Senati amerikan miratoi projektligjin e parë për kontrollin e armëve në dekada

Pesëmbëdhjetë republikanë i’u bashkuan demokratëve në dhomën e sipërme të Kongresit, për ta miratuar projektligjin e parë për kontrollin e armëve në dekada.

Ky projektligj vjen pas të shtënave masive muajin e kaluar në një supermarket në Buffalo, Nju Jork dhe një shkollë fillore në Uvalde, Teksas, që lanë të vdekur 31 persona.

Projektligji tani do të duhet ta marrë miratimin e Dhomës e Përfaqësuesve përpara se Presidenti amerikan, Joe Biden ta nënshkruajë atë në ligj.

“Në një deklaratë të lëshuar pas votimit, presidenti u bëri thirrje anëtarëve të Dhomës që “ta votojnë menjëherë këtë projekt-ligj dypartiak dhe ta dërgojnë atë në tryezën time”.

“Sonte, pas 28 vitesh mosveprimi, anëtarët dypartiakë të Kongresit u mblodhën për ta dëgjuar thirrjen e familjeve në të gjithë vendin dhe miratuan legjislacionin për ta trajtuar plagën e dhunës me armë në komunitetet tona”, tha Biden.

“Familjet në Uvalde dhe Buffalo – dhe shumë të shtëna tragjike më parë – kanë kërkuar që ne të veprojmë në këtë drejtim. Dhe sonte, ne vepruam.”

Votimi përfundimtar ishte 65 me 33, me 15 republikanë që u bashkuan me demokratët në mbështetje të vendimit, duke shënuar një përparim të rëndësishëm dypartiak në një nga çështjet më të diskutueshme të politikës në vend. Projektligji më pas do të shkojë në Dhomën e Përfaqësuesve për votim përpara se t’i dërgohet Presidentit Joe Biden për t’u nënshkruar në ligj.

Marrëveshja dypartiake e armëve përfshin miliona dollarë për shëndetin mendor, sigurinë e shkollave, programet e ndërhyrjes në krizë dhe stimuj për shtetet që t’i përfshijnë të dhënat e të miturve në Sistemin Kombëtar të Kontrollit të Menjëhershëm të Historisë Kriminale. 

Projektligji gjithashtu bën ndryshime të rëndësishme në procesin kur dikush nga mosha 18 deri në 21 vjeç shkon për të blerë një armë zjarri.

Paketa përbën legjislacionin e ri federal më të rëndësishëm për ta trajtuar dhunën me armë që nga ndalimi 10-vjeçar i armëve sulmuese të 1994, megjithëse nuk ndalon asnjë armë dhe është shumë larg asaj që demokratët dhe sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve duan të shohin.

Votimi mbi projektligjin federal për sigurinë e armëve erdhi në të njëjtën ditë kur Gjykata e Lartë rrëzoi një ligj të Nju Jorkut për armët i miratuar më shumë se një shekull më parë, i cili vendos kufizime për mbajtjen e një pistolete të fshehur jashtë shtëpisë.

Vendimi në fjalë vë në pah forcat politike konfliktuale që rrethojnë çështjen në të gjitha nivelet e qeverisjes, pasi dega e drejtësisë zbaton zgjerimin më të gjerë të të drejtave të armëve në një dekadë, duke ndodhur pikërisht pasi dega legjislative duket në rrugën e duhur për taë miratuar paketën e saj më të rëndësishme të sigurisë së armëve në pothuajse 30 vjet./CNN, BBC