Shkeljet e kolegjeve dhe universiteteve të pa monitoruara

Mungesa e monitorimit të universiteteve publike dhe  veçanërisht kolegjeve private hap mundësitë për shkelje të kushteve të akreditimit në programet e studimit që ofrojnë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) i AKK-së, – përveç institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të tyre – në mars të 2018-tës, ka akredituar edhe 22 institucione private të arsimittë lartë dhe qindra programe të studimeve.

Që të akreditohen programet duhet që së paku të përmbushen kriteret minimale të akreditimit.

Vlerësimin e plotësimit të këtyre kritereve e bëjnë ekspertë ndërkombëtarë të angazhuar nga KSHC-ja.

Por, edhe pse obligohen që të plotësojnë vetëm kushtet minimale të akreditimit, disa kolegje private i shkelin edhe ato.

Ndërkaq  institucionet përkatëse nuk është se marrin masa për të siguruar kriteret mbi të cilat lejohet ofrimi i studimeve në këtë nivel akademik.

Kjo për shkak se Agjencia e Akreditimit  nuk ka mekanizma për të monitoruar institucionet e arsimit të lartë se a po respektojnë apo jo vendimet e saj.

Sipas tyre, kjo mbetet në dorë të Ministrisë së Arsimit dhe Inspektoratit të Arsimit, kurse këta të fundit nuk flasin rreth kësaj.

Kolegji ‘Juridica’ është një prej kolegjeve private i akredituar si institucion i arsimit të lartë me katër programe studimi, në atë: Juridik; Politikat Publike dhe Menaxhment; Kriminalistikë dhe Siguri, si dhe; Politikat Publike dhe Menaxhment.

Në gjitha nga këto programe numri i studentëve që mund të pranohet është i limituar varësisht nga stafi që kolegji ka në dispozicion për ato programe.

Në ueb faqen e tyre dhe në rrjetin social ‘‘Facebook’’, gjatë këtij viti Kolegji Juridica ka hapur vende të lira për studentë të rinj në një nga programet e tyre.

Aplikimin e kanë mundësuar edhe online dhe kanë cekur se numri i studentëve që do të pranohet është i kufizuar, si dhe programet në mundësi aplikimi janë po ato të akredituara nga AKA-ja.

Por tek mundësia e aplikimit për studimet Bachelor dhe tek ato Master kolegji ka dy opcione që studentët e rinj mund të zgjedhin për studime; ‘‘të rregullt’’ apo ‘‘me korrespodencë’’.

Mundësia e studimeve me korrespodencë nuk është e akredituar në asnjë prej institucioneve tëarsimit të lartë në Kosovë për këtë vit.

Bile, termin korrespodencë AKA-ja nuk e njeh dhe kjo vlen edhe për Kolegjin ‘Juridica;

‘‘Ju njoftojmë se termi “korrespodencë” nuk njihet si formë e ofrimit të studimit. Nëse për çdo rast ju i referoheni studimeve part-time si “studime me korrespodencë” atëherë ju njoftoj se për momentin të gjitha institucionet në Kosovë janë të akredituara që të ofrojnë studime vetëm me orar të plotë (full time)’’, përgjigjet Avni Gashi ushtrues detyre i Drejtorit të AKA-së, në pyetjen e BIRN.

Kolegji Juridica është pyetur nga BIRN se si funksionojnë ‘‘studimet me korrespodencë’’ dhe në çfarë baze ligjore janë të lejuara ato, por nuk ka marr përgjigje nga kolegji.

Përveç asaj se formë e tillë e studimeve nuk njihet nga AKA-ja, Avni Gashi nuk është përgjigjur direkt se veprimi i Kolegjit Juridica a është shkelje e kushteve të akreditimit.

Për më tej, ai thotëse është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), si dhe Inspektoratit të Arsimit për veprime në rast të shkeljeve të kritereve.

‘‘Agjencia e Kosovës për Akreditim i dorëzon listat me programe te akredituara tek MASHT, në mënyrë që ata të hapin sistemin për regjistrim të studentëve të njohur si SMIAL vetëm për ato programe të cilat kanë akreditim. Pra mbetet përgjegjësi e MASHT dhe e Inspektoratit të Arsimit që të sigurohen se vetëm programet të cilat kanë akreditim mund të regjistrojnë student’’, përgjigjet Gashi.

Mirëpo, MASHT-i lë të nënkuptohet se kjo përgjegjësi nuk është e tyre.

Zëdhënsja e MASHT-t, Besa Bytyçi e pyetur nga BIRN se përgjegjësi e cilit institucion është që të monitorojë dhe të sigurojë që vendimet e akreditimit të respektohen u përgjigj duke thënë :‘‘ Për këto pyetje, ju lutem drejtohuni Agjencisë së Kosovës për Akreditim’’.

E pyetur për deklarimet e AKA-së, Bytyçi nuk u përgjigj fare.

Gjithashtu, BIRN ju ka drejtuar edhe Inspektoratit të Arsimit me pyetje për të sqaruar se cili institucion e ka përgjegjësinë për monitorim, por as ata nuk janë përgjigjur.

Përderisa institucionet që në përgjegjësi të tyre kanë arsimin e lartë nuk e sqarojnë se kush mund të merr vendime dhe të sigurojë kushtet e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, është edhe një kolegj që shpallë mundësi për studime që janë të dyshimta.

Kolegji Universum në ueb faqen e tyre ofrojnë ‘‘Studime në Distancë’’.

Në përshkrimin e tyre, thuhet se studimet zhvillohen përmes platformës ‘‘e-learning’’.

Studentёve, sipas tyre, gjatё kohёs sё studimeve tё kёtilla, prej kolegjit ju ofrohen; rregulloret e studimeve nё distancё, materiali pёr lexim pёr secilёn landё, listё e rekomanduar pёr libra, listё e burimeve tё rekomanduara tё burimeve online, si dhe ligjёratat nё ‘‘power point’’.

Gjithashtu, ‘‘si pjesë e programit organizohen tutoriale tё cilat mbahen çdo tё dytёn të shtune, nga 5 ore gjithsej (1 orё pёr njё lёndё)’’, thuhet nё pёrshkrimin e kolegjit.

Studentёve tё kёtij programi, nga kolegji pёrfitojnё edhe takime online pёrmes ‘‘skype’’ njё  herё brenda njё jave tё cilat mund tё zgjasin gjysmё ore.

‘Universum’ është pyetur nga BIRN se a është i akredituar për ofrimin e studimeve të tilla prej AKA-së, por që kolegji nuk është përgjigjur.

As Avni Gashi nuk është përgjigjur për këtë rast.

Mirëpo, në asnjë prej vendimeve të AKA-së për akreditim të programeve të Kolegjit Universum nuk përmendet se këtij institucioni të arsimit të lartë iu lejohet që të ofrojë studime në distancë.

Për Vjollca Krasniqin, anëtaren e KSHC-së, mos respektimi i vendimeve të AKA-së – qoftё nga institucionet publike apo private të arsimit të lartë – përbëjnё shkelje tё rёndё, tё cilat mund tё marrin ndёshkime të cilat mund të ju kushtojnё rёndё atyre institucioneve.

‘‘Agjencioni ka drejtë të tërheqë akreditimin nëse kushtet e vendimit janë shkelur’’, thotë Krasniqi.

Ky vendim nuk ёshtё marrë deri mё tash. Ndёshkimet e vetme pёr institucione e arsimit tё lartё nga ana e AKA-sё kanё qenё suspendimet e programeve pёr shkak tё mungesёs sё stafit akademik.

Gjoba tjera nuk janё shqiptuar deri mё tash dhe kёto gjoba nuk janё pёr shkelje tё kushteve tё akreditimit.

AKA-ja po mendon ta bëjë një gjë të tillë në të ardhmen.

Një tjetër institucion privat i arsimit të lartë nuk i ka të qarta kushtet e akreditimit.

Kolegji ‘Dukagjini’ që funskionon në Pejë, në shpalljen e tyre për pranim të studentëve të rinj ka edhe mundësinë e për studim në Shkenca Kompjuterike – TI. Program ky që nuk gjendet në listën e AKA-së për programet e akredituara për vitin 2018.

Në listën e AKA-së, Kolegjit Dukagjini ju kanë akredituar dy programe; Shkencat Administrative dhe Banka, Financa dhe Kontabilitet. Kolegj ky që në faqen e tyre në Facebook, rekruton studentë me emrin Kolegji UBT-Dukagjini për këtë vit ka shpallur mundësi studimi edhe për programin Media dhe Komunikim.

Program që nuk është në listën e programeve të akredituara nga AKA-ja. Ud. i Drejtorit të AKA-së, Avni Gashi për BIRN thekson se ‘‘Kolegji Dukagjini nuk ka program të akredituar si “Media dhe Komunikim’’.

Gashi më tej përgjigjet edhe për emertimin e Kolegji UBT-Dukagjini, ku thotë se një institucion i tillë nuk është i akredituar nga AKA-ja, por nuk sqaron më tej se në çfarë baze funskionon ky institucion.

Tek institucionet private të arsmit të lartë të akredituara ekzistojnë kolegji UBT dhe ai Dukagjini por bashkimi i tyre në një nuk është zyrtarë. Gashi është pyetur se ku bashkim i kolegjeve a është a në kundërshtim apo a është i lejuar nga AKA-ja, si dhe a lejohen shpallje të tilla, por ai nuk është përgjigjur.

‘‘Tash jemi duke diskutuar dhe duhet të rimendohet kjo’’, kjo sipas fjalëve të Krasniqit.

Më tej, Krasniqi dyshon se AKA-ja ka kapacitetet njerëzore dhe mekanizma për të kontrolluar institucionet e arsimit të lartë. Sipas saj, mund të ndodhin edhe shkelje tjera të akreditimit dhe të cilat AKA-ja nuk ka mundësi që të vërtetojë.

Ajo merr si shembull numrin e studentëve të pranuar brenda një viti nga kolegjet private i cili nuk mund të vërtetohet, edhe pse ky mbetet një prej kushteve të akreditimit për secilin program të studimeve, sipas Krasniqit.

‘‘Nëse një program ka qenë i akredituar për 50 student; ne nuk e dimë se a i ka regjistruar 200’’, thotë Krasniqi.

Mungesën e mekanizmave për të vepruar në teren e monitoruar e thekson edhe Blerim Rexha,ish drejtori i AKA-së.

I shkarkuar nga ky insititucion në fillim të vitit 2018, Rexha thekson se agjencia në gjatë kohës sa ai ishte pjesë e saj kishte vetëm dy zyrtarë dhe ai pyet se sa mund të bëjnë dy zyrtarë për ruajtjen e cilësisë së arsimit, duke marr parasysh numrin e madh të institucioneve të arsimit të lartë.

‘‘Në formën se si po funskionon agjencia është e pamundur të presim rezultate më të mira’’,thotë Rexha.

Për Rexhën, cilësia në arsimin e lartë do të arrihet kur të bëhet edhe monitorimi, gjegjësisht zbatimi i rregulloreve dhe planit i akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë. Për të, dy këto

janë tregime të ndryshme, sepse as gjatë kohës sa ai ishte pjesë e agjencisë dhe as tash nuk po ndodhë monitorimi.

Për këtë ai mendon se duhet të rriten kapacitetet e AKA-së, të shtohet numri i zyrtarëve që shërbejnë si për monitorim ashtu edhe për vlerësim, si dhe investohet në infrastrukturë që proceset administrative të bëhen digjitale.

Në shtator të vitit të kaluar, AKA-së ju kishte kërkuar nga KSHC që të verifikonte stafin akademik me shtetësi jo të Kosovës dhe që ligjëronin në institucioneve të arsimit të lartë në vend. Fillimisht AKA-ja atyre ju kishte kërkuar dëshmi se ata nuk janë në marrëdhenie të rregullt pune në vendet e tyre.

‘‘Deri më tani më tepër se 100 nga rreth 200 persona kanë arritur të sigurojnë këtë “dëshmi” e cila ka qenë vendimtare për përcaktimin e tyre si staf i rregullt në Kosovë’’, thuhet në komunikatën e AKA-së.

Në mungesë të stafit për t’i verifikuar këto dëshmi, AKA-ja kishte përdorur internetin si formë kërkimi.

‘‘…shumica e tyre, edhe pse tek AKA kanë sjellë dëshmitë përkatëse, ende paraqiten si staf i rregullt në shtetet e tyre të origjinës. Prandaj AKA ka dyshime nëse këta persona janë me të vërtetë të rregullt në Kosovë dhe se ekzistojnë dyshime të bazuara që të njëjtit vazhdojnë të jenë staf akademik i rregullt në universitetet e shteteve të tyre të origjinës, apo në institucione të tjera shtetërore’’, ishin konludimet e AKA-së për këtë rast.

Se AKA-ja nuk i ka të gjitha kapacitetet e thekson edhe MASHT, konkretisht Departamenti i Arsimit të Lartë, të cilët tek ‘‘pritoritetet aktuale’’, ndër tjera kanë theksuar ‘‘Funksionalizimi i plotë i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

Ndryshe Këshilli Shtetëror i Cilësisë  në janar të këtij viti shqyrtoi edhe mbulueshmërinë e programeve ekzistuese të akredituara me staf akademik dhe pas verifikimit të tyre për këto programe studimi, mori vendim për tërheqjen e akreditimit për 74 programe të studimit, mes tyre 40 programe nga Institucionet Publike dhe 35 programe të Institucioneve Private të Arsimit të Lartë.

Tërhiqet akreditimi i  74 programeve në universitete