Sfidat për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së 

Shkumbin Ahmetxhekaj për herë të dytë ka marrë më së shumti pikë në garën për drejtor të Radio Televizonit të Kosovës, por bordi sërish ka dështuar të gjejë koncensusin për të zgjedhur atë drejtor në ditën që është mbajtur intervistimi.

Ahmetxhekaj nuk kishte arritur të zgjedhej në konkursin e parë në muajin mars, pasi KALLXO.com zbuloi se në atë test me shkrim, tre prej anëtarëve të bordit u kishin dhënë pikë të njëjta në të gjitha pyetjet tre kandidatëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Shkumbin Ahmetxhekaj. 

Kjo ngriti dyshim për kopjim nga njëri-tjetri të anëtarëve të bordit dhe Bekim Sele, njëri nga këta anëtarë të bordit që kishte dhënë pikë të njëjta me tjerët dha dorëheqje më 28 mars, pasi këto të dhëna u publikuan nga KALLXO.com. Bordi i RTK-së më pas nuk i dha vota të mjaftueshme asnjë kandidati për t`u zgjedhur në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm dhe vendosi të rishpall konkursin.

Sipas rezultateve finale të konkursit të dytë, tash në qershor, Ahmetxhekaj ka qenë përsëri më i poentuari i këtij bordi me gjithsej 83.1 pikë. 

Ai është vlerësuar me më së shumti pikë nga pesë antarët të komisionit të cilët janë Besnik Boletini, Arta Berisha, Driton Hetemi, Safet Kabashi dhe Ivan Raduloviq. Ahmetxhekaj kishte marrë pikë më shumë edhe në konkursin e parë nga i njëjti komision i vlerësimit, por më pas konkursi ishte anuluar.

Ndërsa, Arta Bajrami është vlerësuar me më së shumti pikë nga Byrol Urcan dhe Albulena Mehmeti, ndërsa anëtari Driton Hyseni i kishte dhënë pikë të njëjta me kandidatin tjetër Ahmetxhekaj, secilin e kishte vlerësuar me nga 93 pikë.

Arta Bajrami është renditur e dyta, duke marrë 81.8 pikë dhe tre anëtarë të bordit e kanë poentuar më së shumti. Ajo ka marrë më së shumti pikë nga pesë anëtarë të vlerësimit. Ndërsa Bekim Hasani doli i treti me 80.7 pikë dhe vetëm një anëtar i bordit e ka vlerësuar atë me më së shumti pikë krahasuar me kandidatët e tjerë.

Në komisionin vlerësues për këtë konkurs kanë qenë të gjithë anëtarët e bordit të RTK-së: Besnik Boletini, Arta Berisha, Driton Hetimi, Fatime Lumi- Qehaja, Safet Kabashaj, Albulena Mehmeti, Ivan Radulovic, Shukrie Rama dhe Birol Urcan.

Bordi i Radiotelevizonit të Kosovës fillimisht kishte paralajmëruar se votimi për drejtorin e ri do të bëhet në të njëjtën ditë që është bërë intervistimi, pra të mërkurën më datë 15 qershor 2022 në orët e mbrëmjes. 

Në bazë të rregullorës së re për zgjedhjen e zyrtarëve të lartë të RTK-së që është miratuar më 17 maj 2022, pas përfundimit të intervistave Bordi i RTK-së voton për kandidatin që ka marrë më së shumti pikë.

“Nga lista përfundimtare e pikëve, kandidati me numrin më të madh të pikëve do t’i nënshtrohet votimit, në bazë të ligjit të RTK-së… Në rast se kandidati i parë në listë nuk merr ⅔ e votave të anëtarëve të bordit, atëherë kandidati i dytë do t’i nënshtrohet votimit”, thuhet dy pika të nenit 11 të rregullorës së miratuar nga bordi i RTK-së. 

“Nëse dështon procesi i votimit për kandidatin e dytë në listë, Bordi i RTK-së procedon me rishpalljen e konkursit”.

Në bazë nenit 25 të ligjit për RTK-në, drejtori i përgjithshëm emërohet nga bordi me 2/3 e votave të anëtarëve të bordit. 

Bordi i RTK-së përbëhet nga 11 anëtarë të bordit, që do të thotë se 2/3 e 11 votave është 7.3 vota, pra duhet 8 vota për të zgjedhur drejtorin e përgjithshëm të RTK-së. 

Momentalisht RTK-ja i ka 9 anëtarë të bordit sepse njëri ka dhënë dorëheqje dhe tjetri nga komuniteti serb është në procedurë të përzgjedhjes nga Kuvendi i Kosovës. 

Pra, në bazë të rregullorës dhe ligjit, Bordi i RTK-së fillimisht do të duhej të votonte për kandidatin Shkumbin Ahmetxhekaj dhe nëse ai nuk do të merrte 8 vota, atëherë radha do t’i vinte kandidates Arta Bajrami. E nëse as Bajrami nuk do të merrte 8 vota, konkursi do të duhej të rishpallej.

Megjithatë, bordi nuk hyri në proces të votimit të drejtorit ashtu siç ishte paralajëmëruar pas përfundimit të intervistave. 

Për më tepër, Bordi i RTK-së nuk e ka bërë transparente para monitoruesve arsyen e prolongimit të votimit për drejtorin e ri. 

Pas përfundimit të intervistimit dhe poentimit të kandidatëve, antarët e bordit të RTK-së e kanë marrë një pushim të kafesë. 

Pas këtij pushimi ata nuk janë kthy në zyrën ku është mbajtur intervistimi i kandidatëve dhe ku kanë qenë duke pritur monitoruesit, por kanë hyrë me një zyre tjetër në objektin e RTK-së, në të cilën nuk kanë pas qasje monitoruesit.

Monitoruesit kanë kërkuar të kenë qasje në këtë zyrë, mirëpo asistentja e bordit është përgjigjur se nuk mund të hyjë as ajo në zyre meqë “ata janë bordi”. 

Në këtë takim, i cili është mbajtur në zyrën e kryetarit të bordit pa prezencën e monitoruesve, nuk është ftuar as përkthyesi i Ivan Raduloviqit, anëtarit të bordit, i cili ka përkthyer gjtë gjithë kohës të intervistimit të kandidatëve.

Pas më shumë se gjysëm ore, anëtarët e bordit të RTK-së janë kthyer në zyren ku ishte mbajtur intervistimi i kandidatëve dhe ku monitoruesit ishin duke pritur.  

Me këtë rast, kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini njoftoi se votimi për drejtorin e ri të televizionit publik do të ndodh në ditët në vijim, pa e cekur ditën kur mund të ndodh ky votim.

Hetimi nga Agjencioni Antikorrupcion

Pas intervistimit të kandidatit Shkumbin Ahmetxhekaj, anëtarja e bordit Shukrie Rama ka refuzuar që ta vlerësonte kandidatin me arsyetimin se, sipas Yll Buleshkës, drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Ahmetxhekaj ishte duke u hetuar për një shkelje që ka ndodhur në muajt e fundit sa Ahmetxhekaj ishte U.D. i drejtorit të RTK-së. 

Ajo ka kërkuar që para se të bëjë vlerësimin e kandidatit Ahmetxhekaj të pritet përgjigjja nga Antikorrupsioni rreth kandidatit, në mënyrë që bordi të mos zgjedh kandidat i cili mund të ketë bërë shkelje.

“Duke konsideruar se ky proces ka ndjeshmëri të lartë, unë rezervohem të jap mendimin tim vlerësues për kandidatin, derisa AKK na ofron një sqarim zyrtar me shkrim për këtë rast. Pas këtij sqarimi, unë mund të jap vlerësimin për kandidatin për secilën pyetje që është pergjigjur”, ka thënë ajo.

Pas një diskutimi rreth 20 minuta, ajo bindet që të bëjë vlerësimin për kandidatin Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Nëse ne përfundojmë si landë në gjykatë, do të dal publikisht që e kam ngritur këtë çështje…”, u tha ajo anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Anëtarët e tjerë, përfshirë kryesuesin e Bordit, Besnik Boletini, argumentuan duke thënë që, një hetim i Antikorrupsionit mund të ndodhë, por kjo nuk nënkupton që një kandidat të diskualifikohet, pasi dy dokumente, nga Gjykata dhe Policia, dëshmojnë se kandidati në fjalë nuk ka telashe me ligjin.

Yll Buleshkaj, drejtori i AKK-së, në intervistën e dhënë më 7 qershor në emisionin “KallxoPernime” që transmetohet në TV Dukagjini, ka deklaruar se AKK po e shqyrton rastin e Ahmetxhekajt dhe për këtë do të vendoset brenda qershorit. 

Kandidatja që është rënditur e dyta në garën për Drejtor të Përgjithshëm është, Arta Bajrami. Ajo nuk ka kandiduar fare në konkursin e parë. Bajrami aktualisht është menaxhere e Administratës në Radio Kosovë. Ajo ka punuar në shoqëri civile dhe ishte ligjeruese në Universitet. Gjatë vitit 2013 dhe 2014, ajo ka qenë këshilltare në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në kohën kur kjo ministri udhëhiqej nga Bajram Rexhepi i PDK-së. Ajo është punësuar në RTK në vitin 2018.

Intervistimi 

Për dallim nga konkursi i parë kur kishte test me shkrim, në konkursin e dytë kandidatët që i kanë plotësuar kushtet minimale të vetmin testim e kanë pas intervistimit. 

Intervista është ndarë në dy pjesë ndërsa kandidatët i kanë pasur në dispozicion dy herë nga 20 minuta për t`u përgjigjur, gjithësej 40 minuta. 

Në pjesën e parë, kandidatët kanë prezantuar veten dhe strategjinë që do ta zbatojnë nëse zgjidhen në krye të RTK-së. Për këtë pjesë kandidatët mund të merrnin maksimumi 40 pikë. Ndërsa në pjesën e dytë, kandidatët kanë pasur mundësi të marrin 60 pikë,  nga 10 pikë për secilën nga 6 pyetjet e bëra.

Pyetjet e intervistës janë përpiluar para se të nisnin intervistat në prezencë të monitoruesve. Gjithashtu, është kërkuar që ndonjë pyetje ta propozojnë edhe monitoruesit që ishin prezent.

Secilit kandidat i janë bërë pyetjet e njëjta dhe asnjërit nuk i janë bërë pyetje apo nën-pyetje shtesë. Pas intervistimit të secilit kandidat, komisioni vlerësues (bordi i RTK-së) për disa minuta ka bërë vlerësimin e kandidatit. Poentimi është bërë në mënyrë transparente dhe në mënyrë autonome. Përveç kësaj, secili anëtar i bordit i ka arsyetuar pikët qa ka dhënë për secilin kandidat.

Anise pyetjet ishin të njëjta për secin kandidat, vlërësimi kishte dallime të mëdha mes anëtarve të Bordit. Besnik Boletini e ka vlerësuar me 96 pikë kandidatin Shkumbin Ahmetxhekaj, ndërsa anëtarja tjetër e komisionit Shukrie Rama i ka dhënë vetëm 49 pikë të njëjtit kandidat. Pra kishte një dallim në poentim prej 47 pikëve. 

Dallimi më i madh në poentim ishte tek pyetja e gjashtë që ka pas të bëjë rreth ndikimeve politike. Rama në këtë pyetje e ka vlerësuar Ahmetxhekajn me vetëm 1 pikë, kurse Boletini i ka dhënë 9 pikë nga 10 të mundshme. 

Rama ka argumentuar që vlerësimi minimial në këtë pyetje ka të bëj me faktin që gjatë kohës sa Ahmetxhekaj udhëheq me RTK-në, në vizitë në këtë institucion ka qenë zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi. Vajza e zëvendëskryeministres ka qenë e angazhuar në RTK me kontratë për shërbime, por së fundmi ajo është punësuar me kontratë të rregullt si gazetare. 

KALLXO.com ka kontaktuar me Sabina Rexhepin, e cila e ka mbyllur telefonin sapo është pyetur se ka marrë kontratë të rregullt nga RTK-ja? Ndërkohë, ajo ka postuar fotografi nga puna që bën në RTK, si dhe në hapjen e zyrës së Televizionit Publik në Prizren. 

KALLXO.com ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, për të konfirmuar informacionin nëse vajza e zv.kryeministres është punësuar në RTK me kontratë të rregullt, por ai nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të lajmit.

Punësimi i familjarëve të politikanëve dhe ish-anëtarëve të bordit ishte njëra prej arsyeve pse u shkarkua bordi i kaluar nga Kuvendi i Kosovës. Kallxo.com kishte raportuar për raste të tilla të punësimit si djali i vëllaut të ish presidentit Thaçi dhe dhëndrri i ish kryetarit të bordit Bashota

Anëtarja e bordit Shukrie Rama ka dhënë pikë më të ulëta për të gjithë kandidatët krahasuar me anëtarët e tjerë të bordit.

Dallime të mëdha të pikëve u vërejten edhe te kandidatja Arta Bajrami, e cila doli e dyta më e votuara gjatë intervistimit. Birol Urcan e vlerësoi Bajramin me 97 pikë, nga 100 sa mund të ipen. Dy anëtare të Bordit, Shukrie Rama dhe Fatime Lumi- Qehaja,  e vlerësuan Bajramin me jo më shumë se 65 pikë, një dallim prej 32 pikësh.

Dallim u vërejt edhe në vlersimin e strategjisë së kandidatëve. Me pikë maksimale Arta Bajrami u vlerësua nga katër anëtarë të komisionit vlerësues. Por, anëtarja e bordit Shukrie Rama e poentoi prezantimin e strategjisë së Bajramit me vetëm me 24 nga 40 pikë të mundshme.

Vlerësimin e plotë të të gjithë kandidatëve nga të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së mund ta gjeni duke klikuar KËTU .

“Ju e keni vendosur se kë doni ta zgjidhni”

Dymbëdhjetë persona ia kishin mësy postit të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, por vetëm 9 nga ta plotësuan kriteret ashtu siç parashihte konkursi i shpallur.

Bordi i ka intervistuar vetëm 8 kandidatë, pasi kandidatja Valentina Saraçini nuk pranoi që të intervistohej nga Bordi i RTK-së. 

Ajo herën e parë nuk ishte ftuar fare në intervistë pasi sipas vlerësimit të bërë nga anëtarët e Bordit të RTK-së, ajo nuk kishte marrë pikë të mjaftueshme për të kaluar pragun që ishte vendosur si kusht për t`u ftuar në intervistë.

Saraçini, është paraqitur për intervistim në terminin që është ftuar, por ajo foli vetëm për eliminimin e saj në konkursin e parë.

Ajo e akuzoi Bordin se ata dëshirojnë të marrin një person “statist” në pozitën më të lartë menaxheriale në RTK.

“Ju e keni vendosur se kë doni ta zgjidhni…”, deklaroi Saraçini duke aluduar në kandidatin më të poentuar në dy konkurset, Ahmetxhekajn. 

“Unë nuk e shoh të arsyshme të vazhdoj garën për drejtore të RTK-së, unë kam edhe informacione të brendshme, kështu që nuk e konsideroj se duhet të vazhdoj garën. Unë erdha të ju them se ju nuk keni dhënë prova te unë, që doni një person që do t’ia jap të mbaren këtij institucioni.”, vazhdoi ajo para anëtarëve.

Lista përfundimtare e poentimit nxori Shkumbin Ahmetxhekaj të parin, Arta Bajramin të dytën, Bekim Hasani të tretin, Ylli Kaloshin të katërtin, Bekim Shehun të pestin, Arbreshë Arifi-Teli të gjashtën në rënditje, Naser Thaçi dhe Ardiana Kutllovci ndajën postën e shtatë përkatësisht të tetë.