Sfidat e ricikluesit të plastikës nga Peja

‘Rec-plast’ është një kompani private në Pejë që merret me riciklimin e mbetjeve të plastikës.

Kjo kompani këtë veprimtari e ka filluar qysh në vitin 2000, ndërsa në vitin 2008 janë licencuar nga Ministria e Ambientit, si biznes që e riciklon plastikën dhe e përgatit atë për përdorim.

Fezqet Krasniqi, pronar i kësaj kompanie, thotë se në Kosovë duhet një stimulim i njerëzve, për të bërë klasifikimin e mbetjeve të plastikës.

“Duhet shumë angazhim dhe stimulim tek njerëzit që me e bo grumbullimin e mbetjeve të plastikës. Domethënë ne së pari i angazhojmë njerëzit për me bo grumbullim, sepse nuk kanë njohuri për klasifikim, mandej në kompaninë tonë bëhet klasifikimi dhe përpunimi i lëndës së pare”, thotë Krasniqi për KALLXO.com.

Ai thotë se duke filluar prej mbetjeve të plastikës të përziera, i klasifikojnë në lloje të caktuara, pastaj ato bluhen, pastrohen dhe më pas shiten tek prodhuesit vendorë.

Në kompaninë e Krasniqit janë të punësuar 10 persona, ndërsa thotë se ka nevojë edhe për më shumë punëtorë.

“Jemi 10 punëtorë, plus 4 anëtarë të familjes të angazhuar edhe kemi nevojë për shumë punëtorë, mos të them për 20, sepse 20 kishim pasë mundësi për momentin me i marrë, sa më shumë punëtorë, duhet edhe hapësirë. Ne këtë hapësirë që po e shihni është pronë private, ku nuk na jepet mundësia që me u zgjeru më shumë, sepse kjo veprimtari do hapësirë, do makineri”, tha ai.

Që nga viti 2008, kur edhe është licencuar për këtë veprimtari, Krasniqi thotë se nuk ka pasur asnjëherë përkrahje, as nga Komuna e as nga Ministria.

“Asnjëherë (nuk kemi pasur përkrahje), ne sot jemi në vitin 2021, prej vitit 2008 jemi kompani e licencuar. Përvec kur ne kemi pasur vazhdim të licencës, kanë ardhur inspektorët kanë inspektu, edhe na i kanë qitë taksat, që për neve janë të mëdhaja, e për ta janë të vogla, i kemi pagu ato takasa, jemi pajisur me licenca”, shtoi ai.

Ndërsa përkrahjen e vetme, sipas tij, e kanë marrë nga organizata zvicerane ‘Swiss Contact’, por që Krasniqi ka thënë se ajo ndihmë nuk i ka ndihmuar për zhvillimin e mëtutjeshëm të biznesit të tij.

Tutje, Krasniqi ka thënë se në Kosovë duhet një vetëdijësim më i lartë i qytetarëve për mbetjet e plastikës.

“Në Kosovë së pari duhet vetëdijësim i qytetarëve sa i përket mbetjeve të plastikës, sepse ne i blejmë këto mbeturina, krejt vendet e botës qytetarët paguajnë për me i gjujtë, domethënë ne jemi duke ndikuar direkt në ruajtjen e ambientit, duke i përkrahë qytetarët me mjetet tona financaare”, ka rrëfyer Krasniqi për KALLXO.com.

Kosova, që nga viti 2017, ka eksportuar rreth 8 milionë e 500 mijë kilogramë plastikë, në vlerë totale prej 3 milionë e 129 mijë eurove.