Ilustrimi: Jeta Dobranja/Kallxo.com

Serbët e Kosovës nuk ia shohin hajrin linjës ajrore Prishtinë - Beograd

Nevojat praktike të serbëve të Kosovës duket se kanë mbetur jashtë marrëveshjes shumë të mirëpritur në lidhje me fluturimet e ripërtërira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – shumica e të cilëve ka të ngjarë t’i qëndrojnë besnikë udhëtimit me autobus edhe më tutje.

 

“Të dashur pasagjerë, mirë se vini në fluturimin Prishtinë – Beograd, operuar nga kompania Eurowings. Ju dëshirojmë një fluturim të këndshëm”. E njëjta fjali vijon si në gjuhën shqipe po ashtu edhe në atë serbe. Ky është skenari që i është sjellë ndër mend serbëve të Kosovës si një lloj pune koti, që nga komenti kur u njoftuam me lajmin që ka të bëjë me linjën e ripërtërirë ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Sidoqoftë, shumë gjëra lidhen me “një fitore tjetër” – siç e ka quajtur këtë marrëveshje Presidenti i SHBA Donald Trump përmes llogarisë së tij në Twitter – mbeten konfuze dhe të paqarta.

Njëra prej tyre ka të bëjë me atë se cilat dokumente do të përdoren për fluturimet? Serbia nuk e njeh Kosovën ose pasaportat e saj, dhe Kosova mban të njëjtin qëndrim për pasaportat për serbët e Kosovës te lëshuar nga Zyra Koordinuese e Kosovës në Serbi.

Lëvizja e njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rregulluar në bazë të marrëveshjes së administrimit të integruar të kufijve, dakorduar në Bruksel, që do të thotë se pasagjerët përdorin letërnjoftime, jo pasaporta, për të kaluar kufirin. Kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, ka thënë se e njëjta marrëveshje mund të zbatohet në këtë rast, por detajet e marrëveshjes mbeten ende të panjohura.

Eshtë gjithashtu e paqartë se kur do të fillojnë së funksionuari këto fluturime. Përfaqësuesit politikë serbë thonë se kjo duhet të ndodhë menjëherë pasi Kosova ta heqë taksën 100 përqindëshe e vendosur ndaj mallrave serbe – porse pala kosovare e ka injoruar plotësisht këtë çështje.

Detaje rreth asaj se si është arritur kjo marrëveshje mbeten gjithashtu të panjohura. I vetmi informacion në dispozicion është se ky proces ishte i gjatë dhe u mbajt larg nga publiku.

Në fund, një pyetje mbetet për tu shtruar – çfarë ndikimi do të ketë kjo marrëveshje tek serbët e Kosovës, dhe a do të sjellë ajo ndryshime pozitive, siç pretendojnë politikanët serbë?

Le ta imagjinojmë përsëri skenarin ku gjithçka është e rregulluar dhe ne jemi gati për nisje.

Kohëzgjatja e parashikuar e një fluturimi nga Prishtina për në Beograd është 25 minuta. Kjo tingëllon perfekte për dikë që jeton në Kosovë. Por a është perfekte edhe për serbët e Kosovës, veçanërisht për ata që jetojnë në Veri?

Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, kjo nuk do të dukej edhe aq e mirë. Nëse jeni serb në Veri të Kosovës, do t’iu nevojitej rreth një orë apo deri në 90 minuta me makinë, që të shkoni në Aeroportin e Prishtinës, në varësi të vendit ku jetoni.

Jo edhe aq keq, do të thoshin shumë. Por duke pasur parasysh që veturat e shumë serbëve në Veri janë me targa të regjistruara sipas sistemit serb në Kosovë – që do të thotë se ata nuk mund të udhëtojnë drejt Jugut me ato targa – ky orar në dukje optimist mund të kthehet në asgjë.

Meqenëse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të udhëtuar me makinë nga Veriu, udhëtimi me autobus mund të jetë një mundësi. Por le ta shqyrtojmë edhe këtë gjithashtu. Për sa i përket lidhjeve direkte nga Veriu, për momentin ekziston vetëm një linjë autobusi që kalon nga Beogradi në Prishtinë, duke kaluar nëpër tri nga katër komunat serbe në Veri, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut.

Kjo linjë është mjaft e re dhe qarkullon një herë në ditë. Duhen dy orë për të arritur në qendrën e qytetit të Prishtinës. Nëse e shtojmë kohën që duhet pritur për tu shkuar pastaj në aeroport si dhe kohën e kaluar në aeroport, kjo e bën kohëzgjatjen ne rreth 5 orë në përgjithësi.

Kjo është gati e njëjta kohë që nevojitet për të udhëtuar nga Veriu i Kosovës për në Beograd me autobus. Edhe nëse orari i autobusëve të Kosovës përputhet me kohën e fluturimit, në fund të ditës, vetëm një udhëtim me autobus nga Veriu i Kosovës për në Beograd duket shumë më pak i ndërlikuar – dhe më e lirë.

Mundësia tjetër është ti hipësh autobusit nga jugu i qytetit të ndarë të Mitrovicës në drejtim të Prishtinës, mirëpo bazuar në klimën aktuale, serbët nuk janë mësuar ende me këtë. Më shumë ka të ngjarë që ata të marrin një taksi në Prishtinë ose aeroport. Përsëri, udhëtimi me aeroplan del shumë më shtrenjtë sesa udhëtimi me një nga autobusët e linjave direkte ditore, çdo një apo dy orë, nga Veriu në Beograd.

Sidoqoftë, serbët e Kosovës kanë reaguar mjaft pozitivisht ndaj kësaj “marrëveshjeje historike”. Më mirë të bashkëpunojmë sesa të luftojmë, do të thoshin ata.

Por kur ju pyesni ata nëse me të vërtetë do ti përdorin këto fluturime, përgjigjja e tyre është kryesisht negative. Çështjet teknike, përfshirë udhëtimin deri në aeroport, mungesën e lidhjeve, frika e udhëtimit në Jug, dokumentet … të gjitha këto janë vetëm disa gjëra që janë ende të paqarta për serbët e Kosovës.

Perceptimi i tyre për këtë marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës mund të jetë në terma pozitivë por, me gjasë, ata ende do t’i mbajnë gjërat kështu siç janë; pesë ose gjashtë orë udhëtim me autobus dhe pa ndonjë shqetësim për ndryshime, ose me dokumente.

Për shkak të krejt kësaj, pyetja nëse një linjë e ripërtërire fluturimi do të jetë fitimprurëse për serbët në Veriun e Kosovës, siç thonë politikanët serbë, është një çështje që kërkon një diskutim të mëtejmë. “Ndoshta në të ardhmen”, siç thonë disa prej tyre – por jo tani. Udhëtimi ajror nga Prishtina për në Beograd mund të shërbejë për një klasë të privilegjuar të qytetarëve të Kosovës, por jo edhe për një shumicë që ka të ngjarë ti mbetet besnike autobusit për arsye ekonomike.

Kjo marrëveshje mund të ketë shkrirë përfundimisht marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por natyra e saj e saktë është akoma e paqartë, e shfaqur “nga hiçi” – dhe mbase mund të jetë vetëm diçka për presidentin amerikan përmes së cilës ai do të mburrej në Twitter, me zgjedhjet presidenciale që po vijnë në SHBA.

 

Nevena Radosavleviq është gazetare nga Mitrovica e Veriut dhe trajnere në ndërtim të paqes.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.