Shqiptarët e ShBA në Udhëkryq

Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve në përgjithësi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po i afrohen një udhëkryqi që rrezikon t’i ndajë rrugët mes tyre dhe t’i largojë nga njëri-tjetri.

Ndonëse kanë shumë interesa të përbashkët, politikat shkurtpamëse të cilësdo palë mund të bëhen pengesë në promovimin e këtyre interesave dhe në një të ardhme t’i kthejnë kundër njëri-tjetrit.

Shqiptarët në shkollë mësojnë se sikur të mos kishin qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndoshta nuk do të ekzistonte as Shqipëria. Lidershipi i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër forcave serbe e në mbrojtje të Kosovës, në vitin 1999, vetëm sa e ka shtuar bindjen e shqiptarëve se amerikanët janë aleatët më të mirë të tyre. Ambasadorët amerikanë në shtetet ku jetojnë shqiptarët janë shpesh më të fuqishëm se politikanët lokalë. Interesat e Amerikës dhe të shqiptarëve në Ballkan pothuajse puqen. Shtetet e Bashkuara kërkojnë një Ballkan të qetë, stabil dhe me prosperitet. Një Ballkan i tillë do t’i mundësojë Shteteve të Bashkuara që të largojnë prezencën e vet nga kjo pjesë e Evropës dhe të përqendrohen në pikat më nevralgjike në glob ku Washingtoni duhet t’i mbrojë interesat e veta. Paqja, stabiliteti e prosperiteti janë ambicie edhe të shqiptarëve që jetojnë në Ballkan.

Por, është duke lindur një keqkuptim për atë se si të arrihet deri te këto caqe dhe ky keqkuptim vetëm sa mund të eskalojë. Shtetet e Bashkuara, të vetëdijshme për mundësitë që kanë të influencojnë jetën politike ndër shqiptarët, e shfrytëzojnë këtë fuqi që të shtyjnë përpara solucione që janë në funksion të stabilitetit të tërë rajonit. Por, hapat që rekomandohen zakonisht sjellin vetëm stabilitet afatshkurtër, por jo edhe stabilitet afatgjatë.

Për më tepër, politikat dhe politikanët që përkrahen nuk gëzojnë gjithmonë besimin dhe përkrahjen e popullatës vendore.

Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara, si edhe protagonistët tjerë ndërkombëtarë, vazhdojnë të funksionojnë me modelin e menaxhimit të krizave, e jo atë të zhvillimit. Shteti i Kosovës sot ka nevojë për zhvillim, prandaj edhe politikat që duhet të përkrahin protagonistët ndërkombëtarë duhet të jenë në funksion të zhvillimit të Kosovës, e jo vetëm të ruajtjes së paqes e stabilitetit afatshkurtër. Mund të kuptohet se pse Ambasada Amerikane në Prishtinë, në vitin 2008, ka favorizuar një qeveri të udhëhequr nga PDK-ja pasi vetëm ajo ka mundur të pranojë flamurin dhe himnin që ka Kosova, por edhe ka qenë e vetmja që ka pasur mundësi të kontrollojë gjërat në terren dhe të mos lejojë që diçka të dalë nga kontrolli. Për shembull, qeveria e udhëhequr nga PDK-ja kishte futur nën kontroll shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe mund të garantonte se nuk do të përsëriteshin skenat e djegies së flamurit që këto shoqata i kishin bërë disa vite më herët LDK-së, kur kjo e fundit kishte valëvitur nëpër Prishtinë flamurin e vet për Kosovën. Katër vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka nevojë për zhvillim që do të sjellë prosperitet e mirëqenie për qytetarët. Qeveria aktuale në Prishtinë po dështon të tregojë se është në gjendje të sigurojë zhvillim e mirëqenie për qytetarët. E megjithatë, vazhdon të përkrahet fuqishëm nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe të shihet si garantuesi i vetëm i stabilitetit.

Në Maqedoni ka një tensionimin të ri të situatës. Qeveria në Shkup duket se për të mbuluar dështimet në ekonomi dhe zhvillim të shtetit i është kthyer nacionalizmit. Duke shpikur armiqtë që e kërcënojnë shtetin maqedonas, ajo është në gjendje që të mobilizojë qytetarët që të përkrahin atë dhe politikat e saj nacionaliste. Armiku më i lehtë e më i afërt është gjetur tek shqiptarët në Maqedoni, të cilët megjithëse janë treguar konstruktivë, vazhdojnë të diskriminohen, e tash edhe të dhunohen, nëpër qytetet e Maqedonisë. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoni, që dikur kishin kapur pushkën që të luftojnë për të drejtat e shqiptarëve, sot duken të pafuqishëm që t’i dalin zot popullit të vet. Ndër arsyet për këtë është edhe presioni që vjen nga Ambasada Amerikane mbi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që të mos lejojnë të eskalojë gjendja në vend, edhe pse xixat e eskalimit vijnë nga diku tjetër, e jo nga shqiptarët.

Ambasada Amerikane ka zhgënjyer edhe në Shqipëri. Përfaqësuesi i shtetit që konsiderohet më miku ndër shqiptarët, është parë të marrë anë në politikë dhe të përfshihet në debatin e brendshëm mes partive politike. Edhe në Luginën e Preshevës heshtet diskriminimi i vazhdueshëm që shteti Serb bën mbi shqiptarët që jetojnë atje.

Tek shqiptarët ka filluar të shtohet zhgënjimi me zhvillimet në shtetet ku jetojnë. Në Kosovë e në Maqedoni shqiptarët nuk po shohin se partitë politike janë në gjendje të punojnë në përmirësimin e jetës së tyre. Në këtë atmosferë zhgënjimi dhe të humbjes së durimit kërkohen zgjidhje diku tjetër, përtej politikës. Kjo hap hapësirë për grupe parapolitike që të veprojnë dhe të fitojnë zemrat e qytetarëve dhe t’i mobilizojnë për kauzën e tyre. Të dëshpëruar, qytetarët do të pranojnë paradigma e narrativë të tjerë. Këtë janë duke e shfrytëzuar grupe fetare radikale që po arrijnë të gjejnë përkrahës për ideologjinë e tyre që e promovojnë si zgjidhje për problemet ekzistenciale me të cilat po ballafaqohet qytetari. Në Kosovë, si alternativë e vetme ndaj një ideologjie radikale fetare është shfaqur “Lëvizja VETËVENDOSJE!” me ideologjinë e vet nacionaliste si zgjidhje tjetër për problemet e tashme të qytetarëve. Në Maqedoni ende nuk ka dalë ndonjë lëvizje e ngjashme dhe qytetarët që kanë humbur besimin tek politikanët zgjidhjen e gjejnë tek ideologjitë fetare. Klasa politike, ndërkaq, nuk shihet fare se po bën diçka për të kthyer besimin e qytetarëve.

Ky është udhëkryqi ku përsëri bëhet vendimtar roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fuqinë që ka Washingtoni mbi shqiptarët nuk e ka asnjë shtet evropian, e as vetë Bashkimi Evropian. Kur u desh që Prishtina e Beogradi të binden të pranojnë zgjidhjen e Brukselit për përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale, u kërkua që Washingtonit’i bindë shqiptarët pasi edhe vet BE-ja e di që shqiptarët nuk i besojnë shumë, me plot arsye mund të shtohet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet që të nxisin partitë politike që të bëjnë më tepër dhe më shpejt për të përmirësuar jetën e shqiptarëve si në Kosovë, si në Maqedoni, si në Serbi por edhe në vet Shqipëri. Zgjidhjet që kërkohen duhet të jenë të atilla që sjellin zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë e jo zgjidhje që më tepër ruajnë status-quo-në.

Shtetet e Bashkuara mbeten i vetmi burim i vlerave perëndimore që e besojnë shqiptarët. BE-ja ende shihet me mosbesim për shkak të shumë zhgënjimeve që ka shkaktuar. Për shqiptarët kulturat dhe civilizimet tjera, përveç atij perëndimor, janë më të afërta se sa për një evropian tjetër. Nëse vazhdon zhgënjimi me Evropën dhe nëse humb besimi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këta qytetarë të dëshpëruar do të kërkojnë kuptim e shpëtim diku tjetër, më tutje, kah lindja, në ideologji e praktika që do të na largojnë e armiqësojnë.