Shqipëria Ende Po Kërkon Të ikurit Nga Burgu

Policia ka ngritur postblloqe në tërë vendin, pasi të dënuarit, që besohet se janë të armatosur dhe potencialisht të rrezikshëm, ikën nga burgu i sigurisë së lartë në fshatin Drenovë, të shtunën.

Zyra e prokurorit në ndërkohë lëshoi 21 fletarreste për gardianët e qendrës së ndalimit, që janë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës në lidhje me ikjen nga burgu të të dënuarve.

Sipas prokurorëve, ikja është ndihmuar nga bashkëpunëtorë jashtë burgut që ndihmuan futjen e armëve brenda tij.

Shtatë të burgosur, shumica e tyre në vuajtje të burgimit të përjetshëm për vrasje, ikën, por katër prej tyre u kapën shumë shpejt.

 “Zbulimi i bashkëpunëtorëve ndihmoi ndjekjen, duke çuar në kapjen e një të burgosuri të ikur të shtunën dhe tre të tjerëve të dielën”, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, në një deklaratë.

Njësitet e policisë speciale janë dërguar në rajonin ku mendohet se po fshihen të burgosurit, derisa policia në Greqinë e Maqedoninë fqinje, janë njoftuar për rastin.

 “Qytetarët duhet të kenë kujdes shtesë, pasi që të burgosurit e ikur janë të armatosur dhe të rrezikshëm”, tha Ministria e Brendshme të dielën.

Të dielën Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë filloi një auditim të katër burgjeve tjera të sigurisë së lartë, duke zbuluar që gjëra të ndaluara si alkooli dhe telefonat celularë janë futur brenda tyre.

Katër komandantë të rojave të burgut dhe drejtori i shërbimit inteligjent në Drejtorinë e Përgjithshme u shkarkuan dhe rastet e tyre i janë dërguar zyrës së prokurorit nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës.

Ikja  është një turpërim i madh për qeverinë e qendrës së majtë të kryeministrit Edi Rama që erdhi në pushtet para dy muajsh, duke premtuar fuqizim të sundimit të ligjit, duke luftuar krimin dhe korrupsionin.