“Shkëmbim i të drejtave, jo shkëmbim i territoreve”

Mënyra e vazhdimit të dialogut të ndërprerë Kosovë-Serbi dhe ideja e ndryshimit të kufijve mes këtyre shteteve, ishte temë diskutimi në serinë e fundit të #Debatpernime.

Analistë, deputetë e qytetarë u bënë bashkë në një debat me mikrofon të hapur në Prishtinë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve të shteteve fqinje 20 vite pas luftës dhe momentumin pas Samitit të Berlinit në prill.

Në këtë debat pati përplasje mendimesh lidhur me ballafaqimin me të kaluarën dhe mundësinë e ndarjes së Kosovës.

Panelistëve ju kërkua të vinë me sugjerime se çka duhet të bëhet për të dalur nga kjo “pikë zero” ku ata thanë që është kthyer dialogu Kosovë-Serbi.

Samiti u mbajt me 29 prill nën organizimin e Kancelares gjermane, Angela Merkel dhe Presidentit francez, Emmanuel Makron, ku u takuan edhe liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Serbinë së pari duhet Unioni Evropian ta bëjë shtet normal, Kosovës duhet me ja leju me dal prej kthetrave të krimit dhe korrupsionit. Kemi probleme të ngjashme, i kemi shtetet e kapura,” tha Haki Abazi, analist rajonal nga Kosova.

Haki Abazi, Analist

“Më kujtohet para 7-8 viteve çështja e Kosovës ka qenë e 13-ta në rend (të prioriteteve në Serbi), mirëpo sa herë që ka dështu politika me ju adresu çështjen e pensioneve, shkollimit, mirëqenies, e kanë qitë Kosovën të parën dhe është ngrit nacionalizmi në Serbi, për me i rujtë interesat e një grupi kriminal politik. E njëjta është në Kosovë”, shtoi ai.

Sonja Biserko, udhëheqëse e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi ka thënë se Beogradi gjithmonë ka dëshiruar ta përfshijë Shqipërinë në çështjen e kufijve të Kosovës dhe asnjëherë nuk e ka arritur këtë, deri sa më në fund  e arriti me Ramën.

“Beogradi gjithmonë ka dashur ta shtijë Shqipërinë në lojë për të biseduar për Kosovën, kjo është në një vijë me atë që ka thanë Qosiqi ‘shqiptarët kanë të drejtë për bashkim, por edhe serbët kanë të drejtë pë bashkim’ duke mendu këtu edhe për serbët e Bosnjes…por, Serbia kurrë nuk kishte arritur më parë të përfshinte dikë në këtë diskutim, përveç tani me Ramën” tha Biserko.

Sonja Biserko, Analiste serbe

Ajo vazhdoi të argumentojë se Rama, Thaçi dhe Vuçiq e kanë nisur diskutimin për ndërrimin e kufijve në prapaskenë, bashkë me Mogherinin dhe njerëz të caktuar të cilët në bashkësinë ndërkombëtare lobonin për këtë opsion.

Për shkak se njerëz me ndikim  ishin përfshirë në shtyrjen e kësaj ideje, kjo ide “ishte buzë suksesit”, tha Biserko. Por, përfshirja e Gjermanisë dhe Francës në këtë proces tash nuk është befasuese sepse kjo ka “hequr nga rendi i ditës politikën e ndryshimit të kufijve”.

Kjo është mirë, sipas Biserkos, edhe për shkak se për opsionin e ndryshimit të kufijve do të gëzohej Rusia së cilës i konvenon politika e copëtimit të rajonit në baza etnike.  

Në anën tjetër, këshilltari politik i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj ka thënë se në Berlin nuk është hequr asnjë temë nga tavolina dhe të gjitha opsionet janë të hapura.

“Në Berlin nuk i është vënë pikë asnjë ideje. Dialogu nuk ka hyrë ende në fazën përfundimtare, janë mbajtur tri takime të Presidentëve dhe tashmë e kemi edhe dialogun shtetëror për dialogun që ende nuk ka mbajtur asnjë takim dhe ende nuk e dimë e cila do të jetë marrëveshja përfundimtare” tha Arifaj.

Ardian Arifaj, Këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi

“Presidenti e ka përsëritur disa herë që (kërkon) njohjen e menjëhershme e Pavarësisë së Kosovës pakushte nga ana e Serbisë dhe bashkëngjitja e Luginës së Preshevës, si pjesë e korrigjimit të padrejtësive historike dhe si garancë që me u rujtë popullata shqiptare në Luginën e Preshevës” shoti Arifaj.

Rada Trajkovic, politikane serbe nga Kosova ka thënë se disa njerëz në Serbi janë për ndarjen e Kosovës, sepse në fakt ndarja apo ndërrimi i kufijve nënkupton shuarjen e ekzistencës së këtij shteti.

“Kur bisedoj me disa intelektualë nga Beogradi unë dëgjoj se ka përkrahje për ndarjen e Kosovës, por, të jemi të qartë, jo ndarje që nënkupton mbetjen e Kosovës por ndarje në dy pjesë, njëra pjesë e madhe që do t’i takonte Serbisë, dhe pjesa tjetër që do t’i takonte Shqipërisë….pra në këtë projekt, paramendohet që Kosova të zhduket krejtësisht si shtet”, ka deklaruar Trajkoviq.

Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Kosova

“Madje atje flitet se si duhet të vihet vija deri diku aty te Graçanica dhe të mirren vesh me Ramën për këtë punë disi”, tha Trajkoviq.

Ajo shtoi që “problemi i të gjithë nesh në këtë hapësirë janë negociuesit, pikërisht Thaçi dhe Vuçiq”.

Vjosa Osmani, Deputete e LDK-së ka thënë se dialogu duhet të vazhdohet me parime, me ide e me vija të kuqe e jo të kontestohet ekzistenca e Kosovës si shtet, që sipas saj ka ndodhur në momentin e hapjes së temës së kufijve.

“Nëse ne duam ta kthejmë në binarë këtë proces duhet të krijojmë parimet themelore mbi të cilat negociojmë dhe secili ta kuptojë, në Kosovë e në Serbi, që nuk ka paqe pa drejtësi sepse në Kosovë nuk ka pasur drejtësi në asnjë rast të vetëm, për të gjitha viktimat dhe nuk mund thjeshtë të shkelim mbi këtë sikur të mos ketë ndodhur asgjë dhe të vazhdohet të flitet për stikera të makinave ose ta vendosim tokën e Kosovës në pazar si lloj shpërblimi për agresorin, këtë duhet ta largojmë absolutisht nga tavolina”, ka thënë Osmani.

Vjosa Osmani, deputete e LDK-së

Tutje ajo ka thënë se janë njoftuar zyrtarisht nga shtetet mike të Kosovës se ka pasur takime të fshehta në mes të dy presidentëve, Thaçi e Vuqiq, ku kanë diskutuar për shkëmbim territoresh.

“Ne jemi njoftuar zyrtarisht nga shtete që janë të përfshira në këtë proces që është e vërtetë që janë hapur harta në momente të caktuara e që është për keqardhje sepse kemi mungesë totale të transparencës për qytetarët që këta dy presidentë i përfaqësojnë. Parimi i dytë është që ky dialog të kthehet në dialog për qytetarë dhe jo politikanë sepse me dialog duhet të zgjidhen çështje praktike që e lehtësojnë jetën e qytetarëve”, ka shtuar Osmani.

Ardian Arifaj ka insistuar se presidenti Thaçi nuk ka mbajtur takime të fshehta dhe se nuk ka përmendur asnjëherë shkëmbime dhe korrigjime kufijsh.

“E para nuk ka pasur takime të fshehta dhe nuk ka pasur asnjë marrëveshje, sepse çdo marrëveshje që arrihet duhet të shkojë  në Kuvend që të ratifikohet nga dy e treta e deputetëve, e dyta, ne e kemi ekipin e dialogut që e ka themeluar pala kosovare dhe e kemi rezolutën që i vë parimet edhe kornizat e dialogut”, ka deklaruar Arifaj.

Haki Abazi ia ka kujtuar Arifajt letrën që Thaçi i ka dërguar Donald Trump dhe e ka cilësuar si deklaratë të rrezikshme.

“Thaçi në letrën e dërguar Trump ka thënë se “Jemi të gatshëm të pranojmë çfarëdo kompromisi për me mbërri deri në një marrëveshje finale me Serbinë”, kujton Abazi.

Edhe Vjosa Osmani ka kujtuar dy raste kur sipas saj Presidenti ka pasur takime të fshehta dhe tendencën për të pasur edhe me tej të tilla takime.

Kur është kërkuar nga paneslitët të vijnë me zgjidhje për problemin, ku duhet të shkojë ky dialog prej tash e tutje, këto ishin propozimet.

“Mënyra e vetme është të vazhdohet me dialog në drejtim të normalizimit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe të shkohet në drejtim të njohjes sepse Kosova është pjesa e fundit e shpërbërjes së Jugosllavisë. Është e rrezikshme të blhet ndarja në baza etnike për të gjithë. Multi-etniciteti është shumë me rëndësi” tha Biserko.

Miodrag Miliqeviq nga organizata “Aktiv” ka pyetur panelistët se çfarë po bën qeveria e Kosovës që t’ i kthejë serbët nga mjediset urbane dhe të nxisë dialog brenda komunitetit në Kosovë.

Abazi kërkoi që serbët e Kosovës të bëhen më të sinqertë lidhur me këtë çështje.

“Serbët e Kosovës jans serbqt më të pasur në Nish, Leskovc dhe Beograd (sepse i kanë shit pronat që i kanë pas në Kosovë). Domethlnl, kur e shet pasurinë, nuk ki drejta, as në Evropë as në Amerikë, kur i mbush xhepat me pare të diasporës në Kosovë (të ciëve u janë shitur pronat)…nuk mundesh me vazhdu me qajt pse spo jetojnë Serbët në Kosovë” tha Abazi.

Gjithashtu, ai shtoi se çështja e qëndrimi dhe ekzistenca në Kosovë, çështje praktike e mungesës së mirëqenies së qytetarëve, mungesës së zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, pra “nuk është çështje etnike por problem i mënyrës se si qeveriset në Kosovë dhe mungesës së llogaridhënies”.

“Kanë ikur 130 mijë shqiptarë për shkak të keqqeverisjes në dhjetë vjet e fundit, kështu që të mos e bëjmë etnik problemin. Nëse kishin ikë 130 mijë serb kjo do të ishte bërë skandal politik në krejt botën. Pra nuk është çështje etnike qëndrimi këtu” , është përgjigjur Abazi.

Vjosa Osmani ka thënë se, momentlisht, serbët më të rrezikuar në Kosovë janë ata që jetojnë në veri të vendit sepse janë të rrezikuar nga banda të financuara nga Vuqiqi e jo nga shqiptarët.

Analistja Biserko ka thënë se problemi i shqiptarëve dhe serbëve është çështja e gjuhës për shkak se gjeneratat e reja nuk e dinë gjuhën e njëri tjetrit dhe kjo krijon largësi ndërmjet komuniteteve.

Panelistët më pas vazhduan të diskutojnë lidhur me çështjen e krimeve të luftës dhe ballafaqimit me të kaluarën.

Rada Trajkovic shtoi se duhet të “kemi mirëkuptim që disa Serb të këqij e disa shqiptarë të këqij kanë bërë gjëra të këqija këtu. Duhet të presim që Gjykata Speciale për Kosovë të njoh krimet që janë bërë ndaj viktimave serbe”.

Osmani shtoi se “nuk mund të ketë asnjë marrëveshje pa drejtësi për krejt viktimat, pa marrë parasysh përkatësinë etnike… Duhet të njihet po ashtu që në Kosovë kemi pas një regjim (të Serbisë) të përafërt me aparteidin përderisa krimet që i kanë bërë shqiptarët kanë qenë individuale. Rreth 13 mijë shqiptarë janë vrarë prej krimeve të përkrahura nga shteti (i Serbisë). Ka pas diksiminim ligjor për shiptarët (në të 90tat), mu mu ka ndalu shkuarja në shkollë – edhe kjo duhet të njihet”, tha Osmani.

Leart Hoxha, gazetar nga RTV 21 ka pyetur deputeten Osmani se a mendon se kuvendi mund të vijë në të njëjtën situatë që të vihet para marrëveshjes me dy të tretat e Kuvendit dhe të kenë një situatë “merre ose leje”.

Deputetja Osmani në përgjigjen për Hoxhën ka thënë se gjithçka është e mundur përderisa Presidenti edhe më parë i ka vënë deputetët në situatë të tillë dhe ky skenarë mund të paramendohet.

Por në fund, sipas saj, ajo që është me rëndësi për marrëveshjen përfundimtare është që “nuk duhet të ketë shkëmbim territoresh, por shkëmbim i të drejtave”.

Debati është transmetuar me përkthim shqip dhe serbisht me 23 maj në RTK dhe me 24 Maj në TV Mir në Mitrovicë. Transmetimi i tërë debatit me përkthim në gjuhën angleze  do të bëhet në javët në vijim.