Ilustrim
Shoqëria, që kaloi 'traumën e krimeve', pa trajtim të shëndetit mendor
Mijëra njerëz, që ishin viktima të dëbimeve dhe krimeve, kaluan traumat – pa kujdesin elementar psikologjik e psikatrik. Sistemi paraprak shëndetësor, i ndërtuar gjatë kohës së Jugosllavisë, kishte lënë pas vetes numër të vogël të profesionistëve, të cilët mund të merreshin me traumat e luftës.
Përgjatë viteve ‘90, shërbimet e atëhershme të shëndetit mendor në Kosovë, reflektonin ndikimin e gjerë ish-jugosllav. Kjo realizohej, kryesisht, nëpërmjet spitaleve, e me trajtime të bazuara nëpërmjet qasjes bio-mjekësore.
Ky Sistem kishte probleme, sidomos, në aspektin e ‘të drejtave të njeriut’. Nuk ka pasë as legjislacion, të drejtat e njeriut kanë qenë të shkelura – thotë Besnik Stuja, drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor, në Gjakovë.
Pas bombardimeve të forcave të NATO-s dhe Pas çlirimit të vendit, Kosova ishte në defiçiencë me profesionistë dhe resurse – për t’u marrë me traumën e luftës.
Sipas një përshkrimi, të bërë nga Studimi Dr. Ferid Aganit (2001), përmendet se në periudhën e vitit 2001, burimet njerëzore, brenda shërbimeve të atëhershme, kishin qenë të limituara: Aktualisht, janë 1 (një) psikiatër për çdo 100,000 njerëz, 1 (një) infermiere psikiatrike për çdo 35,000 njerëz, 1 (një) psikolog për çdo 400,000 njerëz dhe 1 (një) punonjës social psikiatrik për çdo 2,000,000 njerëz – thuhet në Studim.
Në këtë situatë, kapacitetet profesionale, për ta trajtuar traumën, ishin pothuajse të papërfillshme – e, nuk mund të trajtonin viktimat. Një Reformë, e nisur pas vitit 2000, nisi krijimin e kapaciteteve, të cilat nuk ishin sërish të mjaftueshme.
Në atë kohë, ne kemi bërë një skanim të situatës së përgjithshme dhe morëm konceptin e modelit të ri, të shërbimeve të shëndetit mendor në komunitet. E hartuam një Plan Strategjik, në të cilin parashikonim, që të hapen Qendrat e Shëndetit Mendor, në 7 (shtatë) rajone. Të hapen Shtëpitë për Integrim në Bashkësi dhe të zhvillojmë Shërbimet e Shëndetit Mendor Për Fëmijë dhe Adoleshentë – të cilat kanë qenë, pothuajse, joekzistente – thotë Besnik Stuja, drejtor i Qendrës së Gjakovës.
Ndërkaq, për t’iu përgjigjur nevojës urgjente të mungesës së psikologëve, Stuja përmendi se: ‘ndër qëllimet afatgjata brenda Strategjisë së Parë, kishte qenë edhe themelimi i Departamentit të Psikologjisë – në kuadër të Universitetit të Prishtinës’.
Hapja e Qendrave të Shëndetit Mendor në Kosovë sinjalizoi fillimin e transformimit, në tërësi, të qasjes së shërbimeve të atëhershme – nga një qasje bio-mjekësore, në një qasje me bazë komunitare. Hapi i dytë shumë i rëndësishëm, për të filluar aplikimin e Reformës, ka qenë edhe ndarja e Psikiatrisë nga Neurologjia”. Sipas Stujës, kjo kërkonte, gjithashtu, trajnimin e të gjithë profesionistëve të atëhershëm. Trajnimet e vazhdueshme, për Stafin e këtyre Qendrave, ishin mundësuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare: duke përfshirë edhe OBSH-në.
Si pilot projekt i parë i llojit të këtyre Qendrave, me bazë komunitare, kishte qenë Komuna e Gjakovës.
Hapja dhe funksionalizimi i këtyre Qendrave, dëshmohet se pati ndikim edhe në rënien e numrit të hospitalizimeve, në Repartet e Psikiatrisë – nga ku, grafikoni i mëposhtëm dëshmon për rënien e numrit të hospitalizimeve në Klinikën e Psikiatrisë, në QKUK.
Burimi: MSH, Strategjia e Shëndetit Mendor në Kosovë (2008-2013)
Po të njëjtën rënie, e dëshmojnë edhe të dhënat e ofruara nga Dr. Komani, për Repartin Psikiatrik, të Spitalit Rajonal, në Gjakovë. Nga ku, përmend se: Në vitin 2001, kanë qenë të hospitalizuar 615 persona. Në vitin 2002, 502 persona. Në vitin 2003, 365 persona. Në vitin 2004, 357. Në vitin 2005, 326. E, në vitin 2023, 219 hospitalizime.
Stuja përmend, se ndër prioritetet brenda kësaj Reforme, kanë qenë edhe themelimi i Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Institut ky i cili , sot e kësaj dite, ofron shërbime. Dhe, Institutin për Sëmundjet e Varësisë. Nga ku, kjo e fundit, konfirmohet se nuk është themeluar, deri më tani, si institut i veçantë – duke mbetur vetëm si njësi përbërëse e Klinikës së Psikiatrisë, në QKUK.
Përpos shërbimeve të ofruara, organizatat e ndryshme vendore pas Luftës, raportohet të kenë luajtur një rol tejet të rëndësishëm, në ofrimin e mbështetjes psiko-sociale për shoqërinë kosovare.
Njëra ndër to është edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (QKRMT). Selvi Izeti-Çarkaxhiu, psikologe klinike, në po këtë Qendër, tha se: ‘QKRMT ishte themeluar që nga Tetori i vitit 1999’. Menjëherë, pas përfundimit të Luftës, Organizata kishte ofruar shërbime rehabilituese për personat, që kishin përjetuar trauma të ndryshme.
Organizata në atë kohë ka rekrutuar mjekë të përgjithshëm – dhe aq sa ka mundur të fushës së Psikiatrisë. Kështu që, menjëherë, pas përfundimit të Luftës, kanë qenë të punësuar dikun në Organizatë, rreth 4 psikiatër, të cilët i kanë përfundu specializimet në Shqipëri. Qysh në atë kohë, veç Drejtoresha e Organizatës i ka rekrutu sa kanë qenë atje, se kanë qenë duke ofruar shërbime nëpër kampe – edhe, i ka rekrutu atje. Ka pasë d.m.th…, në atë kohë… d.m.th janë punësu 4 psikiatër, 1 gjinekologe. Edhe, kryesisht, mjekë të përgjithshëm. Këta, mjekët e përgjithshëm, kanë qenë nga Qendra të ndryshme të Kosovës. Ideja ka qenë që, përmes mjekëve dhe përmes infermierëve me i identifiku personat, që kanë përjetuar trauma të ndryshme – që i kanë përjetu gjatë Luftës” – thotë Çarkaxhiu.
Gjatë viteve 1998 e tutje, edhe organizatat jo-qeveritare ndërkombëtare, si: ‘Mjekët PaKufij’ (Médecins Sans Frontières, MSF) dhe ‘Mjekët e Botës’ (Doctors of the World, DOW), ndihmuan duke ofruar shërbime emergjente psiko-sociale.
Reforma përfshinte edhe përpjekjet për deinstitucionalizimin e personave, të cilët, veçse, ishin të hospitalizuar në spitalet e atëhershme psikiatrike. Organizata ‘Mjekët e Botës’ (Doctors of the World, DOW), pas Luftës filloi implementimin e Projektit ‘për deinstitucionalizimin e fëmijëve’, të cilët ishin të hospitalizuar, – e, riintegrimin e tyre në shoqëri.
Ndër monitorimet e shumta, të bëra nga kjo periudhë kohore, përmendet se (sipas, raportit të MDRI): Përkundër programeve të financuara ndërkombëtarisht, për t’i rregulluar ndërtesat në Shtime, personeli është i pamjaftueshëm për të ofruar pastërtinë themelore – higjienën. Shumë banorë jetojnë në ndyrësi, të rrethuar me erë të urinës ose fecesit.
Raporti përmend se shumë individ kanë qenë duke u mbajtur, në mënyrë të gabuar dhe të paligjshme, në institucionet e atëhershme – duke i cilësuar ato ‘si shkelje të ligjeve vendore dhe ndërkombëtare’. Sa i përket kujdesit të atëhershëm, Raporti, ndër të tjera, përmend se: Kujdesi mjekësor dhe psikiatrik është i pamjaftueshëm dhe i pasigurtë; shqyrtimi i sipërfaqshëm i raporteve mjekësore në Shtime tregon se, personeli joprofesional është i autorizuar të japë barna psikotrope të fuqishme – pa rishqyrtimin nga psikiatri, me muaj apo vite. Përgjatë tërë Raportit, raportohet edhe për prani të abuzimeve, ndaj këtyre individëve – në institucionet e atëhershme të monitoruara nga MDRI.
Pasojat psikologjike
Sa i përket ndikimit që ka pasur Lufta, në shëndetin mendor të popullatës, Studime të shumta që nga Paslufta, dëshmojnë për ndikimin e thellë të Luftës, në shëndetin mendor të popullatës kosovare – mbi prevalencën e përqindjen e lartë të problemeve të shëndetit mendor, të shkaktuara nga Lufta.
Në një Studim, të realizuar nga Fernadez et. Al (2004), me një mostër prej 306 pacientëve, nga Reparti Emergjent, në Prishtinë, thuhet se: pothuajse nga 97% prej tyre kanë raportuar, së paku, një ‘përjetim traumatik nga Lufta’. Në tabelën e mëposhtme, listohen përqindjet e pjesëmarrësve dhe llojet e përjetimeve traumatike: të cilat vetë ata personalisht i kanë përjetuar, i kanë dëgjuar apo kanë qenë dëshmitarë.
Burimi: (Fernandez et al., 2004)
Përpos problemeve të tjera shëndetësore, me të cilat këta pacientë paraqiteshin në Repartin Emergjent, në Prishtinë – sipas Studimit, thuhet se: …të dhënat tona sugjerojnë se ekziston një prevalencë e lartë e simptomave të shëndetit mendor, në mesin e personave që paraqiten në Emergjencë, në Kosovën e Pasluftës. Në një Studim tjetër, nga Ai et al. (2002) (me një mostër prej 129 refugjatësh nga Kosova, Michigane Washington, nga mosha: 18-79 vjeç), raportohet për shkallë të lartë të traumave të shkaktuara nga Lufta. Sipas këtij Studimi, thuhet se: Agjencitë e Shërbimeve Sociale, me të cilat ne punuam kishin zhvendosur edhe popullata të tjera refugjatësh. Por, punonjësit e rasteve/caseworkers na thanë se ‘ata kurrë nuk kishin hasur individë, aq të traumatizuar sa refugjatët kosovarë’. Tabela 2, e ilustruar brenda Studimit, paraqet frekuencën e 8 (tetë) simptomave, më të zakonshme të PTSD-së, te pjesëmarrësit brenda Studimit. Ndër përqindjet e tjera: 59% prej tyre raportojnë të kenë kthim prapa në kohë, nga rikujtimi/flashback; 59% prej tyre kanë raportuar reagim fiziologjik/trupor, kur kujtojnë diçka nga Lufta; 52% prej tyre raportojnë të kenë mendime intruzive; 51% prej tyre raportojnë shmangie të kujtimeve rreth Luftës etj.
Burimi: Ai et al. (2002)
Në një Raport, i cili bëri ‘vlerësimin e efekteve afatgjata të Luftës’, në funksionimin social dhe në shëndetin mendor në Kosovë, nga periudha Tetor-Nëntor 2005 (ndër gjetjet e shumta), thuhet se: popullata shqiptare kishte shkallën më të lartë të prevalencës së PTSD (22.6%), si dhe një prevalencë dukshëm më të lartë të depresionit (43.1%); e, shqetësimit emocional (43.9%). Ky Raport cilësoi, disa shkaktarë, si faktorë të vazhdimit të prevalencës së PTSD-së, në popullatë. Edhe 6 (gjashtë) vjet pas përfundimit të Luftës së fundit, në Kosovë, PTSD është prezente si rrjedhojë e: efektit kumulativ të stresit kronik psikosocial para Luftës, ekspozimit në mënyrë të konsiderueshme ndaj ngjarjeve të shumta traumatike gjatë Luftës, përvojave të përdhunimit, përvojave të refugjatëve, zhvendosjeve e kthimit të detyruar… .
Burimi: KRCT & MSH & WPA & DRC (2006)
Tabela 4, e këtij Raporti, tregon se vetëm 7.9% e të anketuarve, raportuan se kishin marrë terapi psikologjike profesionale, lidhur me traumën. Ndërkaq, shumica e tyre (92.1%) raportuan se: ‘nuk kishin marrë shërbime të tilla’.
Burimi: KRCT & MSH & WPA & DRC (2006)
Grafikoni, i këtij Studimi 11, përshkruan ‘prevalencën e problemeve të shëndetit mendor’, në popullatën e anketuar: teksa, rritet në mënyrë dramatike ndërkohë që ‘frekuenca e ekspozimit’ ndaj numrit të ngjarjeve traumatike rritet – duke nënkuptuar se individët të cilët u janë ekspozuar numrit më të madh të ngjarjeve traumatike, kanë raportuar rritje të shqetësimeve psikologjike, apo të problemeve të ndryshme të shëndetit mendor.
Burimi: KRCT & MSH & WPA & DRC (2006)
Në Grafikonin 13, të këtij Raporti, paraqitet: ‘Shpërndarja e prevalencës së problemeve të shëndetit mendor’, e ndarë në shtatë rajonet e Kosovës – duke dëshmuar, tutje, mbi ndikimin e traumave të shkaktuara nga Lufta, në popullatën kosovare. Plagët e shkaktuara janë të dëshmuara, edhe shumë vite pas Luftës. Sipas një Studimi, të realizuar nga: Schick et al., 2013, raportohet se edhe 11 (njëmbëdhjetë) vjet pas Luftës, dëshmohet për nivele të konsiderueshme të ankthit, depresionit e stresit post-traumatik.
Në Strategjinë e Dytë të Shëndetit Mendor 2008-2013, thuhet, se: bazuar në prevalencën e lartë të problemeve të shëndetit mendor, të cilat ishin evidente edhe 6 (gjashtë) vjet pas Luftës: e ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë, që ta miratojë Planin Kombëtar për Trauma Psikike – plan i cili parasheh në objektivat e paraqitura edhe: themelimin e Qendrës Kombëtare të Ekspertizës Për Trauma Psikike, deri në fund të vitit 2008.
Deri më tani, nuk ekzistojnë të dhëna mbi ekzistencën apo themelimin e kësaj Qendre, sipas një Kërkese, dërguar Divizionit për Shëndet Mendor, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, mbi ofrimin e të dhënave për ekzistencën e ndonjë Programi – i cili fokusohet në trajtimin e traumave të luftës. Por, të njëjtit nuk ofruan përgjigje konkrete.
Sipas Ligjit për Shëndet Mendor, Nr. 05/L -025, Struktura e Shërbimeve të Shëndetit Mendor parasheh ndarjen e shërbimeve në nivelin e kujdesit shëndetësor: parësor, dytësor, tretësor. Aktualisht, nga të dhënat e ofruara nga Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, sipas Raportit të Punës së SHSKUK-së, për vitin 2023, numri i burimeve njerëzore aktuale, në kuadër të Institucioneve të Shëndetit Mendor, në nivelin dytësor, ishte, si në vijim:
- Qendrat e Shëndetit Mendor me Shtëpitë për Integrim në Bashkësi, QIRSKP – Shtime kanë 258 punëtorë;
- Departamenti Psikiatrik, në Pejë, 13 punëtorë;
- Departamenti Psikiatrik, në Gjakovë, 18 punëtorë;
- Departamenti Psikiatrik, në Gjilan, 13 punëtorë; dhe
- Departamenti Psikiatrik, në Prizren, 18 punëtorë.
Sa i përket Burimeve Njerëzore, në nivelin tretësor, thuhet, si në vijim:
- Klinika Psikiatrike, me njësitë e saj 83 punëtorë;
- Instituti i Psikiatrisë Forenzike, me 40 punëtorë.
Se cilat Programe, aktualisht, janë aktive – në kuadër të SHSKUK-së – të dhënat janë, si në vijim:
Kujdesi Dytësor Shëndetësor: Në këtë nivel, shërbimet e shëndetit mendor të specializuar, jashtëspitalor dhe spitalor, ofrohen nëpërmjet rrjetit të shtatë shërbimeve profesionale të shëndetit mendor, të ndara në: shtatë regjione (QSHM/SHIB), Qendrën për Rehabilitim dhe Riintegrim të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë, në Shtime dhe Departamentet Psikiatrike në Spitalet Rajonale, si më poshtë:
- Regjioni Prishtinë: një (1) QSHM në Prishtinë; një (1) QSHM Podujevë; dhe, dy (2) Shtëpi për Integrim në Bashkësi, në Fushë Kosovë një (1) dhe Drenas një (1);
- Regjioni Mitrovicë: një (1) QSHM në Mitrovicë dhe një (1) QSHM Skënderaj; dhe, dy (2) Shtëpi për Integrim në Bashkësi në Mitrovicë;
- Regjioni Prizren: një (1) QSHM dhe një (1) Shtëpi për Integrim në Bashkësi;
- Regjioni Pejë: ka një (1) QSHM dhe një (1) Shtëpi për Integrim në Bashkësi;
- Regjioni Ferizaj: një (1) QSHM dhe një (1) Shtëpi për Integrim në Bashkësi;
- Regjioni Gjakovë: një (1) QSHM dhe një (1) Shtëpi për Integrim në Bashkësi;
- Regjioni Gjilan: një (1) QSHM dhe një (1) Shtëpi për Integrim në Bashkësi;
- Qendra për Integrim dhe Rehabilitim të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë, në Shtime, ka 65 shtretër.
- Departamenti Psikiatrik – SP Gjilan;
- Departamenti Psikiatrik – SP Gjakovë;
- Departamenti Psikiatrik – SP Prizren;
- Departamenti Psikiatrik – SP Pejë.
Kujdesi tretësor shëndetësor, për shëndet mendor, ofrohet nga:
- Klinika e Psikiatrisë, me njësitë e saj, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është përgjegjëse për tërë territorin e vendit (ka rolin dytësor për spitalin e Mitrovicës dhe Ferizajt, të cilët nuk kanë Reparte Psikiatrike).
- Institutin e Psikiatrisë Forenzike – përgjegjës, aktualisht, për tërë territorin e vendit.
Sa i përket, numrit të personave të cilët marrin shërbime në këto institucione, të dhënat (duke mos përfshirë vizitat specialistike e shërbimet e tjera) dëshmojnë, si në vijim:
Në kuadër të institucioneve të shëndetit mendor, në nivelin dytësor, numri total i shërbimeve për pacient/klient spitalor dhe jashtëspitalor – mbështetur në Programet e Punës, janë, si në vijim:
- Qendrat e Shëndetit Mendor me Shtëpitë për Integrim në Bashkësi kanë ofruar 121 134 shërbime, në tërësi – ku përfshihen: shërbimi i vizitave specialistike, vizita shtëpiake, qëndrimi ditor dhe aktivitetet tjera rehabilituese. Në QIRSKP Shtime, si institucion i veçantë, ka trajtuar 62 pacientë, me 22 438 ditë sharmi dhe 1.132 shërbime të tjera;
- Departamenti Psikiatrik në Pejë, me kapacitet prej 16 shtretër ka trajtuar 163 pacientë, me 2778 ditë shërimi;
- Departamenti Psikiatrik në Gjakovë, me kapacitet prej 26 shtretër ka trajtuar 214 pacientë, me 3836 ditë shërimi;
- Departamenti Psikiatrik në Gjilan, me kapacitet prej 15 shtretër ka trajtuar 142 pacientë, me 2690 ditë shërimi;
- Departamenti Psikiatrik në Prizren, me kapacitet prej 20 shtretër ka trajtuar 266 pacientë, me 2198 ditë shërimi.
Në nivelin tretësor janë, si në vijim:
- Në Klinikën Psikiatrike me njësitë e saj, me kapacitet prej 63 shtretërish, janë trajtuar 563 pacientë, me 11.355 ditë shërimi, 13 977 vizita specialistike dhe 5655 vizita të tjera diagnostifikuese, e shërbime të tjera;
- Instituti i Psikiatrisë Fornezike, me kapacitet prej 36 shtretërve, ka trajtuar 497 pacientë të shtrirë, me 11 604 ditë shërimi, 569 vizita ambulatore dhe 2034 shërbime të tjera e diagnostifikuese.
Të dhënat, mbi shërbimet në nivelin parësor – të cilat, sipas Ligjit aktual të Shëndetit Mendor, parashihen: të ofrohen nga mjekët e familjes dhe shërbimi i infermierisë, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në institucionet e kujdesit shëndetësor parësor – nuk ekzistojnë, për shkak se ende nuk janë ofruar deri më tani.
Ky lloj rregullimi ishte paraparë edhe sipas Udhëzimit të Parë Administrativ të Shëndetit Mendor 30/2004 21dhe sipas Të Dytit 07/2009 22, të cilët në vitin 2021, ishin shfuqizuar – duke bërë që, aktualisht, të mos ekzistojë ndonjë Udhëzim tjetër Adminstrativ në fuqi.
Nëpërmjet këtyre Udhëzimeve Administrative, ishte paraparë edhe Integrimi i Shërbimeve të Shëndetit Mendor, në mënyrë që koordinimi i tyre të mundësohej nëpërmjet Këshilleve apo Bordeve Bashkëpunuese të Shëndetit Mendor – gjë e cila nuk parashihet më, në Ligjin aktual për Shëndetin Mendor.
Burimi: Udhëzimi Administrativ NR. 30/2004 (i shfuqizuar)
Burimi: Udhëzimi Administrativ NR. 07/2009 (i shfuqizuar)
Sa i përket traumave psikologjike, deri më tani, në uebfaqen e Ministrisë së Shëndetësisë, është publikuar vetëm një Udhërrëfyes Klinik mbi Çrregullimin e Stresit Post-Traumatik. Sipas këtij Dokumenti, synohet të përmirësohet trajtimi i i personave ‘me çrregullime të stresit post-traumatik’.
Sipas një Studimi, i cili shqyrtoi prevalencën e PTSD-së, 8 (tetë) vjet pas përfundimit të Luftës – te veteranët e Luftës në Kosovë – dëshmohet për një prevalencë prej 11.2% . Për më tepër, sa i përket veteranëve të Luftës, raportohet nga mediat për rritje të rasteve të vetëvrasjes, ndër vite – që nga Paslufta. 25 Gazmend Syla, U.d Drejtor i OVL-së, në Pejë, përmendi se numri i vetëvrasjeve të veteranëve të Luftës, është ‘rreth 60 (gjashtëdhjetë)’.
Sipas një Studim-analize, të realizuar nga psikiatri, Ramadan Halimi mbi ‘Karakteristikat psiko-sociale të veteranëve të Luftës së Kosovës’ përmenden shifra, si në vijim: Nga analiza e grup moshave për shkallën e riskut për vetëvrasje janë fituar të dhëna interesante. Grupmosha 46-55v. ka rezultuar me rrezikshmëri të lartë në kategoritë: risk i ulët (9.4%) dhe risk i mesëm për vetëvrasje (9.4%) – pasuar nga grupmosha 36-45v., e cila është gjetur me risk në të tri kategoritë: risk i ulët (8.8%), risk i mesëm (5.9%) dhe risk i lartë (8.8%).
“Veteranët e kategorisë të papunë kanë shfaqur rrezikshmërinë më të lartë për vetëvrasje, se sa kategoritë e tjera sociale” – thuhet, tutje, në këtë Studim.
Sipas Ligjit NR. 04/L-261, për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Neni 23, Pika e Tretë, përmend, si në vijim: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, themelojnë Qendrën e Stresit Post-traumatik për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rehabilitimin emocional, shpirtëror dhe të traumave, si pasojë e Luftës – Qendër, e cila deri më tani nuk është themeluar ndonjëherë. Këtë e ka konfirmuar edhe Syla, i cili thekson mungesën e vullnetit politik, mbi themelimin e kësaj Qendre: Jo, nuk ka pasur vullnet politik me dalë një gjë e tillë. E, kjo Pikë, në Ligj, ka mbetur, vetëm një tekst i shkruar – po, asnjëherë nuk ka dalë në vepër.
Ndikimi i ‘traumave të luftës’, 25 vjet pas Luftës
...trauma nuk e ka një formulë të caktuar. Që, ti thu duhesh me marrë kit medikament, duhesh me ndjekë kit qasje – edhe kaq kryhet. D.m.th trauma kërkon me u thanë, me u nda, me u mirëkuptu, me u mbështet, me u përpunu qatu: jo, me u harru. Dhe, njerëzit kur nuk kanë arritë kurrë me e nda qat sen…. E, aq ma tepër me u mundu, në vazhdimësi, me mbajtë të fshehur, mos ma hetoi tjetri, ose mos ma heton tjetri,… ka me u keqësu edhe ma tepër gjendja” – përmendi psikologia, Izeti-Çarkaxhiu.
Studime të shumta, edhe 25 vjet pas përfundimit të Luftës së fundit, në Kosovë, raportojnë për traumat e shkaktuara në popullatë – e, ndikimin e vazhdueshëm të saj edhe sot e kësaj dite.
Sipas Komanit, në 10 vjetët e fundit, ka filluar një aspekt tjetër i përjetimit të traumave. Ai përmend: krizën ekonomike, Covid-19, pasigurinë sociale, pasigurinë politike dhe Luftën në Ukrainë – të cilat mund të kenë ndikuar që të rritet edhe numri i shërbim-kërkuesve, të Shërbimeve të Shëndetit Mendor.
Për arsye se, nëse, në televizor, në media, e shohin një vrasje në Ukrainë…, ose dikund tjetër, ai është vetëm një përkujtues i të kaluarës, (…) edhe i zgjon të gjitha ato ndjenjat e këqija, të Luftës – thotë Komani.
Studimet shkencore, në botë, dëshmojnë se si traumat psikologjike mund të barten edhe brez pas brezi. Psikologia Izeti-Çarkaxhiu përmendi se ‘QKRMT kishte evidentuar këtë fenomen’ – nëpërmjet, një Studimi, për ‘bartjen e traumës në Kosovë’.
…ka rezultu që sidomos nanat, të cilat gjatë shtatzanisë janë me PTSD, gjasat që për me bartë traumë te fëmijët janë shumë të larta. Edhe kjo, është dokumentu, edhe përmes rritjes së kortezolit, edhe ndryshimeve epigjenetike që janë vrejtë te fëmijët” – thotë Qarkaxhiu.
Gjithashtu, sipas një Hulumtimi, të realizuar nga organizata ‘Medica Gjakova’, ‘mbi pasojat afatgjate të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë’, rezultatet dëshmojnë ‘për ndikimin e traumave në shëndetin mendor të të mbijetuarëve’, si në vijim: Rreth dy të tretat e pjesëmarrësve, në Studim, raportojnë vështirësi me rënien në gjumë, ose pamundësi për të fjetur pa ndërprerje,… ose makthe – një pasojë e njohur e niveleve të vazhdueshme të stresit e ankthit”.
Ndër të tjera, Hulumtimi përmend edhe probleme të tjera lidhur me gjendjen psikologjike, për shkak të dhunës seksuale. …73% e pjesëmarrësve, në Studim, kualifikohen se vuajnë nga PTSD komplekse. 13% të tjerë i plotësojnë të gjitha kriteret për diagnozë PTSD. 95.5% plotësojnë kriteret për depresion klinik. 96% e pjesëmarrësve raportuan nivele të larta ankthi dhe 57% (114) raportuan (vetë)mjekim me qetësues. Hulumtimi shpalos, ndër të tjera, edhe të dhëna ‘mbi ballafaqimin me mendime për vetëvrasje’, nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Thuhet, se: …59 pjesëmarrës (29.5%) raportuan se kishin mendime për vetëvrasje, gjatë javës paraprake dhe 101 (50.5%) raportuan se kishin mendime për vetëlëndim që nga Lufta. Ndërkaq, 142 (71%) thanë se kishin përjetuar mendimin, se nuk ia vlente të jetonin më – duke dëshmuar, tutje, mbi ndikimin e gjatë të këtyre traumave në popullatën kosovare.
Aktualisht, shumë institucione shtetërore në Kosovë, nuk posedojnë të dhëna apo statistika të sakta, mbi çështjen e ‘traumave të luftës’ – gjë, e cila e pamundëson, tutje, adresimin e mirëfilltë të kësaj çështjeje.
Bazuar në këtë, e në situatën aktuale në Kosovë, nënkuptohet se kjo çështje duhet shqyrtuar, me më shumë pritoritet, nga institucionet aktuale. E, të merren, tutje, hapat e nevojshme mbi adresimin dhe trajtimin urgjent të këtij fenomeni. Duke përfshirë këtu edhe rregullimin ligjor, mbi ofrimin e shërbimeve, ndihmës e mbështetjes së nevojshme – për kategoritë e prekura, nga traumat e luftës. [Viola Greiçevci është studente e nivelit master, programi: Psikologji Klinike dhe Komuniteti, në Departamentin e Psikologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Pasioni dhe dëshira për fushën e shëndetit mendor, ka bërë që, Viola, nga fillimi i studimeve të saj, të angazhohet në mënyrë aktive në organizata, projekte, hulumtime e aktivitete të ndryshme sensibilizuese, për shëndetin mendor. Njëkohësisht, ajo merret edhe me shkrime – me fokus të veçantë ‘në shëndetin mendor dhe të drejtat e njeriut’.]
Ky hulumtim u zhvillua, në kuadër të projektit Ballafaqimi me trashëgiminë e konfliktit në Kosovë – financuar nga Ambasada Britanike, përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), implementuar nga BIRN Kosovo. Si i tillë, paraqet vetëm qëndrimet e autores dhe, në asnjë formë, nuk paraqet qëndrimet e donatorëve.