
Shkollimi i anëtarëve të bordit të Postës së Kosovës të emëruar nga Qeveria Kurti
Më 2 prill, Qeveria në detyrë emëroi katër anëtarë në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.
Anëtarë të bordit të përkohshëm të ndërmarrjes Posta e Kosovës u emëruan, Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor, Kujtim Shala, drejtor, Sajmie Thaçi, drejtoreshë dhe Blerton Abazi, drejtor.
Në një njoftim të Kryeministrisë u dhanë edhe disa arsye që çuan në shkarkimin e ish-drejtorëve, përkatësisht emërimin e anëtarëve të rinj në bordin e përkohshëm në Postën e Kosovës.
“Në raportin për vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinionin se pasqyrat vjetore financiare të Postës nuk paraqesin gjendjen e drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në këtë ndërmarrje”, thuhet në komunikatën e ekzekutivit kosovar.
KALLXO.com me anë të kërkesës për qasje në dokumente publike ka siguruar CV-të e anëtarëve të bordeve në shtatë ndërmarrje publike të emëruar përkohësisht nga qeverisja e tanishme.
Kryesuesi i bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës, Mentor Arifaj, ka përfunduar Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës në vitin 2002.
Ndërsa, në vitin 2008 ka përfunduar edhe nivelin e studimeve master në drejtimin e kompjuterikës, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP.
Arifaj ka përvojë si menaxher i ekipit për ambientim të softuerit në Citibank në Toronto të Kanadasë që nga viti 2016 deri më tani.
Për një vit, ai ishte edhe si programer dhe analist në Citibank.
Mentor Arifaj ka edhe dy publikime ndërkombëtare. Ai flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe mesatarisht edhe gjuhën frënge dhe serbo-kroate.
KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në e Mentor Arifajt, kryesues në bordin e përkohshëm në Postën e Kosovës.
Kujtim Shala, anëtari tjetër i bordit të përkohshëm në Postën e Kosovës, ka përfunduar Fakultetin Ekonomik, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë në Universitetin e Prishtinës në vitin 2006.
Shala ka përfunduar edhe nivelin master në Fakultetin Ekonomi, Menaxhment dhe Informatikë në UP në vitin 2016.
Ai gjithashtu është i certifikuar si auditor i brendshëm në sektorin publik dhe privat.
Nga përvoja e tij në punë, së fundmi ai punon në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në Shtabin e Përgjithshëm si zyrtar për planifikim të TIK-ut.
KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në e anëtarit, Kujtim Shala, në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.
Blerton Abazi është anëtari tjetër i emëruar nga Qeveria Kurti në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.
Ai ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Kompjuterike pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Në të njëjtin institucion arsimor, Abazi përfundoi edhe nivelin master të studimeve në drejtimin e Sistemit të menaxhimit të bazës së të dhënave në vitin 2012.
Ndërsa, Blerton Abazi përfundoi këtë vit edhe doktoratën në “Corvinus University” në Budapest të Hungarisë.
Abazi ka përvojë si ekspert dhe themelues në “Mediafleta Solutions” nga viti 2013. Gjithashtu, ai është edhe ligjërues në universitet.
KËTU mund ta gjeni CV-në e plotë të Blerton Abazit, anëtar i bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës.
Sajmie Thaçi është anëtarja tjetër e bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës.
Ajo ka përfunduar Fakultetin Ekonomik, drejtimi Ekonomia e Biznesit dhe Master në Menaxhment dhe Informatikë në vitin 2012.
Ndërsa, si përvojë pune ajo në CV-në e saj ka përshkruar edhe punën aktuale në Ministrinë e Administratës Publike, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.
Thaçi ka punuar edhe në Departamentin e Teknologjisë Informative pranë Ministrisë së Shërbimeve Publilike.
KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në e Sajmie Thaçi, anëtaren e bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës.
KALLXO.com me qëllim ka mbuluar të dhënat personale të anëtarëve të bordit për të ruajtur privatësinë e secilit.
KALLXO.com do të vazhdojë t’i publikojë CV-të e gjithë anëtarëve të emëruar nga Qeveria Kurti.
KALLXO.com raportoi për dy nga anëtarët e bordit të përkohshëm të Postës, njëri, Mentor Arifaj, që ishte donator i Lëvizjes Vetëvendosje gjatë zgjedhjeve të fundit dhe tjetri, Kujtim Shala, i cili kishte masa disiplinore gjatë kohës sa punonte në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Përvojat e anëtarëve të emëruar nga Qeveria Kurti në Bordin e Telekomit
www.kallxo.com