Shkruan Arsim Bajrami: A mund të kemi qeveri pa Listën Serbe?

Profesori i Praktikës Parlamentare dhe të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Arsim Bajrami, analizon situatën kushtetuese në Kosovë në kohën kur kandidati për kryeministër, Albin Kurti, po insiston që në qeverinë e tij nuk do të ketë vend për ministra nga Lista Serbe.

  1. Hyrje

Kjo analizë do të përqendrohet vetëm në aspektet kushtetuese të cilat janë relevante në përfaqësimin e komuniteteve jo shumicë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë, në obligimin kushtetues (ose jo) të përfshirjes së përfaqësuesve politik të komunitetit serb (shumica nga radhët e këtij komuniteti – “Lista Serbe”, e cila ka deklaruar se përfaqëson komunitetin në fjalë), në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Vlen të theksojmë se më datë 6 tetor 2019, Republika e Kosovës ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjedhje këto, të organizuara për të shtatën herë më radhë për Kuvendin e Kosovës. Ndërsa KQZ[1]-ja ka certifikuar 25 subjekte politike (20 parti politike; 4 koalicione; dhe 1 kandidat të pavarur) për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1067 kandidatë për deputetë.

Bazuar në rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve, përveç shumicës së subjekteve politike që përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të Kosovës, edhe subjekti politik “Lista Serbe”, e cila ka deklaruar se përfaqëson (sigurisht jo e vetme) interesat e komunitetit serb në Republikën e Kosovës, ka arritur të fitojë mbi 6 %, të numrit të përgjithshëm të votave, që do të thotë, pritet të fitoj shumicën e mandateve, nga 10 të tilla, të garantuara me Kushtetutë, për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

  1. Baza juridike

Janë tre dokumente kushtetuese që duhet të merren parasysh në këtë rast dhe para tyre nuk ka efekt asnjë rregull tjetër ligjore apo marrëveshje e caktuar politike, për sa i përket përbërjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, në aspektin e përfaqësimit të komuniteteve:

  1. Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Final të Kosovës, 2 shkurt 2007;
  2. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008;
  3. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 9 prill 2008;

Para se të analizohet lidhshmëria e këtyre tre dokumenteve dhe pasojat që prodhojnë duhet të kemi parasysh që shteti i Kosovës është krijuar dhe është njohur nga shtetet e tjera në bazë të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, 2 shkurt 2007 dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës me 17 shkurt 2008.

Edhe në aspektin ndërkombëtar (i vërtetuar sipas opinionit të GJND-së[2]) shteti i Kosovës është krijuar sipas obligimeve që kanë dalë nga Propozimi Gjithëpërfshirës. Të gjitha detyrimet e dala nga Propozimi Gjithëpërfshirës janë marrë si obligim që të zbatohen nga Republika e Kosovës përmes Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës 17 shkurt 2008.

Ndërkaq, Kushtetua e Republikës së Kosovës, çështjes së përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i kushton rëndësi të madhe, prandaj edhe si të tillë e ka përcaktuar në dispozitat e saj, duke vendosur pragun minimal të përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë në Qeveri dhe kushtet e procedurat për të siguruar zbatimin e drejt të këtij niveli të përfaqësimit.

  • Si e përcakton Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, 2 shkurt 2007 çështjen e përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë në përbërjen e strukturës së Qeverisë:

Neni 5 Qeveria e Kosovës

Sa i përket Qeverisë së Kosovës, Kushtetuta, mes tjerash, do të parasheh si në vijim:

5.1 Së paku një (1) ministër do të jetë nga komuniteti serb dhe një (1) ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë i Kosovës; nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra, do të jetë edhe një ministër i tretë që përfaqëson një komunitet joshumicë të Kosovës.

5.2 Së paku dy zëvendësministra do të jenë nga komuniteti serb i Kosovës dhe dy zëvendësministra nga komunitetet tjera joshumicë; nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra, do të jetë edhe një zëvendësministër i tretë që përfaqëson komunitetin serb dhe një zëvendësministër tjetër që përfaqëson komunitetin tjetër joshumicë të Kosovës.

5.3 Zgjedhja e këtyre ministrave dhe zëvendësministrave do të vendoset pas konsultimit me partitë, me koalicionet apo grupet që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kosovë. Nëse caktohen jashtë anëtarësimit të Kuvendit të Kosovës, për këto ministra dhe zëvendësministra do të kërkohet miratim formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët u përkasin partive, koalicioneve, iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë.

  • Si e përcakton Deklarata e Pavarësisë së Kosovës[3], 17 shkurt 2008, detyrimin e shtetit të Kosovës për të përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, 2 shkurt 2007.

…”3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre..”.

  • Si e përcakton Kushtetua e Republikës së Kosovës çështjen e përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë në përbërjen e strukturës së Qeverisë:

Neni 96 [Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve]

(1) Ministritë dhe organet e tjera ekzekutive themelohen, sipas nevojës, për kryerjen e funksioneve brenda kompetencave të Qeverisë.

(2) Numri i anëtarëve të Qeverisë përcaktohet me aktin e brendshëm të saj.

 (3) Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë.

 

(4) Do të jenë së paku dy (2) zëvendësministra nga komuniteti Serb i Kosovës dhe dy (2) zëvendësministra nga komunitete të tjera joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra, Qeveria do të ketë edhe një zëvendësministër të tretë, i cili përfaqëson komunitetin Serb, dhe një (1) tjetër zëvendësministër, i cili përfaqëson një nga komunitetet e tjera joshumicë në Kosovë.

(5) Zgjedhja e këtyre ministrave dhe zëvendësministrave do të vendoset pas konsultimit me partitë, me koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunietin në fjalë.

(6) Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e Qeverisë mund të zgjidhen nga deputetë të Kuvendit të Kosovës ose nga persona të kualifikuar, që nuk janë deputetë të Kuvendit.

(7) Papajtueshmëria e anëtarëve të Qeverisë lidhur me funksionet e tyre rregullohet me ligj.

  • Analiza e çështjes

Siç mund të shihet Deklarata e Pavarësisë së Kosovës i ka dhënë karakter obligativ dispozitave të Propozimit Gjithëpërfshirës, çka nënkupton se me rastin e krijimit të shtetit, Kosova përmes kësaj deklarate ka marrë obligim dhe detyrë të zbatoj secilën dispozitë të Propozimit Gjithëpërfshirës dhe këtë më së miri e vërteton edhe gjuha e pikës 3 e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, lidhur me obligimet në raport me zbatimin e të drejtave të komuniteteve jo shumicë.

Ndërkaq, vështruar nenin 96 të Kushtetutës, i cili përcakton strukturën e brendshme të qeverisë, mënyrën e organizimit të saj dhe rezervimin e vendeve në qeveri për përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë, jo vetëm se garanton një minimum të përfaqësimit të tyre në Qeveri, por edhe obligon krijimin e një Qeverie me përbërje shumë etnike.

Meqë normat kushtetuese të nenit 96, paragrafët 3, 4 dhe 5 garantojnë pozita ministrore për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe të ndonjë komuniteti tjetër jo shumicë, (së paku nga një prej tyre, një serb dhe një nga radhët e komuniteteve tjera) janë garancione të mjaftueshme kushtetuese që përbërja e Qeverisë, nuk mund të shmang përfshirjen e përfaqësuesve të komuniteteve në Qeveri. E kundërta e kësaj, do të mund të ishte një shkelje e pritshme kushtetuese.

Vlen të theksohet se paragrafi 3 i nenit 96, përveç që vendos pragun minimal të përfaqësimit të komuniteteve në qeveri, e lejon edhe mundësinë që qeveria të ketë më shumë se dy ministra të tillë, varësisht nga struktura numerike e përbërjes së saj.

Pra, është e kuptueshme dhe e pakontestueshme që Qeveria, gjithmonë e në cilindo rast, duhet të pasqyrojë përbërjen shumë etnike të komuniteteve të shoqërisë kosovare.

Mirëpo, një nga çështjet kyçe të kësaj analize, e të cilës në vijim do të përpiqemi t’i japim përgjigje, është nëse ministrat që përfaqësojnë këto komunitete, duhet apo jo domosdoshmërisht të konfirmohen dhe pranohen me votën e deputetëve Kuvendit të Kosovës të cilët vijnë nga radhët e komunitetit që ministri/at deklarohet se përfaqëson/jnë, si dhe, cila është procedura kushtetuese dhe parlamentare që duhet ndjekur për të rezultuar me rregullsi kushtetuese.

E para, është krejtësisht e qartë në dispozitat e paragrafit 5 të nenit 96, se për zgjedhjen e një ministri apo zëvëndësministri të një komuniteti të caktuar, mandatari për të formuar qeverinë është nën obligim kushtetues për të zhvilluar konsultimet e nevojshme me partitë, me koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet (në Kuvend) që nuk janë shumicë në Kosovë, konsultime të cilat do të rezultonin me koalicion parlamentar mes përfaqësuesve të komunitetit respektiv dhe mandatarit për të formuar qeverinë, në mënyrë që suksesshëm të arrihet deri te zgjedhja dhe emërimi i një apo disa ministrave apo zëvëndësministrave nga ai komunitet.

Ndërsa, në rastet kur zgjedhja dhe emërimi i ministrit/zëvendësministrit caktohet jashtë përbërjes së parlamentit, Kushtetuta shprehimisht kërkon që të zbatohet detyrimi që ai/ajo kandidat/e të votohet nga shumica e deputetëve që i përkasin atij komuniteti në Kuvend, si kusht i domosdoshëm që kandidatura të konsiderohet e suksesshme, në të kundërtën ajo kandidaturë e propozuar nuk kalon.

Si përfundim dhe nga sa u tha më sipër, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në çështjen e përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë në Qeveri, është mjaft e ngurtë dhe nuk lejon në asnjë rast, tejkalim nga vullneti i shumicës së deputeteve të një grupi parlamentar jo shumicë (qoftë nga komuniteti serb apo komunitetet tjera), që në zgjedhjen dhe emërimin në poste ministrore të garantuara për ato komunitete, të caktohen njerëz jashtë vullnetit dhe pa pajtimin e tyre.

[1] Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

[2] Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

[3] Këtu është e shkëputur pika 3 e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës 17 shkurt 2008, e cila e obligon Republikën e Kosovës, sepse kjo deklaratë ka karakter obligativ për secilin dimension kushtetues të shtetësisë së Kosovës.

 

Prof. Dr. Arsim Bajrami është Profesor i Praktikës Parlamentare dhe të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës. Për disa mandate, ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK ndërsa një mandat ka qenë edhe Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.