ShSKUK-ja kundërligjshëm refuzon monitorimin e konkursit për drejtor

Bordi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës e ka refuzuar kërkesën e BIRN-it për monitorimin e konkursit për drejtor të këtij institucioni.

Përgjigjen për të refuzuar kërkesën e BIRN-it për monitorim, bordi i ShSKUK-së e ka dërguar 20 minuta pasi ka filluar procesi i testimit të kandidatëve me shkrim dhe vetëm pasi monitoruesi i BIRN-it është paraqitur te zyra ku mbahej testi me shkrim.

Bordi i ShSKUK janë thirrur në Ligjin për Zyrtarët Publikë për refuzimin e kërkesës për monitorim si dhe kanë deklaruar se nuk e njohin përmbajtjen e memorandumit që Kuvendi dhe Qeveria kanë nënshkruar me Ambasadën britanike në Kosovë.

Bordi i ShSKUK-së nuk e ka cituar komplet nenin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, duke e shmangur pjesën e nenit që e obligon ShSKUK-në të lejojë shoqërinë civile për monitorim të konkurseve.

“Meqë, nuk kemi njohuri për zbatimin e Memorandumit të larcekur [ Memorandumin e Bashkëpunimit ndermjet Ambasadës Britanike dhe Kryetares  së Kuvendit të Republikës së Kosovës]. SHSKUK, duhet të i referohet vetëm ligjeve në fuqi që rregullojnë procedurën e konkurrimit. Konkursin Publik për pozitën Drejtor i Përgjithshëm, SHSKUK e ka shpallë në bazë të Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publikë, në të cili janë përcaktuar qartë se nga kush udhëhiqet një procedurë konkurrimi (Burimet Njerëzore si njësi përgjegjëse dhe Komisioni i Pranimit)”, thuhet në përgjigjen që kryetari i bordit të ShSKUK-së, Xhevat Jakupi, i ka dërguar BIRN-it.

Por, është Ligji për Zyrtarët Publikë i cili parasheh monitorimin e konkurseve nga shoqëria civile.

“Komisioni i pranimit përbëhet nga të paktën 5 persona, me këtë përbërje: një (1) përfaqësues nga Njësia përgjegjëse; tre (3) nëpunës civilë të nivelit të mesëm apo të ulët, drejtues të specializuar në fushën përkatëse sipas grupit për të cilin zhvillohet konkurrimi, dhe një (1) ekspert i jashtëm në procesin e përzgjedhjes nga organizata të specializuara apo universitetet. Në cilësinë e vëzhguesve një nga sindikata dhe një nga shoqëria civile”, thuhet në paragrafin 12 të nenit 34 të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Konkursi për drejtor të ShSKUK-së është përcjellë me shumë akuza për shkelje ligjore të bëra nga vetë kandidatët që kanë qenë në garë për drejtor.

Dy nga kandidatët janë tërhequr nga gara për drejtor pas vendimit të ShSKUK-së për të kthyer në garë Valbon Krasniqin, i eliminuar nga gara për mungesë të përvojës së punës menaxheriale.

Njësia e Burimeve Njerëzore në ShSKUK fillimisht e kishte eliminuar Krasniqin nga gara me arsyetimin se i njëjti nuk e plotësonte kriterin e konkursit për përvojë të punës në nivel menaxherial.

Në konkursin e shpallur për drejtor të ShSKUK-së është kërkuar që kandidatët duhet t’i kenë 10 vjet përvojë pune, prej të cilave 5 vite në nivel menaxherial-drejtues të institucioneve të nivelit dytësor apo tretësor të kujdesit shëndetësor, ose organizatave me aktivitet të veçantë në fushën e menaxhmentit shëndetësor.

Emri i Krasniqit u përfshi në listën e ngushtë pas ankesës së paraqitur në ShSKUK.

Kandidati Driton Ukmata ka thënë se bordi i ShSKUK-së e ka zgjatur afatin për aplikim për të mundësuar që në garë të hyjnë kandidatë të caktuar.

“Konkursi prapë se prap është zgjatur pa asnjë arsyeshmëri ligjore. Kjo është shkelja e parë ligjore që është bërë. Konsideroj që konkursi është zgjatur për të futur në listë kandidatë që nuk kanë aplikuar herën e parë. Ligjërisht, konkursi nuk mund të zgjatet pa nevojë, i njëjti ose duhet të vazhdojë me kandidatët që kanë aplikuar në fazën e parë ose duhet të anulohet. Çdo veprim tjetër është shkelje e ligjit”, ka shkruar Ukmata.

Ukmata tutje ka shkruar edhe për kërkesën e tij që në konkurs të angazhohet për monitorim edhe Ambasada britanike por që kërkesa e tij nuk është marrë parasysh.

“Kam kërkuar transparencë maksimale. Kam propozuar angazhimin në monitorim nga Ambasada Angleze. Kjo kërkesë duket se nuk është marrë parasysh nga bordi i SHSKUK-së apo komisioni vlerësues. Jam informuar se edhe kërkesat e shoqërisë civile, të cilat kanë kërkuar me të drejtë monitorim të procesit nuk kanë marrë përgjigje”, kishte thënë përmes e-mailit Ukmeta.

Ndërsa kandidati tjetër Saudin Maliqi kishte thënë se po tërhiqet nga gara pasi që konkursi e kishte humbur kuptimin.

“Konkursi për drejtor të ShSKUK sa e humbi kuptimin, tërhiqem nga gara e konkurrimit të mëtejmë”, ka thënë Maliqi për KALLXO.com.

Valbon Krasniqi që është kthyer në garë për drejtor të ShSKUK-së ka qenë kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila udhëheq me qeverinë e Kosovës me kryeministrin Avdullah Hotin.

Përveç tërheqjes së kandidatëve, bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës kishte vendosur që të ndërrojë tre nga pesë anëtarët e komisionit vlerësues për zgjedhjen e drejtorit të këtij institucioni. Ky vendim është marrë në ditën kur është mbyllur afati i aplikimit për drejtor.

Ish- drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor të Kosovës, Basri Sejdiu, ishte shkarkuar më 6 korrik me vendim të bordit të këtij institucioni. Ushtrues detyre ishte caktuar infektologu Valbon Krasniqi, i cili njëherësh tashmë është në garë për të fituar titullin e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës pas pesë muajve me ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm, në nëntor të vitit 2020 shpalli konkurs për përzgjedhjen e drejtorit të këtij institucioni. Afati për aplikim fillimisht ishte caktuar 15 ditë, por më pash ishte prolonguar edhe për 30 ditë të tjera.

BIRN, më 11 janar 2020 ka bërë kërkesë për monitorim të këtij konkursi duke u mbështetur në memorandumin e Ambasadës britanike me Qeverinë e Kosovës për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese si dhe faktit që BIRN është angazhuar nga Ambasada britanike për të monitoruar konkurset e hapura nga institucionet e Kosovës. Bazuar në legjislacionin dhe me memorandumet e nënshkruara, BIRN ka monitoruar konkurse për pozita shumë të rëndësishme në Kosovë, siç janë: Drejtori i Policisë së Kosovës, drejtori i ATK-së, Avokati i Popullit, rekrutimi i policëve dhe ushtarëve, si dhe pozita të tjera në sistemin e drejtësisë.

Kërkesës së BIRN-it për monitorim të këtij procesi të rekrutimit i është përgjigjur pozitivisht vetë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, mirëpo pëlqimi përfundimtar ishte kërkuar që të bëhej nga vetë ShSKUK-ja.

Pas kërkesës për monitorim të këtij procesi, kryesuesi i bordit drejtues të ShSKUK-së, Xhevat Jakupi, i kishte kërkuar BIRN-it disa sqarime shtesë lidhur me mënyrën e zhvillimit të procesit të rekrutimit. BIRN kishte ofruar sqarimet e nevojshme.

Përkundër premtimeve të vazhdueshme nga kryesuesi i bordit të ShSKUK-së, Xhevat Jakupi, BIRN nuk ka pranuar asnjë email, qoftë edhe refuzues.

Monitoruesi i BIRN-it ka shkuar për monitorim të testit me shkrim të kandidatëve për drejtor, por ishte ndalur nga stafi i ShSKUK-së. Pas 20 minutave pritje, kryesuesi i bordit të ShSKUK-së i ka dërguar BIRN-it njoftimin për refuzim të kërkesës për monitorim.