Serbia Nuk i Ka Përmbushur Kushtet

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se Serbia, deri më tani nuk i ka përmbushur, kushtet për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Konfliktet e kohëve të fundit në veri të Kosovës, kancelarja gjermane i quajti të papranueshme dhe kujtoi se “bashkëpunimi i mirë me fqinjët” është një ndër kriteret për zgjerimin e BE-së.
 
“Bashkimi Evropian dhe Qeveria gjermane kanë formuluar shumë herët pritjet e tyre në formën e hapave konkretë. Ndjej keqardhje që Serbia, deri më tash, nuk i ka përmbushur ashtu siç duhet këto pritje”, ka thënë Merkel, duke folur sot në mëngjes para Bundestagut gjerman.

Deklarata e fortë vjen vetëm disa ditë para Samitit të ardhshëm të BE, të premten, më 9 dhjetor, duke zbehur edhe më gjasat që Serbia të marrë statusin e kandidatit.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, në përputhje me kriteret e Kopenhagës, janë pjesë e politikës së zgjerimit të BE-së. Në afat të gjatë, ne nuk duam vetëm Serbinë, por edhe Kosovën ta sjellim në Bashkimin Evropian dhe ta ruajmë aftësinë funksionimin e Bashkimit Evropian. Pra, rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian shkon vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, shtoi Merkel, transmetojnë mediat e ndryshme.

Kancelarja gjermane ka dënuar edhe sulmin e serbëve ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it.

“Serbia gjithashtu akuzohet për kontributin që ka dhënë ditët e fundit në këtë atmosferë, në të cilën paqeruajtësit gjermanë në veri u sulmuan dhe u plagosën. Unë them se kjo është e papranueshme”, është shprehur Merkel.