Shteti mbi 300 milionë euro borxhe bizneseve dhe qytetarëve

Raporti i Auditimit për vitin 2019 nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se shteti i ka borxh bizneseve dhe qytetarëve mbi 300 milionë euro.

Sipas këtij Raporti, borxhi apo ndryshe që njihen si detyrimet e papaguara paraqesin faturat e pranuara për punët apo shërbimet e përfunduara nga operatorët e ekonomik, por të cilat nuk janë paguar. Për shkak të përdorimit të kontabilitetit në para të gatshme, gjendja e detyrimeve të papaguara mund të shpaloset në pasqyrat financiare.

Rrjedhimisht, ato përpunohen në mënyrë manuale nga organizatat buxhetore dhe raportohen në baza mujore në Ministrinë e Financave.

Detyrimet totale të papaguara sipas auditimit janë 310 milionë e 565 mijë e 520 euro, ndërsa në raportin e konsoliduar financiar, detyrimet e papaguara janë paraqitur në shumën 360 milionë e 550 mijë e 906 euro, vlerë kjo që sipas auditimit është e mbivlerësuar për 49 milionë e 416 mijë e 950 euro. Krahasuar me vitin paraprak, detyrimet janë rritur 39%.

Borxhet e shtetit ndaj bizneseve në nivelin qendror

Vlera totale e borxhit të shtetit ndaj bizneseve në nivelin qendror, sipas Raportit Financiar Vjetor raportohet të jetë 337 milionë e 202 mijë e 119 euro, e që sipas Auditorit, duhet të paraqitej në vlerë prej 287 milionë e 785 mijë e 169 euro. Si rezultat i kësaj, obligimet janë mbivlerësuar për 49 milionë e 416 mijë e 950 euro.

Sipas Raportit të Auditorit, kjo ka ndodhur për shkak të cilësisë së dobët në mbledhjen, konsolidimin dhe raportimin e shënimeve në organizata.

Gabime të tilla kanë ndodhur për shembull në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), e cila ka paraqitur afërsisht 32 milionë e 235 mijë e 037 euro obligime më shumë në Pasqyrën Vjetore Financiare. Kjo, sipas Auditorit, ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së zyrtarit financiar i cili ka prezantuar dy herë kërkesat e shpronësimit në raportin e obligimeve dhe rrjedhimisht këto shënime janë bartur edhe në Raportin Vjetor Financiar.

Ndërsa në Ministrinë e Infrastrukturës, Auditori ka gjetur se ishin nënvlerësuar borxhet për 894,983 euro, të cilat janë deklaruar më pak në Pasqyrat Financiare Vjetore.

Detyrimet e pa paguara në tri vitet e fundit

Borxhet e shtetit ndaj bizneseve në nivelin lokal

Gabime në raportin janë dukshëm të theksuara edhe në nivelin lokal.

Sipas Auditorit janë nga Komuna e Prizrenit, që kishte mbivlerësuar detyrimet për 760,579 euro. Këto detyrime, sipas Auditorit, nuk plotësonin kriteret për cilësimin e tyre si detyrime të papaguara në Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2019. Faturat e prezantuara si detyrime, nuk ishin fatura që i takonin vitit 2019.

Komuna e Kaçanikut e cila i kishte nënvlerësuar për 202,213 euro, pasi kishte një vendim gjyqësor/përmbarimor të përmbarueshëm. Sipas ZKF, kjo ishte edhe arsyeja e mos shpalosjes.

Komuna e Mitrovicës Jugore, kishe nënvlerësim për 11,873 euro obligim ndaj të punësuarve në fund të vitit 2019.

Komuna e Malishevës, kishte mbivlerësuar detyrimet për 21,553 euro. Kjo ka ndodhur për shkak të mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme të komunës, ku fatura e raportuar si e pa paguar në vlerë 15,001 euro ishte paguar pjesërisht në vlerë 13,333 euro dhe fatura në vlerë 8,790 euro ishte paguar pjesërisht në 8,220 euro.

Gabimet në raportim në nivelin lokal

Komuna e Podujevës, sipas Auditorit, kishte nënvlerësim për 44,950 euro. Gabimi ishte se faturat e rregullta ishin trajtuar si detyrim kontingjent.

Komunat me detyrimet më të larta janë ajo e Gjilanit 9,956,455€ apo 43.7% të gjithsej borxheve të nivelit lokal, pastaj Ferizaji 4,421,297€ apo 19.4%, si dhe Mitrovica Jugore me 1,120,411€ apo 4.9%.

“Shpalosjet e pasakta të detyrimeve paraqesin një pasqyrë jo të drejtë të pozitës financiare të OB-ve dhe mund të rezultojnë me vendime joadekuate gjatë procesit të buxhetimit”.