Nxënësit shkojnë në mësim në shkollën 'Pandeli Sotiri' në Plemetin. Foto: Vjosa Çerkini

Serbia garanton ndihma për Romët e Kosovës që ndjekin mësimin në shkollat paralele 

Për familjet rome në nevojë në Kosovë, është e vështirë që t’i shmangin skemat zemërgjera të asistencës sociale të ofruara nga qeveria serbe. Por, përkundrazi, shpesh fëmijët e tyre që ndjekin mësimin në shkolla në gjuhën serbe, mbesin të papërgatitur për një jetë dhe karrierë në të ardhmen në Kosovë.

 

Aktualisht janë 102 shkolla në të gjithë Kosovën të financuara nga shteti i Serbisë që edukojnë fëmijët në gjuhën serbe. Këto struktura paralele arsimore kanë qenë të pranishme në vend që nga përfundimi i luftës në Kosovë, duke vepruar ndaras nga shkollat ​​që zhvillojnë mësimin me kurrikulën shtetërore të Kosovës.

Sidoqoftë, nuk janë vetëm nxënësit serbë të Kosovës që ndjekin mësimin në këto shkolla.

G.S. është rritur në Komunën e Graçanicës, në afërsi të Prishtinës. I rritur në mesin e folësve të gjuhës serbe në qytezën me shumicë serbe, ai ka mësuar në një shkollë në komunën e cila drejtohej në gjuhën serbe, përdorte kurrikulën arsimore serbe dhe ishte financuar nga qeveria serbe.

Që nga diplomimi, G.S thotë se ka hasur në vështirësi për të gjetur një vend pune në Kosovë sepse nuk kishte mësuar kurrë në gjuhën shqipe.

“Kam ndjekur shkollën në gjuhën serbe sepse jetoja në Graçanicë, dhe mjedisi shoqëror të thoshte që kjo ishte normale”, shpjegon G.S. “Unë mbarova arsimin fillor dhe të mesëm [në serbisht], atëherë vazhdova shkollimin në gjuhën serbe në Serbi. Kur u ktheva, madje edhe me diplomën time, nuk kam qenë në gjendje të gjej punë. Po na pengon të intergohemi në sistem”.

G.S. është në mesin e qindra anëtarëve të komunitetit rom në Kosovë, familjet e të cilëve mbajnë dokumente serbe të identifikimit që kanë mbetur pa njohuri bazike të gjuhës shqipe, pasi që kanë vijuar mësimin në institucione paralele arsimore në Kosovë që nuk përfshijnë gjuhën shqipe në planprogram.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se rreth 1.500 fëmijë romë aktualisht ndjekin mësimin në shkollat ​​shtetërore të Kosovës, por shifrat e sakta në lidhje me numrin e saktë të nxënësve romë në mesin e mbi 17,000 fëmijëve që ndjekin mësimin në institucionet arsimore paralele  serbe në Kosovë është më e vështirë për t’u konstatuar.

Sipas OJQ-së për zhvillimin e arsimit, Ballkan Sunflowers, të paktën 385 fëmijë romë aktualisht po vijojnë mësimin në gjuhën serbe në institucione paralele arsimore në komunat qendrore të Kosovës, siç janë komuna e Graçanicës, Fushë Kosovës, dhe Obiliqit, të cilat përbëjnë rreth 10 përqind të institucioneve arsimore paralele serbe që veprojnë në Kosovë.

Samir Shahini, koordinator i programit në Balkan Sunflowers, thotë që zyrtarët nga shkollat serbe tregojnë mungesë të vullnetit për të bashkëpunuar me institucionet kosovare.

“Komunikimi me zyrtarët e këtyre shkollave serbe është pothuajse i pamundur. Që 12 vite ne kemi punuar me fëmijët e fshatit Plemetin, ne kemi arritur që t’i aranzhojmë vetëm tre apo katër takime me drejtorin e shkollës”, sqaron Shahini, duke potencuar se zyrtarët e shkollës kanë shprehur mosbesim kur Balkan Sunflowers ka bërë përpjekje për të bashkëpunuar dhe organizata është parë një mjet e qeverisë kosovare për të intervenuar në punët e shkollës.

Albert Kinolli, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia e Romëve të Bashkuar, beson se qeveria serbe po përpiqet që të inkurajojë komunitetin rom që të ndjekin mësimin në institucionet paralele përmes stimujve financiarë.

Shkolla ‘Pandeli Sotiri’ në Plemetin. Foto: Vjosa Çerkini

“Institucionet e Serbisë dhe sistemi arsimor serb kanë shkaktuar përçarje midis vetë komunitetit rom. Duke pasur parasysh situatën jashtëzakonisht të vështirë socio-ekonomike të anëtarëve të komunitetit Rom, ata i përdorin këto situata për të tërhequr fëmijët dhe familjet e tyre, të cilët jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira duke u ofruar ndihmë sociale, bursa simbolike në dukje për arsimin e tyre”, thotë Kinolli.

Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve, ECMI, në raportin e saj për vitin 2018, vuri në dukje, duke vlerësuar se në arsimin në gjuhën serbe në Kosovë ekzistojnë shumë arsye për komunitetet pakicë jo-serbe që të ndjekin mësimin në shkollat ​​në gjuhën serbe. Ndërsa shumica e studentëve ndjekin mësimin në shkolla në gjuhën serbe për arsye kulturore dhe gjeografike, disa studentë preferuan të mos ndjekin mësimin në shkolla në gjuhën shqipe për shkak të “skepticizmit për të ardhmen e tyre profesionale në Kosovë”, duke zgjedhur një arsim që do të mundësonte një jetë në Serbi.

Organizatat në Kosovë kanë ngritur shqetësime për faktin se diplomat e marra pas diplomimit në këto shkolla nuk njihen zyrtarisht nga institucionet e Kosovës. Raporti ECMI tregon se, që nga viti 1999, të diplomuar në të gjitha nivelet e institucioneve arsimore në gjuhën serbe në Kosovë, nga fillimi në arsimin e lartë, nuk kanë qenë në gjendje të përdorin diplomat e tyre për të gjetur punë në sektorin publik të Kosovës. Kjo është përkundër një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës brenda kornizës së Dialogut të Brukselit të lehtësuar nga BE për të njohur reciprokisht diplomat e arsimit të lartë të arritura në shtator 2015.

Mirëqenia sociale në këmbim të arsimit në gjuhën serbe

Sipas banorëve në Graçanicë dhe Plemetin, arsyeja kryesore që familjet rome inkurajohen të dërgojnë fëmijët e tyre për të ndjekur shkollat ​​paralele janë stimulimet financiare që u ofrohen atyre nga sistemi serb i mirëqenies sociale.

Meqenëse Serbia vazhdon ta konsideroj Kosovën si pjesë të territorit të saj, ligjet serbe të Mirëqenies Sociale si Ligji për Mbrojtjen Sociale të Serbisë dhe Ligji për Ndihmë Financiare për Familjet me Fëmijë zbatohen për ata që mbajnë dokumente të identifikimit serb dhe jetojnë në Kosovë, përfshirë këtu edhe një pjesë të madhe popullsisë rome të Kosovës.

Sipas Ministrisë së Punës, Punësimit dhe Politikës Sociale të Serbisë në vitin 2018 ka pasur tetë qendra të mirëqenies sociale serbe që punojnë në bazë të ligjeve serbe në Kosovë. Ato ishin të vendosura në komunat e Graçanicës, Mitrovicës Veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Ranillug, Shtërpcë dhe Vushtrri.

Në 2018, ishin 4,333 përfitues të skemave të ndryshme të ndihmës sociale që këto qendra ofrojnë. Një raport nga ministria shprehet se ndihma sociale sociale e dhënë këtyre familjeve ka për qëllim të garantojë një të ardhur minimale për të siguruar sigurinë ekonomike të familjeve me fëmijë.

Që nga prilli 2019, familjet kanë pasur mundësinë të aplikojnë për Ndihmë Sociale Financiare, dhe mund të marrin një shumë minimale prej 72 euro në muaj, me 50 përqind shtesë të kësaj shume bazë (rreth 36 euro) të shtuara për çdo të rritur shtesë në familje. Të gjitha familjet, të ardhurat mujore të të cilave janë më pak se ato që do të merrnin nga ministria në ndihmë sociale, kanë të drejtë për këtë skemë.

Foto: Vjosa Çerkini

Për secilin fëmijë, një familje ka të drejtë të marrë një shtesë prej 30 përqind të shumës bazë, deri në rreth 22 euro. Sipas skemës, ndihma për familjet me dy prindër dhe dy fëmijë arrin në 152 euro në muaj, për shembull, dhe një familje me katër fëmijë mund të ketë të drejtë deri në 195 euro. Për të qenë të pranueshëm për përfitime të tilla, aplikantët duhet të kenë dokumentacion që dëshmojnë se janë shtetas serb, përfshirë edhe një certifikatë të vijimit të mësimit me orar të plotë për fëmijë.

Një ndihmë për fëmijë, e cila mesatarisht është rreth 25 euro në muaj, është gjithashtu në dispozicion, përsëri për sa kohë që sigurohet një certifikatë e rregullt e shkollës. Familjarëve u kërkohet gjithashtu të sigurojnë prova për të ardhurat e tyre mujore dhe adresën e tyre dhe të aplikojnë mbi baza vjetore.

Për anëtarët e komunitetit rom që përpiqen t’ia dalin financiarisht, këto skema të ndihmës financiare u mundësojnë familjeve të fitojnë para të mjaftueshme për të qëndruar stabil dhe të mbajnë veten e tyre.

O.G. është baba i pesë fëmijëve në fshatin Plemetin në komunën e Obiliqit, i cili ka shfrytëzuar këtë skemë. Dy nga fëmijët e tij vijojnë mësimin në shkolla në gjuhën serbe, aktualisht ata ndjekin mësimin në shkollën “Sveti Sava” në këtë fshat, e cila ka rreth 130 nxënës romë.

O.G është i vetëdijshëm se diplomat që fëmijët e tij marrin pas ndjekjes së mësimit në ato shkolla nuk njihen nga institucionet e Kosovës. Sidoqoftë, ai ka arsye përveç sigurisë financiare të familjes së tij për të mos dërguar fëmijët e tij në një shkollë ku mësimin zhvillohet në gjuhën shqipe.

“Unë nuk aplikoj për punë në Kosovë, sepse unë i përkas komunitetit Rom, dhe ata nuk më punësojnë për këtë arsye. Unë do të doja t’i dërgoja fëmijët e mi në një shkollë shqipe, por unë nuk pranoj ta bëjë këtë për shkak të diskriminimit që ata mund të përballen, “shpjegon ai. “Ka prindër të tjerë nga komuniteti që duan të transferojnë fëmijët e tyre nga serbisht në shkolla shqipe, por ata gjithashtu kanë vendosur të mos e bëjnë këtë”.

Në mungesë të një qasje adekuate në arsim, shkalla e lartë e varfërisë dhe strehimi i dobët janë pengesat më të cituara për integrimin social dhe ekonomik të anëtarëve të komuniteteve pakicë të Kosovës, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO.

Raporti i organizatës, në vitin 2017, për promovimin e mundësive për të rinjtë e komunitetit pakicë shprehet se: “Kur‘ tavani i xhamit” përdoret shpesh për të përshkruar pengesat për punët e vjetra për gratë, për romët, një “kuti prej qelqi” bllokon mundësinë e hyrjes në të gjitha aspektet e punësimit. Pavarësisht rritjes së niveleve të arsimit, të diplomuarit romë shpesh gjejnë punë vetëm në zona të lidhura me romët, të tilla si ofrimi i shërbimeve për romët e tjerë, ose punësimi i lidhur me politikën rome. Ekzistojnë dëshmi të diskriminimit në të gjitha aspektet e punësimit. ”

Familjet rome në komuna si Fushë Kosova dhe Obiliq, ku O.G. dhe familja e tij jetojnë, janë gjithashtu të prekur në mënyrë disproporcionale nga varfëria ekstreme. Një studim i UNDP në vitin 2013 zbuloi se më shumë se dy të tretat e komunitetit rom në këto komuna “përballen me vështirësi në sigurimin e  ushqimit dhe nevojave të tjera themelore”, me 74 përqind të anëtarëve të komunitetit rom të intervistuar duke thënë se ata kanë shumë vështirësi për të mbuluar kostot që lidhen me arsimim edhe për fëmijët e tyre.

Bashkimi i sistemeve arsimore paralele nuk është prioritet

Sistemi arsimor i ndarë i Kosovës ka ndarë madje në raste edhe ndërtesat shkollore në gjysmë: në ‘Shtjefan Gjeçovi’, një shkollë fillore në Janjevë, ekzistojnë dy sisteme arsimore të veçanta brenda së njëjtës shkollë; një në shqip dhe një në serbisht. Shkolla ndiqet nga 291 nxënës shqiptarë që studiojnë kurrikulën shtetërore të Kosovës, ndërsa në anën e gjuhës serbe të shkollës marrin pjesë 41 nxënës romë dhe 18 nxënës kroatë.

Gafurr Bytyqi, drejtor i shkollës në Janjevë, beson se nuk ka mundësi të bashkohen dy kurrikulat e ndara.

Ambienti i brendshëm në shkollën ‘Shtjefën Gjeçovi’ në janjevë. Foto: Vjosa Çerkini

“Brenda procesit mësimor në shkollën tonë, kuptohet që mësuesit tanë duhet të japin mësime sipas planprogramit të Republikës së Kosovës, por në klasat kroate, siç i quajmë ne, ata mësohen duke përdorur planprogramin serb. Ne jemi të vetëdijshëm që kjo ndodh, por ne nuk kemi fuqinë ta ndalojmë atë dhe nuk kemi arsye pse të ndërhyjmë”, tha Bytyqi. “Pavarësisht nga çfarë thashë, megjithatë, ne kemi marrëdhënie të mira me mësuesit, nxënësit dhe serbët kroatë të përfshirë në procesin mësimor. Përderisa nuk kemi ndonjë marrëdhënie jo të mirë, ne gjithashtu nuk kemi asnjë lloj bashkëpunimi”.

Dukagjin Pupovci, drejtori i OJQ-së së Qendrës Arsimore të Kosovës, thotë se përgjigja se përse qeveria serbe do të vazhdonte t’i mbështeste këto institucione është më shumë politike se sa edukative.

“Në fushën e arsimit, një sistem paralel serb brenda territorit të Kosovës vazhdon të jetë i pranishëm. Në fakt, kjo është një çështje politike që qeveritë tona kurrë nuk e kanë trajtuar, duke i dhënë përparësi shkrirjes së strukturave serbe në fushat më të ndjeshme për sigurinë e Kosovës, siç është policia dhe gjyqësori” thotë Pupovci.

Plani i Ahtisaari, një propozim i hartuar nga UN, i botuar në vitin 2008, plan ky që vendosi themelet e pavarësisë së Kosovës, përcaktoi një kornizë për të drejtat e komuniteteve joshqiptare në Kosovë.

Plani parashikon në mënyrë të qartë që komunitetet pakicë duhet të jenë në gjendje të mbrojnë dhe promovojnë gjuhën e tyre dhe të drejtën e tyre për një arsim. Ndërsa krijimi i një kornize që do ta lejonte këtë ishte e parashikuar në plan, një kurrikulë të veçantë për shkollat ​​në gjuhën serbe mbetet i papërpunuar. Në mungesë të këtyre dispozitave, shkollat ​​në gjuhën serbe kanë fituar një lloj autonomie gjatë dekadës së fundit.

Foto: Vjosa Çerkini

Sipas Pupovcit, ligji i Kosovës u jep mundësi shkollave në gjuhën serbe që të bëjnë kërkesa zyrtare për leje për të përdorur kurrikulën serbe dhe librat shkollorë të përdorur nga shkollat ​​në Serbi. “Por për ta bërë këtë, ata duhet të njoftojnë [Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës], e cila – siç pritej – ata refuzojnë të aprovojnë një leje të tillë”, thotë Pupovci.

Denis Galushi, gazetar në Radio Kosova në programin në gjuhën rome, beson se zgjedhja e shumë familjeve të komunitetit rom për të ndjekur shkolla në gjuhën serbe vjen si rezultat i nevojës së një stabiliteti financiar, me sistemin paralel duke punuar në favor të familjeve që kërkojnë mirëqenie sociale nga Serbia dhe Kosova. Sidoqoftë, thekson ai, kjo mund të vijë me një çmim.

“Shumica e tyre marrin ndihmë sociale nga Republika e Serbisë, por edhe nga Republika e Kosovës. Për arsye politike, të dy vendet nuk mbajnë përgjegjësi për njëri-tjetrin, atëherë qytetarët mund të përfitojnë nga ndihma shtetërore nga të dyja vendet”, shpjegon Galushi.

“Por qytetarët bëhen viktima të një sistemi politik që u lejon atyre të marrin këto avantazhe: nga një arsimim i duhur deri në pranueshmërinë për punësim, komuniteti Rom tani është më i integruar në sistemin e Republikës së Serbisë sesa në Republikën e Kosovës”, thotë ai.

 

Ky botim është mundësuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Vjosa Çerkinit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.