Serbia dhe Kosova i japin një përqafim të ngrohtë Izraelit

Por, a do t’i vendosin në të vërtetë kundërshtarët ballkanikë ambasadat e tyre në Jerusalem?

Rrallëherë ndodh që ngjarjet në dy nga pikat më të nxehta të botës – Ballkani dhe Izrael-Palestina, të shpërfaqen me njëra-tjetrën, më së paku në një mënyrë paqësore. Mirëpo më 4 shtator Presidenti Donald Trump e telefonoi mikun e tij Benjamin Netanyahun, kryeministrin izraelit, për t’ia kumtuar lajmin se ai i kishte bindur udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës – dikur pjesë e të njëjtit vend, tani armiq të përbetuar – për t’i dhënë Izraelit një përqafim të ngrohtë. Kosova dhe Izraeli, tha ai, do ta njohin njëra-tjetren. Të dy vendet e Ballkanit, duke e shpërfillur politikën e Bashkimit Evropian, në të cilin ata shpresojnë të anëtarësohen, do ta njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, shkruan gazeta e përjavshme britanike The Economist.

Një vendim i tillë paraqet një triumf të sërishëm diplomatik për zotërinjtë Trump dhe Netanyahu pas marrëveshjes së muajit të kaluar midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBAe) për të hapur marrëdhënie të plota diplomatike me njëra-tjetrën. Kosova do të bëhej vetëm një pjesë e një grushti shtetesh me shumicë-myslimane që do ta njohë Izraelin. Ron Dermer, ambasadori i Izraelit në Amerikë dhe një nga këshilltarët më të afërt të z. Netanyahu, thuhet se qëndron prapa këtij suksesi.

Se si zoti Trump arriti t’i bindë këto dy vende të Ballkanit të ndërmarrin hapa të tillë, është e paqartë. Udhëheqësit e tyre ishin në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar një marrëveshje ekonomike të ndërmjetësuar nga Amerika, duke shkaktuar zemërim tek BE, e cila po përpiqet veçmas ti bindë palët në konflikt që të pajtohen me njëra-tjetren (Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës). Zyrtarët shpresojnë se marrëveshja ekonomike do të rrisë investimet e huaja në të dy vendet, ndoshta duke rezultuar në marrëdhënie të ngrohta mes tyre.

Në shikim të parë, marrëveshja mund të mos jetë gjithçka. Hapja e ambasadave në Jeruzalem nuk do të ndodhë përpara mesit të vitit 2021. Në atë kohë Z. Trump mund ti jetë kërkuar ta lirojë Shtëpinë e Bardhë. Dhe para se boja të thahej në këtë marrëveshje, disa burime serbe thanë se shteti i tyre nuk do të zhvendosë ambasadën e Serbisë në Jeruzalem nëse Izraeli njeh Kosovën (gjë që Izraeli ka hezituar ta bëjë, përndryshe një gjë e tillë do të ishte inkurajuese për palestinezët). Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dukej disi i tronditur kur Z. Trump njoftoi se Serbia do të bënte këtë veprim.

“Kjo ka të bëjë më shumë me politikën amerikane sesa Ballkanin ose Lindjen e Mesme,” thotë Dahlia Scheindlin, ekspert izraelit për Ballkanin. “Trump po përballet me një mjedis politik kërcënues dhe ishte në kërkim të një spektakli të politikës së jashtme, diçka që miku i tij Netanyahu është i aftë ta orkestrojë.” Aktivistët e fushatës elektorale të Z. Trump sigurisht shpresojnë që diplomacia e tij e fundit në Lindjen e Mesme do tu bëjë përshtypje të krishterëve ungjillorë amerikanë dhe konservatorëve pro-Izraelitë.

Përgatiti: Nuhi Shala