Gjylieta Mushkolaj, ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese

Shkruan Gjyljeta Mushkolaj: Kushtetuta përballë sfidave të politikës

Dymbëdhejtëvjetori i Kushtetutës së Republikës së Kosovës po shënohet sot në kulm të luftës globale kundër pandemisë së shkaktuar nga coronavirusi i ri. Derisa pandemia furishëm po përhapej në tërë rruzullin tokësor, Kosova me Qeveri të sapoformuar, me sistem shëndetësor tejet të brishtë, me mjekë e personel tjetër shëndetësor të nëpërkëmbur, e me rezerva shtetërore të gllabëruara, ia arriti të menaxhojë përhapjen e saj, në ndërkohë që kujdesej për këthimin e shtetasëve të vet në vend, e që secili i kthyer ishte i sëmurë potencial dhe përhapës i virusit. Beteja kundër përhapjes së virusit të ri e të panjohur zhvillohej duke e rikthyer në të njëjtën kohë shkëlqimin e vlerës së shtetësisë së Kosovës, që veçse ishte zbehur nga keq-qeverisja. Vrulli dhe vullneti i qeverisë së re që t’i kundërvihet paralizimit të jetës nga coronavirusi duke përdorë metoda inovative, që nga arsimi në distancë në të gjitha nivelet, e deri te shfaqjet teatrale, koncertet e ekspozitat, nismat e reja për të thelluar bashkëpunimin me diasporën, si dhe për gjetjen e mundësive për të lehtësuar jetën e një numri tejet serioz të familjeve pa të ardhura, u mbështet gjerësisht nga qytetarët dhe mobilizoi një numër i madh vullnetarësh.

Megjithatë, fatkeqësisht, lufta për protagonizëm dhe politika partiake nuk lejoi që as në këtë kohë të pandemisë t’i jepet përparësi mirëqenies së qytetarëve. Disfata e Presidentit Thaçi për të shpallur “gjendjen e jashtëzakonshme” që në bërthamë do të kishte shmangien nga respektimi i lirive dhe të drejtave themelore dhe hyrjen tinzare të autoritarizmit, e nxiti rënien e qeverisë, me shpresë se një qeveri e re do të dezertonte nga detyrat e saj dhe një kryeministër i ri, do t’ia dorëzonte komandën e shtetit. Duke e parë se ditët po kalojnë me shpejtësi dhe qeveria në detyrë po e vazhdonte punën, madje edhe me bojkot të Kuvendit, Presidenti iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, me shpresë se do ta pengonte Qeverinë që të luftojë pandeminë, duke pretenduar se me masat e ndërmarra për mbrojtjen e shëndetit publik, Qeveria kishte bërë shkelje të ‘rëndë” të Kushtetuetës. Kërkesa e Presidentit drejtuar Gjykatës kushtetuese ishte e pa elaboruar mirë, e për më keq, e ngatërronte konceptin e kufizimit të lirive dhe të drejtave themelore me atë të shmangjes nga ato dhe si pasojë, edhe nga Konventa Evropiane për të drejta të njeriut, gjë që e kishte vënë në dritë vet Gjykata Kushtetuese. Një huqje e këtillë, nuk është minore. Është tejet e rëndë. Kjo huqje e bën Presidentin aktual të padenjë që të “komandojë” gjatë “gjendjes së jashtëzakonshme,” madje, nëse e kujtojmë sjelljen e tij ndaj Komisionit hetimor të Kuvendit të Kosovës për dëbimin e shtetasve turq, që e shpërfaq raportin e tij me liritë dhe të drejtat e njeriut, edhe të frikshëm. Raportin e tij me të drejtat e njeriut, më së miri e ilustron fakti se Kosova ka mbetur edhe sot, në dymbëdhejetëvjetorin e shënimit të Kushtetutës, vendi i vetëm në territorin gjeografik të Evropës që nuk është nënshkrues i Konventës Evroiane për të drejtat e njeriut. Presidenti ynë i sotëm, është jo fajtori më i madh për këtë, por është fajtori i vetëm për këtë dështim kolosal. Që nga dita e shpalljes së pavarësisë, e disa sa është zgjedhur President, ka qenë ose kryeministër, ose Ministër i jashtëm, pra zyrtar që është kujdesur që Kosova të mbetet “vrimë e zezë” e të drejtave të njeriut.

Aktgjykimi i Gjykatës kushtetuese vërtetë e konsideron Vendimin e Qeverisë për masat e ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e pandemisë jo në përputhshmëri me Kushtetutën, duke qenë se ato i tejkalojnë kufizimet e lirive dhe të drejtave individuale të përcaktuara me Ligjet në të cilat Vendimi është bazuar. Megjithatë, mu për arsye se Gjykata i konsideron ato masa të nevojshme, të rëndësishme dhe jetike për t’u përballur me pandeminë, i ka lënë kohë Qeverisë dhe dhe i ka bërë thirrje edhe Kuvendit që të aktivizohet, në mënyrë që të ndërtohet baza ligjore për kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore në mënyrë që masat aq të nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë të jenë në harmoni me Kushtetutën.

Për fat të keq, në dymbëdhejtëvetorin e Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës qëndron i heshtur. Dy të tretat e deputetëve që qytetarët e Kosovës i paguajnë me gjenerozitet që në rradhë të parë të kujdesen për mirëqenien e vendit, i kanë braktisur në kohën më të vështirë. Arsyetimi se për shkak të rrethanave të rrezikut për shëndetin nuk mund të mbledhen nuk qëndron, sepse për ta votuar mocionin e mosbesimit janë mbledhur në seancë maratonike, duke i mbajtur në tension të tmerrëshëm qytetarët e frikësuar nga pandemia e nga skamja.

Sidoqoftë, Kushtetuta, i jep shtegdalje Qeverisë në detyrë që ta luftojë pandeminë, përkundër pengesave që ia bëjnë deputetët. Kosova është mjaft e decentralizuar dhe rregullimin e pushtetit lokal e ka të bazuar plotësisht në Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Legjislacioni ynë u jep komunave kompetenca për t’u përballur me rastet emergjente lokale, kështuqë në bashkëpunim me secilën komunë veç e veç, Ministria e Shëndetësisë mund të ndërmarrë masa të nevojshme të kufizimit të lirisë së lëvizjes të dizajnuara për rrethanat e secilës prej tyre, sidomos të nevojshme për muajt më të ngrohtë, kur punët në bujqësi kërkojnë më shumë kreativitet në përcaktimin e masave për luftimin e pandemisë. Edhe në këtë rrugë, përballja me pandemi përsëri nuk do të jetë e lehtë. Tashmë kanë filluar sulmet shkatërruese të disa liderëve politikë duke i nxitur kryetarët e komunave për mosbashkëpunim! Edhe këto nuk mund të kenë sukses, sepse në fund të fundit, kryetarët e komunave janë të zgjedhur me votë popullore dhe janë të vetëdijëshëm se kanë përgjegjësi të veçanta. Afërsia e tyre me qytetarët i vë ata në vijë të parë për t’iu përgjigjur kësaj krize të madhe të shkaktuar nga pandemia.

Disfata e Presidentit Thaci për ta marrë “komandën” e vendit përmes shpalljes së “gjendjes së jashtëzakonshme” për dy herë radhazi brenda një kohe të shkurtër, nuk e zbrapsën atë. Veprimtaria e tij shkatërruese vazhdoi më tutje me popullizëm, tani duke e kërcnuar konstitucionalizmin përmes gënjeshtrës së madhe se masat e ndërmarra për luftimin e pandemisë në komunat veriore, ishin shprehje e “gjendjes së jashtëzakonshme” të shpallur nga Serbia! Në këtë kohë të qasjes së lehtë në informacione dhe me mundësinë e lehtë të komunikimit të drejtëpërdrejtë me video edhe me skajet më të largëta të rruzullit, lehtë ishte të kuptohej që nuk ishte e vërtetë që veriu i Kosovës ishte në “gjendje të jashtëzakonshme.” Gjatë periudhës së kësaj Qeverie, në veri të Kosovës asnjë ditë nuk janë parë uniformat policore të Serbisë, dhe gjatë tërë kohës kanë qenë prezentë zyrtarët policorë të Kosovës. E gjitha që ka ndodhë gjatë këtyre ditëve të luftimit të pandemisë, është saktësisht realizimi i planit të Qeverisë, siç është përcaktuar me legjislacionit tonë në fuqi, që i rregullon kompetencat e zgjeruara të komunave në veri dhe bashkepunimin nderkomunal, konkretisht me Republikën e Serbisë. Sa për përkujtim, ai legjislacion është miratuar nga Kuvendi me propozim të qeverisë kur Presidenti Thaçi e udhëhiqte atë. Kushdo që është i interesuar për të shkundur pluhurin e harresës, me një hulumtim disa minutësh të arkivës elektronike të Kuvendit të Kosovës, madje mund ta vërejë edhe arrogancën e miratimit të po këtyre ligjeve, pa debat dhe me procedurë të shpëjtë të miratimit.

Sidoqoftë, Kosova që nga ditët e para të historisë si shtet i pavarur ka bashkëjetuar me kriza të njëpasnjëshme politike. Keq-qeverisja, krimi i organizauar dhe korrupcioni e ka bërë secilën qeveri jostabile, e shtetin tejet të brishtë. I ka vështrësuar integrimet euro-atlantike dhe i ka ngujuar e ngulfatur qytetarët e vet. Megjithatë, për këto dymbëdhjetë vjet, Kushtetuta jonë e ka bërë të mundur që krizat politike të mos shndërrohen në kriza kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është ngarkuar padrejtësisht që të zgjidhe krizat politike dhe ka pasur sukses që vendimet e saj përgjithësisht janë respektuar nga të gjitha partitë e grupet e ndryshme politike. Edhe atëherë kur shumëkush ka besuar që  vendimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë modifikuar frymën dhe teksti e saj, me përulësi, forcat politike dhe qytetarët e Kosovës, i janë nënshtruar rregullave të lojës të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Vet strategjinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, fushatën dhe votimin, e kanë ndërtuar, në bazë të rregullave të vendosura nga Gjykata Kushtetuese.

Me gjithë kritikat e sulmet, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia ka dalë që t’i mundësojë Kosovës që pas secilës krizë politike, ta marrë veten shpejt dhe të mbijetojë.

 

Gjyljeta Mushkolaj ka qenë anëtare e Komisionit Kushtetues të Kosovës, organit me rëndësi historike për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku e ka udhëhequr nën-komisionin për të drejta të njeriut dhe e ka kryesuar zyrën për marrëdhënie me publikun.