Shpërthime të regjistruara përpara zbulimit të rrjedhjeve të mëdha të gazit në tubacionin ‘Nord Stream’

Sizmologët kanë regjistruar atë që ata mendojnë se ishin shpërthime përpara se gazi të fillonte të rrjedhte nga dy tubacionet Rusi-Gjermani nën Detin Baltik.

Është e paqartë se çfarë i shkaktoi shpërthimet, por ato janë rezultat i “veprimeve të qëllimshme”, sipas kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen.

Homologu i saj polak, Mateusz Morawiecki, e quajti atë “një akt sabotimi”.

Shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyena ra dakord që rrjedhjet ishin shkaktuar nga sabotazhi dhe paralajmëroi për “përgjigjjen më të fortë të mundshme”.

Dy rrjedhje u zbuluan në Nord Stream 1, të cilin Moska e mbylli në fillim të këtij muaji si hakmarrje ndaj sanksioneve perëndimore për luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Kjo nuk është një çarje e vogël. Është një vrimë vërtet e madhe”- tha Agjencia Daneze e Energjisë.

Një tjetër rrjedhje u zbulua në Nord Stream 2, i cili ishte mbyllur pas pushtimit rus të Ukrainës dhe nuk ka qenë kurrë operacional.

Të dy shpërthimet ishin në afërsi të ishullit danez të Bornholm.

Fotografitë dhe videot e publikuara nga ushtria daneze treguan një zonë të madhe gazi që flluskonte në sipërfaqen e Detit Baltik. 

Rrjeti Kombëtar Sizmik Suedez ka deklaruar se dy “shpërthime të mundshme” janë regjistruar në zonën e rrjedhjeve të gazit.

‘Vështirë të imagjinohet se është një rastësi’

Më herët, Frederiksen nuk shkoi aq larg sa Morawiecki, përkundrazi tha se sabotimi nuk mund të përjashtohej.

“Është ende herët për të konkluduar, por është një situatë e jashtëzakonshme”- tha ajo. “Ka tri rrjedhje, dhe për këtë arsye është e vështirë të imagjinohet se ajo që po ndodh është një rastësi”.

Të mërkurën, ministri i mbrojtjes i Danimarkës Morten Bodskov do të udhëtojë në Bruksel për t’u takuar me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar rrjedhjet e gazit.

Cili ka qenë reagimi?

Brukseli i ka dënuar rrjedhjet si sabotim dhe ka paralajmëruar për pasoja.

Shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen ka deklaruar se Çdo ndërprerje e qëllimshme e infrastrukturës aktive evropiane të energjisë është e papranueshme dhe do të çojë në përgjigjen më të fortë të mundshme”.

BE tha në një deklaratë të mëparshme dje se rrjedhjet e gazit nuk kishin ndikuar në sigurinë e furnizimit të bllokut “deri më tani”.

Në Rusi, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e quajti lajmin “shumë shqetësues” dhe tha se asnjë opsion nuk duhet “të përjashtohet tani”, duke e përfshirë sabotimin.

“Kjo është një çështje që lidhet me sigurinë energjetike të të gjithë kontinentit”- tha Peskov.

Shtetet e Bashkuara ngritën spektrin e një sulmi të synuar, por ishin të kujdesshme që të mos nxirrnin përfundime.

“Ka raporte fillestare që tregojnë se ky mund të jetë rezultat i një sulmi ose një lloj sabotimi, por këto janë raporte fillestare dhe ne nuk e kemi konfirmuar ende këtë”- tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në një konferencë për media. “Mirëpo,  nëse konfirmohet, kjo nuk është në interesin e askujt”.

‘Dëmtim i paprecedentë’

As ‘Nord Stream 1’ e as ‘Nord Stream 2’ nuk po transportojnë aktualisht flukse gazi në Evropë, megjithëse një nivel i caktuar i furnizimeve mbetet brenda infrastrukturës.

Shkaku i rrjedhjeve nuk ishte menjëherë i qartë, por dëmi duket të jetë i konsiderueshëm.

Rrjedhja e parë, përmes Nord Stream 2, u zbulua të hënën në mbrëmje në seksionin danez të gazsjellësit të Detit Baltik, rreth ishullit Bornholm, pas një “rënie të madhe presioni”.

Autoriteti Detar Danez lëshoi ​​një paralajmërim lundrimi dhe vendosi një zonë ndalimi brenda 9 km detare nga vendi, duke konsideruar se rrjedhja mund të përbëjë rrezik për trafikun detar.

Me një gjatësi prej 1200 km, Nord Stream 1 ka kapacitetin për të transportuar deri në 170 milionë metra kub gaz në ditë (ose 55 miliardë metra kub në vit). Rusia është akuzuar për manipulim të furnizimeve pasi u godit me gjashtë grupe sanksionesh të BE-së pas luftës në Ukrainë. Flukset arritën 20% të kapacitetit maksimal në verë përpara se tubacioni të mbyllej.

Nord Stream 2, i cili u ndërtua paralelisht me kanalin origjinal, supozohej të dyfishonte kapacitetin e tij total në 110 miliardë metra kub vjetor, por projekti, i cili tërhoqi kritika të ashpra nga Polonia, shtetet baltike dhe Ukraina, nuk mori autorizimin asnjëherë./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala