Shkarkohet se Foli Keq në TV

Naile Neziri, e cila ka mbështetur kontratat njëvjeçare nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në emisionin e transmetuar të dielën në Radiotelevizionin publik të Kosovës, megjithëse ato kundërshtohen nga vetë punonjësit, është shkarkuar dje në një tubim të punëtorëve.

Tubimi është mbajtur në sallën e gjykimit të Gjykatës Komunale, me fillim nga ora 15. Punëtorët kanë zgjedhur fillimisht si kryesues të mbledhjes Agim Bajramin, kurse anëtarë Xhemile Bejtullahun dhe Flora Bajramin.

Pothuajse të gjithë ishin mbledhur, kur hyri kryetarja e deritashme e sindikatës, Naile Neziri, e cila pyeti se kush e ka iniciuar këtë mbledhje. “Nuk ka nevojë me ba fshehtë”.

“Ti jep dorëheqje, me këtë deklaratë i ke dëmtu punëtorët”, u dëgjua një zë nga salla.

“Unë jam kryetare dhe derisa të bëhet themelimi i gjykatave themelore, qëndroj prapa deklaratës se dhënë. Nuk do të jap dorëheqje”, deklaroi Neziri.

“I ke mbrojtur interesat e KGJK-së, e jo të punëtorëve”, ka replikuar Nagipi, i cili punon si fletëdorëzues në këtë gjykatë.

Pas kësaj, kryetarja e ka lëshuar sallën e mbledhjes. Ndërsa punëtorët kanë vazhduar me pikat e përcaktuara të rendit të ditës.

Pika e parë ka qenë diskutimi për deklaratën e dhënë nga kryesindikalistja Neziri në emisionin “Drejtësia në Kosovë”. Shefki Daku ka thënë se kryetarja nuk i ka mbrojtur interesat e punëtorëve, për çka është zgjedhur. “Ajo mundet me dhënë mendim privat, por jo në emër të punëtorëve”.

Ndërsa Shefinaze Sahiti ka qenë pak më “e butë”, megjithëse është pajtuar se Neziri nuk i ka mbrojtur të drejtat e punëtorëve. “Nuk ka pasur qëllim të keq, e ka bërë nga mosdija”, është shprehur ajo.

Njëzet e dy punëtorë kanë votuar duke e përkrahur “dënimin e deklaratës së kryetares dhënë në mjetet e informimit publik”, përveç një punëtoreje që abstenoi.

Pas kësaj ka pasuar shkarkimi i kryetares së deritashme të Sindikatës së Punëtorëve të Gjykatës Komunale në Gjilan, për çka votuan 20 punëtorë. Vetëm një ishte kundër, kurse një tjetër abstenoi.

“Prej tash, më nuk është kryetare znj. Naile Neziri”, ka thënë Agim Bajrami, i cili është zgjedhur njëri nga tre anëtarët e të ashtuquajturit Grup punues për përgatitjen e mbledhjes zgjedhore, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të sindikatës. Dy anëtarët e tjerë të këtij grupi janë Valbona Dulahu dhe Shefki Daku.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, këtë të diel, ka trajtuar çështjen e kontratave afatshkurta për punonjësit e administratës gjyqësore. Punonjësit, të cilët tashmë trajtohen si shërbyes civilë, e jo staf administrativ, kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me kontratat e lëshuara nga KGjK-ja, pasi frikësohen se mund të humbin vendet e tyre të punës, kur më 2013 të krijohen gjykatat themelore. 

Asllan Nimani, kryetar i degës sindikale në Gjakovë, ka shprehur shqetësimin e punëtorëve sidomos me një pikë në akt-emërimet e lëshuara nga Sekretariati i KGJK-së, ku thuhet se “emërimet në afat të caktuar nuk krijojnë asnjë detyrim ligjor për vazhdimin e marrëdhënies së punës”.

Por Naile Neziri ka deklaruar se KGJK-ja ka vepruar drejt. “Mendoj se nuk ka vend për frikë. KGJK-ja nuk ka mundur të lëshojë kontrata (të përhershme) kur nuk e di në cilën gjykatë do të punojë nesër një punëtor”, ka thënë ajo.

Në administratën gjyqësore në Kosovë punojnë rreth 1850 punëtorë.