Ministrja serbe e drejtësisë Maja Popoviq gjatë seancës së Komisionit të Venecias në tetor 2021. Foto: Ministria e Drejtësisë

Serbia voton për reformën 'pozitive' në drejtësi, ndonëse dyshimet vazhdojnë të jenë prezente

Ekspertët thonë se ndryshimet e propozuara nga qeveria serbe në mënyrën se si zgjidhen gjyqtarët dhe prokurorët janë “një hap përpara”, mirëpo politikanët kanë edhe shtegje tjera për të ndikuar në gjyqësor.

Këtë dtë dielë, Serbia mban një referendum mbi një paketë reforash në drejtësi përmes të cilave, mes tjerash, do ta heqë rolin e parlamentit në zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ekspertët thonë se vetëm kjo nuk është e mjaftueshme që t’i çlirojë gjykatat nga ndikimi politik.

Ndryshimet e propozuara në kushtetutën e Serbisë të vitit 2006 janë mirëpritur gjerësisht nga Bashkimi Evropian dhe Komisioni i Venecias, një organ këshillues kushtetues i Këshillit të Evropës, por pak besojnë se ato do t’i japin fund sikurse me një shkop magjik praktikës së gjatë të ndërhyrjes së elitës politike serbe në punën e sistemit gjyqësor.

“Nëse kemi një situatë ku përfaqësuesit e legjislativit, me propozimin e ekzekutivit, i zgjedhin bartësit e degës së tretë të pushtetit, atëherë kemi një situatë ku potencialisht degët e tjera të pushtetit mund të ushtrojnë çdo lloj presioni mbi gjyqësorin”, tha Marko Kmeziq, pedagog dhe studiues i lartë në Qendrën për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri.

Përjashtimi i parlamentit “është në thelb një hap përpara”, tha ai.

Megjithatë, vetëm kjo nuk është e mjaftueshme, tha Tea Gorjanc Preleviq, drejtoreshë ekzekutive e Veprimit për të Drejtat e Njeriut në Mal të Zi, ku ndryshime të ngjashme të miratuara në vitin 2013 ishin “të pamjaftueshme për pavarësinë e gjyqësorit dhe pavarësinë e prokurorisë”.

Çelësi, tha ajo për BIRN, do të jetë garantimi që këshilltarët gjyqësorë që duhet ta marrin përsipër detyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, “të përbëhen nga njerëz të pavarur nga ndikimi politik, njerëz me integritet të cilët janë të përkushtuar vetëm për interesin e përgjithshëm që kandidatët më të mirët të bëhen gjyqtarë dhe prokurorë, që më të mirët të përparojnë tutje dhe më të papërgjegjshmit të qortohen dhe të largohen.” “Avokatët e shquar” në këshillat gjyqësorë do të zgjidhen nga parlamenti.

Ngushtimi i hapësirës për abuzim

Në atë kohë presidenti serb Boris Tadiq (rreshti i parë, djathtas), kryeministri Vojislav Koshtunica (rreshti i parë, i dyti djathtas), deputeti Aleksandar Vuçiq, presidenti aktual (rreshti i katërt, majtas) gjatë një seance parlamenti pasi pothuajse të gjithë deputetët votuan për një kushtetutë të re, shtator 2006. Foto: EPA/STR

Kushtetuta e Serbisë e vitit 2006 u miratua në një kohë tensionesh të larta për të ardhmen e Kosovës, që në atë kohë ishte nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, por që kërkonte pavarësinë. Kushtetuta afirmoi pretendimin e Serbisë ndaj Kosovës si pjesë integrale dhe e pacenueshme e territorit të saj, një pretendim që Kosova me shumicë shqiptare e hodhi poshtë kur shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Por ndërkohë që fokusi në atë kohë ishte në Kosovë, pjesa e kushtetutës që ka të bëjë me gjyqësorin ishte gjithashtu shkak për shqetësim të konsiderueshëm, veçanërisht në lidhje me progresin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Ndërkohë që nuk ka diçka të tillë si një “standard evropian” kur bëhet fjalë për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, tha Kmeziq, disa rekomandime të hartuara nga Komisioni i Venecias janë bërë integrale në negociatat e pranimit në BE dhe “një numër i madh vendesh që negociojnë anëtarësimin kanë ndërmarrë hapa drejt reformave të ngjashme”.

Mali i Zi, i konsideruar gjerësisht si kryesuesi për anëtarësim në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishte një prej tyre. Ndryshimet kushtetuese në vitin 2013 “depolitizuan” mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe prokurorëve të shtetit, tha Gorjanc Preleviq, “duke e hequr atë nga duart e politikanëve në parlament dhe duke e bërë atë në kompetencë të këshillave të specializuara – gjyqësore dhe prokuroriale”.

Por, shtoi ajo, kjo nuk ishte e mjaftueshme  “për arritjen e qëllimit fisnik të depolitizimit të gjyqësorit”.

Juristët e shquar të zgjedhur në këshillin gjyqësor dhe prokurorial, si rregull, ishin shumë pranë autoriteteve dhe ruanin status quo-në.

Në Mal të Zi, fillimisht një supershumicë  prej dy të tretash tani kërkohet që parlamenti të zgjedhë anëtarë të caktuar të këshillave, të cilët më pas emërojnë gjyqtarë dhe prokurorë, me qëllim të zgjedhjes së njerëzve “për të cilët partitë në pushtet dhe opozita mund të bien dakord”, tha Gorjanc Preleviq.

Por në praktikë, tha ajo për BIRN, zgjedhjet janë bërë shpesh peng i shkëmbimeve politike midis partive, më së fundi për riorganizimin e kabinetit.

Sipas ndryshimeve të propozuara në Serbi, nëse parlamenti nuk arrin ta mbledhë një shumicë prej dy të tretash për t’i zgjedhur ‘juristët e shquar’ në këshillat gjyqësorë të ngarkuar me zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përzgjedhja do të bëhet në një komision që përbëhet nga kryetari i parlamentit, presidenti i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës Supreme, Prokurori i Lartë Publik dhe Avokati i Popullit. Ekspertët kanë frikë se, ndërkohë që një mekanizëm i tillë parashikohet si një kthim i tërhequr, ai në fakt mund të bëhet rregull në Serbi.

Rezistencë ndaj reformave

Ministrja serbe e drejtësisë Maja Popoviq gjatë seancës së Komisionit të Venecias në tetor 2021. Foto: Ministria e Drejtësisë

Pas vitesh të tëra propozimesh të zvarritura dhe të anuluara, Serbia tani po propozon të heqë të drejtën e parlamentit për t’i zgjedhur drejtpërdrejt gjyqtarët dhe prokurorët dhe ta përjashtojë çdo anëtar të degës legjislative ose ekzekutive – duke i vënë pengesë ministrit të drejtësisë – nga anëtarësimi në organet gjyqësore.

Kjo, për shembull, do të bënte që deputeti Vladimir Gjukanoviq, anëtar i sinqertë i Partisë Progresive në pushtet, ta humbiste rolin e tij si anëtar ex officio si në Këshillin e Lartë Gjyqësor ashtu edhe në Këshillin Shtetëror të Prokurorëve.

Gjukanoviq, i cili është kreu i komisionit parlamentar për drejtësi, administratë publike dhe vetëqeverisje lokale, ka thënë se do të votojë  me “Jo” në referendumin e së dielës.

“Praktikisht, kjo krijon një shtet brenda shtetit, pra një pjesë e atij pushteti, në këtë rast gjyqësori, del nga ndarja trepalëshe e pushtetit ndërmjet legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, secila prej të cilave ishte e pavarur, mirëpo sipas parimit të ‘check and balance’ e kontrollonte tjetrin,” shkroi Gjukanoviq në kolumnen e tij për tabloidin pro-qeveritar ‘Kurir’ në muajin nëntor.

Sipas ndryshimeve të propozuara, do të shfaqet një “sistem paralel i panatyrshëm”, tha ai, “mbi të cilin askush i gjallë nuk do ta ketë asnjë kontroll, ndërsa gjyqtarët do të vendosin për fatin e qytetarëve”.

Mbetet e paqartë nëse serbët në Kosovë, pothuajse të gjithë kanë nënshtetësi serbe, do të mund të votojnë. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, tha se kishte pranuar një kërkesë nga qeveria serbe “për mbledhjen e votave” për referendumin, porse kjo varet nga dakordimi i të dyja palëve – Serbisë dhe Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë, ka thënë se serbët e Kosovës mund të votojnë “me postë ose në zyrën ndërlidhëse [serbe] në Prishtinë”./BI/