Ilustrim

Sfidat e zhvillimit të strehimoreve në Kosovë

Mbështetja dhe organizimi i strehimoreve të viktimave të dhunës në familje në Kosovë vazhdon të përballet me sfida organizative dhe financiare.

Një hulumtim i Internews Kosova i realizuar në mes muajve janar dhe mars ka zbardhur një varg problemesh me të cilat ballafaqohen qendrat.

Hulumtimi që kishte për qëllim sigurimin e të dhënave për mënyrën e financimit mënyrën e menaxhimit dhe pronat e vendosura të strehimoreve shpërfaqë sfida sidomos në financimin e strehimoreve.

Gjatë vitit 2022 policia ka iniciuar 2794 raste të dhunës në familje, ku 2289 viktima kanë qenë gra e vajza, ndërsa vetëm 519 burra. Të dhënat për vitin 2023 na tregojnë se në janar të këtij vitit janë evidentuar 216 raste të dhunës në familje, ku gra e vajza kanë qenë 177 viktima ndërsa burra 54.

Kjo analizë do të pasqyroj funksionimin e strehimoreve, qëndrueshmërinë e tyre financiare, rregullimin e brendshëm të strehimoreve përmes akteve, profesionalizimin e stafit, menaxhimin me fonde, si dhe një pjesë e analizës shtrihet në bashkëpunimin e strehimorëve si qendra për ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje në njërën anë dhe në anën tjetër me organet qendrore dhe komunat si njësi lokale qeverisëse.

 

Rregullimi i strehimoreve dhe sfidat e evidentuara

Në nivelin lokal Republika e Kosovës nuk ka të përcaktuara obligimet që i kanë komunat karshi strehimoreve të viktimave.

Si rrjedhojë komunat kanë adoptuar forma individuale të përkrahjes për strehimore pa krijuar një standard kombëtar për përkrahjen e qendrave.

Komunat si Peja, Gjakova, Prizreni, Prishtina e Gjilani, kanë ofruar të dhëna të cilat dëshmojnë që përkrahja për strehimoret dallon nga një komunë në tjetrën.

Shembull në Komunën e Gjakovës është evidentuar standardi ku komuna ofron banesa sociale për viktimat e dhunës në familje standard ky që nuk haset në komunat e tjera.

Në të gjitha komunat e anketuara është vërejtur se financimi i ndarë për strehimoret nga komunat është ad-hock dhe nuk i nënshtrohet një politike të përgjithshme shtetërore.

Ministria e Drejtësisë nga fillimi i vitit i ka marrë në kompetencë menaxhimin e punëtorëve social.

Momentalisht Strehimoret të cilat licencohen kanë të drejtë aplikimi për grante të financimit për periudhën 1 vjeçare.

Kjo formë e financimit krijon probleme sidomos në qëndrueshmërinë financiare të strehimoreve.

Nazlie Bala nga MD thotë se planet e Ministrisë janë që kjo politikë të ndryshohet dhe financimi të garantohet për afatin prej 3 vite.

Një e gjetur tjetër e evidentuar është që financat monitorohen mirëpo nuk ka auditime të obligueshme.

Zyrtarja e Ministrisë së Drejtësisë, na tha se monitorimi i shpenzimeve bëhet në kuadër të  Departamentit për Politika Sociale, ku vepron një komision që në periudha të ndryshme kohore zbaton planin e monitorimit të strehimoreve.

Bala tha se strehimoret dhe organizatat e tjera që përfitojnë nga ky subvencion janë të obliguara që raportet narrative dhe financiare t`i dorëzojnë në Departamentin e politikave sociale, ku bëhet evidentimi i shpenzimeve karshi shërbimeve që i kanë ofruar.

Gjendja në terren

Strehimorja e qytetit të Pejës sipas përgjigjeve nga kjo komunë mbështetet përmes subvencionimit që realizohet përmes projekteve të cilat aplikojnë në thirrje publike. Këta të fundit potencojnë se ky subvencionim përveç shumës së mjeteve të ndara përfshin edhe mallrat dhe shërbimet e shpenzimet komunale.

Ndërsa sa i përket mbikëqyrjes së shpenzimeve nga ana e strehimoreve, Komuna e Pejës përmes një vendimi të kryetarit të Komunës ka caktuar dy zyrtarë monitorues që përkujdesen që projektet të implementohen në plotni sipas shumës së financuar dhe aktiviteteve të parapara në projekt.

Komuna e Gjakovës në përgjigje për KALLXO.com ka njoftuar se strehimorja për dhunë në familje në Gjakovë është ndihmuar nga komuna për 3 vite radhazi, 2020, 2021, 2022 me një shumë prej 4000 euro, shumë kjo me qëllim të mbulimit të një pjesë të shpenzimeve të strehimores.

E mbikëqyrja e shpenzimeve nga Komuna e Gjakovës bëhet përmes një raporti për çdo vit që i dorëzohet Komunës nga Strehimorja. Ky raport narrativ sipas përgjigjes së Drejtorisë përfshin edhe faturat e shpenzimeve si dëshmi të realizimit të këtyre fondeve.

Komuna e Gjilanit tha se formën e financimit e bën përmes një formule të përcaktuar nga Ministria, e që përfshin kompensim të rasteve të strehuara, si dhe subvencionimi që ndahet nga buxheti i Drejtorisë se shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, buxhet ky për ofrimin e shërbimeve sociale mbështetëse.

Kjo komunë mbikëqyrjen e shpenzimeve të strehimores për dhunë në familje e bën në bazë të një rregullore për mbikëqyrjen e subvencioneve që zbatohet nga Drejtoria në fjalë dhe komuna e Gjilanit.

Komuna e Prishtinës mbështetjen financiare e bën përmes subvencionimit, ku sipas Drejtorisë për mirëqenie sociale vitin e kaluar e vazhdon të ketë mbështetje edhe për këta muajt e parë të këtij viti “Shtëpia dhe Shpresa e Fëmijëve”.

Po ashtu kjo drejtori na ka njoftuar se një forme tjetër është edhe mbështetja përmes një memorandumi të mirëkuptimit, marrëveshje kjo e nivelit rajonal.

Mbikëqyrja e realizimit të shpenzimeve nga komuna e Prishtinës bëhet përmes kërkesës për raporte të rregullta të shpenzimeve,  si dhe përmes ekipit të monitorimit që është në terren e që kujdesen në vazhdimësi se sa po kryhen aktivitetet në fjalë.

Komuna e Prizrenit mbështetjen e ofron përmes investimit në ngritje të kapaciteteve strehuese dhe financimin e OJQ-ve që ofrojnë shërbime të specializuara për strehim, ndërsa mbikëqyrjen e shpenzimeve kjo komunë e aplikon përmes mbikëqyrjes se realizimit të projekteve më të cilat aplikojnë OJQ në baza vjetore.

 Qëndrueshmëria financiare

7 strehimoret e Kosovës si burim financimi kanë nivelin qendror, atë lokal, dhe donacionet, por që nuk e kanë të garantuar qëndrueshmërinë financiare, kjo pasi financimi bëhet vit për vit përmes thirrjeve publike në projekte.

Strehimorja në Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe në Gjilan kanë treguar se nuk kanë qëndrueshmëri financiare pasi vit për vit financimi behët pas procedurave të aplikimit në projekte.

Ndërsa lidhur me çështjen e financimit nga donatorët asnjë nga strehimoret nuk kanë të ndërtuar ndonjë sistem për përfitim të donacioneve të jashtme.

Ndërsa janë vërejtur dallime mes strehimoreve sa i përket financimit që iu bëhet nga fondet publike dhe nga donatorët ndërkombëtar.

Me përqindje identike në këtë drejtim janë strehimorja në Ferizaj dhe ajo në Prizren, ndërsa strehimorja në Gjilan na ka evidentuar se kjo ndarje bëhet në gjysmë  në të dy anët.

Ndërsa strehimorja në Prishtinë ka raste kur financimi nga fondet publike shkon deri në 30%.

Anëtarët e Bordit të këtyre strehimoreve, sipas deklarimeve të këtyre të fundit vetëm e mbikëqyrin menaxhimin, e nuk janë donatorë të strehimorëve.

Strehimorja në Ferizaj shtoi se anëtarët e Bordit janë nga shoqëria civile, si ekspertë të jashtëm, ndërsa strehimorja në Gjakovë ka deklaruar se anëtare e Bordit është një nga themeluesit.

Pronësia e objekteve të strehimoreve

Shumica e strehimoreve që mbron viktimat e dhunës në familje nuk i kanë objektet në pronësi, përveç strehimores në Gjakovë dhe asaj në Pejë që i kanë në pronësi të tyre.

Të dhënat e mbledhura nga terreni tregojnë se strehimorja në Gjilan e ka në shfrytëzim objektin nga viti 2002, e që sipas këtyre të fundit këtë do e kenë në vazhdimësi deri sa të jetë e nevojshme.

Strehimorja në Prizren ka treguar se shfrytëzojnë objektin e komunës, e njëjtë edhe ajo e Prishtinës që ka specifikuar që nuk paguajnë qera për shfrytëzim.

Ndërsa qendra në Ferizaj objektin ku qëndrojnë viktimat e dhunës në familje, e mban përmes qirasë.

 Qëndrueshmëria organizative

Disa prej strehimoreve në Kosovë që janë marrë si bazë për këtë hulumtim kanë mënyra pothuajse të ngjashme të organizmit përmes akteve të brendshme.

Të dhënat na tregojnë se Strehimorja në Ferizaj, Gjilan, Prizren, Prishtinë, Gjakovë dhe ajo në Pejë të gjitha kanë statut përmes të cilit rregullohen disa çështje të strukturës organizative.

Në përgjithësi shumica e strehimoreve kanë strategji dhe rregullore financiare por mungojnë rregulloret apo aktet për parandalimin e ngacmimeve seksuale dhe rregulloret për trajtimin e sinjalizimit.

Strehimorja në Ferizaj në përgjigjet e tyre ka thënë se ata kanë rregullore të brendshme por pa i specifikuar se a janë ato për të cilat është kërkuar veç e veç.

Kjo strehimore ka deklaruar se ka akt themelimi dhe strategji.

Pothuajse përgjigje të njëjtë ka dhënë edhe strehimorja në Prizren, ku këta të fundit na kanë bërë të ditur se kanë rregullore dhe strategji.

Strehimorja në Prishtinë thotë se të gjitha rregulloret që janë përmendur nga KALLXO.com janë të përfshira në vetëm një rregullore të brendshme që e ka mundësia e zhvillimit dhe vizioni strategjik.

Pra nuk kanë rregullore veç e veç por vetëm një dokument që mund të përmbaj rregulla të përbashkëta.

Strehimorja në Gjilan ishte me specifike në përgjigjet e tyre sa i përket strukturës organizative. Kjo pasi këta të fundit na kanë njoftuar se kanë rregullore për financim, rregullore për sigurinë dhe shëndetin në punë, rregullore për ndalimin e ngacmimeve seksuale si dhe rregullore për menaxhimin e burimeve njerëzore.

Ndërsa nuk kanë rregullore për sinjalizim.

Strehimorja në Gjakovë na ka deklaruar se ka rregullore financiare, ndërsa rregulloren për siguri në punë e kanë të përfshirë në manual. Ndërsa kanë shtuar se nuk kanë rregullore për sinjalizim dhe rregullore për parandalimin e ngacmimeve seksuale.

Ajo e Pejës na tha se ka rregullore financiare, për sigurinë dhe shëndetin në Punë, si dhe në rregulloren e përgjithshme e kanë të përfshire rregulloren për parandalimin e ngacmimeve seksuale.

Ndërsa nuk ka rregullore për sinjalizim.

 Profesionalizmi i stafit

Në kuadër të strukturës organizative dhe funksionimit të së njëjtës, analiza trajton edhe profesionalizmin e stafit dhe kriteret për rekrutimin e tyre.

Në këtë drejtim fillimisht strehimorja e Gjilanit, Gjakovës dhe Pejës e kanë nënshkruar një deklaratë konfidencialiteti që nënkupton që informacionet lidhur me të strehuarat në strehimore të mbesin konfidenciale.

Këtu strehimorja e Prishtinës na ka treguar se kjo çështje e po ashtu edhe procedurat e rekrutimit janë të përfshira në një rregullore të brendshme.

Strehimorja në Prizren dhe ajo në Ferizaj nuk ka kthyer përgjigje për këtë pjesë të analizës.

Lidhur me certifikimin e stafit për siguri në Punë, strehimorja në Gjakovë ka deklaruar se vetëm drejtoresha është e certifikuar.

Strehimorja në Pejë tha se ka staf të certifikuar për sigurinë në punë, ndërsa lidhur me procedurat e rekrutimit e kanë të rregulluar me rregullore të punës.

Ajo në Gjilan nuk ka staf të certifikuar për siguri në Punë, ndërsa strehimoret e tjera nuk janë deklaruar për këtë çështje.

Rekrutimi i stafit bëhet përmes rregullave që përcaktohen në manual në strehimoren në Gjakovë, ndërsa strehimorja në Gjilan na ka njoftuar se kanë akt që i përcakton këto procedura.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.