 

Shteti e mbajti rastin larg publikut deri më 2 maj të këtij viti kur ministri Çeku e konfirmoi atë duke iu përgjigjur një pyetje të deputetes së lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, në seancë parlamentare.

“Strukturat tona përgjegjëse kompetente kanë vërejtur një korrespodencë, shkëmbim emailash, të zëvendësministrit me një zyrtar të një partie politike në Beograd”, tha Çeku. “Por, në atë shkëmbim emailash kemi vlerësuar se nuk ka zbulim të sekretit”.

“Kështu”, vazhdoi Çeku, “Kjo dëshmon se ne jemi në ngjarje, e kemi zbuluar vetë”. 

“Kemi biseduar me zëvendësministrin dhe kemi vlerësuar se nuk është zbulim i sekretit të FSK-së”, tha ai.

Me legjislacionin penal në fuqi, kushdo që sekretin shtetëror ia komunikon, ia dorëzon ose ia bën të arritshme shtetit, organizatës së huaj ose personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej pesë deri në dymbëdhjetë vjet. 

Me të, “sekreti shtetëror” nënkupton të dhënat ose dokumentet ushtarake, ekonomike ose zyrtare të cilat janë shpallë si informata të klasifikuara me ligj ose me dispozita dhe vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin.

“Kemi biseduar me zëvendësministrin dhe kemi vlerësuar se nuk është zbulim i sekretit të FSK-së. Agim Çeku

Këqyrja e e-mailave zyrtarë dhe ndërhyrja në ta i lejohet Ministrisë së Administratës Publike, edhe pa paralajmërim, ndaj personit që e përdor atë. “DeQPA rezervon të drejtën për pengimin e dërgimit të mesazheve që përbëjnë dokumente të bashkëlidhura (attach) me emra dhe prapashtesa të dyshimta”, shkruan në një udhëzimin administrativ për përdorimin e-mialit zyrtar të miratuar nga kjo ministri.

Derisa qeveria thotë se nuk kishte zbulim sekretesh në emailat e shkëmbyer, ajo refuzon të japë qasje në to dhe të tregojë se saktësisht cilat “organe kompetente” e kanë shikuar rastin. 

Prokuroria e shtetit nuk ka pranuar të përgjigjet nëse ka hetuar rastin ose nëse do të niset një hetim, sipas detyrës zyrtare, pasi që emailat janë përmendur në Kuvendin e Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka bërë kërkesë për t’i parë këta emaila, por ministria e FSK-së nuk ka dhënë përgjigje deri më tash. Po ashtu, as zyra për informim, as ministri Çeku dhe as zëvendësministri Filipoviq nuk janë përgjigjur për një javë në pyetjet e gazetës. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të marrë përgjigjje edhe nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Prej shumë institucioneve të kontaktuara, vetëm ministria serbe e mbrojtjes është përgjigjur duke thënë se nuk është në fushëveprimin e saj që të komentojë këtë çështje.

Zëvendësministri i FSK-së Filipoviq i ka thënë gazetës Tribuna më 10 maj se nuk ka dërguar “kurrfarë e-maili në drejtim të zyrtarëve në Beograd”.

“Është një spekulim dhe propagandë e Vetëvendosjes”, citohet Filipoviqi.

Por deputetja Alma Lama thotë se nuk do të ndalet së ngrituri këtë temë në Parlament derisa emailat të mos zbardhen. Ajo shton se, sipas informacioneve që ka, në emailat e shkëmbyer flitej për “armatimin e FSK-së”.

Lama dhe deputeti tjetër nga Vetëvendosja Florin Krasniqi, njëherësh kryetar i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës, thonë se zëvendësministri Filipoviq duhet të hetohet nga prokuroria “për spiunazh kundër shtetit” ndërsa ministri Çeku për “mosraportim të krimit”.

“E kanë toleruar për të mos bërë zhurmë, meqë (Filipoviq) është pjesë e koalicionit”, thotë deputetja Lama për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Është një spekulim dhe propagandë e Vetëvendosjes. Sllavisha Filipoviq

Koalicioni është i brishtë, pasi formalisht ka vetëm 61 deputetë. Një syresh, Fatmir Limaj, gjendet në paraburgim. Kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, po ashtu në fund të prillit votoi kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi. Pozitës i kanë ndihmuar disa herë votat e deputetëve opozitarë për të mbijetuar. 

“Ndaj zëvendësministrit kanë heshtur, ndërsa ndaj dy shtetasve të tjerë që u kapën në Gjilan duke fotografuar objekte të FSK-së u morën masa. Ata u arrestuan (prill)”, shton Lama. “Kjo përcjell mesazhin: kur je i veshur me pushtet, je mbi ligjin”.

“VV është informuar vonë”

Që shkëmbimi i informacioneve ka ndodhur, e thotë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fadil Demaku, anëtar i komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës. 

“Ky rast ka ndodhur në fund të vitit 2011 dhe për të jam në dijeni qe një kohë të gjatë, sikurse që kanë qenë në dijeni edhe institucionet që është dashur të merren me të, si AKI-ja e institucione të tjera me të cilat ka protokolle FSK-ja”, thotë Demaku. 

Ish-drejtori i kunër-terrorizmit në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), një strukturë ilegale që vepronte prej vitit 1999 deri më 2008 duke qenë e afërt me PDK-në, thotë se “Vetëvendosja e ka marrë vesh shumë vonë këtë informacion”.

Demaku thotë se i beson deklarimeve të Ministrit Çeku që informacioni i shkëmbyer nga Filipoviqi është i parëndësishëm. 

Por, shton ai – “le të nisin hetimet nga prokuroria e shtetit për këtë rast dhe nëse është kryer ndonjë vepër penale le të zbatohet ligji për kryesit e saj”.

Derisa kryetari i komisionit parlamentar që ka për mandat të mbikëqyrë FSK-në, Ahmet Isufi, nuk ka pranuar të flasë, një anëtar i këtij komisioni po nga partia e Kryeministrit thotë se pozicioni i Filipoviqit nuk ia lejon atij qasjen në informacione sekrete.

“Pozicioni i zëvendësministrit është politik andaj për nga formacioni nuk mundet të ketë qasje në dokumente operative dhe me përmbajtje të tilla që ta dëmtojë ose rrezikojë funksionalitetin e FSK-së”, thotë Fatmir Xhelili për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Kur FSK-ja ta ndërrojë misionin e saj, atëherë kriteret dhe procedurat kanë me qenë me standarde tjera. Fatmir Xhelili

Sipas tij, zyrtarëve të paautorizuar me rregulloren për ruajtjen e informacionit, rregulloren për klasifikim e informacionit dhe atë për qarkullimin e informacionit u pamundësohet “leximi i informatave ose posedimi i dokumenteve të klasifikuara”. 

Xhelili, ish-drejtor për Luftimin e Krimit të Organizuar në SHIK, thotë se në komisionin parlamentar nuk është diskutuar për rastin e Filipoviqit.

Megjithatë, edhe ai i beson vlerësimit të ministrit. “Unë nuk kam dyshime në përgjigjen e ministrit duke u bazuar në përvojën e tij”, thotë ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Xhelili shton po ashtu se duhet pasur parasysh rrethanat politike dhe shoqërore “në këtë periudhë të ndërtimit dhe zhvillimit të institucioneve të Kosovës”. 

“Kur FSK-ja ta ndërrojë misionin e saj, atëherë kriteret dhe procedurat kanë me qenë me standarde tjera”, thotë Xhelili.

Filipoviq ishte hetuar edhe nga Antikorrupsioni

Sllavisha Filipoviq më herët është hetuar nga Agjencioni Kundër-Korrupsionit.

Zëvendësministri hetohej për konflikt të mundshëm interesi duke mbajtur pozitën e personit të autorizuar në një biznes privat. 

Më 4 prill të këtij viti, hetimet ndaj tij u mbyllën dhe AKK vlerësonte se konflikti ishte shmangur pasi Filipoviqi ishte tërhequr nga biznesi. 

Më herët ai ka punuar si komercialist në ndërmarrjen e Binaçka Moravës nga Gjilani dhe si drejtor i kooperativës bujqësore Pçelica nga Preoci.

Në deklaratën e tij të pasurisë që e ka në faqen e Antikorrupsionit, Filipoviq ka deklaruar se ka në pronësi një stan dhe një lokal. Vlera e përgjithshme e secilit është deklaruar 35 mijë euro. Po ashtu, ai ka shënuar se ka dy vetura me vlerë bashkë 4 mijë euro.

Filipoviqi ka deklaruar se nga qiraja e një prone në Beograd merr 1200 euro në vit dhe 12 mijë e 600 euro pagë nga buxheti i Kosovës si zëvendësministër.

“Punëtor, i përgjegjshëm, i ndershëm (kurrë gjatë shërbimit nuk jam vonuar në punë, kurrë s’kam qenë në pushim mjekësor, kurrë i dënuar, i lëvduar (vlerësuar)”, kështu e paraqiste vetën Filipoviqi në profilin e tij në faqen e Ministrisë së FSK-së në internet. 

Ai shtonte se ishte besnik, komunikues, elokuent etj.

Por, megjithëse punonte për Qeverinë e Kosovës, tek përvoja e punës së tij Filipoviqi vazhdonte ta mbante shënimin për angazhimin edhe në institucionet paralele. 

“Kam qenë edhe shefi i Departamentit të Qendrës Koordinuese për Kosovën dhe Metohinë në Graçanicë”, shkruante në profilin e tij të vjetër, i cili ditën e premte, 10 maj 2013, është ndërruar.

Zgjerohen hetimet për të arrestuarit me dyshim spiunazhi në Gjilan

Më 27 prill të këtij viti Policia e Kosovës në Gjilan kapi dy persona të nacionalitetit serb, Sasha Nikoliq (1971) dhe Dalibor Gjorxheviq (1986) nga fshati Koretishtë e Novobërdës derisa këta të fundit po fotografonin objekte, përfshirë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Gjilan.

Ata gjenden në paraburgim për një muaj nën dyshimin se kanë kryer veprën e spiunazhit. 

“Hetimet po vazhdojnë dhe shumë shpejt do të dalim me një bilanc. Jetish Maloku

Jetish Maloku nga Prokuroria në Gjilan konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se përveç dy të kapurve, janë intervistuar edhe persona të tjerë në lidhje me këtë rast. 

“Hetimet po vazhdojnë dhe shumë shpejt do të dalim me një bilanc”, tha Maloku.

Për arrestimin e dy serbëve kishte reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cila kishte dënuar arrestimin e tyre. 

Sipas saj, me këtë arrestim ishte kërcënuar siguria e komunitetit serb në