Shkarkojnë Njëri-Tjetrin

Pezullimi nga puna i dy mjekëve, anëtarë të Bordit Drejtues të Institutit të Mjekësisë së Punës (IMP) në Obiliq, është pasuar me shkarkim të menjëhershëm të drejtorit të këtij institucioni Xhevat Pllana. Instituti i Mjekësisë së Punës, i cili ka qenë institucion shëndetësor në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës, prej vitit 2006 e këtej, funksionon si shoqëri aksionare.

Drejtori Xhevat Pllana ka pezulluar, të mërkurën, nga detyra radiologun Ibrahim Berisha dhe psikiatrin Rexhep Kaçuri. Ky i fundit është kryetar i Bordit.

Pllana nuk ka pranuar të flasë për shkaqet që kanë çuar në pezullimin e këtyre dy punonjësve. Ndërkohë, në vendimet që ai u ka dorëzuar të pezulluarve, thuhet se kjo ka ndodhur për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës nga ana e tyre. Shkeljet që nuk precizohen në shkresën e Pllanës, janë të sanksionueshme me Ligjin e Punës dhe rregulloren mbi përgjegjësinë disiplinore të IMP-së. Sipas vendimit për pezullim, të nënshkruar nga Pllana, të dy doktorët Berisha e Kaçuri, kanë të drejtë të ankohen në afat prej tetë ditësh, në shkallën e dytë brenda këtij institucioni.
 
Por, kundërshtimi që mund të bëjnë të dy punonjësit aksionarë të Institutit të Mjekësisë së Punës, nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit, që është i formës së prerë. Të dytë, për pesë muaj sa do të jenë të pezulluar do të marrin 50 për qind të pagës. Berisha e Kaçuri, kanë kundërshtuar vendimin. Ata, pasi që janë anëtarë të Bordit Drejtues të IMP-së, kanë thirrur menjëherë Bordin, pas shkresës së drejtorit. Bordi ka vendosur që drejtori të shkarkohet. Po ashtu, kanë inicuar procedurë për bllokimin e vulave dhe xhirollogarive bankare.

Dr. Rexhep Kaçuri, kryetar i shkarkuar i Bordit të IMP-së

Por, kur ditën e enjte, anëtarët e Bordit, i kanë dorëzuar shkresën drejtorit, ai vetëm e ka shqyer atë, në prezencën e tyre. Pastaj ka thirrur policinë, të cilët i kanë cilësuar veprimet si çështje të brendshme të IMP-së, që duhet të zgjidhen ndërmjet aksionarëve, apo gjykatës kompetente.

E arsyet që kanë çuar në fërkimet ndërmjet Bordit Drejtues dhe menaxherit Pllana, duket se ndërlidhen me një Kuvend të Jashtëzakonshëm që është kërkuar nga Bordi, me qëllim që të ndryshohej statuti i IMP-së.

Mirëpo, përtej kësaj, fshihej inicimi i procedurës për shkarkimin e drejtorit Pllana, që ishte kërkuar nga 22 prej 79 aksionarëve sa i ka Instituti i Mjekësisë së Punës.

As Bordi Drejtues nuk ka dhënë sqarime të detajizuara pse duhet shkarkuar drejtorin. Hilmi Hasolli, anëtar i Bordit, që me vendimin e ri të Bordit është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të IMP-së, thotë se mostransparenca dhe keqmenaxhimi kanë bërë që 22 aksionarët të kërkojnë shkarkimin e drejtorit. Dhe, kjo, sipas tij, pasi drejtori Pllana ka punësuar një asistente pa konkurs.

“E punësimet, me statutin aktual në fuqi i bën Bordi Drejtues i IMP-së”, thotë Hasolli. Sipas tij, Bordi ka kompetencë edhe të shkarkojë çdo zyrtar, kur ai bën shkelje të interesit material.

Hasolli, sikurse dy të pezulluarit Berisha e Kaçuri, insiston se pezullimi i dy punonjësve, nga ana e drejtorit Pllana, ka ndodhur me qëllim që të bllokohej Kuvendi i jashtëzakonshëm i aksionarëve.