Sëpata e mbijetesës

Që në vjeshtën e hershme, të shumtë janë kamionët e traktorët nëpër rrugët e Kosovës që shihen duke transportuar dru që përdoren për ngrohje gjatë dimrit. Për shumë familje të varfra, të sigurosh drutë për të kaluar acarin, shndërrohet në festë, e për shumëkënd, prerja e çarja e këtyre tyre në stiva bëhet një vend pune.

Mustafë Ahmeti nga Prishtina është njëri nga ta. Ai vërtitet rrugëve të Prishtinës me një sëpatë për t’ia çarë drutë atyre që kanë nevojë.

Përmes sëpatës, ai mundohet që të sigurojë mbijetesën e familjes dhe më së shumti për blerjen e ilaçeve. “Jam ardhë këtu vullnetarisht, jam dal me sakicë me lyp punë. Jam dal këtu për barna, më së shumti, po t’kallxoj drejt”, thotë ai për BIRN.

Foto: Emirjeta Vllahiu

Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit të Kosovës, për periudhën kohore deri me 6 nëntor 2019, në komunën e Prishtinës janë të regjistruar 6 mijë e 124 persona të papunë.

Ndonëse bën një punë të rëndë, Ahmeti fiton minimalisht me punën e tij. Shuma më e lartë që arrin ta përfitojë brenda një dite është 2 euro e gjysmë, ndërsa ka ditë që nuk arrin të marrë asnjë cent të vetëm.

“Nga ni ditë s’fitoj asni cent, kaniher bon vaki 2 euro, ose 2 euro gjysë,” rrëfen ai. Për të çarë një metër dru, Ahmeti fiton rreth 3 euro. “Bon vaki që gjithë ditën e lume rrimë qetu, s’kena punë e as bukën sun e nxjerrum, a pa hangër s’ki qare”, thotë Ahmeti me buzën në gaz e me sytë të lotuar.

Ahmetit i është ndërprerë ndihma sociale prej 65 eurosh në fillim të këtij vitit të ri.

Arsyet thotë se as ai vetë nuk i din. “Ma kanë ndalë ndihmën sociale. I kom marr 65 euro, tani pak e hypën, e dikur e nalën krejt, pak mas vitit t’ri. E tash po duhet me u marr [me punë] qeshtu kapak, për barna”, shton ai.

Sipas të dhënave të Komunës së Prishtinës të siguruara nga BIRN, janë 1,800 familje apo 6,400 persona që janë nën skemën sociale.

Gjendja e rënduar shëndetësore ia ka pamundësuar ta ketë një punë të mirëfilltë, përderisa mungesa e terapisë ia vështirëson edhe të folurit. “Edhe dy ditë s’kam barna. Qe mos me mujt me gjet punë unë, edhe dy ditë qare s’kam, ja duhet me dal me lyp dikun pare”.

“Kushtet s’i kam kurrqysh, fëmijët nuk punojnë, veç jam ardh këtu me u munu mi shkollu. Njani i ka 18 vjet, tjetri 20”.

Sikurse Ahmeti në hapësirat e kësaj rruge të Prishtinë, punë kërkojnë edhe shumë qytetarë të tjerë, kryesisht në moshë të shtyrë. Ndonëse ngrohtorja e qytetit Termokos funksionion nga viti 1970, jo i gjithë qyteti i rrjetëzuar në të, dhe ngrohja me dru dhe qymyr bëhet e pashmangshme për mijëra familje të kryeqytetit dhe fshatrave përreth.

“Varet [sa persona dalin në këtë vend për me kërku punë]. Të shtuneve e të dilleve ka non stop, plot njerëz rrin qitu”, tregon Mustafa.

Të tilla rrëfime shpeshtohen sapo të dalësh jashtë kryeqendrës, duke qenë se asnjë qytet tjetër nuk ka rrjet të ngrohjes kolektive.

Shiut të nëntorit në Prizren nuk i është gëzuar 22 vjeçari Jetmir Bajselmani, kjo sepse ky mot të cilin ai e quan të ‘lig’ do t’ia pamundësojë të bëjë punën e tij‒çarjen dhe prerjen e druve.

Për dallim nga shumica e moshatarëve të tij që fillojnë javën duke i ndjekur ligjëratat në fakultet, i riu nga Prizreni merr sëpatën dhe del të kërkojë njerëz që do ta paguajnë për  çarje e prerje të druve.

Bajselmani së bashku me 4 vëllezërit e tij, mjetin e vetëm të punës e kanë sëpatën, dhe me këtë punë mbajnë familjen 12 anëtarshe.

E këtë ‘zanat’ të cilin ka tri vite që e bëjnë intensivisht, Jetmiri e përshkruan si shumë të lodhshme e me pak levërdi.

“Unë këtë punë e bëjë qe 3 vjet, çaj dru e sharroj me pare. Është punë shumë e rëndë, të lodhë shumë, por me këtë punë unë e mbajë familjen”, thotë ai për BIRN.

Ai tregon se gjatë punës që e bën nuk ka pasur ndonjë problem me qytetarët, mirëpo sipas tij problemi i vetëm është që puna është sezonale dhe nuk është një vend stabil i punës.

“Ma së shumti punë kemi prej muajit gusht, nja 3 muaj. Mundohemi me punu kapak, punë të shtetit nuk kemi, qeshtu punojmë sahere që ka punë, është vështirë me ja dal muajit, ka raste kur as 10 euro nuk mundesh me i çu në shpi”, rrëfen tutje ai.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë 6,983 persona nga komuna e Prizrenit që kërkojnë një vend të punës. “Është punë që paguhet pak. Dy euro e gjysmë një metër dru me e ça, tanë ditën me këtë rutinë, prej orës 6 në mëngjes e deri në orët e vona të natës, kur ka punë”, tregon ai.

Jetmiri tregon se ka shumë herë raste kur në shtëpi nuk mund të dërgojë para për bashkëshorten dhe vajzën e tij të vogël, përderisa shton se këtë punë e ka burimin e vetëm të të ardhurave.

Përderisa Jetmiri është në të njëzetat e hershme, Rami Braha kishte filluar të bëjë punën e sharrimit të drurëve në qytetin e Prizrenit gjysmë shekulli më parë.

62 vjeçari, tregon sesi ka filluar zanatin e sharrimit të drurëve nga mosha 12 vjeçare, punë kjo e cila e ka përcjellur gjatë gjithë jetës.

“Qe 50 vite e bëjë këtë punë, prej moshës 12 vjeçe kam punu te dhëndri im si punëtor, pastaj në vitin 1970 kemi maru na një makinë e masnej prej 70-tës deri sot punoj me këtë makinë. Zanatin nuk e kam lanë një familje e kam mbajte, dy djem dhe një vajzë i kam rritë”, thotë ai për BIRN.

Ndonëse 62 vjeçar, Braha nuk ankohet nga puna që e bën, pasi që sipas tij ‘edhe me ndejtë te shpija lodhet njeri’.

Foto: Arta Sopi

Për të, zanatit të sharritjes së druve çdo ditë e më shumë po i vie fundi, kjo për shkak të zvogëlimit të përdorimit të drurit për djegie.

“Tash është problemi se nxehjet qendrore janë kthyer me pelet dhe jo me dru neve pak po na pengon kjo, ka ra puna”, thotë tutje ai.

Edhe për Brahën, më së shumti punë ka në muajin gusht, shtator dhe tetor, përderisa shton se nuk ka fitim të madh.

“Punës ja filloj nga ora 7:00 [e mëngjesit]  deri në mbrëmje, ka ndodhur që edhe në terrë kemi punuar, më shumë sezonin e kemi në gusht, shtator edhe tetor por nuk ka shumë punë se ka konkurrencë të madhe.”

“Unë  paguhem me metra, se e kam sharrën tem, sa metra prej aq paguhem 10 metra 20 euro”, thotë tutje ai.

Puna e mundimshme gjysmë shekullore me shumë mundime e Brahës nuk i ka bindur fëmijët e tij të e bëjnë të njejtën gjë. Ata kanë migruar dhe janë në mesin e 10 përqind të popullsisë që e kanë lëshuar vendin në 5 vitet e fundit.

62 vjeçari nga Prizreni rrëfen se dy djemtë e tij kanë shkuar në mërgim për shkak të papunësisë, ndërsa shton se me fitimin nga puna që e bënë mezi që ia del muajit.

“Me këtë punë unë e mbajë familjen, dy djemtë më kanë shku në gyrbet, qika e martume, vetëm unë me shoqen jemi. Mirëpo paratë e fituara këtu, s’po na dalin, po duhet me pagu rrymën, jo tatimin, ujin, bërllokun”, shton ai.

Braha tregon se momentalisht, puna që e bënë me sharrën e tij është burimi i vetëm i të ardhurave.

Kjo gjendje e palakmueshme e tij nuk ia ka ndaluar solidiaritetin ndaj të varfërve.  Ai tregon se shumë herë për ndihmë ndaj familjeve të varfra, sharron dru pa para për t’u dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Ka raste kur dikush nuk ka pare, edhe më thotë për riza të zotit, unë ja sharriti 1 ose 2 metra [pa para]”.

Ndërsa sipas zyrtarit për marrëdhënie me publikun në Prizren, Lis Dormanbari është një numër jashtëzakonisht i madh i familjeve që marrin asistencë sociale.

“Në komunën e Prizrenit janë gjithsej 804 familje të cilat përfitojnë nga dy kategoritë e ndryshme të skemës sociale, kategori këto të cilat janë përcaktuar sipas Ligjit për skemën e ndihmës sociale në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Komunës.

Kjo gjendje e vështirë ka bërë që edhe njerzit të jenë më solidarë e human ndaj njëri tjetrit dhe kjo ka reflektuar edhe në punën e Brahës.

“Lun bakshishi, 1 euro, dy euro, jo na blejnë ndonjë gjë me hëngër ose me pi, ose edhe kafe na shërbejnë, dikush jep ma pak dikush ma shumë”, thotë ai duke qeshur.

Foto: Xheneta Murtezaj

Alberti (nuk është emri i tij i vërtetë) nga Skenderaj ka 15 vite që mirret me çarjen dhe prerjen e druve dhe thotë se kurrë në jetë nuk ka pasur një tjetër angazhim.

34 vjeçari, thotë për BIRN se pavarësisht që është një punë e lodhshme fizike, fiton mirë nga shitja edhe çarja e druve, por varësisht nga stina.

“Ka që 15 vjet që merrna me kit punë. Në shumicën e rasteve shkojmë të e njëjta familje, që i kemi myshteri. S’është që s’fitojmë, por po varet edhe prej kohës, se verës janë ma lirë si me i shit si me çarë ose m’i palu drutë. Ni metër dru me sharrit (ça) kushton 3 euro”.

Në familjen tetë anëtarëshe të Albertit, vetëm ai punon gjatë sezonit të prerjes e çarjes së druve. Ai thotë se mbajtja e familjes me këto të ardhura nuk është aspak e lehtë.

Nga të dhënat e Zyrës së Punësimit të Republikës së Kosovës, janë mbi 8,000 persona që kërkojnë punë në qytetin e Skenderajt me rreth 50,000 banorë.

“Jashta kësaj nuk kam punë tjetër, veç me dru merrna. Me kit punë më duhet me mbajtë familjen,” përfundon ai.