Foto nga takimet para Besëlidhjes në Tuz. Foto: Stjefen Ivezaj.

50 vjet pas: Shqiptarët e Malit të Zi ndjehen krenarë që braktisën fenomenin e trishtë të gjakmarrjes 

Këtë qershor shqiptarët në Mal të Zi e shënuan 50 vjetorin e zotimit të tyre historik se do ta braktisin kamxhikun e ‘gjakmarrjes’ që ka shkatërruar komunitetin e tyre me shekuj.

 

Komuniteti shqiptar i Malit të Zi ndihet krenar për mënyrën se si ata i kanë qëndruar besnik një marrëveshjeje të arritur 50 vjet më parë, në qershorin e viti 1970, për t’i ndaluar armiqësitë e tyre të lashta por shumë të rënda “gjak për gjak” që për shekuj me radhë i mbajti të izoluara komunitetet për shkak të konflikteve tashmë gjysmë të harruara.

Më 28 qershor të vitit 1970, fiset dhe familjet nga zona kryesisht shqiptare e Malësisë në afërsi të kryeqytetit, Podgorica, e shpallën “Beslidhjen e Malësisë”, apo “Besa e Malësisë”.

Ata u betuan (besatuan) të hiqnin dorë nga kodi i tyre i lashtë dhe më në fund t’i jepnin fund vrasjeve të pamëshirshme të njerëzve të pafajshëm.

Një nga pjesëmarrësit e Beslidhjes, Martin Ivezaj, tha që njerëzit e Malësisë e kishin mbajtur fjalën. “Ne vendosëm të bëjmë një marrëveshje rreth ‘besës’, e cila është pjesë e një tradite të cilën e respektojnë shumica e shqiptarëve. Tani kanë kaluar 50 vjet – dhe, unë dhe të gjithë të tjerët në Malësi, jemi dëshmitarë se njerëzit e mbajtën besën e tyre,” tha Ivezaj për BIRN.

Vrasjet për shkak të hakmarrjes shkaktuan mijëra vdekje

Përgjatë disa shekujve, tradita e vrasjeve sy për sy u përhap në të gjithë Shqipërinë, Kosovën dhe pjesë të Malit të Zi, dhe është akoma e pranishme në disa prej këtyre komuniteteve.

Prifti katolik Gjergj Marstjepaj në një nga takimet në Malësi. Foto: Arkivi i Kishës Katolike në Tuz

Sipas traditës, të gjitha familjet mbahen përgjegjëse, ose fajtorë, për veprimet e ndonjërit prej anëtarëve të tjerë të saj. Vrasjet për hakmarrje besohet se kanë shkaktuar mijëra vdekje, në disa raste edhe duke i fshirë nga jeta familje të tëra.

Vrasjet për hakmarrje, të quajtura ‘gjakmarrje’, bazohen në të ashtuquajturin Kanunin e Lek Dukagjinit, ose Lekë Dukagjinit, një kod ligji i krijuar në shekullin XV midis fiseve të veriut të Shqipërisë, gjoja nga një fisnik vendas i quajtur Lekë Dukagjini.

Sipas këtij kodi, familja e një personi të vrarë kishte për detyrë të hakmerrej për vrasjen – dhe viktimat mund të ishin secili prej anëtarëve mashkull i familjes së vrasësit, më i vjetër se 18 vjeç.

Një imam vendas i cili ishte pjesë e kësaj marrëveshje, Rexhep Lika, tha se kjo kishte rezultuar në një cikël të dhunshëm hakmarrjesh në Malësi dhe madje edhe jashtë saj.

“Për shekuj me radhë, në Malësi kishte gjakmarrje dhe vrasje të njerëzve të pafajshëm,” tha ai për BIRN.

“Më vonë, kur kufijtë u hapën dhe njerëzit tanë shkuan në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera… u shfaqen konflikte në SH.B.A., por njerëzit akoma vriteshin në Malësi dhe anasjelltas,” tha Lika për BIRN.

Fiset dhe vëllazëritë ndaluan armiqësitë vdekjeprurëse

Gjatë gjysmës së parë të vitit 1970, u formua një këshill koordinimi për të biseduar me familjet, fiset dhe vëllazëritë për ndalimin e armiqësive vdekjeprurëse.

Figurat lokale përfshirë Gergj Daku Gjokaj, klerikë katolikë si Fr. Gjergj Marstjepaj, dhe udhëheqës të bashkësisë islamike si Rexhep Lika morën drejtimin e këtij këshilli.

Takimi përfundimtar u parapri me takimet me fshatrat, vëllazëritë dhe fiset në të gjithë Malësinë. Pas disa muajsh bisedimesh, mbledhja e fundit u mbajt në një kinema lokale në Tuz me qindra pjesëmarrës.

Kryesuesi i bordit koordinues, Gjergj Daku Gjokaj, u bëri thirrje pjesëmarrësve të ndalojnë gjakmarrjen që kishte shkaktuar vdekjen e dhjetëra të rinjve. Në atë kohë, 40 familje në Malësi ishin prekur nga gjakmarrja dhe të paktën 150 njerëz ishin vrarë jashtë vendit.

“Ligjet tona tradicionale bënë që shumë nga vëllezërit tanë ta përjetojnë vdekjen e tyre më herët. Nuk është e nevojshme që çdo problem të zgjidhet me armë,” tha Daku lidhur me këtë mbledhje.

Në takimin e tyre të fundit, të gjithë përfaqësuesit ranë dakord njëzëri se vrasjet duhet të ndëshkohen nga shteti, jo nga ligjet tradicionale.

Më 28 qershor të vitit 1970, u shpall “Beslidhja e Malësisë”  ku thuhej se “hakmarrja” do të kryhej nga shteti dhe se familjet do të duhej të ndiheshin të sigurta nga hakmarrjet private.

Sipas marrëveshjes, pasi një vrasës vuan dënimin me burg, ai nuk duhet të ndihmohet nga të afërmit e tij, pasi ai mbetet fajtor për pjesën tjetër të jetës dhe duhet të kujdeset për veten e tij.

Vrasja në Podgoricë e vuri në sprovë marrëveshjen

Bashkëautori i librit mbi temën e besës, “Tridhjetë vjet të Besëlidhjes” Nikolle Berishaj, tha se ky ishte akti i parë i tillë midis shqiptarëve kudo në rajon.

“Në praktikë, Besëlidhja ishte një marrëveshje sistematike, e cila ndaloi aktet e hakmarrjes. Kishte qindra pajtime [më vonë] në Kosovë, por nuk kishte asgjë për t’i bërë njerëzit t’i ndalojnë vrasjet për hakmarrje ashtu siç kemi bërë ne,” deklaroi ai për BIRN.

Marrëveshja u vu në sprovë vetëm dy ditë pas mbledhjes në Tuz. Më 30 qershor 1970, Mark Kola Lucaj vrau Leke Kola Gjocaj ndërkohë që ky i fundit po shkonte në punë. Disa media raportuan se marrëveshja konsiderohej e vdekur në atë moment.

Liko Mani Cunmulaj

Mijëra njerëz u mblodhën në funeralin e Gjocajt për të dëgjuar se çfarë do të thoshte xhaxhai i tij, Nuo Vuksani Gjocaj për hakmarrjen. Një nga pjesëmarrësit e Besëlidhjes dhe një anëtar i këshillit të pajtimit, Liko Mani Cunmulaj, tha se Juncaj mori një vendim historik për të ardhmen e Malësisë.

“Ai falënderoi Malësinë dhe mëshiroi veten dhe vëllazërinë e tij. Pastaj u ngrit dhe tha: Vëllai im u vra, por ai është i vogël [në krahasim me] Malësinë. Malësia është e madhe dhe unë do ta fal vëllain tim për Malësinë. Le të vazhdojë Malesia rrugën e saj ashtu siç ka vendosur. ‘Të gjithë e duartrokitëm atë,” tha Cunmulaj për BIRN.

Që nga arritja e kësaj marrëveshje, keqkuptimet familjare në Malësi kishin rënë në minimum. Kishte disa vrasje lokale por jo më gjakmarrje.

Gjakmarrja vazhdon të jetë një realitet në Kosovë dhe Shqipëri

Përkundër arritjes së marrëveshjes në Malësi, megjithatë, gjakmarrja diku tjetër është akoma realitet, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Në Shqipëri, më shumë se 1,600 familje jetojnë nën një dënim me vdekje të gjithëmonshëm për shkak të gjakmarrjes. Para vitit 1992, kur fushata e pajtimit në Kosovë mbaroi, kishte, të paktën 1.200 të vrarë, si pasojë e fenomenit të gjakmarrjes.

Rexhep Lika mendon se ka ardhur koha që shqiptarët kudo në rajon të pajtohen për ta ndaluar gjakmarrjen.

“Tani nuk ka nevojë për hakmarrje sepse policia dhe shteti bëjnë punën e tyre,” tha ai.

“Nëse ata ndajnë drejtësi, vrasësi do të shpallet fajtor. Unë besoj se shqiptarët e tjerë do ta marrin këtë vendim një ditë sepse nuk është e nevojshme të vriten njerëz siç ndodh akoma në Shqipëri dhe Kosovë dhe gjetkë,” përfundoi Lika.