Stivat e drunjëve të konfiskuar në oborrin e Drejtoris për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”

Sharra që po e shkreton “Sharrin”

Me një pakujdesi të papërshkrueshme, flora e Parkut Kombëtar “Sharri” tash e shumë vjet është vënë në shënjestër të grupeve kriminale duke rrezikuar mijëra hektarë të këtij parku.

 

Stivat e pafund të druve të prerë të konfiskuar kanë mbuluar hapësirën në oborrin e Drejtorisë së Administrimit të Parkut Kombëtar “Sharri” ndër vite  në një pamje që tregon se flora e këtij parku është vënë nën mëshirën e sharrës dhe sëpatës.

Me qindra metër kub dru për çdo vit konfiskohen nga autoritetet në rrugën e tyre me traktorë e kamionë por marrë parasysh efektshmërinë e rojtarëve dhe policisë, supozimi është i lehtë se shumë nga sasia e prerë drunore i shpëton “syrit” të tyre dhe kalon pa u penguar deri në destinacionin ilegal.

Në dritën e asaj që ka thënë poeti amerikan Gary Snyder se “natyra nuk është vend për t’u vizituar, ajo është shtëpi”, me veprimet e tyre grupet kriminale brenda parkut të Sharrit po ia humbin nga viti në vit këtë epitet natyrës magjepsëse të Sharrit. Shifrat tregojnë se gjatë periudhës 2016-2019, janë ngritur mbi 350 padi në gjykata ndaj prerësve ilegalë që janë kapur duke prerë dru në hapësirën e këtij parku.

Parku Kombëtar “Sharri” ndodhet në juglindje, jug dhe jugperëndim të Kosovës. Ligji për Parkun Kombëtar “Sharri”, i miratuar në vitin 2012 në Kuvendin e Kosovës,  përkufizon për këtë qëllim një zonë prej 53,469 hektarësh që bie në territorin e pesë komunave: Kaçanik (4.1%), Shtërpcë (23.9%), Suharekë (4.7%), Prizren (22.2%) dhe Dragash (45.1%).

Gjetjet kanë treguar se një prej problemeve me të cilat ballafaqohet Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” është buxheti i vogël që i destinohet këtij institucioni.

Mungesa e buxhetit rezulton në zvogëlimin e numrit të rojtarëve me kontrata të rregullta por edhe në mungesë të stafit që duhet të jenë brenda normave të cilat janë caktuar me Planin për Menaxhimin e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Problem serioz janë edhe grupet e krimit të organizuar të cilat merren me prerje ilegale të pyjeve në Parkun Kombëtar “Sharri”. Kjo rrezikon që zona të caktuara të humbin vlerat për çka janë shpallur që janë, pra “zona të mbrojtura”, sepse nëse një zonë i humb vlerat si florën apo faunën dhe degradohet, atëherë ajo zonë hiqet si zonë e mbrojtur me ligj nga ligjet e Kosovës.

Prerjet ilegale të pyjeve në Parkun Kombëtar “Sharri”

Mosmarrja parasysh e padive që ka sjellë deri te pranimi në punë i personave të cilët kanë lëndë në gjykatë tregon se sa i brishtë është sistemi gjyqësor apo edhe zbatimi i ligjit në Kosovë. Pra përderisa persona të cilët degradojnë natyrën duhet të dënohen, kjo nuk ndodh në Kosovë. Përkundrazi ka pasur raste kur janë punësuar dhe në njëfarë forme u janë dhënë shtytje që të fitojnë të ardhura ku pastaj mund të investojnë në pajisje të cilat mund t’i bëjnë dëm natyrës, thonë zyrtarë të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me një natyrë të pasur nga flora e fauna, mbi 35% e Parkut Kombëtar “Sharri”, apo mbi 18 mijë hektarë, mbulohet nga vegjetacioni pyjor. Dhe pikërisht ky vegjetacion del të jetë më i rrezikuari. Pyjet e ahut kanë përhapje më të madhe në Parkun Kombëtar “Sharri” me llojet Fagetum montanum dhe Fagetum subalipinum. Kjo hapësirë e madhe rrezikohet më së shumti nga faktori njeri.

Në raportin e gjendjes së mjedisit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës thuhet se gjatë viteve 2011-2012 gjendja e mjedisit nuk ishte e mirë, pasi që kishe dëme të konsiderueshme të pyjeve, sidomos në komunat e Shtërpcës dhe Kaçanikut. Atëbotë, pjesa e parkut në komunën e Shtërpcës menaxhohej nga strukturat paralele serbe ndërsa ajo e Kaçanikut nga institucionet e Kosovës. Në vitin 2013, institucionet paralele janë larguar nga komuna e Shtërpcës dhe nga ai vit pjesa e parkut brenda komunës së Shtërpcës menaxhohet nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”. Pikërisht këto dy komuna, sipas të dhënave të publikuara ndër vite nga Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ishin rajonet të cilat kanë pasur më së shumti probleme me prerjet ilegale.

Në analizën që e ka bërë Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), zyrtarët që merren me mbrojtjen e pyjeve  janë shprehur të bindur që në pjesën e Kaçanikut operon krim i organizuar sa i përket prerjes së drunjve.

Operacioni zhvillohet në atë mënyrë që një grup i personave përcjellin rojtarët dhe policinë dhe këtë e bëjnë duke punësuar individë të tjerë. Ata madje thonë se identiteti dhe emrat e tyre janë të paraqitura në stacionin policor të Kaçanikut ndërsa janë bërë me dhjetëra fletëparaqitje në gjykatë. Ekspertët frikësohen se lënia e fatit të Parkut në mëshirë të këtyre grupeve do ta shpërfytyrojë këtë bukuri natyrore të Kosovës.

Automjetet e konfiskuara me dru në oborrin Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”

Behxhet Mustafa, profesor i Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë se dëmtimi i natyrës nga prerjet ilegale është shumë i dëmshëm.

Nëse prerjet vazhdojnë në me ritmin aktual, Mustafa thotë se atëherë Parku Kombëtar “Sharri” do ta humbë vlerën si rezervat i natyrës dhe kjo më pas do të ndikonte edhe në humbjen e statusit si “zonë e mbrojtur”.

Ligji për Mbrojtjen e Natyrës e ndalon prerjen e drunjve në Parkun Kombëtar “Sharri”. Në ligj thuhet se vlerat e mbrojtura të natyrës janë zonat e mbrojtura, përfshirë këtu Parkun Kombëtar ”Sharri”, ku të gjitha veprimtaritë e lidhur me shfrytëzimin ekonomik e të mirave të natyrës janë të ndaluara. Sipas Drejtorit të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, Bajram Kafexholli, prerjet lejohen vetëm pastrime “sanitare”, atëherë kur drunjtë janë të sëmurë, të kalbur, të tharë, të shtrembëruar apo të cilat e zënë rrugën. Masa drunore nga pastrimet sanitare është dedikuar për plotësimin e nevojave për dru djegës të komunitetit lokal.

 

Baton Isniqi është biolog dhe ambientalist. Ai është Koordinator i Projekteve për Politika Ambientaliste në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

Publikimi u bë në kuadër të projektit “Zonat e Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit II”, zbatuar nga WWF Adria, me mbështetjen e Agjencisë Suedeze të Zhvillimit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit (Sida).

Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë botim janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën ose pozicionin zyrtar të WWF, Sida ose ndonjë organizate tjetër.