Serbia i Thotë Lamtumirë Regjentit Kontrovers

Serbia pranoi një faqe të vështirë të historisë së shekullit të 20-të të shtunën e kaluar kur rivarrosi me ceremoni ishte regjentin që u rrëzua nga pushteti dhe u dëbua në ekzil në vitin 1941 dhe u përgojua për dekada të tëra, pas fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Qindra persona që mbanin qirinj dhe lule u mblodhën në mauzoleumin mbretëror në Oplenac, afër Topolës, në Serbinë qendrore, për t’i thënë lamtumirë princit Pavle Karaxhorgjeviq, bashkëshortes së tij, Olgës, dhe djalit të tyre Nikola.

Pika e takimit ishte plepi Karaxhorgje, simboli i lirisë dhe bashkimit për serbët kur paraardhësi i largët i Pavles, Karaxhoregje, fitoi luftën me Perandorinë Osmane në vitin 1804.

Lideri i Kryengritjes së Parë Serbe kundër turqve themeloi dinastinë që udhëhoqi Serbinë dhe pastaj Jugosllavinë deri në ardhjen në pushtet të komunistëve në vitin 1945.

Ndërsa turma këndoi “Për mbretin dhe atdheun”, një njësi ceremoniale e Ushtrisë Serbe barti arkivolin e Princit Pavle në kishën e Shën Gjergjit me tingujt e himnit kombëtar serb “Boze Pravde” (Zoti i Drejtësisë).

Trupat e princeshës Olga dhe djalit të tyre, Nikola, u mbajtën nga Shumadinci, njerëz nga zona Shumadija në Serbi, të veshur me kostume tradicionale.

“E kam trashëguar këtë kostum kombëtar nga gjyqi im 42 vjet më parë, meqë mendonte se do të më duhej një ditë”, tha Dragan Adamovic, nga një fshat afër Orasacit.

Liturgjia ortodokse për të vdekurit u mbajt nga Peshkopi i Vranjes. Dita rastisi me qindvjetorin e ndërtimit të kishës, të cilin Mbreti Pjetri i Parë ua la pasardhësve të tij, si vend varrim, afër Karaxhorgjes, themeluesit të familjes mbretërore.

Arkivoli i Pavles ishte i mbuluar me flamurin serb ndërsa dy arkivolët e tjerë ishin të mbuluar me flamurë që mbanin simbolet e dinastisë dhe një kurorë dafine.

Vajza e princit Pavle, Jelisaveta, e veshur me të zeza, e ndoqi liturgjinë, e fshehur pas syzeve të diellit.

Disa herë, ajo përkëdhelte mbesën, Olympian, vajzën e tretë të djalit të saj, Nicholas. Në krah të Jelisavetës qëndronte vajza e saj, aktorja Catherine Oxenberg, princi Aleksandër, kreu i familjes mbretërore.

“Ndihem e tronditur… Dhimbja ime është e thellë, por sot zemra ime ka gjetur paqe sepse prindërit dhe vëllai im janë vënë për të pushuar këtu”, tha Jelisaveta për Balkan Insight.

Mbretërorët europianë që morën pjesë në rivarrim përfshin Mbretin Michael të Kentit, nëna e të cilit, Marina, ishte motra e Olgës. Princi Nikola i Greqisë dhe Princesha Barbara e Lihtenshtajnit ishin gjithashtu prezentë, siç ishin edhe përfaqësues të qytetit të Lausanne-s.

Në rivarrosja e princit dhe familjes së tij në Oplenac, morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit, të kryesuar nga presidenti Tomislav Nikolic.

Si rivarrimi, dhe prezenca e presidentit në ceremoni shënuan një fitore në fushatën e gjatë të Jelisavetës për të parë kujtimin e babait të saj të rehabilituar në vendin që e refuzoi.

“Dëshira ime e vetme ishte t’i varrosja që të mund të pushonin në paqe me anëtarë të tjerë të familjes” tha Princesha.

Fushata zyrtare kundër kujtimit të princit, që filloi pas grushtit të vitit 1941, u vazhdua nga komunistët që erdhën në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore. Ky qëndrim është prezantuar në libra historie, dhe në media, që në atë kohë.

Krimi i madh i princit Pavle në sytë e tyre ishte që u përpoq të mbante Jugosllavinë jashtë Luftës së Dytë Botërore, dhe që nënshkroi paktin tripalësh të vitit 1941, që i tha leje trupave gjermane të kalonin përmes Jugosllavisë.

Princi Pavle, Knez Pavle në serbisht, u bë regjent jugosllav, pasi kushëriri i tij, Mbreti Aleksandar u vra në Marseille të Francës në vitin 1934.

Para luftës, ai bëri përpjekje të mëdha për një marrëveshje për një paqe të qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe kroatëve në Jugosllavi. Rezultati ishte “Sporazumi” historik, në vitin 1939, që themeloi entitetin autonom kroat në Jugosllavi të njohur si “Banovina”.

Kur shpërtheu lufta në vitin 1939, Pavle, edhe pse anglofil i bindur (motra e bashkëshortes së tij ishte dukeshë angleze dhe ai kishte lidhje të ngushta me familjen mbretërore angleze), refuzoi t’i bashkohej forcave aleate, me frikën se përfshirja do të çonte në një luftë civilë në vendin e tij.

Sidoqoftë, ai iu dorëzua presionit të madh gjerman dhe nënshkroi paktin trepalësh në mars të vitit 1941, që shkaktoi pakënaqësi të mëdha në popull mes serbëve dhe shkaktoi menjëherë grushtin e vitit 1941 që e largoi me forcë nga pushteti.

Jugosllavia u pushtua vetëm disa ditë më vonë. Në atë kohë regjenti dhe familja e tij ishin në ekzil.

Komunistët që erdhën në pushtet më vonë akuzuan princin se “ka dhunuar kushtetutën duke marrë pushtet dhe injoruar përfaqësues të popullit” si dhe nënshkrimin e paktit trepalësh dhe kontribuar kështu në “luftën agresive” të fuqive të Boshtit.
Gjatë luftës, qeveria britanike e mbajti Princin Pavle dhe familjen e tij nën arrest shtëpiak në Keni, në Afrikë.

I ndaluar të kthehej në Jugosllavi dhe jo i mirëpritur në Britani sepse kishte refuzuar të ndihmonte Britaninë në fillim të luftës, princi kaloi pjesë të jetës në lëvizje, fillimisht në Kenya, pastaj në Afrikën e Jugut dhe më vonë në Francë. Vdiq në Paris në moshën 83-vjeçare në vitin 1976.

Princesha Olga vdiq në vitin 1997. Nikola vdiq para prindërve të tij, në një aksident me makinë afër Londrës në vitin 1954.

Princesha Jelisaveta dorëzoi një kërkesë për rehabilitimin e babait të saj në gjykatë tre vite e gjysmë më parë.

Dhjetorin e shkuar, Gjykata e Lartë në Beograd e rehabilitoi dhe hodhi poshtë vendimin e komisionit të shtetit të shtatorit 1945, që e kishte deklaruar kriminel.

Pas vendimit, trupat e tyre u zhvarrosën në Llozanë, në Zvicër, më 28 shtator dhe u dërguan në Serbi.

Princesha Jelisaveta beson se padrejtësia historike që iu bë babait të saj u korrigjua.

“Tani mund të ndryshojmë librat [e historisë]”, tha Jelisaveta për Balkan Insight.

Serbët që morën pjesë në ceremoni pajtohen. Marija Jakshiq, 64, tha se ndjente krenari për vendin e saj që më në fund po përballej me një faqe të rëndësishme të historisë kombëtare.

“Shpresoj se nipërit e mi do të mësojnë se sa i madh ishte Princi Pavle dhe se Serbia mund të kishte qëndruar jashtë lufte”, tha ajo për Balkan Insight.

Sidoqoftë, ndryshimi i librave të historisë është vetëm fillimi i procesit të korrigjimit të padrejtësisë që iu bë princit Pavle, kur ai dhe familja e tij u dëbuan nga vendi pa asnjë gjë.

Princesha Jelisaveta do që vila në lagjen elitë ne Beograd, Dedinje që i përkiste të atit të saj, t’i kthehet. Ajo po kërkon gjithashtu kthimin e librave, pikturave dhe mobileve të Princit Pavle.

“E gjithë kjo është shumë e rëndësishme për mua dhe me vlerë të madhe historike dhe besoj se do më kthehen të gjitha”.