Serbia Kërkon më Shumë Tregtim me Rusinë

“Bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik është duke u shtuar, projekte të rëndësishme janë duke u zhvilluar, ndërsa mundësitë e bashkëpunimit bilateral mes Serbisë dhe Rusisë janë pothuajse të pafund.”

Këto fjalë të thëna rishtas nga Aleksandar Konuzin, ambasador i Rusisë në Serbi, ishin shumë të mirëseardhura për atë pjesë të opinionit publik në Serbi që beson se mundësitë e përparimit ekonomik të këtij vendi varen nga lidhjet më të afërta me Moskën.

Gjatë fushatës para zgjedhjeve të muajit maj, një nga partitë nacionaliste opozitare të vendit, Partia Demokratike e Serbisë (DSS), me ngulm kërkonte lidhje shumë më të afërta me Rusinë, duke i vlerësuar ato si shtyllë të politikës së të ardhmes.

E që atëherë edhe disa parti të tjera u janë bashkëngjitur në këtë kërkesë.

Gjatë diskutimeve për formimin  e koalicionit qeverisës mes partisë proevropiane – Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste Serbe, lideri i kësaj të fundit që tani është edhe mandatar për postin e Kryeministrit, Ivica Daqiq, udhëtoi në Moskë për të marrë pjesë në disa takime zyrtare.

Pak pas kthimit, Daqiqi vendosi që të krijojë koalicionin qeverisës me partinë më nacionaliste dhe më proruse, Partinë Përparimtare Serbe (SNS), ish-udhëheqësi i së cilës, Tomislav Nikoliq, tani mban postin e Presidentit të Serbisë.

Brenga kryesore e cilësdo qeveri do të jetë sigurimi i mjeteve për të mbuluar shpenzimet për mirëqenie sociale dhe për të paguar borxhet – duke qenë se në këtë periudhë normat e kamatës për kreditë e Serbisë janë në rritje e sipër.

Opsionet kryesore janë kursimet e rrepta, të cilat Partia Socialiste e Daqiqit i kundërshton, apo sigurimi i përkrahjes financiare nga jashtë – e për këtë Rusia mund të jetë një nga burimet e mundshme të financimit.

Disa projekte me Rusinë janë negociuar që më parë, përfshirë ndërtimin e rrjetit të gazit në Rrjedhën Jugore dhe një kredi prej 650 milionë eurosh për modernizimin e hekurudhave të vjetruara të Serbisë.

Projekte të tjera të mundshme mund të jenë blerja nga Rusët e disa aksioneve të dy kompanive më të vlefshme të mbetura shtetërore të Serbisë – kompaninë elektroenergjetike (Elektroprivreda Srbije – EPS) dhe operatorin e telekomunikacionit (Telekom).

Dusan Bajatoviq, zëvendëskryetar i Partisë Socialiste, ngul këmbë pranë asaj se qeveria e re nuk synon të shesë EPS-në apo Telekomin, duke shtuar se mediat në përgjithësi ‘e kanë mbivlerësuar rolin e Rusisë’ në krijimin e politikave të qeverisë së ardhshme.

Disa ekspertë gjithashtu i kanë pritur me skepticizëm raportet për shitjen e ndërmarrjeve më të mëdha të vendit rusëve, duke shtuar se në të kaluarën është vërtetuar se “ndjenjat vëllazërore” mes sllavëve ortodoksë të jugut dhe rusëve lihen anash kur kemi të bëjmë me biznes.

Për shembull, ata theksojnë, Serbia e blen gazin rus me çmime “evropiane”, të cilat janë shumë më të larta se sa çmimet që ato u ofrojnë ish-republikave të Bashkimit Sovjetik.

Gjithashtu ekziston pakënaqësi lidhur me çmimin të cilin rusët e kanë paguar për marrëveshjen e shitblerjes së kompanisë shtetërore të naftës – NIS.

Brenda një viti Gazpromi rus kishte nxjerrë profit nga NIS-i pothuajse aq sa kishte paguar për të blerë shumicën e aksioneve në këtë kompani në vitin 2008 (400 milionë), gjë që i shtyri disa të thonë se kompania ishte shitur nën çmimin real.

Nenad Popoviq, zëvendëskryetar i DSS-së, thotë se vetëm Rusia ka potencial për t’i ndihmuar Serbisë në tejkalimin e problemeve të saja financiare.

foto  
Nenad Popoviq | Foto: Beta  

 

Privatizimi i NIS-it përbënte një nga tri segmentet e një marrëveshjeje për energjinë të lidhur në vitin 2008 mes këtyre dy vendeve.

Dy segmentet tjera përfshinin mbarimin e punimeve në depozitën rajonale të gazit në Banatski Dvor dhe përfshirjen e Serbisë në Rrjedhën Jugore të rrjetit të gypave të gazit, e cila Serbisë do t’i siguronte të hyra shtesë nga tranziti i gazit.

Më pas, në vitin 2009, presidentët Boris Tadiq dhe Dmitry Medvedev u pajtuan për një kredi në vlerë 813 milionë euro për Serbinë, një e pesta e së cilës veç është shfrytëzuar si përkrahje e drejtpërdrejtë buxhetore.

Shfrytëzimi i mbetjes prej 650 milionë eurosh është duke e pritur ratifikimin e marrëveshjes nga parlamenti serb dhe do të ndahet për rindërtimin e rrjetit hekurudhor në Serbi.

Megjithatë, një nga karakteristikat kryesore të marrëdhënies ekonomike mes këtyre vendeve është marrëveshja për tregti të lirë që është nënshkruar në gusht të vitit 2000.

Kjo i ofron Serbisë qasje të privilegjuar në tregjet e Rusisë për 99 për qind të produkteve të saj.
Sidoqoftë, deri tani janë të paktë eksportuesit serbë që e kanë shfrytëzuar këtë ofertë dhe që kanë siguruar hapësirë veprimi në tregun tejet konkurrues rus.

Por Serbia do të mund të përfitonte shumë më shumë nëse eksportet e saj në Rusi vazhdojnë të rriten gjatë viteve në vijim, krahas faktit se ka potencial për të joshur më shumë investitorë nga Rusia.

Ndërkohë, shumica e ekonomistëve e kundërshtojnë shitjen e kompanive më fitimprurëse Rusisë, në mënyrë që të sigurohet financim i konsumit dhe faturave për mirëqenie sociale, duke insistuar se problemet kryesore të ekonomisë së Serbisë (përfshirë shtimin e deficitit buxhetor) duhet të trajtohen me reforma të brendshme e jo me shitje të pasurisë.

Disa analistë poashtu besojnë se transferimi i një pjese aq të madhe të sektorit publik tek kompanitë ruse do të bënte Rusia të ketë shumë më shumë ndikim politik mbi Serbinë, gjë që do të nxiste një reagim armiqësor nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e BE-së.

Mundësia e humbur

Predrag Simiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike, pajtohet se Rusia është partner i rëndësishëm ekonomik për Serbinë, veçanërisht në aspekt afatgjatë.

foto  
Predrag Simiq | Foto: Media Centre Belgrade  

 

Në vitin 2011, bilanci tregtar mes Serbisë dhe Rusisë është vlerësuar të jetë 2.81 miliardë euro, me deficit prej 1.52 miliardë euro në anën e Serbisë.

Deficiti kryesisht është krijuar falë importit të naftës dhe gazit, që përbënin 70 për qind të importit të gjithmbarshëm të Serbisë nga Rusia.

Nga shuma e gjithmbarshme, eksportet e Serbisë në vitin 2011 kishin arritur vlerë prej 650 milionë eurosh, që paraqet një rritje prej 50 për qind në krahasim me vitin 2010. Megjithatë, pika fillestare ka qenë mjaft e ulët.

Mihailo Vesoviq, zëvendëskryetar i Odës Ekonomike të Serbisë (PKS), pret që eksportet e Serbisë në Rusi të shtohen në të ardhmen, pasi që disa kompani serbe kanë filluar të kombinojnë kapacitetet dhe ofertat e tyre për të siguruar sasi dhe cilësi më të mirë dhe vazhdimësi të furnizimit.

“Është pikërisht fragmentimi i furnizimit që na vështirëson hyrjen në tregun rus, e kompanitë tona kanë filluar ta kuptojnë këtë,” tha ai.

“Por edhe struktura aktuale e eksporteve tregon se jemi në gjendje të shesim shumë më shumë se sa thjesht molla të freskëta. Ne shesim edhe produkte si gypa të bakrit, bateri, gomë dhe pllaka dyshemeje”, shtoi Vesoviqi.

Duke qenë se investimet total ruse në Serbi arrijnë shumën prej 1.13 miliardë euro në periudhën 2003-2010, Vesovici shtoi se ekziston ende një potencial i madh për të joshur më shumë kompani ruse në Serbi.

Nikola Paviciq nga Tarkett Sintelon, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj vendor në Rusi, thotë se përgjegjësia për nivelin ‘e turpshëm’ të eksporteve serbe në Rusi bartet nga vetë Serbia, e cila industrinë e saj e ka neglizhuar për më shumë se një dekadë të tërë.

“Si rezultat i kësaj, ne tani nuk kemi produkte të cilat do t’i shisnim në një treg ku kemi përparësi të theksuar konkurruese,” shtoi ai.

“Nëse Serbia do ta kishte shfrytëzuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë si duhet, ne do të kishim eksporte në Rusi në vlerë prej 8.13 miliardë, ndërsa 813 milionë euro do të na ktheheshin si peshqesh, nga dogana që ne nuk do duhej t’ia paguajmë Rusisë,” kalkulon Paviciq.

Përcjellja e shembullit të Qipros

Duke komentuar çështjen e asistencës financiare të drejtpërdrejtë nga Rusia, Paviciq thotë se Serbia nuk do duhej të merr më kredi për të përmirësuar buxhetin dhe nuk është i bindur se kushdo do donte t’i huazojë para një qeverie që nuk është e gatshme ta ndryshojë mënyrën e shpenzimit.

“Ne duhet ta zvogëlojmë konsumin dhe të shfrytëzojmë çdo asistencë financiare që na ofrohet për të shtuar prodhimin dhe eksportin, të cilët për ne tani janë shumë më të rëndësishëm se sa përmirësimi i infrastrukturës,” thotë Paviciq.

Megjithatë, Nenad Popoviq, zëvendëskryetar i DSS-së, thotë se marrë parasysh shtimin e problemeve në eurozonë, vetëm Rusia ka potencial për t’i ndihmuar Serbisë në tejkalimin e problemeve të veta financiare – dhe Serbia nuk do duhej të frikohet nga kërkimi i huave direkte.

Ai thekson se përkundër faktit që është anëtare e BE-së, Qiproja ka kërkuar ndihmë financiare nga Rusia dhe pas huazimit të 2.5 miliardë eurove më herët është duke kërkuar edhe një hua tjetër prej 5 miliardë eurosh.

“Shumë na kanë sulmuar për idetë që kemi pasur [mbi lidhjet me Rusinë], por edhe ata tani janë kthyer nga Rusia”, thotë Popoviq, duke folur kësisoj për zotimin zgjedhor të partisë së tij, e cila thoshte se nëse do të fitonin do të siguronin 10 miliardë euro hua, do të hynin në partneritet me kompanitë shtetërore dhe private ruse dhe do të siguronin investime të drejtpërdrejta në infrastrukturë nga Rusia.

Predrag Simiq, profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, pajtohet se Rusia paraqet një partner të rëndësishëm ekonomik për Serbinë, veçanërisht në aspekt afatgjatë.

Por, ai nuk beson se vetëm shtimi i tregtisë me Rusinë do të mund t’i zgjedhë problemet ekonomike afatshkurtra, përfshirë këtu deficiti buxhetor i cili është në rritje.

“Unë nuk dyshoj se pas blerjes së NIS-it, Rusia do të jetë e interesuar që të përfshihet në blerjen e Telekomit dhe EPS-së, por pyetja që parashtrohet është çfarë çmimi është ajo e gatshme të paguajë për to”, tha ai.

“Le të mos harrojmë se kemi të bëjmë me një Rusi kapitaliste dhe jo me një Rusi të [liderit sovjetik] Brezhnjevit, që shkatërroi shtetin duke shitur energjinë me çmime joreale”, shtoi Simici.

Simiq shtoi se, në parim, asnjë shtet nuk do duhej t’i japë një pjesë të madhe të sektorit publik asnjë shteti tjetër të huaj, duke shtuar se edhe konsideratat politike bëjnë që ky skenar të mos jetë realist.

“Nëse do tentohet ndonjë lloj i tillë i privatizimit, edhe Shtetet e Bashkuara edhe BE do të reagonin,” tha ai duke parashikuar gjendjen. “Në një rast të tillë, në Beograd nuk do të vinte vetëm [Philip] Reeker [Ndihmëszëvendëssekretar në Departamentin e Shtetit] por i tërë Departamenti i Shtetit”, shtoi Simiqi.