Universiteti Veror i Prishtinës, korrik 2022 Foto: Universiteti i Prishtinës

Shkencë e njohje të reja në Universitetin Veror të Prishtinës

Nëse deri para një jave Qendrës së Studentëve në Prishtinë i vinte gjallëria nga studentët vendorë, ditëve të fundit ajo ka pranuar “banorë” të rinj, të përkohshëm.

Mbi 170 studentë  nga vende të ndryshme të botës, krahas kolegëve të tyre nga Kosova që janë më shumë se 160, janë bërë pjesë e Universitetit Veror të Prishtinës në një aktivitet studimor disa-ditor që rikthehet në formë organizimi fizik pas dy viteve të mbajtjes në distancë shkaku i pandemisë.

Saeed Hussein është student nga Egjipti të cilit nuk i kishte rënë të dëgjonte për Kosovën asnjëherë gjatë jetës së tij.

Informatat e para për këtë shtet Hussien filloi t’i merrte pasi dëgjoi për Universitetin Veror të Prishtinës.

“Kur dëgjova për herë të parë për Kosovën, fillova të kërkoj informacione, dhe ishte diçka e lidhur me Perandorinë Osmane, Serbinë dhe Shqipërinë dhe shumë gjëra, dhe thashë O Zot, ndoshta edukimi [në Kosovë] nuk është aq i mirë”, ka rrëfyer Hussein për KALLXO.com.

Mirëpo, vizita e tij në Kosovë gjatë pjesëmarrjes në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës bëri që mendimet e këtij studenti të marrin një kthesë tjetër.

“E pash se shumë studentë egjiptianë dhe studentë ndërkombëtarë nga Evropa dhe Azia po studiojnë këtu me kohë të plotë, kështu që jam i befasuar dhe pasi kam folur me profesorin tim, unë do të aplikoj për Master këtu në universitet, kështu që jam vërtet i mahnitur nga ky vend”, ka treguar ai.

Kështu, Saeed Hussien është pjesë e mbi 300 studentëve ndërkombëtarë e vendorë që po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës i cili këtë vit po shënon edicionin e 21-të që mbahet nga datat 12 deri më 22 korrik.

Gjatë kësaj kohe këtyre studentëve do t’iu mundësohet që të ndjekin mësime në njërin nga 13 kurset të cilat ligjërohen në gjuhën angleze nga profesorë ndërkombëtarë dhe vendorë, dhe të jenë pjesëmarrës nëpër aktivitete të ndryshme përmes të cilave mund ta njohin Kosovën më mirë.

Kështu, përpos mundësisë që të ndjekin një kurs, këta studentë përfitojnë katër kredi të cilat më pas barten në programin e tyre të studimit.

Gjatë kësaj kohe pjesëmarrjeve u mundësohet që të qëndrojnë në Qendrën e Studentëve dhe të ushqehen në mensë.

Universiteti Veror – Urë lidhëse mes Kosovës dhe botës

Një tjetër studente që u bë pjesë e këtij universiteti është edhe rumunia Irina Ene, e cila pohon se njohuritë e saja për Kosovën kanë qenë të pakta e ndër to nuk kanë munguar as paragjykimet që i ka dëgjuar.

“Për Kosovën kam dëgjuar vetëm se nuk është si një vend që do t’ia rekomandonit një miku apo dikujt për ta vizituar në Evropë sepse nuk është aq e sigurtë sa të udhëtoni në Evropë” ka thënë ajo.

Në anën tjetër kishte edhe studentë shqiptarë që më parë nuk kishin dëgjuar për Universitetin Veror.

“Kam vendosur sivjet që të jem pjesë e Universitetit Veror të cilin na e kanë prezantuar profesorët tanë nga fakulteti…mendova ta pranoj këtë për shkak që është një mundësi shumë e mirë që ne të njoftohemi me profesorë nga jashtë… edhe ta shohim ne, të dallojmë se qysh është me mësu këtu dhe qysh është me mësu atje”, ka thënë për KALLXO.com studentja Anjeza Xhauri nga Universiteti i Prishtinës.

Në mesin e studentëve nga trojet shqiptare ishte edhe studentja Klarisa Tollumi nga Shqipëria e cila për herë të parë po e viziton Kosovën përmes Universitetit Veror.

“Unë për herë të parë e kam vizituar Kosovën edhe do më pëlqente shumë të shikoja edhe kultura të tjera, edhe pjesa e folklorit e dialektit apo edhe kultura të ndryshme duke qenë se jemi vëllezër jemi një komb dhe normalisht do më pëlqente shumë sepse ne Shqipërinë goxha e kemi vizituar dhe Kosova ishte diçka e bukur për tu parë…”, është shprehur ajo.

Studentët në Universitetin veror të Prishtinës 2022, Foto: KALLXO.com

Gjatë kësaj kohe janë zyrtarët e logjistikës ata që përkujdesen për nevojat e studentëve dhe mbarëvajtjen e organizimeve. Një ndër ta është edhe Mihane Fetahu e cila rrëfen për KALLXO.com se përpos kërkesave dhe procedurave të përditshme të mbarëvajtjes ajo që i ka rënë në sy është se studentët brenda kurseve kanë arritur që të adaptohen me lehtësi dhe të ndajnë perspektiva të ndryshme.

“Çka më ka lënë përshtypje në kursin tim që është ‘Collective Memory’, në tema të ndryshme të cilat janë pak më të ndjeshme mes palëve sidomos të serbëve, kam parë që edhe pse ka pasur debate të ndjeshme prapë janë menaxhuar shumë mirë”, ka shpjeguar Fetahu.

Përpos profesorëve vendorë pjesë e këtij programi janë edhe profesorët ndërkombëtarë. Një ndër ta është edhe profesori nga Portugalia, Nelson Duarte i cili ka thënë për KALLXO.com se pavarësisht përvojës së shkurtër në Kosovë, ai është i kënaqur me atë që ka parë deri tani në vend.

“Është e mrekullueshme sepse të gjithë në universitet janë mjaft të lehtë për t’u kontaktuar, mësimdhënësit – kolegët e mi, dhe ne tashmë po krijojmë disa lidhje për të bashkëpunuar në të ardhmen”, është shprehur ai për KALLXO.com.

Profesori Nelson Duarte nga Portugalia, Foto: KALLXO.com

Mirëpo, Duarte e pranon që ai nuk ka pasur shumë informata për Kosovën e një pjesë e tyre kanë qenë të lidhura më shumë me informatat për luftën e fundit të Kosovës.

“Në Portugali, shumë lajme që merrnim për Kosovën ishin nga koha e luftës. Që nga atëherë në Portugali nuk po marrim shumë lajme për Kosovën, ndonjëherë vetëm lajme të shkurtra, por fakti është se në shumicën e mendjeve tona kur flasim për Kosovën ne ende mendojmë për luftën… fjala kyçe që na vjen në mendje është ajo edhe pse e dimë se ka përfunduar shumë vite më parë”, ka thënë Duarte i cili ka shtuar se kur po bëhej gati të vinte në Kosovë ai nuk e ka ditur se si do të ishte gjendja në këtë vend.

“Kur isha duke u përgatitur për të ardhur në vizitën time në Kosovë, sigurisht e dija që nuk ka luftë në ditët e sotme, por prisja dy skenarë të ndryshëm, ose një vend shumë i zhvilluar pas luftës ose një vend në fazë zhvillimi. Mendoj se kjo është rruga në të cilën unë po e gjej Kosovën, ju jeni në një mënyrë në zhvillim dhe mendoj se po bëni rrugë për të ndryshuar dhe për t’iu afruar vendeve evropiane, bashkimit evropian”, ka vazhduar ai.

Mbajtjen e Universitetit Veror, profesoresha në Departamentin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Jehona Lushaku e ka cilësuar si të rëndësishëm duke thënë se shërben edhe si promovim i Kosovës.

“Është projekt promovues edhe për universitetin edhe për shtetin sepse krijon ambient shumë të përshtatshëm për diskutime akademike në tema të ndryshme, por edhe krijon mundësi për rrjetëzim dhe zhvillimin e aspekteve sociale për të gjithë pjesëmarrësit”, ka thënë Lushaku për KALLXO.com.

Mirëpo, ajo ka pohuar se sfidë për Universitetin Veror të Prishtinës mbeten format se si t’i inkurajojë studentët që të aplikojnë pasi që shpesh ka mosnjohuri për Kosovën.

“Njëra prej sfidave që e ka Universiteti Veror i Prishtinës është si t’i inkurajojë studentët që të aplikojnë për shkak të këtyre perceptimeve që ata i kanë që janë kryesisht mungesa e informacionit të saktë se çka është Kosova dhe e lidhin çdo herë me luftën, prandaj kjo është një sfidë e programit se si të depërtojë deri tek ata”, ka thënë Lushaku e cila ka përmendur se përvojat e studentëve që marrin pjesë në këtë Univeritet Veror janë promovimi më i mirë që mund t’i bëhet këtij projekti.

“Promovimi më i mirë ka qenë që studentët që kanë qenë paraprakisht në Universitet Veror i kanë promovuar dhe i kanë inkurajuar studentët e tjerë nga ato shtete, por gjithsesi kjo nuk duhet të jetë e vetmja rrugë”, ka shtuar tutje ajo duke thënë se Universiteti i Prishtinës duhet të përdorë të gjitha rrjetet e veta nëpër universitete evropiane dhe më tej për t’i promovuar këtë program dhe për t’i inkurajuar studentët që të vijnë sa më shumë.