Xhafer Tahri, Kryetar i Vushtrrisë

Sheshi me kabllo e autobusët pa stacion, Vushtrria në pasqyrën e qeverisjes trivjeçare

Historia e kabllove të ngatërruara që fshehin pamjen e bukur të sheshit të Vushtrrisë ishte ndër temat kryesore e cila u diskutua gjatë debatit Jeta në Komunë, me protagonist Kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Tahiri kishte ardhur në krye të Vushtrrisë më 2017-tën me premtimin se do të zgjidhte çështjen e kabllove.

Megjithëse ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit, vetëm tani kanë filluar punimet për largimin e tyre.

Fajin për mosmbajtjen të këtij premtimi, i pari i Vushtrrisë ia hedhi KEDS-it.

“Ka qenë problem themelor te kabllat sepse kemi pasur premtim nga KEDS-i që do të kryejë investimet, por nuk e ka bërë në vitin e parë kështu ne me paratë e fituara nga performaca e mirë e komunës kemi lidhur marrëveshje dhe do të hiqen kabllot. KEDS-i tash ka premtuar se do të bjerë kabllot dhe orët”, shtoi ai. 

Xhafer Tahiri, i pari i Komunës së Vushtrrisë u përball dje me Jeta Xharrën, pyetjet e qytetarëve  asamblistët e komunës së tij dhe shoqërinë civile  që diskutuan lidhur me premtimet që i kishte dhënë në fushatë zgjedhore.

Jeta në Komunë, Vushtrri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në fillim të debatit, Tahiri u pyet për premtimin e tij se do ta mbajë gjithmonë të hapur derën për qytetarët e Vushtrrisë. Këtë premtim, në fillim të mandatit, Tahiri e kishte materializuar duke e larguar fizikisht derën e zyrës së tij.

Por në objektin e ri të komunës dera është kthyer.

I pari i Vushtrrisë tha se dera qëndron e mbyllur për shkak të stafit të cilët duhet të regjistrojnë me kartela hyrjet dhe daljet e tyre.

“Dera ime, telefoni im janë gjithmonë të hapur për qytetarët e Komunës së Vushtrrisë, tha Tahiri.

Tahiri në debat ka arsyetuar disa nga premtimet që nuk i ka mbajtur, e të cilat janë evidentuar nga KRYPOMETRI.

Tahiri në zgjedhjet lokale në vitin 2017 kishte premtuar se do të krijojë një qendër për përkujdesje ditore për të moshuarit.

Tre vite pas, një qendër e tillë nuk ekziston.

Tahiri tha se i vetmi problem për ndërtimin e kësaj qendre është mungesa e një lokacioni.

 “E kemi projektuar që dy herë në buxhet edhe vitin e  kaluar edhe këtë vit. Ne kemi probleme të caktimit të lokacionit sepse në Vushtrri nuk kemi gjetur hapësirë publike. Është problem edhe pagesa e të punësuarve që do të bëhet nga Ministria.  Ne do të flasim me shoqatën e OVL që është e vendosur në qendër të Vushtrrisë dhe të zhvendosen në objektin e TMK-së, në mënyrë që atë ta bëjmë objekt për të moshuar”, tha ai.

Tutje, kryetari Tahiri tregoi edhe pse ende nuk ka nisur ndërtimi i stacionit të autobusëve në Vushtrri, pasi që 65 mijë banorët e këtij qyteti ende presin rrugës për autobus.

“ Jemi duke punuar me Qeverinë e Kosovës për kthimin e pronës e ish-motel Vicianumit të shndërrohet në stacion të autobusëve. Është parashikuar që të mos prishen objektet aty por vetëm të rinovohen, janë një pjesë e trashëgimisë kulturore. Kemi dhënë 200 miëj euro këtë vit, ne kemi mjetet e ndara këtë  vetëm po presim vendimin e Qeverisë së Kosovës”, tha kryetari i Vushtrrisë.

Në këtë debat, Tahiri ka folur edhe për arrestimin e vëllait të tij  vitin e kaluar në Vushtrri.

Vëllai i Tahirit ishte arrestuar pas një videoje të publikuar ku shihej duke kërkuar ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore të cilat i lëshon Komuna.

I pari i  Vushtrrisë ka thënë se asnjëherë nga prokuroria nuk është marrë në pyetje për këtë çështje dhe se beson që ajo video është e montuar.

“E kam sqaruar që në ditën e parë që përgjegjësia është individuale dhe nuk jam marrë kurrë në pyetje që një vit nga prokuroria. Ajo video është e dekoruar e montuar nga disa anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, ka qenë e programuar prodhimi i asaj video. Koha do të tregoj për këtë çështje. Në gjashtë muajt e parë vëllai im ka qenë edhe shofer por në kohën kur është bërë video zyrtarisht nuk ka qenë vozitësi im”, ka thënë ai.

Tahiri tutje ka thënë se  e ka punësuar vëllanë e tij si vozitës personal për shkak të kërcënimeve që ai i ka pasur gjatë dhe para zgjedhjeve..

Tahiri në debatin përballë Jeta Xharrës ka kërkuar edhe falje për premtimet të cilat i ka bërë dhe nuk ka mundur t’i mbajë, siç është ai për mospërfshirjen e grave në nivelin e qeverisjes.

Por, Tahiri për këtë ua ka hedhur fajin partive me të cilat është në koalicion, duke thënë se ata ia kanë imponuar emrat e drejtorëve për drejtoritë përkatëse.

“Sonte i kërkoj falje të gjitha grave në Vushtrri, për shkak se nuk kam mbërri  m’i përfshi sa duhet në drejtori. Koalicioni dhe struktura e tij më ka imponuar emrat për drejtor, sepse kryetari nuk është aq i plotfuqishëm. E kemi kërkuar nga koalicioni por ka qenë pothuajse e pamundur. Nëse udhëheq komunën pa një koalicionin, natyrisht që do të emëroj”, ka thënë Tahiri.

Në debatin Jeta në Komunë, u diskutua edhe mungesa e logopedëve dhe psikologëve në shkolla, për të cilën kryetari ka thënë se këtë vit kanë mundësi të angazhojnë vetëm pedagogë.

Tahiri ka akuzuar pushtetin e mëparshëm në Vushtrri për punësime partiake në shkolla.

“Këtë vit do të angazhohen pedagogët nëpër shkolla dhe kemi gjetur shkolla me nga 5 kurirë,  militantë partiakë dhe kemi vendosë që të mos punësojmë më staf teknik por të punësojmë logopedë dhe pedagogë, secili fëmijë që ka nevojë të shkojë te logopedi, komuna i subvencion nga 300 deri në 500 euro. Çdo fëmijë që ka ardhë me nevoja të veçanta për të kërkuar një gjë të tillë e kemi ndihmuar”, tha ai.

Gjatë debatit u diskutua edhe rreth objektit të Qendrës Rinore në Vushtrri.

Arianit Jashari, përfaqësues i shoqërisë civile në Vushtrri në emisionin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka treguar për uzurpimin e Qendrës Rinore nga Drejtoria e Kulturës në këtë Komunë.

Jashari ka thënë se ata si shoqëri civile dhe organizata joqeveriare nuk kanë ku t’i kryejnë aktivitetet e tyre.

“Objektin e  Qendrës Rinore që është destinuar që të shfytëzohet nga OJQ-të  e Vushtrrisë por nga përurimi i tij është vendosur stafi i Drejtorisë  së Kulturës. Ka emrin për qendër rinore por nuk përdoret për të. Ne aktivitetet  tona i bëjmë në kafene”, ka thënë ai.

Edhe për këtë problem, i pari i Vushtrrisë ka kërkuar falje para të rinjëve të Vushtrrisë, e poashtu ka premtuar edhe zgjidhje për problemin e tyre.

Një debat i ashpër është zhvilluar në mes Tahirit dhe asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës, Lorik Maxhuni, i cili e ka akuzuar kryetarin për nepotizëm dhe numër më të madh të projekteve për fshatin nga ai vjen.

“Asnjë investim serioz nuk është  bërë gjatë mandatit të tij. Komuna e Vushtrrisë ka hapësira publike por ato janë të uzurpuara. Kryetari pati bërë një premtim që  brenda tre muajve do ta publikojë listën e uzurpatorëve, por një gjë të tillë nuk e ka bërë, sepse familjarë  të tij tashmë jetojnë në prona të uzurpuara. Është shumë e rëndësishme që pushtetarët e Vushtrrisë punësojnë gratë, p.sh. kryertari ka punësuar gruan si teknike dhe farmaciste, drejtori i shëndëtësisë ka punësuar gruan e tij në Drejtorinë e Arsimit, militant të partisë të shumtë të tyre. Kryetari po ashtu në buxhetin që është miratuar për vitin e ardhëm janë gati 70 projekte vëtëm për fshatin Stanoc, nga ai vjen”, tha Maxhuaj

Por kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur Tahiri duke i quajtur gënjeshtra të gjitha.

“Gënjshtra, të gjitha, atë që e publikoi Loriku, që kanë pasë edhe në zgjedhjet e kaluara po që nuk do të ju dhez. Nuk qëndron sepse kam këtu plot fshatra të tjerë në të cilët është investuar dhe do të investohet”, tha i pari i Vushtrrisë.

Por gjatë debatit, Xhafer Tahiri u quajt edhe “llafazan”, nga ana e asamblistëve.

“Ne e kemi llafazan kryetarin, e ka edhe  një profesion tjetër e është edhe hoxhë. Kryetari ka bërë vazhdimisht kontrata mbi vepër, deri në katër herë iu ka vazhduar. Stacioni i autobusëvë çdo vit futet në buxhetin e Komunës, dhe aty ku planifikohet, nuk është pronë hiç e Komunës”, tha Nezir Klinaku nga Lëvizja për Bashkim 

Në fund të debatit, Xhafer Tahiri u pyet edhe për studimin e Komunës së Vushtrrisë për ndikimin e pandemisë  për të cilin u shprenzuan 140 mijë euro nga debati i Vushtrrisë.

Tahiri ka sqaruar se synon që përmes këtij studimi të nxjerrë projekte konkrete të rimëkëmbjës ekonomike.

“Neve si shtab emergjent kemi paraparë një dëm shumë të madh ekonomik. Vushtrria është ndër komunat më të prekura. Ne do të bëjmë një studim që do të kemi 10 projekte të rimëkëmbjes ekonomike. Synimi është që të kemi këto projekte. Nuk e di kush e ka marrë për ta bërë këtë studim. Ne kemi vendos që paratë e dezifektimit ti shpenzojmë dikun tjetër”, tha ai.

 KALLXO.com me 18 gusht 2020 ka publikuar një hulumtim rreth Komunës së Vushtrrisë për problemet e kësaj komunë nën qeverisjen e Xhafer Tahirit.