Shmangësit e Pushtetshëm të Tatimit

Një hulumtim i kryer nga Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar dëshmi mbi një gjë që ka kohë që shumë Kosovarë e kanë besuar – se kuvendi i tyre është i mbushur përplot me individë që u shmangen tatimeve.

Ligjvënësit e Kosovës nuk e kanë shumë problem shkeljen e ligjit kur flitet për mbrojtjen e të ardhurave tatimore të vendit.

Sipas ligjit për administratën tatimore të miratuar verën e kaluar, edhe bizneset edhe konsumatorët janë të detyruar që ta luftojnë ekonominë e zezë. Kësisoj, të gjitha firmat që shërbejnë konsumatorë u obliguan që të instalojnë kasa fiskale, ndërsa konsumatorët u obliguan ligjërisht që të kërkojnë kuponin fiskal, përkundrazi mund të gjobiten në vlerë prej 20 eurosh.

Por restoranti Shqiponja brenda ndërtesës së Parlamentit ende nuk e ka vënë në funksion kasën fiskale, duke bërë që të gjithë deputetët që pinë kafe aty të jenë shkelës të ligjit.

Të gjitha bizneset ligjërisht u obliguan që të instalojnë kasa fiskale deri në muajin shtator të vitit të kaluar, përndryshe do të përballeshin me gjoba mes 150 dhe 1,000 euro.

Këto pajisje i regjistrojnë të gjitha blerjet dhe këto të dhëna ia dërgojnë drejtpërdrejt Administratës Tatimore të Kosovës – ATK. Ato janë duke u vënë në funksion si pjesë e betejës kundër ekonomisë së zezë në Kosovë, në të cilën vlerësohet se çdo vit qarkullojnë rreth 700 milionë euro.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se vetëm një në pesë biznese, apo 12,000 nga 60,000 firma, i janë përmbajtur thirrjeve të vazhdueshme për instalimin e këtyre pajisjeve.

Në anën tjetër, sipas shifrave të fundit, vetëm 1,145 biznese janë gjobitur që nga skadimi i afatit të lartpërmendur në shtatorin e vitit të kaluar.

Shqiponja mban një sërë kontratash me institucione qeveritare dhe është pronë e njërit nga sindikalistët kryesorë të vendit, Fehmi Nikës, udhëheqësit të sindikatës në Ferronikel.

Përkundër fakteve se ka për detyrë luftimin për të drejtat e punëtorëve dhe se kafeneja e tij gjendet në qendër të pushtetit politik, dyqani i Nikës po shkel ligjin. Rrjedhimisht ATK nuk është në gjendje ta di nëse për qindra makiatot dhe pijet tjera që i pinë deputetët çdo ditë janë duke u paguar edhe tatimet gjegjëse.

Kjo gazetë gjithashtu e ka vizituar tri herë restorantin e familjes Pacolli, Diamond Diplomatik Bar në rrugën UÇK në qendër të Prishtinës, dhe dy herë restorantin Ariu që është pronë e vëllait të deputetit dhe zyrtarit të lartë të PDK-së – Shaip Mujës.

Në asnjë nga këto vizita gazetarëve tonë nuk iu lëshua kupon fiskal siç parashihet me ligj. Por, pas vizitës së tretë në të dyja këto restorante dhe pasi që diskutuam me pronarët lidhur me shkeljet ligjore që po bëheshin, pajisjet fiskale u instaluan dhe kuponët fiskal filluan të lëshohen.

Herën e parë që vizituam Diamondin, ata nuk ishin në gjendje të na ofrojnë kurrfarë fature. “Kërkojmë falje, por nuk kemi faturë për t’ju dhënë”, na tha kamerieri.

Gjatë vizitës së dytë, Diamond Diplomatik prapë nuk ishte në gjendje të na ofrojë kupon fiskal për ëmbëlsirat dhe kafetë e konsumuara, megjithatë, na e lëshuan një faturë të shtypur në kompjuter. Kasa fiskale do të “rregullohej së shpejti” na thanë me këtë rast.

Në vizitën e tretë, ky restorant na lëshoi një faturë adekuate – por në këtë faturë dëshmohej se ky vend i kishte lëshuar gjithsej vetëm gjashtë të tilla deri në atë moment.

Sipas regjistrit zyrtar të bizneseve, pronar i Diamond Diplomatik është Islam Pacolli, vëllai i Behgjetit, Zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës.

Behgjet Pacolli
Behgjet Pacolli, Zëvendëskryeministër

Në këtë biznes është i përfshirë edhe Rrahim Pacolli, kushëriri i parë i Behgjetit, ndërsa mysafir i rregullt në këtë lokal është edhe vetë Behgjeti.

Behgjet Pacolli është pronar i një sërë kompanish anembanë botës, shumë prej të cilave udhëhiqen pjesërisht nga vëllezërit dhe të afërmit të tjerë të tij.

Mbase më e njohura nga këto kompani është Mabetexi, kompani e cila fitoi shuma të mëdha duke ndërtuar pallate në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe duke e rinovuar Kremlinin.

Ai gjithashtu posedon një zinxhir të hoteleve dhe restoranteve, të cilat funksionojnë me emrin Swiss Diamond, ndërsa më parë ka poseduar edhe një gazetë – Gazeta Lajm, e cila ishte e vendosur në të njëjtën ndërtesë me restorantin Diamond Diplomatik.

Ngjashëm si në rastin e Diamond Diplomatik, Islam Pacolli është menaxher i Mabetexit, kompani kjo që ka qenë e përfshirë në disa projekte të mëdha në Kosovë, përfshirë këtu rinovimin e ndërtesës qeveritare të Rilindjes dhe të Hotelit Iliria.

Zëdhënësi i Behgjet Pacollit, ish-Presidentit dhe kreut të Aleancës Kosova e Re – AKR, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ai në asnjë mënyrë nuk kishte lidhje me këtë bar.

“Restoranti Diplomatik nuk menaxhohet dhe nuk është pronë e z. Pacolli”, na tha ai, duke shtuar se ai “nuk kishte të bënte fare me këtë restorant”.

Islam Pacolli tha për Gazetën Jeta në Kosovë se moslëshimi i faturës së rregullt nga punonjësit e tij në Diplomatik ishte rezultat i një gabimi të kamerierit.

“Në bar lëshohen faturat, por nëse kamerieri nuk e ka bërë këtë, atëherë ai mbase ka dashur t’i ikë [shfrytëzimit të kasës] dhe çfarë të bëjë unë për këtë?” pyeti ai.

“Jam shumë i interesuar të di nëse kjo ndodh dhe unë planifikoj të instaloj programe për të shmangur kryerjes së punës në mënyrë manuale”, shtoi ai.

“Absolutisht nuk kemi të bëjmë me tentativë për t’iu shmangur taksave, pasi që ashtu nuk ndërtohet shteti.”

Ngjashëm me të edhe Naim Muja tha se ata kanë kasë fiskale, por se moslëshimi i kuponit fiskal të rregullt paraqet një gabim të kamerierit, pa marrë parasysh se ne kishim kërkuar disa herë atë.

Ai tha: “Ne e kemi blerë pajisjen dy javë pasi që ligji është miratuar. Ajo punon në mënyrë të përkryer, kështu që nuk është e vërtetë se ajo nuk funksionon.”

“Është përgjegjësi e klientit që të kërkojë faturën, por kamerierët mund ta fshehin atë nga këta të parët, për shkak se kanë tendenca që të vjedhin. Ne kemi pasur raste kur na është dashur të largojmë kamerierë nga puna për këtë arsye.”

“Ju mund të vini kur të doni dhe të vërtetoheni se kemi pajisje të tillë.”

Shaip Muja
Shaip Muja, deputet

Kur ia potencuam faktin se ne e kishim vizituar lokalin e tij dy herë, ai fajësoi kamerierët.

Vëllai i tij Shaipi, figurë e lartë në partinë qeverisëse PDK dhe deputet në Kuvend, nuk është i regjistruar si pronar i biznesit, edhe pse ai është partner afarist i Naimit.

“Unë i kam pesë vëllezër dhe shumë kushërinj, dhe ata janë të rritur, kështu që unë nuk e di përse po më drejtoheni mua në lidhje me bizneset e tyre”.

“Mund të ndodhë që edhe kamerierët duan të vjedhin. Kjo më ka ngjarë edhe mua. Çka mund të bëni në rast të tillë? Të shkoni në shkollën e kamerierit dhe të shihni se si i është lëshuar certifikata. Duhet të trajtojmë origjinën e problemit dhe jo efektin e tij”.

“Kosova është duke u zhvilluar dhe implementimi i ligjeve është duke u përmirësuar. Gjërat nuk mund të kryhen brenda një dite”.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka vizituar edhe një sërë restorantesh, baresh dhe shitoresh tjera në Prishtinë, shumë prej të cilave frekuentohen nga politikanët më të lartë të Kosovës.

Shumë prej tyre duket se veprojnë në kundërshtim me ligjin, megjithëse në këtë artikull nuk po i përmendim emrat e tyre pasi që kjo praktikë është shumë e shtrirë.

Një kafene që është e lidhur me një politikan të lartë dhe e cila – jo e zakonshme – shfrytëzon pajisjet përkatëse është Strip Depot, e themeluar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, por që zyrtarisht drejtohet nga nëna dhe babai i tij.

Reporterit fatura nuk iu ofrua në momentin e pagesës, gjë që në vete paraqet shkelje, por kamerieri ia dha atij kuponin fiskal pasi që kjo iu kërkua.

Menaxheri i Shqiponjës Bedri Nika, vëllai i Fehmiut, tha se firma e tij menaxhon dy restorante në parlament dhe që të dy tani janë të pajisur me kasa fiskale, edhe pse e pranoi se njëri prej tyre ishte instaluar rishtas.

Ai nuk ishte në gjendje që reporterit tonë t’ia sqarojë përse atij nuk iu sigurua faturë e rregullt në njërin nga këto restorante, megjithëse ai e kërkoi një të tillë.

Zyrtarët në parlament nuk refuzuan t’i përgjigjen pyetjeve të parashtruara nga Gazeta Jeta në Kosovë në lidhje me këtë çështje.

Vrima e zezë në ekonomi:

Lokalet si Strip Depot që përdorin kasat fiskale nuk përbëjnë shumicën, përkundër fushatës intensive vetëdijësuese të zhvilluar nga ATK që nga fundi i vitit të kaluar dhe përkundër kërcënimit me gjoba.

Zyrtarët e ATK’së thanë se nuk duan të komentojnë rastet specifike, por se inspektorët e tyre janë duke kontrolluar vazhdimisht bizneset dhe se janë duke shqiptuar gjobat e duhura në raste kur kjo është e domosdoshme.

“Këtu përfshihen të gjitha bizneset, përfshirë edhe ato që aktivitetin e tyre e realizojnë brenda qeverisë, parlamentit apo komunave”, tha zëdhënësja Hava Ademi.

Znj. Ademi tha për Gazetën Jeta në Kosovë se rezultatet e fushatës së zhvilluar nga ta ishin të kënaqshme, edhe pse aktualisht vetëm një në pesë firma ka të instaluar pajisjet përkatëse.

“Vetëm gjatë vitit 2011, ATK ka shqiptuar 1,145 gjoba për bizneset të cilat nuk janë të pajisur me kasa fiskale apo të cilat nuk lëshojnë kupona tatimorë”, tha ajo.

“Qëllimi i kasave fiskale është që të sigurojë konkurrencë të drejtë në treg, të sigurojë pagimin e tatimeve, të ekzaminojë origjinën e mallrave, etj.”, sqaroi znj. Ademi.

Foto
Foto: Arbresha Robovci

Në Kosovë janë të licencuara tri kompani për shitjen e kasave të tilla, të cilat kushtojnë rreth 700 euro për copë, megjithëse shumë biznese janë ankuar duke thënë se këto firma veprojnë si kartele dhe se i kanë fryer artificialisht çmimet e kasave. Kjo çështje është nën hetime.

Gjatë muajve të fundit, ATK ka mbajtur seminare anembanë Kosovës me qëllim të shtimit të numrit të bizneseve që pajisen me kasa fiskale. Seminare të tilla janë mbajtur në Ferizaj, Gjakovë, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Prizren, etj.

“Këto seminare kanë kaluar mirë, dhe ne shpresojmë se kanë qenë të dobishëm për bizneset të cilat ende nuk i kemi ‘fiskalizuar’,” tha në vazhdim znj. Ademi.

Por disa ekonomistë thonë se norma e shfrytëzimit të tyre është skandaloze.

“Mosshfrytëzimi kasave fiskale brenda institucioneve [publike] dëshmon se ky proces ka dështuar,” tha eksperti i ekonomisë Isa Mulaj.

“Jam i sigurt se Ministria e Ekonomisë [e cila ka përgjegjësinë e përgjithshme për tatimet] e ka të ditur faktin se kjo kafene [mbase] i shmanget tatimeve, e megjithatë nuk bën gjë për këtë – kush e di se për çfarë arsye?”

Musa Limani, një tjetër ekonomist, gjithashtu pati mëdyshje nëse qëllimet e qeverisë ishin serioze.

“Mosshfrytëzimi i kasave fiskale në bare të cilat janë brenda institucioneve [publike] jep një shembull të keq për bizneset tjera,” theksoi Limani.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, tha se madhësia enorme e tregut të zi është duke e dëmtuar seriozisht buxhetin e Kosovës.

Ai tha se sipas hulumtimeve të kryera nga aleanca e tij dhe organizatat tjera ndërkombëtare vlerësohet se vlera vjetore e tregtimit të tillë arrin në 700 milion euro.

Ekonomisti Muhamet Sadiku tha se ai beson se 40 për qind të të gjitha transaksioneve ekonomike në Kosovë janë joligjore.

Ndërkohë, taksapaguesit ndihen të fyer nga mungesa e dukshme e vullnetit tek sektori privat për t’i paguar borxhet ndaj shtetit.

“Të gjitha shtetet e forta ndërtohen me tatime” tha Bedri Gola, qytetar nga Prishtina. “Nuk ka shtet pa tatim, por bizneset joligjore do të vazhdojnë të funksionojnë lirshëm në Kosovë, përderisa këtu të mos funksionojnë ligjet, gjyqësori dhe policia.”

Adrian Lima, një tjetër banor i kryeqytetit thotë se ai dyshon se gjërat do të përmirësohen shpejt. “Kurrë nuk më japin faturë të rregullt, pa marrë parasysh se çka blej”, vërejti ai.

Ky artikull fillimisht është botuar më 11 nëntor 2011.