Shkëmbimi territorial nuk do ta zgjidhë enigmën Serbi-Kosovë

Për herë të dytë, Bashkimi Europian (BE) po e merr përsipër rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës pas dështimit të një takimi të planifikuar në Washington – gjë që nënkupton se ideja e zgjidhjes së problemit përmes shkëmbimit territorial ka gjasa të rishfaqet përsëri.

Do të duhej të ishte një fitore për administratën e Presidentit Trump, një shtytje e mirëseardhur e politikës së jashtme për zgjedhjet presidenciale të nëntorit të sivjemë.

Për fat të keq, takimi i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, hasi në një pengesë – njoftimin nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se ky i fundit mund të përballet me akuza për krime lufte.

Ndërmjetësimi amerikan në mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi padyshim se u bë viktimë e suksesit të saj; Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara duke qenë e tronditur se Thaçi mund ta negociojë një amnisti për veten e tij, e shtyri që të ndërmarrë një hap të paprecedent duke e bërë publike aktakuzën e cila akoma pritet të konfirmohet nga gjykatësi.

Që nga ajo ditë, BE i është qasur kësaj mundësie për t’u rikyçyr në këtë proces, të cilin e kishte iniciuar dhe kryesuar për, pothuajse, një dekadë.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nën patronazhin e BE-së është bllokuar që nga vendosja e tarifës doganore nga Kosova në vitin 2018.

Ishte, gjoja se, një lëvizje kjo e motivuar nga fushata e Serbisë për t’i inkurajuar shtetet që ta tërheqin njohjen e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës; një fushatë e cila dha frytet e saja më të mira se priteshin në realitet.

Bisedimet për rifillim kërkonin një aktivizim të të ShBA-së dhe marrjen përsipër të agjendës ndërlidhëse të BE-së. Një marrëveshje shumë simbolike për rinisjen e fluturimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës (që duket se nuk ka gjasa të zbatohet fare), së bashku me një angazhim për të rivitalizuar lidhjet hekurudhore dhe rrugore, sollën një momentum të përtërirjes. I dërguari i posaçëm i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, gjithashtu dha shenja për një progres të mëtejshëm në aspektin ekonomik.

Megjithatë, shumë kanë dyshime në këtë proces – i cili po fajësohet se shkaktoi rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti dhe partisë së tij udhëheqëse, Vetëvendosjes, në muajin qershor – po komplotonte të arrinte një marrëveshje historike të shkëmbimit territorial. Konkretisht, pjesa e veriut të Kosovës e dominuar me popullatë serbe do të shkëmbehej me një pjesë të dominuar nga shqiptarë etnikë në jug të Serbisë.

Një shkëmbim territoresh shumë shpesh është paraqitur si një ilaç gjithëshërues ndaj pyetjeve të vështira se si do të duhej të normalizoheshin marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Duke i ofruar Serbisë diçka si këmbim për ta ndihmuar shtetësinë e re të Kosovës (përfshirë  një ulëse potenciale në OKB (pavarësisht kundërshtimit rus), është konsideruar nga disa si mënyra më e pastër për t’i rënë shkurt Nyjës Gordiane rreth statusit të Kosovës. Duke e humbur këtë mundësi, këtë dritare të mundësive, apo siç pretendohej kësisoji, një tjetër mundësi mund të mos rishfaqet për një dekadë apo edhe më shumë.

Në kuptimin maksimal, të trija apo të katër komunat e Kosovës me shumicë serbe në veriun e vendit (Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku) do të ndaheshin nga Kosova. Në kuptimin minimal, vetëm Leposaviqi do të zhvendosej.

Duke i lënë mënjanë degëzimet më të gjera dhe të thella për vendet si Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, çdo formulim ka mangësitë e tij që do të dëmtonin normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Në kuptimin maksimal, kjo do të shkatërronte strukturën shumetnike e cila është në proces të formimit, megjithëse e rastësishme. Do t’i tradhtonte ata serbë të Kosovës në jug të lumit Ibër (shumë prej të cilëve tashmë jetojnë në rrethana të vështira), dhe me gjasë do t’i bënte ata kryesisht të padëshiruar brenda kufijve të sapodefinuar të Kosovës.

Ulëset e rezervuara në Parlamentin e Kosovës për serbët dhe minoritetet tjera që jane caktuar në mënyrë strategjike do të duken të palogjikshme. Kompetencat e zgjeruara të cilat i gëzojnë komuna të caktuara do të ishin shumë të pafavorshme për ata serbë për të cilët Kosova është – dhe do të mbetet – shtëpia e tyre.

Në kuptimin minimalist, një shkëmbim territoresh do linte pas vetes një mori problemesh të pazgjidhura; probleme të cilat do të vazhdonin të ishin barrë e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Gjëja kryesore mes tyre është se si të integrohen pjesa e mbetur e institucioneve të kontrolluara nga serbët në sistemin institucional të Kosovës, në veçanti në sferën e shëndetësisë, edukimit dhe qeverisjes lokale.

Mekanizmi i synuar për lehtësimin e kësaj, të ashtuquajtura “Asociacioni/Bashkësia e komunave me Shumicë Serbe’, është  anuluar përmes një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015. Kjo mbetet një prej disa elementëve të shquar nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 (e cila integroi policinë, gjykata, prokurorët dhe anëtarët e Mbrojtjes Civile); dhe në mungesë të saj, Prishtina nuk mund ta ushtrojë në plotni sovranitetin e saj përgjatë territorit të saj.

Sigurimi i një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës përkundrazi do të kërkonte më shumë angazhim, një rinovim të stimujve dhe sanksione të mundshme për mosrespektimin e tyre.

Ekzistojnë marrëveshje që duhet implementuar, dhe tema të reja që nevojitet të adresohen (ne veçanti çështja e të pagjeturve dhe pesonave të zhvendosur nga brenda). Shpesh është anashkaluar fakti se rruga e anëtarësimit të Serbisë në BE përfshin Kapitullin 35 për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Nëse anëtarësimi në BE është qëllimi i Beogradit, atëherë këto çështje nuk mund të shmangen.

Procesi i dialogut ka rifilluar tani përmes video-lidhjes (e tillë është natyra e diplomacisë në këto ditë pandemike), duke përfshirë Presidentin Francez Emmanuel Macron, Kancelaren gjermane Angela Merkel, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesin e sapoemëruar të BE-së për Dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak.

Një përballje kokë-më-kokë ndermjet Presidentit të Serbisë Vuçiq dhe kryeministrit Avdullah Hoti është mbajtur me datë 16 Korrik.

Një sfidë kryesore me të cilën përballet Lajçak nuk është vetëm kokëfortësia e Serbisë dhe e Kosovës, por ajo e vendeve anëtare të BE-së dhe gatishmëria e tyre për të mbështetur zotimet e tyre të bëra prej kohësh në Ballkanin Perëndimor.

Megjithëse Komisioni Europian konsideroi se Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, rezistenca nga vendet e ndryshme (Franca dhe Holanda në mesin e tyre) kanë irrituar dëshirat e qytetarëve të Kosovës (përfshirë shumë nga serbët). Takimi i ditëve të fundit të Lajçakut me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka të bëjë me pranimin e nevojës për një front të bashkuar europian drejt rajonit.

Me uvropianët – dhe më së shumti me Gjermaninë – përsëri në krye, propozimet për një shkëmbim territorial nuk ka të ngjarë të rishfaqen në çdo kohë së shpejti. Dialogu, pra, mund të përqendrohet edhe një herë në ato elemente që vërtet kanë rëndësi dhe mbi të cilat tashmë është bërë progres thelbësor; gjegjësisht zgjidhja e problemeve themelore që e vë në rrezik edhe më tej normalizimin e lidhjeve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ndërkohë që perspektivat e anëtarësimit në Bashkimin Europian janë zbehur, njëkohësisht është zbehur edhe leva e BE-së, si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë. Nëse aventurat e fundit amerikane dhe ndjenja e panikut që ata e shkaktuan nuk arrijnë ta fokusojnë mendjen e kryeqyteteve të Europës, atëherë pak gjë tjetër do ta bëjë këtë.

(Ian Bancroft është autori i librit “Dragon’s Teeth: Tales from North Kosovo”.

Mendimet e shprehura janë vetëm të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN)