foto-ilustrim

Serbia dominon tregun rajonal, raportohen barriera jo-tarifore

Autorët: Klementina Cenkollari, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebeza

Serbia vazhdon të dominojë tregun e rajonit, duke qenë një nga shtetet që eksporton më së shumti në vendet e rajonit, në veçanti në Shqipëri e Kosovë.

Bizneset vazhdojnë të raportojnë për barriera të ndryshme jo-tarifore që hasin gjatë tentativës për të shitur produktet e tyre në vendet fqinje. Por, shtetet që janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” presin që me lehtësirat që do t’i ofrohen bizneseve, shkëmbimet tregtare të rriten dukshëm në vitet në vijim.

Serbia vazhdon të ketë bilanc pozitivë tregtar me Shqipërinë dhe Kosovën. Shqipëria vetëm gjatë vitit 2021 ka importuar mallra në vlerë prej 288 milionë euro nga Serbia kurse ka eksportuar mallra në vlerë prej 88 milionë euro. Nëse kthehemi në historik, shohim se në vitin 2021 eksportet e Shqipërisë për në Serbia janë trefishuar krahasuar me vitin 2015 kur eksportet kishin vlerën e 3.4 miliardë lekë apo 28.6 milionë euro.

Trendi i rritjes së eksporteve të Shqipërisë drejt Serbisë ishte dukshëm më i shpejt se sa importet. Shembull, importet në vitin 2015 kanë qenë 21 miliardë lekë (178 milionë euro), ndërsa në vitin 2021 janë rritë në 32 miliardë lekë (288 milionë euro).

Nëse i shohim të dhënat e importeve dhe eksporteve të Kosovës del që një pjesë e produkteve të Serbisë janë zëvendësuar me ato të Shqipërisë pas vendosjes së taksës 100% nga ana e Qeverisë së Kosovës. Shembull, importi i produkteve të Shqipërisë në vitin 2017 ka qenë vetëm 151 milionë euro, kurse në vitin 2019 ka mbërri në 223 milionë euro. Ajo që duhet thënë është se në vitin 2020, vlera e produkteve të Kosovës që janë eksportuar në Shqipëri është rritur dukshëm, duke arritur në 110 milionë euro apo trefishim i eksporteve krahasuar me vitin 2015.

Ky dominim i Serbisë në tregun rajonal lidhet edhe me strukturën e ekonomisë të orientuar në prodhim që është në atë shtet dhe përparësinë krahasuese që ka me shtetet e tjera të rajonit. Megjithatë, bizneset nga Kosova thonë se pengesë në shkëmbimet tregtare me Serbinë lidhen edhe me barrierat jo-tarifore që vendosen nga Serbia.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se vendet e rajonit kanë potencial shumë më të madh të shkëmbimeve tregtare në mes tyre, por ai thotë se ato duhet të punojnë në eliminimin e barrierave jo-tarifore.

“Përveç kësaj, vendet si Kosova e Shqipëria duhet të punojnë që kompanitë prodhuese të tyre të rrisin prodhimin dhe të kenë mundësi më të mëdha për prodhime serike, në mënyrë që eksporti të jetë i sigurt dhe i vazhdueshëm e jo i bazuar vetëm në projekte të shkurta”, ka thënë Rukiqi.

Ballkani i hapur do të rrisë shkëmbimet tregtare

Ministria e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë thonë se “Ballkani i Hapur” ka hequr shumë barriera në shkëmbimet tregtare dhe se ata presin që lehtësira të vazhdojnë edhe më shumë në vitet në vazhdim.

Ata kanë thënë se me 29 korrik të vitit të kaluar kanë nënshkruar një memorandum me shtetet që janë pjesë e Ballkanit të Hapur  (Shqipërisë,  Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë) për bashkëpunimin për lehtësimin e importeve, eksporteve dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor.

“Memorandumi siguron lëvizjen e lirë të produkteve ushqimore dhe produkteve jo-ushqimore industriale”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Për produktet ushqimore, memorandumi përfshin dispozita për sigurinë ushqimore, çështjet veterinare dhe fitosanitare si dhe njohjen e raporteve nga laboratorë të autorizuar zyrtarisht për testimin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë me origjinë bimore dhe të përzierë, do të njihen reciprokisht nga autoritetet kompetente të palëve.

Për produktet jo-ushqimore industriale, sipas ministrisë, në përputhje me rregullat e BE-së, palët do të bëjnë përpjekje për thjeshtimin e procedurave të certifikatave të konformitetit si dhe pranimin e ndërsjellë të raporteve të provave nga laboratorët e akredituar.

Po ashtu,në kuadër të Open Ballkan, në fund të vitit të kaluar janë firmosur disa marrëveshje në fushën e tregtisë, si ishte marrëveshje bilaterale me Serbinë “Për njohjen reciproke të Operatorëve Ekonomik të Autorizuar-Autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS)”, e cila do të mundësojë procedura të thjeshtuara në pikat e kalimit kufitar për ato kompani që gëzojnë statusin e operatorit ekonomik të autorizuar. Por, është nënshkruar edhe marrëveshja për thjeshtësimin e procedurave për njohjen e markave të konformitetit dhe rezultateve të testimeve.

“Njohja reciproke e raporteve dhe certifikatave do të eleminojë ritestimin dhe ricertifikimin e mallrave dhe si rrjedhim vendosjen më të shpejtë të mallrave në tregjet respektive dhe reduktimin e kostove. Marrëveshja përcakton shkëmbimin e vlerësuesve dhe ekspertëve për realizimin e vlerësimeve në fushat ku palët kanë legjislacione të veçanta në mënyrë që të lehtësohet njohja reciproke e raporteve dhe certifikatave”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Janë të paktën dy biznese të Shqipërisë që thonë se kanë barriera gjatë eksportit të produkteve të tyre për në shtetet e rajonit.

Përfaqësues të kompanisë Rinaldi, kompani që eksporton fruta- perime drejt Serbisë rendisin si problem kryesore kryerjen e analizave të produkteve para nisjes drejt shtetit serb.

“Problem është fakti që për çdo produkte duhet t’i bësh analizën. Pjesa tjetër nuk ka problematik. Kryerja e analizave kushton 28,800 lekë (240 euro) për një produkt. Nga fillimi i vitit deri më tani kemi shpenzuar  më shumë se 500 mijë lekë (rreth 4,000 euro) vetëm për kryerjen e analizave”, thotë Melsion Toska, ekonomist i kompanisë “Rinaldi”.

Kompania Rinaldi, pati një dëm të konsiderueshëm ekonomik nga mosnjohja e certifikatës fito sanitare edhe në fillim të këtij viti.

Ekonomisti i kompanisë thotë se vitin e kaluar “Rinaldi” eksportoi drejt Serbisë 330 tonë prodhime.

Nga fillimi i vitit deri më tani kjo kompani ka eksportuar 190 kamionë ose 340 tonë prodhime, krahasuar me 278 tonë, të së njëjtës periudhë të vitit të shkuar.

Probleme të njëjta ka edhe kompania “Doni Fruits”, e cila operon prej vitesh në sektorin e kultivimit, distribuimit dhe eksportit të produkteve të freskëta dhe është një nga kompanitë që eksporton fruta dhe perime drejt Serbisë.

Alban Vinca, drejtor i eksporteve në “Doni Fruits” thotë se nga fundi i dhjetorit të 2021 deri më tani, një pengesat me të mëdha që hasin janë analizat fitosanitare dhe mikrobiologjike që duhen bërë për eksportin. Në Shqipëri, sipas Vincës njihet vetëm analiza që bëhet pranë laboratorit Noval.

“Në Shqipëri mund ta kryejmë vetëm tek Noval. Në shumë raste ne i dërgojmë edhe në Itali dhe në Greqi dhe natyrisht kjo ka kosto. Deri më tani kemi shpenzuar 7 mijë euro vetëm për analiza”, thotë Vinca.

“Krahasimisht me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, për këtë vit ne kemi eksportuar 268 kamionë më pak dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në punën tonë”, vijon ai.

Kompania “Doni Fruits” në vitin 2020 ka eksportuar 1,100 kamionë me fruta, kurse në vitin 2021 ka eksportuar vetëm 960 kamionë. Trendi i rënies së eksporteve është duke vazhduar, pasi në periudhën janar-prill 2021 janë eksportuar 268 kamionë, kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2022 janë eksportuar vetëm 202 kamionë me fruta.

Për dërgimin e produkteve të eksportit drejt Serbisë, shoqëritë nga Shqipëri nuk kalojnë nga Kosova, por nga Maqedonia e Veriut ose nga Mali i Zi.

Në prill të këtij viti, nisi zbatimi i një pikë të Marrëveshjes së Ballkanit të Hapur dhe u njoftua se në hyrje të vendkalimit kufitar ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Preshevë-Tabanoc, është hapur një korsi e veçantë me mbishkrimin “Ballkani i hapur”, dedikuar transportuesve të kompanive nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të cilët kanë statusin e subjektit të autorizuar tregtar.

Por, Vinca thotë se asgjë nuk ka ndryshuar pavarësisht marrëveshjes së Ballkanit të Hapur.

“Ne kalojmë nga këto shtete dhe nuk kemi pasur ndonjë lehtësi deri më tani”, thotë ai.

Ndërsa Inspektoriati Shtetëror për Bujqësi të Maqedonisë së Veriut thotë se bizneset maqedonase te cilat duhet të eksportojnë prodhimet drejt Serbisë nuk kanë raportuar barriera sa i përket certifikatave fitosanitare.

“Nuk kërkohen analiza, përveç certifikatës fitosanitare për një maune të zgjedhur rastësisht (një nga disa qindra), sipas një programi të standardizuar monitorimi. Nuk ka ankesa nga kompanitë maqedonase për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Inspektoriatin Shtetëror për Bujqësi të Maqedonisë së Veriut.

Kosova, kemi barriera nga Serbia e më pak nga shtetet tjera të rajonit

Nga ministria e Inovacionit, Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës thonë se bizneset Kosovare përballen me barriera të natyrave të ndryshme jo-tarifore kur eksportojnë në tregjet e CEFTA-së përfshirë Serbinë dhe importojnë transit përmes Serbisë.

Në përgjigjen e tyre, MINT ka thënë se Serbia shkakton barriera pasi nuk i pranon etiketat e produkteve të Kosovës dhe kërkon analiza e testime shtesë që janë bërë pengesë e pajustifikuar dhe ka një ndikim negativ në eksportuesit e bujqësisë kosovare.

“Analiza shtesë të testimit gjithmonë kërkohen për secilin eksport sepse autoriteti serb nuk e njeh analizën e testimit kosovar të lëshuar nga Instituti i Bujqësisë së Kosovës. Përveç kësaj, shumë herë, certifikatat fito sanitare të lëshuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës nuk njihen”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Industrisë.

“Këto kosto shtesë për sa i përket kohës dhe mjeteve financiare për kompanitë kosovare, duke i bërë produktet e Kosovës më pak konkurruese në tregun serb dhe duke i dekurajuar kompanitë e Kosovës për të eksportuar në Serbi”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë, që në ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës thonë se bizneset kosovare kanë edhe barriera të ndryshme jo-tarifore që bazën e kanë tek politika.

Shembull, sipas MINT Autoritetet serb nuk i përgjigjen autoriteteve të Kosovës, posaçërisht Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), për kryerjen dhe monitorimin e procesit të prodhimit për disa produkte të kafshëve dhe bimëve me potencial për t’u eksportuar.

Përveç kësaj, kompanitë kosovare nuk mund të aplikojnë në tender publik nëse ky tender publikohet nga administratat shtetërore ose ndërmarrjet shtetërore publike në Serbi për shkak të refuzimit të dokumenteve të identifikimit të ndërmarrjeve të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Po ashtu, Serbia nuk njeh certifikatën e cilësisë të lëshuar nga autoritetet e Kosovës për materialet e izolimit të përdorura në ndërtim.

“Barriera të tilla aplikohen rregullisht nga autoritetet serbe si ndaj produkteve bujqësore ashtu edhe ndaj atyre industriale të eksportuara nga Kosova në Serbi ose të cilat kalojnë tranzit përmes territorit të Serbisë si importe ose eksporte kosovare”, thuhet në përgjigjen e ministrisë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.

Sipas kësaj ministrie produktet bujqësore dhe industriale të cilat hasin në vështirësi si gjatë eksportit në Serbi ashtu edhe gjatë transitit janë: dritare të plastikës, produkte të bylmetit, pijet, prodhuesit e verës, metalet bazë dhe artikujt prej metali bazë, mish pule, piper i kuq, fidane dekorative  etj.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se produktet e Kosovës në përgjithësi hasin në barriera të ndryshme jo-tarifore gjatë eksportit për në vendet e Rajonit. Por, ai thotë se barrierat që aplikohen nga shtetet si Serbia dhe Bosnja e Hercegovina përveç natyre teknike, standardeve dhe certifikatave të ndryshme janë edhe të natyrës politike.

“Shembull, nuk njihet certifikata e origjinës dhe dokumenteve të tjera të lëshuara nga institucionet e Kosovës, barrierë kjo që pamundëson apo vështirëson eksportin e prodhimeve në këto dy shtete, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Rukiqi.

Ai thotë se barrierat jo-tarifore që vendosen e arrijnë qëllimin pasi e bëjnë produktin shumë të shtrenjt dhe bie interesi dhe motivi për të tentuar që të eksportojnë jashtë Kosovës.

Rukiqi thotë se lehtësirat që kanë krijuar vendet që janë pjesë e Ballkanit të Hapur kanë tendencë që të rrisin shkëmbimet tregtare në mes të vendeve anëtare. Kjo sipas tij mund të ndikojë që shkëmbimet tregtare të Kosovës të bien apo të mos avancojnë në tredin e njëjtë me ato të vendeve të rajonit.

Kryetari i Odës Ekonomike thotë se kundër Kosovës ka më së paku ankesa në CEFTA dhe BE për vendosje të barrierave, mirëpo janë vendet e tjera që aplikojnë barriera për prodhimet kosovare. Ai thotë se Kosova nuk duhet të ndjekë politika proteksionise ad-hoc pasi deri më tani nuk kanë dhënë rezultate.

Rukiqi thotë se Kosova duhet të ndjekë një politikë të planifikuar mirë tregtare që synon forcimin e prodhimeve të Kosovës. Përveç barrierave, Rukiqi thotë se kompanitë kosovare ende nuk kanë mundësi të bëjnë eksporte të prodhimeve në mënyrë serike.

”Politikat proteksioniste nuk është që na ka dhanë efekte në rritjen e tregtisë. Jam më shumë në favor të asaj që të shfrytëzohen mekanizmat ndërkombëtare si CEFTA dhe BE për të ushtruar presion për heqjen e barrierave dhe lehtësimin e tregtisë.Ne mund të eksportojmë në sasi të caktuara dhe jo-serike, por që për neve janë të rëndësishme. Edhe një projekt i vetëm që mundëson eksport në vendet e rajonit për ne ka rëndësi. Pasi është vetëm rasti i dyshekëve dhe pijeve alkoolike që aktualisht mund të eksportojmë në mënyrë serike”, ka thënë Rukiqi.

Ai thotë në afat të shkurtër, Kosova nuk mund të ketë bilancë pozitivë me asnjë vend të rajonit pasi aktualisht një pjesë të madhe të lëndëve të para i importon nga këto vende.