Sfidat e gjuhës shqipe, a duhet të preket standardi?

Në fund të vitit të kaluar është shënuar 50 vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit, atij kongresi që e përcaktoi se cila do të jetë gjuha standarde shqipe.

Mirëpo që prej asaj kohe ka studiues, publicistë, shkrimtarë dhe përdorues të gjuhës shqipe që në fakt e kanë shty shumë përpara argumentin se vetëm shqipja e standardit është shqipe.

Për këtë temë u diskutua edhe në emisionin #KallxoPernime.

Gjuhëtari nga Akademia e Shkencave të Kosovës, Bardh Rugova ka thënë se janë disa mite për gjuhën shqipe që duhet të thyhen, e njëra prej tyre është që standardi nuk duhet të preket.

“Shkenca nuk njeh parashkrim, ajo pranon vetëm përshkrimin linguistik dhe gjurmimin e gjendjes gjuhësore. Ne shikojmë dinamikat e zhvillimit, shikojmë si përdoret një formë dhe në bazë të tyre, nëse duam të bëjmë një rishikim të standardit pastaj gjejmë përgjigje të parashikojmë mënyrat”, ka thënë Rugova.

Kohë më parë, Rugova kishte botuar një studim, ku kishte listuar disa mite që duhet të thehen në gjuhën shqipe.

Sejdi Gashi nga Instituti Albanologjik i Kosovës, ka thënë se sa i përket ndryshimit të standardit, ky institucion nuk ka paraqitur ndonjë pengesë.

“Instituti ka folur me gjuhën e agrumenteve, me gjuhën e shkencës asnjëherë nuk kemi prodhuar debate në formën fërkimore, Instituti prej kohësh ka qëndrimet e veta dhe ne si punonjës i kemi kanalizuar gjetjet përmes gjetjeve, studimeve që i kemi bërë. Rezultatet e studimeve tona janë publike, janë të qëndrushme dhe kanë një bazë të fortë shkencore”, ka thënë Gashi.

Gazmend Bërlajolli, përkthyes, e ka quajtur fatkeqësi të madhe faktin që njerëzit që janë përfshirë në debatin rreth gjuhës, janë të dy taborëve.

Sipas tij nuk ka diçka konkrete as në fushën e shkencës që me na orientu se çka po ndryshojmë.

“Çka po marrim ne që me e bo standardin sa më gjithëpërfshirës, me e fut edhe shqiptarin gegë, me u ndi brenda shtëpisë së vet se ne e përjetojmë standardin si diçka që le çka din prej gjuhës së shoqërisë që të rrethon dhe kce te ajo imitimi një lloj varieteti që flitet në Shqipëri edhe në tv e Tiranës”, ka thënë Bërlajolli.

Sipas tij, nuk ka njerëz që të merren me taboret.

“Janë tri ftyra që ka secila gjuhë. 1-tingullor, kur thuhet është ba, është bërë, te ky mund të bëhët pak në kuptimin e ndryshimit, fjala rënd me ndryshu me rand, është ndryshim kozmetik, vetëm sa i huton njerzit. 2- gramatika, ‘mundemi me shku, mund të shkojmë’, këtu kemi hapësirë me lëviz. Pra me e fut paskajoren. 3- Leksiku”, ka thënë më tej Berlajolli.

Donika Dabishevci thotë se autori nuk është i obliguar që t`i përfillë normat gjuhësore.

“Një autor mund të shkruaj në dialekt apo tek e fundit të shpik një stil të vetin autorial. Nuk ka kurrfarë autoriteti as gjuhësor as shtetëror i cili mundet me ndalu. Në komunikimin e përditshëm, në atë privat askush nuk e ndalon përdorimin e çfarëdo lloj varieteti gjuhësor, asnjëri nga ne këtu se besoj që e flet gjuhën standarde në shtëpi”, ka thënë Dabishevci.

Sebastien Gricourt, këshilltar qeveritar, që jeton në Kosovë, thotë se kur e ka mësuar gjuhën shqipe në Francë, prej edhe nga e ka prejardhjen, e ka mësuar gjuhën standarde, pos kësaj edhe dialektologjinë.

“Dmth të jemi në gjendje edhe të lexojmë tekste të vjetra sepse ne ishim futur të jemi hulumtues, jo se e kam bërë por isha përgatit për atë punë. Nëse flas si përkthyes i letërsisë shqipe e kam një vështirësi aty, se frëngjishtja e ke vetëm një frëngjisht, nëse e lexoj një tekst gegërisht dhe duhet ta përkthej frëngjisht e përkthej frëngjisht, a jam duke përkthy shqipen a jam duke përkthy gegërishten, s`ka rëndësi nuk kanë dallim se në fund do të jetë vetëm frëngjisht”, ka thënë Gricourt.

Manjola Lumani Zaçellari, eksperte e politikave gjuhësore nga Shqipëria, ka thënë se nuk është për një rishikim të thellë të standardit.

“Unë nuk jam për një rikthim mbrapa, e gjitha kjo do të kërkonte një kosto të madhe, për më tepër unë mendoj që nuk ka nevojë të rishikohet standardi, kështu thellësisht”, ka thënë Lumani Zaçellari.

 

Akademia e Shkencave të Kosovës nuk mori pjesë në hartimin e fjalorit të përbashkët me Shqipërinë

Manjola Lumani Zaçellari, eksperte e politikave gjuhësore, në emisionin #KallxoPernime, ku u diskutua për sfidat e gjuhës shqipe, ka thënë se është pjesë e grupit ku po hartohet fjalori i gjuhës shqipe në kuadër të Akademisë së Shkencave të Tiranës në bashkëpunim me atë të Kosovës.

Në këtë fjalor ka shpjeguar Lumani Zaçellari, po vihen lëndë gjuhësore nga të gjithë autorët që i përkasin aleatit të veriut.

“Në fjalorin që do të kemi në duar në fund të këtij viti, do të jetë i pasuruar edhe me gjithë këtë pasuri gjuhësore që na vjen nga autorët gegë”, ka thënë Lumani Zaçellari.

Sejdi Gashi, nga Instituti Albanologjik ka thënë se kur të dal ky fjalor në formë të shtypur aty do të figuroj edhe logoja e Akademisë së Shkencave të Kosovës.

“Pse s’janë angazhuar në anën praktike, këtu mund të na sqaroj profesor Bardhi. Ka profesor edhe nga UP-ja, disa punonjës të Institutit, jo të gjithë ata të degës së gjuhësisë por vetëm njerëzit që janë marr me pjesën e leksikut, pjesën e hulumtimeve në terren, janë angazhuar në projekt”, ka thënë Gashi.

Bardh Rugova e ka mohuar përfshirjen e Akademisë së Shkencave të Kosovës në këtë projekt.

“Ne e kemi marr ka ardh si projekt, e kemi pranuar, si projekt nuk i përmbush as përafërsisht konceptualisht në kuptimin e dijes, nevojat për një fjalor të kësaj natyre dhe ne si departament kemi thënë që nuk do të përfshihemi”, ka thënë Rugova.

Rugova ka treguar rastin se si i kanë dërguar edhe email nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë se është i përfshirë në këtë hartim të fjalorit, por sipas tij ky e ka refuzuar duke i quajtur të paditur Akademinë e Shkencave të Tiranës.

“Me ju nuk merrem sepse ti s’po din, ju nuk dini. Ne kemi thënë se ky sistem qysh ju jeni duke dashur me bo fjalorin, nuk bëhet, nuk funksionon kështu, dija e leksikologjisë nuk është qikjo”, ka thënë Rugova.

Ai ka shtuar se në bazë të një studimi që ai ka bërë del që mbi 10 mijë fjalë që përdorën në gazetat e Kosovës dhe mbi 10 mijë të tjera që përdoren në gazetat e Shqipërisë, por që nuk përdoren tek njëra tjetra.

“As Rexhep Ismaili nuk është i përfshimë as Shkumbin Munishi që është i përfshirë po ashtu në Akademi, as Mehmet Halimi, dmth asnjëri nuk jemi, nuk është as Departamenti i Gjuhës Shqipe i UP-së. Qysh po don me bo ti diçka që është unifikuese, njësuese që qenka e të gjithëve, e nuk janë dy institucionet ma të rëndësishme të Kosovës”, ka thënë Rugova.

Manjola Lumani Zaçellari, eksperte e politikave gjuhësore, është kundër rishikimit të standardit të gjuhës shqipe.

“Unë nuk jam për rishikim të thelllë të standardit, as për një kthim mbrapa, e gjitha kjo do të kërkonte një kosto të madhe. Për më tepër unë nuk mendoj që ka nevojë për një gjë të tillë”, ka  thënë ajo.

Më tej ka shtuar se gjuha është mekanizëm i gjallë që ndryshon tërë kohës dhe sipas saj patjetër duhet të shihet si e tillë.

“Një ndryshim kaq rrënjësor nuk mendoj që do t`i bënte mirë diçkaje që është standardizuar dhe i ka dhënë rezultatet e veta”, ka thënë më tej Lumani Zaçellari.

Rugova ka pyetur Lumani Zaçellarin se çfarë ka lexuar 20 vitet e fundit.

“Ky konceptim linguistik është i ’72-ës në Shqipëri e që i bjen diku para 1916-ës. Kjo është çështje linguistike dhe e cila shkencë mbështetet në rezultate komulative”, ka thënë Rugova.

Sjedi Gashi nga Instituti Albanologjik ka thënë se në kontratën që ka firmosur me Institutin Albanologjik të Tiranës thotë që ky projekt është në kuadër të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

“Tani është çështje tjëtër pse këta e kanë refuzu si tendencën e dijes ose mos dijes, këto janë çështje të brendshme të akademisë, nuk më takon të ndërlidhem”, ka thënë Gashi i cili është pyetur nga Rugova se si mund të jetë dija tendencë?

Ndërsa Gashi ka thënë se Akademia e Shkencave të Tiranës ka një traditë që e ka dëshmuar se sa di.

“Unë nuk marr guximin ta quaj dikë të padishëm (siç kanë vepruar Akademia e Shkencave të Kosovës), nuk e kam kulturë. Ndërsa tek aspekti linguistik nuk kemi ndonjë analizë apo studim serioz të mirëfillt gjithandej botës shqiptare për të parë se sa standardi aktual ka arritur të zotërohet nga faqet e shqipes gjithandej”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, qasja refuzuese se kush di e kush s’di, nuk e dërgon Kosovën askund.

“Çdo ndërhyrje në gjuhë duhet t`i paraprijë edhe një arsyeshmëri, një bazë shkencore, unë nuk jam kundër futjes së paskajorës. Nuk është fontanë dëshirash e X folësit”, ka thënë Gashi.

Sebastien Gricourt, këshilltar qeveritar, ka thënë se ka problem çështjen e fjalëve të huazuara, duke shtuar që ndonëse ndodh në gjithë botën të huazohen fjalët por që sipas tij duhet të kontrollohen.

“Kur nuk ke një punë serioze për të kufizuar huazimet, po bëhen fjali të pakuptueshme sepse njeriu si banorë nuk e kupton tash shumë fjalë psh me çështjet evropiane”, ka thënë ai.

Më tej Gricourt është shprehur i habitur se si në Kosovë përdoret fjala ‘Stabilizim Asociim’.

“Ende habitem kur i shoh këtu dy ‘i’ të bashkuara është kundër çdo gjuhe. Kur kam ardh në Kosovë në 97-tën, shumë fjalë ishin të huazuara nga serbishtja, sot ato u zhduken, por u zëvendësuan me anglishten. Edhe po shoh fjalë palidhje psh fjala Asociacion’, e keni pa si shkruhet ende sot e kam problem me shkru”, ka thënë Gricourt.

‘Prapashtesa -UR, na përçan ne shqiptarëve’

Gazmend Bërlajolli, përkthyes, në emisionin ‘KallxoPërnime’ ka thënë se nuk është problemi te një ‘fjalor muze’ të fjalëve por sipas tij problemi qëndron tek një standard përfshinë krejt aftësitë shprehëse të shqipes.

Bërlajolli ka thënë se në bazë të studimit që ai ka realizuar, del që me ndërhyrjen më të vogël do të arrihet më e madhja e dëshirueshme.

“Duke e përfshi paskajoren që nuk është e gegërishtes, por duke e përfshirë se është e shqipes e shqipe tjetër s’ka. Unë e bëj një propozim që me ndërhyrjen më të vogël me e mbrri më të madhin efekt, veç shkurtojmë pjesorën aktuale, kur thojmë kam shku jo kam shkuar, kam mbet, kam prit, se ajo ‘ur’-i, s’ka funksion tjëtër në gjuhë, përveç se me na mbajt të përçamë”, ka thënë Bërlajolli.

Me këtë nuk u pajtua Sjedi Gashi nga Instituti Albanologjik, i cili thotë se ky është ndryshim substancial.

“Prap do të kemi një grup të shqiptarëve që do të mbesin me vaj në buzë sepse trajta ‘punumun’, ose ‘punue’, që e ka Rugova thotë s’ma ke përfshi tek standardi”, tha Gashi.

Bërlajolli ka thënë se në bazë të matjeve që i ka bërë del që 80% i përdoruesve sot, e shkruajnë veç ‘punu’.

“Ndonëse studimi ishte para disa vjetëve e kjo përqindje ka ardhur duke u rritur, krejt këta te paskajorja e shkruajnë ‘punu’, një përqindje e vogël e shkruajnë ‘punue’, këto të tjerat janë krejt përqindje e vogël. Tash kur ti don me zgjidh çështjen cilën e merr në bazë të matjeve. Unë nuk muj me imponu qefin tem, kundrejt matjeve që m’dalin mu”, ka thënë më tej ai.

Ai ka shtuar se duhet të dallohet se çka i pëlqen egos e çka i pëlqen shkencës.

“Përbashkuese është veç deri te ‘U;-ja, pra ‘punu’, nuk mundesh me e fut ‘punue’ se ajo sot është duke u tkurr edhe ndëgjohet rrallë”, ka shtuar Bërlajolli.

Kënga e këngëtarit Ledri Vula, pjesë e studimit të Bardh Rugovës

Gjuhëtari nga Akademia e Shkencave të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se në kohën kur e ka bërë një studim dhe shembull e ka pasur tekstin “Thirrëm qysh dush”, të këngëtarit Ledri Vula, kënga i ka pasur 15 mijë klikime.

Ai ka shtuar se as Akademia e Shkencave e as ai vet nuk mund t`i bëjnë as 3 mijë klikime, përderisa këngëtari Vula për një kohë aq të shkurtër i ka pasur 15 milionë.

“Tek libri im i fundit e kam tekstin e Ledri Vulës, masi e qes tekstin thomë pe paramendojë Kostallarin (gjuhëtarin), me një laps të kuq duke i nënvizuar gabimet gjuhësore edhe një ministër duke thënë se qysh na e prishën gjuhën qysh na e prishën krejt këtë punë, në kohën kur e kam bërë studimin ajo këngë i ka pas afër 15 milionë klikime se di sa i ka tash, as Kostallari as unë as Akademia e Shkencave s’mund ti bëjmë 3 mijë. DMTH, qysh mujm na me kujtu që mujm dikujt me ja imponu çkado qoftë të kësaj natyre”, ka thënë Rugova.

Ndërsa Sejdi Gashi nga nga Instituti Albanologjik, ka pyetur se ku janë 15 milionë shqiptarë.

“Ne i dimë klikimet e estradës tonë kështuqë mos t`i marrim si të mirëqena”, ka thënë Gashi.

Bardh Rugova nga Akademia e Shkencave të Kosovës ka thënë se në bazë të një këshilli akademik të të dyja akademive të shkencave (Kosovës dhe Shqipërisë), ku janë diskutuar shumë çështje.

“Ka qenë më shumë një grup këshillues, i cili është dashur të jap vendime, pjesa më e madhe e diskutimeve aty nuk kanë sjell konsensus. Dhe një pjesë shumë e madhe e këtyre do të duhej të ishin konsensuale, bile edhe kur është marr një lloj marrëveshjeje, edhe kur është diskutuar çështja e paskajorës”, ka thënë Rugova.

Sipas Rugovës, çështja më shqetësuese është që institucionet nuk marrin iniciativë për të bërë një fjalor, një gramatikë, pra ai thotë që është punë e ekipeve, njerëzve që bashkëpunojnë për të realizuar diçka.

“Pra ne mund të marrim fonde për çështje krejt i relevante, por e kemi shumë të vështirë të kemi fonde për çështje të kësaj natyre, sidomos kur në përshkrim të projektit thuhet do ta bëjmë një gramatikë të re. Ajo gramatikë që ne e kemi, është aq e vjetëruar e aq e pasaktë”, ka thënë Rugova.

Sebastien Gricourt, këshilltar qeveritar, që vjen nga Franca por që një kohë jeton në Kosovë, ka thënë se ndryshimi i Gjuhës Shqipe ka nisur nga një proces krejt tjëtër krahasuar me atë franceze.

“Sot më duket që është një sfidë tjëtër, pra bashkimi i gjuhës. Te ne në Francë ka qenë puna që frëngjishten e kemi përdorë sepse kemi pasur një perandori edhe e kemi krijuar frankofoninë. Në shekullin 19-të, ka qenë një hapësirë franko-folëse. Tash e kemi bërë si mbartës të disa vlerave që ne e quajm universale etj”, ka thënë Gricourt.

Gricourt ka shtuar se në Francë përpiqen të ruhen nga huazimet, në Francë shton ai që për kompjuter kanë shpikur emër tjetër.

“Ordinator (aparat që urdhëron)”, thotë Gricourt.

Ndryshe, vitin e kaluar, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë u mbajt në Prishtinë konferenca shkencore, “Shqipja standarde sot”.

Konferenca pati për qëllim shënimin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, por edhe gjendjen e këtij standardi në ditët e sotme.

Në konferencë morën pjesë studiues të shumtë të fushave të ndryshme të gjuhës shqipe.