Shkeljet në tenderin e Komunës së Dragashit për ambulancë

Komuna e Dragashit e shkeli dy herë Ligjin për Prokurim Publik në tenderin për “Ndërtimi i objektit të qendrës së mjekësisë familjare në fshatin Krushevë”, sipas vlerësimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Kjo e fundit ka marrë dy vendime për këtë tender pasi shqyrtimit të ankesës së kompanisë “Puna Sh.p.k”.

Komuna e Dragashit aktualisht është në proces të rivlerësimit, bazuar në vendimin e dytë të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Në vendimin e dytë, Gjykata e Tenderëve kishte konstatuar se Komuna e Dragashit nuk e kishte bërë rivlerësimin siç ishte udhëzuar në vendimin e parë të OSHP-së.

Komuna e Dragashit dhe kompania “Puna” Sh.P.K janë duke u përball tash e disa vjet në një tender tjetër, atë për shtrim të rrjetit të ujësjellësit në 15 fshatra. Për këtë tender, OSHP-ja kishte lëshuar 9 vendime. Komuna e Dragashit 5 herë e kishte rekomanduar për kontratë biznesin që OSHP-ja deklaronte në vendimet e saj që nuk është e përgjegjshme. Tashmë ky tender është pezulluar dhe rasti  nga Komuna e Dragashit është dërguar në Gjykatë, ndërsa 15 fshatra të kësaj komune vazhdojnë të mos ketë ujë të pijshëm.

Edhe tek tenderi për “Ndërtimin e objektit të QMF-së në fshatin Krushevë”, OSHP-ja ka konstatuar se komuna nuk e ka zbatuar vendimin për rivlerësim të tenderit sipas udhëzimeve të saj.

“Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe sqarimeve të ekspertit shqyrtues, vjen në përfundim se Komuna e Dragashit nuk e ka bërë ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve në harmoni me nenin 59 të ligjit të Prokurimit dhe udhëzimeve të dhëna në vendimin paraprak për këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së, të datës 16 dhjetor 2020. “Obligohet AK që të zbatojë në përpikëri vendimet e Panelit Shqyrtues, në të kundërtën AK e detyron Panelin që të ndërmerr masa konform dispozitave të LPP-së.

Tutje Paneli Shqyrtues ka konstatuar se Komuna e Dragashit nuk ka bërë përpjekje për t’i sqaruar dilemat e ngritura në vendimin e parë sa I përket mungesës së dokumentacionit për kompanitë që janë në garë e që janë rekomanduar për kontratë.

“Komuna e Dragasht të kërkoj sqarime shtesë konform nenin 59.2 dhe 72 të LPP-së dhe t’i sqarojë çështjet të cilat kontestohen dhe janë dhënë përgjigje në pretendimet ankimore nga Paneli Shqyrtues dhe pastaj të bëjë ekzaminimin dhe vlerësimin e tenderëve në harmoni me kërkesat e dosjes së tenderit dhe nenin 59 të LPP-së”,  thuhet në vendimin e dytë.

Në një përgjigje për KALLXO.com. Komuna e Dragashit ka thënë se ky tender është kthyer në rivlerësim dy herë.

“Vendimi është kthyer për rivlerësim me vendim nga OSHP 2 here me ankese te kompanisë “Puna” sh.p.k.”, thuhet në përgjigjen e komunës duke shtuar se aktualisht janë në proces të rivlerësimit pa dhënë detaje shtesë.

Ofertuesit e tjerë nuk janë të përgjegjshëm

KALLXO.com ka kontaktuar me Vahidin Halili, drejtor i kompanisë “Puna” Sh.P.K. Ai thotë se Komuna e Dragashit nuk është duke e respektuar ligjin.

“Mendoj se thjesht mos respektimi i Ligjit. Autoriteti kontraktues në tenderin që e ka shpallë, ka paraparë disa kritere me i plotësu secili konkurrues mirëpo ato kritere mbetën në letër pasi kur e bëjnë vlerësimin e tenderit ato nuk vlerësohen, por puna i jepet ata çka mënojnë me ja dhanë, dhe kjo është arsyeja përse ne nuk jemi të kënaqur”, tha Halili, i cili me komunën u përball disa vite në tenderin për shtrim të rrjetit të ujësjellësit.

Ai thotë se i kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe kërkesat që dalin nga dosja e tenderit.

“Ne nuk konkurrojmë me ndonjë tender aty ku kemi referenca të mjaftueshme teknike, stafin apo kërkesat  financiare”, tha ai.

Ndërsa sa i përket çmimi të ofertë, Halili thotë se çmimi është kriteri i fundit që duhet të vlerësohet.

“Nuk jemi më të lirët, nëse marrim për bazë kompanitë që i kanë plotësuar kriteret. Çmimi është kriteri i fundit që duhet të plotësohet nëse plotësohen të gjitha kriteret tjera të parashtruara në dosjen e tenderit. Kështu që çmimi më i lirë, është i kompanie që ka plotësue kriteret para çmimit”, tha ai duke shtuar se do të shfrytëzojnë çdo të drejtë ligjore për secilin tenderë që aplikojnë.

Tenderi është hapur me 22 korrik 2020. Në këtë tenderin kishin ofertuar 8 biznese.

Grupi i operatorëve ekonomik “AAG Projekt ShPK” dhe “NNSh Real” me çmim të ofertës 189,258 euro, Grupi i operatorëve ekonomik “Astra Plan” Sh.P.K dhe “U-Unique” Sh.P.K kanë ofertuar me çmim prej 188,940 euro, kompania “Ridvan Elezi” B.I, me çmim të ofertës 190,057 euro, kompania “Puna” ShPK me çmim të ofertës 197,362 euro, kompani “EBK” ShPK me çmim të ofertës 177,537 euro, grupi i operatorëve ekonomikë, NNSh “Top Projekt” “Niki-Gd” ShPK me çmim prej 189,781 euro, Grupi i operatorëve ekonomik “Dar Ing” ShPK dhe “Engrup” ShPK  me çmim të ofertës 164,855 euro dhe “Limit Projekt” ShPK me çmim të ofertës 189,237 euro.

Komuna e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “EBK” ShPK që kishte ofertuar me 177,537 euro. Ndërsa, kompania “Puna” ShPK që ishte eliminuar nga gara për arsye e mos vendosjes së çmimit për një njësi, përkatësisht në pozicionin 3.1.12 të këtij tenderi. Kjo kompani është ankuar fillimisht në Komunë e tani edhe në OSHP.

Kjo kompani në ankesën e saj ka pretenduar se kompania e rekomanduar për kontratë nuk e ka plotësuar kërkesën e dosjes së tenderit, përkatësisht kriterin minimumi i fuqisë punëtor për secilin prej tri vitet e fundit ku kishte kërkuar si dëshmi. Kërkesë tjetër për të cilën pretendon ankuesi se nuk u plotësua ka të bëjë me “inxhinier i diplomuar i makinerisë –(5 vjeçare ose master)” si dhe dëshmitë e kërkuara dokumentare lidhur me këtë kërkesë. Në bazë të asaj që thuhet në vendimin e OShP-së, pretendimi tjetër i kompanisë ankues ka të  bëjë me qarkullimin financiar të kompanisë “Limit” Sh.P.K, lidhur me qarkullimin financiarë, por edhe nuk kishte plotësuar kërkesën që të ketë “Inxhinier i diplomuar të elektroteknikës- (5 vjeçare ose master)”.

Shkelja e dytë

Gjykata e tenderëve (OSHP) kishte konstatuar se Komuna e Dragashit kishte bërë shkelje ligjore, pasi ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform ligjit të Prokurimit.

Paneli Shqyrtues e ka obliguar Komunën e Dragashit që tenderin të kthej në rivlerësim e gjatë rivlerësimit të ofertave të respektojë ligjin e prokurimit.

Komuna e Dragashit e kishte rivlerësuar tenderin, duke e rekomanduar për kontratë kompaninë “EBK” ShPK me çmim të ofertës 177,537 euro. Sërish kompania “Puna”.Sh.P.K është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.  Përveç pretendimeve për fazën e rivlerësimit të ofertave, Kompania Puna Sh.P.K u ankuar se komuna nuk i ofroi qasje në dokumentacion.

Gjykata e Tenderëve sërish kishte gjetur shkelje ligjore të bëra nga Komuna e Dragashit në fazën e rivlerësimit, pasi nuk e ka bërë ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve në harmoni me nenin 59 të Ligjit të Prokurimit dhe udhëzimeve të dhëna në vendimin paraprak për këtë aktivitet të prokurimit.

OSHP-ja e ka obliguar komunën që të zbatoi në vendimet e Panelit Shqyrtues, në të kundërtën e ka kërcënuar se do të ndërmerren masa në bazë të ligjit.

Shaban Shabani. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Një nga ankesat e bëra nga kompania Puna ishte edhe arsyeja e eliminimit të saj, përkatësisht mos-plotësimi i një pozicioni në ofertën e tyre.

“Paneli Shqyrtues konform ekspertit shqyrtues vlerëson se OE ankues për pozicionin 1.16 ka vendosur të dhënat në paramasë, ndërsa për pozicionin 3.1.12 për të cilin është eliminuar nga AK se nuk ka përshkruar çmimin. Paneli Shqyrtues sqaron që për këtë pozicion nuk është kërkuar kryerja e ndonjë pune të veçantë por vetëm është parashikuar të shumëzohet 50% e pozicionit 1.16 dhe të nxjerrët çmimi”, thuhet në konstatimet e bëra në vendimin e OSHP-së.

Gjatë rivlerësimit, OSHP-ja e ka udhëzuar Komunën e Dragashit “për të sqaruar sa më mirë këtë, të kërkoj sqarime nga OE ankuese konformë nenin 59.2 dhe 72 të Ligjit të Prokurimit”.

Në përgjigjet e dhëna, Komuna e Dragashit thotë se janë në fazën e rivlerësimit të ofertave. Komuna e Dragashit e ka rivlerësuar tenderin për herë të dytë dhe sërish me datën 14 janar 2021 e ka rekomanduar për kontratën kompaninë “EBK” si dhe e ka eliminuar si të papërgjegjshme kompaninë Puna Sh.P.K e cila dy herë ishte ankuar në OSHP.

Ky është tenderi i dytë që në kontest janë kompania “Puna Sh.P.K” dhe Komuna e Dragashit. Tenderi i parë për shtrim të ujësjellësit për 15 fshatra është zvarritur 4 vjet, pasi 9 herë rasti është trajtuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Komuna e Dragashit në një nga arsyetimet e dhëna në fillim të ankesave për tenderin e Ujësjellësit kishte deklaruar se në të kaluarën kompania Puna nuk i kishte realizuar një projekt sic ka qenë kontraktuar. Komuna e Dragashit nuk ka ofruar dëshmi për këtë deklarim nga Komuna e Dragashit.