Shkeljet “me dy këmbë” te materialet e sponsorizuara

Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës e ka përcaktuar qartë se çka është materiali sponsorizues.

Por edhe përkundër kësaj, mediat e shkruara vazhdojnë të shkelin kreun 12-të të Kodit të Mediave të Shkruara.

“Reklamimi komercial e politik, si dhe materiali sponzorizues – përfshirë këtu edhe artikuj e shtojca – duhet të dallohet qartë nga përmbajtja editoriale dhe të identifikohet si i tillë”, thuhet në paragrafin e parë të kreut të 12-të mbi reklamat dhe sponsorizimin.

Në Kod kërkohet që materiali i sponsorizuar duhet të tregojë qartë burimin e sponsorizimit.

Për shkeljen e kreut të 12, Këshilli i Mediave të Shkruara ka shqyrtuar 21 ankesa dy vitet e fundit dhe 16 prej tyre i ka miratuar.

Rastet e shkeljes së kreut për sponsorizime

Vetëm në vitin 2020, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka miratuar 12 ankesa kundër mediave në lidhje me shkeljen e standardeve të përcaktuara në Kod sa i përket artikujve të sponsorizuar.

Në muajin maj të vitit 2020, në KMShK kishte arritur një ankesë kundër medias online “Gazeta Express” lidhur me artikullin me titull “Te ftohtit i erdhi fundi…”.

Ankesa është bërë me pretendimin se shkrimi bënë shkelje të Kreut XII (Reklamat dhe Sponzorizimi) të Kodit të mediave të shkruara.

Pas leximit të ankesës, KMShK vendosi se ankesa është e bazuar.

“Media e ka publikuar lajmin, saktësisht ka botuar një artikull për një kompani private në formë të reklamës pa cekur për lexuesin se është reklamim. Sipas Kodit të mediave të shkruara, edhe për sponsorizimet duhet të njoftohet publiku dhe duhet të bëhet e qartë se për çfarë lajmi është plasuar tek publiku. Duke marrë parasysh përmbajtjen, KMShK gjeti se ka shkelje të Kreut XII të Kodit të mediave të shkruara2, theksohet në vendim.

Në korrik të vitit 2020, KMShK ka miratuar ankesën kundër medias online “Periskopi” lidhur me publikimin e artikullit me titull “Çmime për tokë dhe kafe gratis në Petrol Company”.

Objekt i kësaj ankese ka qenë teksti i shkruar.

“Media ka publikuar një shkrim i cili është i vendosur tek seksioni i lajmeve, përderisa komplet lajmi është marketing por që media nuk e ka shënjuar si të tillë. Kodi i mediave është shumë i qartë në këtë pjesë, media ka për obligim që të shënjojë me dallim tekstin që është material i sponsorizuar dhe se duhet tregohet se kush e ka sponsorizuar”, thuhet në arsyetimin e vendimit të KMShK-së.

Një ankesë tjetër që kishte arritur në muajin prill në KMShK, është vendosur si e bazuar.

Ankesa kishte të bënte me shkrimin e publikuar në gazetën online “Insajderi”, me titull “Gatuaj me dashni!”.

“Media ka publikuar një shkrim i cili përmban komplet përmbajtje reklamuese, ndërsa nuk e ka vendosur mbishkrimin se ky artikull është i sponsorizuar nga kompania në fjalë, çka bije ndesh me Kodin e mediave, përkatësisht Kreun XII (Reklamat dhe sponsorizimi)”, theksohet në vendimin e KMShK-së.

Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës mbështetet në standardet ekzistuese ndërkombëtare të praktikës së gazetarisë, mëton të shërbejë si bazë për sistemin vetërregullues i cili do të konsiderohet profesionalisht dhe moralisht i obligueshëm për gazetarë, reporterë, redaktorë, pronarë dhe botues të gazetave, portaleve dhe agjencive të lajmeve (tutje mediat e shkruara).

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës është një trup vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara. Misioni i tij mbështetet mbi bindjet e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

KMShK është themeluar me ndihmën e OSBE-së në Kosovë në shtator të vitit 2005, ndërsa Zyra e KMShK-së aktivitetin e rregullt e ka filluar në dhjetor të vitit 2005.

Paralajmërimi i Komisionit të Pavarur të Mediave

Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, Komisioni i Pavarur i Mediave kishte paralajmëruar se në vazhdimësi janë duke monitoruar mediat.

Monitorimi bëhej për të vlerësuar pajtueshmërinë e mediave me Ligjin e KPM-së dhe aktet nënligjore të KPM-së, për sa i përket sponsorizimit dhe vendosjes se produkteve në emisionet e lajmeve dhe programet për çështje aktuale.

“KPM ju rikujton se sponsorizimi dhe vendosja e produkteve në emisionet e lajmeve dhe programet për çështjet aktuale,  është e ndaluar sipas Ligjit të KPM-së dhe Rregullores KPM-2017/07. KPM sqaron të licencuarit se nuk behët fjalë për ndalimin në tërësi të formave të reklamimit, mirëpo vetëm në disa emisione ku trajtohen çështje që kanë të bëjnë me aktualitetin në interes të publikut”, thuhej në njoftimin e KPM-së.

KPM kishte kërkuar nga të licencuarit që t’i përmbahen rregullave që kanë të bëjnë me ndalimin e sponsorizimit dhe vendosjes së produkteve.

Se si është rregulluar sponsorizimi dhe cili sponsorizim është i ndaluar, përcaktohet në nenin 13 dhe 14 të Rregullores për Komunikimet Komerciale Audiovizuale.

“Programet e sponsorizuara duhet të identifikohen qartazi si të tilla me emër, logo apo/edhe çfarëdo simboli tjetër të sponsorit siç janë, për shembull, një referencë për produktin(et) apo shërbimin(et) e tij apo një shenjë dalluese nga kjo në mënyrë të përshtatshme  për programet në fillim, gjatë apo/edhe në fund të programeve ofruesi i shërbimeve mediale do të ruajë kontroll të plotë editorial mbi programin e sponsorizuar”, theksohet në paragrafin 1.4 të nenit 13 të Rregullores për Komunikimet Komerciale Audiovizuale.

Ndërsa e ndaluar të sponsorizohen janë ata që për aktivitet kryesor e kanë përpunimin dhe shitjen e cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit, programet e lajmeve, programet e fëmijëve, programet fetare.

Po ashtu është e ndaluar që partitë politike dhe koalicionet të jenë sponsorë të programeve përveç gjatë fushatës zgjedhore.

Komisioni i Pavarur i Mediave publikon çdo vit raportin e punës, në të cilin përfshihen rastet e monitorimit dhe shkeljet e Rregullores që bëjnë mediat e ndryshme brenda një viti.

Raporti i punës për vitin 2020 nuk është publikuar ende por në raportin e punës të vitit 2018, KPM ka analizuar pajtueshmërinë e tyre me Rregulloren për Komunikimet Komerciale Audiovizuale.

Analiza e tyre është fokusuar në: përmbajtjen e komunikimeve komerciale audiovizuele, produktet dhe shërbimet e reklamuara, ndikimi i tyre te fëmijët dhe të miturit; orari i transmetimit të KKAV-ve dhe teleshopingut për produkte të caktuara; mënyrat e reklamimit; format e reklamimit si: sponsorizimi i programeve për fëmijë dhe vendosja e produkteve si dhe dispozita tjera të kësaj rregulloreje.

Lidhur me këtë rregullore ishin monitoruar 3 televizione me transmetim tokësor nacional, 12 me transmetim tokësor lokal/regjional dhe 7 që operojnë përmes Operatorëve të Shpërndarjes.

Në 8 televizione janë gjetur në kundërshtim me këtë rregullore.

“Shkeljet më të shpeshta të identifikuara kanë pasur të bëjnë me mos dallimin e qartë të komunikimeve komerciale audiovizuale nga pjesët tjera programore, tejkalim i kohëzgjatjes së reklamimit televiziv dhe teleshopingut, mos paralajmërimi i vendosjes së produkteve dhe sponsorizimit”, theksohet në raportin e punës të vitit 2018.

I themeluar në vitin 2005, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Me nenin 141 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës KPM përcaktohet si organ i pavarur.

Në bazë të Ligjit për KPM-në, KPM-ja licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.