Ilustrim
Sfidat për ta trajtuar drejtësinë tranzicionale
Njëri nga parimet bazë të drejtësisë tranzicionale është: ‘zhvillimi i proceseve gjyqësore për krimet e luftës dhe procesi i rikuperimit/kompensimit të dëmeve për viktimat’.
Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale në Kosovë identifikon se proceset gjyqësore për krimet e luftës ende nuk janë përfunduar në plotni – edhepse, kanë kaluar 25 vjet.
Në qëndrimet parimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, termi drejtësia tranzicionale i referohet mënyrës se si shoqëritë reagojnë ndaj trashëgimive të shkeljeve masive dhe serioze të të drejtave të njeriut.
Në esencë, drejtësia tranzicionale ka 4 (katër) komponenta, ku përfshihen: ndërtimi i komisioneve të së vërtetës dhe pajtimit, të cilat ndërtohen në mes të palëve në konflikt me qëllim të pajtimit/memorizimit të krimeve. Komponenta e dytë e rëndësishme në drejtësinë tranzicionale është: hetimi dhe gjykimi i krimeve në proceset e ndjekjes penale. Faza e tretë – konsiston me reparacion – kompensimi i viktimave, rehabilitimi dhe riintegrimi. Faza e katërt synon të ndërtojë një shoqëri, e cila garanton mospërsëritjen e krimeve – pajtimin e zgjidhjen e problemeve, të cilat kanë dërguar në konflikt.
Mekanizmat ndërkombëtarë, por edhe dy shtetet: Kosova dhe Serbia, morën obligime për të adresuar çështjet e drejtësisë tranzicionale – përfshirë: obligimet nga Komponenta e Dytë, që kërkon ndjekjen e gjykimin e kriminelëve të luftës.
Të dhënat publike, nga proceset gjyqësore, tregojnë që kompetentët edhepse kanë kaluar 25 vjet, pas Luftës, nuk kanë arritur ta përfundojnë procesin. Dy vendet, Kosova dhe Serbia, ende nuk kanë ndërtuar mekanizma të bashkëpunimit, në ‘hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës’.
Në një Raport, nga misioni i OSCE-së, në Serbi, nga viti 2014, thuhet, se: ‘Autoritetet serbe kanë pasur një bashkëpunim produktiv me institucionet e sundimit të Ligjit: EULEX dhe UNMIK, në Kosovë – prej vitit 2008, në çështjet me rëndësi, si: ndjekja e rasteve të krimeve të luftës, duke përfshirë edhe çështjen e personave të zhdukur’.
Proceset gjyqësore
Për krimet e luftës, në Kosovë, nga autoritetet e Kosovës – përfshirë ato Ndërkombëtare – janë ngritur 116 (njëqind e gjashtëmbëdhjetë) akuza. Prej të cilave: 41 (katërdhjetë e një) persona janë liruar, 41 (katërdhjetë e një) janë dënuar dhe 6 (gjashtë) gjykime janë ende ‘në proces’. Këto procese gjyqësore janë thelbësore, për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për të ndërtuar një memorie kolektive – në lidhje me të kaluarën.
Autoritetet e Kosovës nuk kanë një Databazë, në të cilën supozohet që të vendosen gjykimet ‘e rasteve të krimeve të luftës’ – nga ana e institucioneve vendore.
Në uebfaqen e KGJK-së dhe KPK-së, nuk gjendet asnjë gjykim i bërë nga kohët, kur kompetencën për gjykimin e rasteve, e kishin: UNMIK dhe EULEX. Tutje, gjatë këtij hulumtimi, ka qenë e vështirë edhe qasja online në gjykimet e kryera, nga UNMIK, në Kosovë. Pra, kemi një shkapërderdhje të rasteve, nëpër uebfaqe të organeve korrespoduese.
Prokuroria e Krimeve të Luftës së Serbisë (PKLS) ka ngritur akuzë, kundër një totali prej: 16 (gjashtëmbëdhjetë) të pandehurëve, për kryerjen e krimeve të luftës – kundër civilëve e të burgosurve të luftës. Këto, akuza, janë paraqitur në 14 (katërmbëdhjetë) raste të ndara ligjore.
Rastet e gjykuara nga Trupat Ndërkombëtare
‘Ndjekja dhe gjykimi i krimeve të luftës në Kosovë’ i është besuar: Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, Gjykatave të Rregullta (në Kosovë, në Serbi dhe në Mal të Zi); Dhomave të Specializuara të Kosovës & Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë; UNMIK-ut dhe EULEX-it. Së fundmi, edhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Hagë (ICTY)
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë u themelua në vitin 1993, nga OKB – si përgjigje ndaj ‘krimeve kundër njerëzimit’, të cilat po ndodhnin atëbotë në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Ky Trup, më vonë, gjykoi edhe ‘krimet kundër njerëzimit’, të cilat ndodhën në Kosovë.
15 (pesëmbëdhjetë) persona janë të akuzuar ‘për krime lufte në Kosovë’: 6 (gjashtë) prej tyre janë shqiptarë, 9 (nëntë) prej tyre janë serbë. Të dënuar me Aktgjykim të Plotfuqishëm ‘për krimet e luftës në Kosovë’ janë: 8 (tetë) – prej të cilëve, 2 (dy) janë shqiptarë e 6 (gjashtë) janë serbë.
‘Gjykimi i papërfunduar’ ndaj Sllobodan Millosheviqit
Gjykimi ndaj Sllobodan Millosheviqit karakterizohet si një ndër gjykimet me rëndësinë më të madhe, për ‘krimet e luftës në Kosovë’. Ai akuzohej ‘për shpërnguljen e detyruar të rreth 800,000 civilëve shqiptarë të Kosovës’.
Vrasja e qindra civilëve shqiptarë të Kosovës, sulmet seksuale të kryera nga forcat e RFJ-së e të Serbisë, kundër shqiptarëve të Kosovës – një fushatë sistematike e shkatërrimit të pronave, në pronësi të civilëve shqiptarë të Kosovës.
Millosheviqit iu lëshua fletarrest, më 23 janar 2001. Pas presionit të shumtë ndërkombëtar, ndaj shtetit jugosllav, arrestohet Millosheviqi dhe dërgohet në Tribunal.
Millosheviqi, më pas, kërkon që ta përfaqësojë veten e tij gjatë gjyqit. Me këtë vendim, Tribunali cakton amicus curiae/miq të gjyqit, të cilët shërbejnë për ta ndihmuar Millosheviqin, për një gjykim fair – për ta prezantuar veten mirë e të paanshëm; duke siguruar se ai nuk do të anashkalojë me apo pa qëllim, ndonjë gjë gjatë procesit të gjykimit.
Më vonë, më 2001, Millosheviqi akuzohet edhe: ‘për krime në Kroaci’ e ‘gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë’.
Procesi gjyqësor, ndaj tij, filloi më 5 shkurt 2002, por nuk përfundoi – për shkak se, më 31 maj, Millosheviqi vdes nga sulmi në zemër, në paraburgim.
Çfarë ka ndodhur – prej fillimit e deri në vdekjen e Millosheviqit – mund të gjendet, në këtë vegzë.
Si formësoi ky proces memorien kolektive?!
Anipse, gjyqi ndaj Millosheviqit nuk rezultoi në një vendim përfundimtar, sasia e madhe e provave e dëshmive të paraqitura, në ICTY, kontribuan në kujtesën kolektive – duke përmendur mizoritë e kryera, gjatë konfliktit të armatosur, në Kosovë.
Dosjet përmbajnë në vete: dëshmi nga dëshmitarët, prova materiale dhe dëshmi të ekspertëve – ‘për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocid’. Kjo, përpjekje, dëshmon – që, anipse familjet e viktimave nuk morën përgjigje – në këtë mënyrë, më së miri preket shtylla e kërkimit të së vërtetës të drejtësisë tranzicionale, për familjet e viktimave të regjimit të atëhershëm.
Megjithatë, gjyqi ishte kyç në përcaktimin e përgjegjësisë komanduese të Millosheviqit. Si kreu i shtetit, ai nuk u akuzua për veprime të drejtpërdrejta – por, për rolin e tij ‘në orkestrimin e mbikëqyrjen e krimeve të kryera nga forcat serbe’. Edhe pas vdekjes së tij, vazhdon gjyqi për krerët e tjerë, të cilët u akuzuan bashkë me të. Përpos Millosheviqit, Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat ‘për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë’.
Nikolla Shainoviq, Zëvendës Kryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burg ‘për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës’. Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, ishte dënuar me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg ‘për krime kundër njerëzimit’. Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, ishte dënuar me 22 (njëzet e dy) vjet burg ‘për krime kundër njerëzimit’ dhe ‘shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës’. Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, ishte dënuar me 14 (katërmbëdhjetë) vjet burg ‘për krime kundër njerëzimit’. Sreten Llukiq, ish-Shefi i Stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 (njëzet) vjet burg ‘për krime kundër njerëzimit’ dhe ‘shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës’.
Aktgjykimin e plotë, në gjuhën angleze, e gjeni, këtu: LINK.