Sekiraqa: Policia dhe SHIK-u Donin Likuidimin Tim

(E plotësuar)

Enver Sekiraqa ishte dënuar më 27 tetor 2006 nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me dy vjet burg për veprat e kanosjes dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Sipas aktgjykimit, Sekiraqa më 22 maj 2006, rreth orës 12:30, seriozisht i është kanosur të dëmtuarës Adriana Ahmeti se do ta privojë nga jeta. Përmes celularit, ai i kishte kërkuar asaj që të takohen në kafenenë “Dani” në Ferizaj duke i thënë se prej tij nuk mund të largohet lehtë dhe se ka punë me të. E dëmtuara, vazhdon aktgjykimi, e frikësuar ka filluar të qajë dhe ka pranuar takimin në këtë kafene.

Po ashtu, Sekiraqa së bashku me Xhemajl Dervishin nga Prishtina dhe Bujar Miftarin nga komuna e Vitisë, në të njëjtën ditë, rreth orës 14:30, në afërsi të kafenesë “Dani”, kanë përdorur dhunën ndaj personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Pasi e dëmtuara Adriana Ahmeti e ka raportuar rastin në polici, policët Bekim Suma, Besnik Hasani dhe Jeton Burti, të cilëve fillimisht nuk u ishte hapur dera e veturës golf nga Sekiraqa, kishin pësuar lëndime trupore nga të shpallurit fajtorë. “Policët kishin arritur të zmbrapsin sulmin dhe t’i prangosin të akuzuarit”, thotë aktgjykimi që më 27 dhjetor 2007 ishte konfirmuar edhe me aktgjykim të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në të njëjtën lëndë, Sekiraqa ishte akuzuar edhe për dhunim. Akuza ishte hedhur poshtë nga gjykata.

Por, më 14 gusht 2012, gazeta Koha Ditore ka publikuar dëshminë e një ish-hetuesi nga stacioni policor i Ferizajt i cili kishte marrë pjesë në operacionin policor, sipas tij të iniciuar nga Besnik Hasani polic i njësisë speciale ROSU dhe të miratuar nga Destan Thaçi komandat rajonal për Prishtinën, gjatë të cilit Sekiraqa ishte rrahur dhe i ishte lënë “një revole për ta futur në burg”.

Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë speciale të Kosovës, dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, në shtator të vitit 2009, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim për tri vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm për shpërthimin e 24 shtatorit 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se cak i sulmit me eksploziv ka qenë lokali “Sekiraqa Bar” në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Triumf Riza, më 30 gusht të atij viti.

Tash Sekiraqa dhe mbrojtja e tij po shikojnë për rigjykim. Sekiraqa akuzon për montim.

“Në Ferizaj, me urdhër të SHIK-ut, kanë nisë me ma e montu një dhunim me një ish-femër timen me të cilën kam qenë në lidhje intime”, thotë Sekiraqa, në intervistën për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Kam qenë me një golf 3. Ka qenë veturë e blinduar. Unë nuk e hapa derën. Kur erdhën policët në uniformë, atëherë e hapa derën”, tha ai. “Na kanë qitë (v.j. jashtë), na kanë montuar një revole mbrapa në veturë, na kanë rrahur, na kanë hi shkelma e boksa, na kanë shtri përtokë grupa e policëve që ishte aty…”.

Në lidhje me këtë rast rrahje në Ferizaj, nuk ka pasur aktakuzë ndaj ish-policit Besnik Hasani.

Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor për shpërthimin tek “Sekiraqa Bar” policët Hasani dhe Qerimi kishin akuzuar kolonelin Destan Thaçi si pjesë të “Grupit të Sekiraqës”. Hetimet e kryera nga policia e UNMIK-ut nuk kishin rezultuar me dëshmi të kësaj natyre për këtë të fundit.

Edhe Sekiraqa mohon të ketë pasur lidhje me ish-komandantin rajonal të policisë në Prishtinë, megjithëse thotë se atë e njeh.

“Unë e njoh Destan Thaçin, po nuk ka të vërtetë asgjë nga ato që janë thënë ‘jo ia bleu një xhip, jo shtëpi…’. Ato janë pallavra. Kurrë në jetë nuk kam ndenjur me Destan Thaçin, përveç që e njoh nga gazetat si komandant Policie”, tha Sekiraqa.

Koloneli Thaçi, i kontaktuar, po ashtu ka hedhur poshtë çdo ndërlidhje me Sekiraqën dhe i ka quajtur ato shpifje.

Ndërkohë Sekiraqa akuzon sistemin e drejtësisë se është i ndikuar dhe i anshëm.

“Po e shihni si po punon gjyqësia – si t’i fishkëllejnë prej kafenesë dhe prej zyrave të SHIK-ut (v.j. kjo e fundit ka deklaruar mbylljen zyrtare më 2007)”, thotë Sekiraqa. “Këtë ma kanë konfirmuar gjykatës dhe prokurorë, në këtë rast e kam fjalën për ish-kryetarin e Gjykatës së Qarkut, Anton Nokaj”, deklaroi Sekiraqa.

Nokaj, tha ai, i kishte dërguar fjalë ku i kishte treguar për presionet që gjykata kishte për ta dënuar për rastin e rrahjes në Ferizaj.

“Nokaj i ka thënë një shokut tim se ka pasur presione të hatashme për me më mbajtë në burg. ‘Rastin tuaj e di shumë mirë’ ka thënë, ‘e di që është montazh, por kemi pasur presione’, ‘na kanë lyp me ua dhënë nga 7 vjet burg, ne ua kemi dhënë vetëm nga 2 vjet për rastin e Ferizajt, ne  kemi qenë të mirë’ i kishte thënë Nokaj atij”, tha Sekiraqa.

Ish-kryetari i gjykatës komunale të Prishtinës, Anton Nokaj, i kontaktuar nga gazeta mohoi të ketë pasur këso kontaktesh me Sekiraqën. “Nuk është e vërtetë që ka pasur presione nga dikush dhe nuk është e vërtetë që i kam çuar fjalë Enver Sekiraqës nëpërmjet dikujt. Dua të cek edhe faktin se as gjykatësi gjykues asnjëherë nuk më ka thënë se ka pasur ndonjë presion”, deklaroi Nokaj.

Ky proces gjyqësor ishte drejtuar nga gjykatësi Mejdi Dehari, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Sekiraqa pohon se të njëjtat fjalë i ishin dërguar edhe nga Dehari. “Të njëjtat fjalë na i ka dërguar edhe gjykatësi Mejdi Dehari. ‘Na kanë thënë t’ua japim nga 7 vjet po ne vetëm me 2 vjet u dënuam’. ‘Më kanë ardhur në shtëpi e më kanë thirr në telefon, më kanë kërcënuar policia dhe pjesëtarë të SHIK-ut, s’kam pasur çka të bëj’”, thotë Sekiraqa t’i ketë thënë Dehari.

Edhe gjykatësi Mejdi Dehari hedh poshtë këto pohime të Sekiraqës. “Sekiraqa është gjykuar për dy vepra penale të kanosjes dhe pengimit në detyrë të personit zyrtar. Në bazë të provave të argumentuara, është gjykuar me dënim me burgim prej dy viteve. Ky aktgjykim ka marrë formën e prerë”, tha Dehari. “Jo vetëm në këtë rast po në asnjë rast nuk kam pasur presione, jam gjykatës që nga viti 2000 dhe asnjëherë nuk kam pasur kurrfarë ndikimi nga askush”.

Sekiraqa ndërkohë thotë të ketë pranuar mesazhe që të largohet nga vendi edhe nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa.

“Më ka kërkuar policia dhe SHIK-u që të më likuidojnë. Kam dashtë me u dorëzu te drejtësia, por vetë kryetari i gjykatës supreme Rexhep Haxhimusa më ka thënë ‘ik prej këtu se ne nuk mundemi me nda drejtësi për ty, kemi presion prej qeverisë’, thotë Sekiraqa.

Ai shton se këtë mesazh të Haxhimusës e kishte marrë përmes avokatit Fazli Balaj. “Unë i kam thënë ‘kur të jeni të gatshëm me nda drejtësi, unë vij”.

Ish-kryetari i supremes Rexhep Haxhimusa, tash këshilltar i Ministrit të Drejtësisë, mohoi këtë dhe tha se as që e ka njohur ndonjëherë personin me emrin Enver Sekiraqa.

“Atë e njoh vetëm nëpërmes shkresave të gjykatës”, tha Haxhimusa. “Nuk është e vërtetë që unë i kam çuar fjalë përmes dikujt dhe as që kam pasur presione nga dikush ndonjëherë. Për këtë le të deklarohet edhe avokati Balaj, pasi që paska thënë se përmes tij i kam çuar fjalë. Përndryshe kjo për mua është një lloj njollosje e pashembullt”.

Avokati Fazli Balaj tha se të gjitha këto që janë thënë për ish-kryetarin Haxhimusa janë të pavërteta. “Kam qenë avokati i Sekiraqës në një rast më herët, ka qenë klient i imi, aty ndoshta e lidh ai. Mirëpo këto që janë thënë janë plotësisht të pavërteta”, tha Balaj.

Akuzat e Sekiraqës përfshijnë edhe zyrtarët e lartë policorë të cilët i akuzon për lidhje me SHIK-un. Në veçanti ai ka akuzuar Emin Beqirin, ish-shef i hetimeve në rajonin e Prishtinës dhe tash drejtor i departamentit të krimeve ekonomike.

“Emin Beqiri u ka thënë (v.j. policëve për rastin e Swiss Casinos) ‘këtë rast me e nxjerr qysh t’mundeni, montoni, boni çka të doni, Sekiraqa duhet të mbetet në burg’”, deklaron Sekiraqa.

I kontaktuar, majori Emin Beqiri thotë se “nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që janë thënë nga Enver Sekiraqa”. “E rëndësishme është që, më në fund, ai është i burgosur. Asgjë më shumë”, tha Beqiri.

“Aparatet e kafesë nxitën fjalët për Veselinoviqin”

Enver Sekiraqa po ashtu mohon të ketë lidhje me Zvonko Veselinoviqin, biznesmenin kontrovers serb, shtëpia e të cilit në Doljane të Zveçanit ishte bastisur nga EULEX-i në maj të këtij viti duke rezultuar me kapje të dy armëve, municionit dhe dokumenteve. Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko dyshohen për nëntë vepra penale, përfshirë vrasjen e një oficeri policor shqiptar dhe një sulmi ndaj personelit të OKB-së e NATO-së.

“Zvonko Veselinoviqin e njoh si krejt dynjaja, nga gazetat. Me të nuk jam takuar kurrë”, tha Sekiraqa.

“E njoh një tjetër person në veri të Mitrovicës nga nacionaliteti serb. I kam pasur nja 7 aparate të kafesë te ai, e kam parë që po donë me folë e me manipulu gazetat e fjalët e rrugëve…i kam tërhequr edhe aparatet vetëm shkaku i fjalëve”, tha Sekiraqa.

Por Sekiraqa pranon se ka pasur probleme rrugësh.

Për shembull, në një rast shkaku i fjalosjes, kishte rezultuar i plagosur.

“Te pompa e Ramiz Sadikut, kam qenë duke e la veturën. I ka thënë dikush për mua diçka a e ka kërcënuar…me dy tri fjalë aty jemi thy në fjalë (me presonin nga pompa), e ka nxjerrë revolen, ka shkrepë katër-pesë here. Një plumb më ka rrokur në qafë. Jam plagosur”.

“Më vonë jemi pajtuar me burra edhe asgjë askujt…për këtë rast kam mbajtur 4 muaj e gjysmë burg edhe jam shpallë i pafajshëm se i pafajshëm kam qenë. As nuk kam gjuajtur as nuk kam përdorë asgjë dhe më kanë lëshuar”, tha Sekiraqa.

Sekiraqa donte të dorëzohej në EULEX

Pas 26 shtatorit, kur u vetëdorëzua, gazeta intervistoi avokatin e tij, Bashkim Nevzatin, i cili tha se Sekiraqa nuk ishte prangosur gjatë dorëzimit.

“Kërkesa decidive e Enverit ka qenë që e tërë çështja të trajtohet nga EULEX-i, për faktin se ndaj tij ekzistojnë disa pretendime dhe ka pasur disa tentime të atentatit. Nuk e di pse, mirëpo sipas deklarimeve të Enverit ai është i rrezikuar nga Policia e Kosovës”, tha Nevzati.

Sipas tij, bisedimet me EULEX -in për vetëdorëzimin e Sekiraqës kanë zgjatur për mëse 11 muaj.

“Kemi qenë në bisedime me Eulex-in që nga muaji nëntor i vitit 2011. Ne kemi kërkuar siguri që rasti të trajtohet nga EULEX-i”, tha Nevzati.

Ai zbuloi se ku ka qëndruar Sekiraqa në arrati. “Sipas informatave që unë kam, Enveri ka qëndruar jashtë Kosovës, më saktësisht në Irlandë dhe në disa vende tjera, ka poseduar dokumentacionin e duhur dhe ka shkuar e ka ardhur pa problem”, tha Nevzati. “Pse nuk e ka pengu askush unë nuk e di, nuk e kam pyetur për atë punë sepse ato janë jashtë kompetencave të mia dhe nuk dua t’i diskutojë veprimet e policisë së Irlandës dhe Interpolit”.

Në pyetjen se me dokumentet e cilit shtet ka lëvizur, avokati tha se e di që ka lëvizur me dokumente të rregullta, por jo edhe të cilit shtet.

Sipas tij, tani Sekiraqa është në burgun e Dubravës.

Bardha Azari, zëdhënësja e EULEX-it, thotë se përveç për vrasjen e policit Trium Riza, Sekiraqa hetohet edhe për dy vepra tjera penale.

“Përgjegjësinë për sigurinë në burgun e Dubravës, e kanë autoritet vendore, por normalisht i asistojmë ata në punën e përditshme. Për rastin e Sekiraqës, ministri drejtësisë na ka kërkuar ndihmë dhe ne i asistojmë ata edhe në sigurinë e Enver Sekiraqës”, tha Azari. “Tani rasti është në duart e drejtësisë dhe do t’ia lëmë asaj ta bëjë punën e vet”.

Fund.

16.10.2012 07:00:45

Sekiraqa: Nuk Organizova Vrasjen e Triumf Rizës

I shumëkërkuari i autoriteteve kosovare, Enver Sekiraqa, thotë se nuk ka organizuar vrasjen e policit Triumf Riza me të cilin pranon se ka pasur konflikte. Po ashtu, ai thotë se kurrë nuk ka vënë haraç ndaj këngëtares Adelina Ismajli. EULEX-i thotë se Sekiraqa hetohet për vrasjen e Rizës ndërsa familja e këtij të fundit e akuzon si përgjegjës.

Në vazhdimin e intervistës, Enver Sekiraqa thotë se nuk ka pasur lidhje me vrasjen e policit Triumf Riza në gusht 2007.

“Triumfin e ka vrarë Arben Berisha (v.j. i dënuar si doras me 35 vjet). Unë e kam parë në gazetë që ai e ka vrarë”, tha Sekiraqa, ndërkohë që ka pranuar se me Rizën ishte përleshur më 2005.

I pyetur se a i ka dhënë ai urdhër Arben Berishës për vrasjen e policit Riza, Sekiraqa është përgjigjur: “Pse t’i jap unë urdhër? Ai ushtar imi nuk është. Pse me e vra unë Triumfin? Nuk kam pasur arsye me e vra. Akuzohem (nga njerëzit) për këtë rast si organizatori (v.j. i vrasjes), mirëpo kjo është trillim”.

Por ai pranon se ka pasur probleme me policin e ndjerë dhe e fajëson atë.

“Triumfi vet ka lypë me pasë punë me mua e jo unë me të. Më ka sulmuar në Swiss Casino, ka nisur me më ra me kerr mbrapa pallatit të rinisë te stacioni i trenit…”, tha Sekiraqa, duke akuzuar se shoqëruesit e Trim Rizës e kishin plagosur atë më 2004.

Mirëpo babai i Triumfit, Shefqet Riza, përveç që e bën Sekiraqën fajtor për vrasjen e të birit, thotë se familja edhe më tej merr kërcënime prej “bandës së Sekiraqës”.

“Kemi kërcënime edhe në shtëpi nga banda e Enver Sekiraqës. E kanë lënë letrën tek dera, madje kanë shkruar edhe mbi fotografinë e të vdekurit në derë, se gjoja ‘nëse nuk e lëshoni këtë banese brenda 72 orëve, do t’ju likuidojmë të gjithëve’”, thotë Riza. “Në fund shkruante Allahu Ekber”.

I pyetur se ku e dinte që kjo letër ka ardhur nga Sekiraqa, Riza tha: “Nuk ka kush tjetër sepse familja e ime me askënd tjetër nuk ka pasur problem. Djalin tim e ka vrarë Sekiraqa”.

Sekiraqa po ashtu mohon se i ka marrë haraç nga koncertet e saj këngëtares Adelina Ismajli, me të cilën polici Riza ishte në lidhje.

“Kurrë në jetë nuk jam marrë me haraç”, tha ai, përfshirë as prej Adelinës. “Çka ka ajo pare me i marrë?! Unë me mujt me i ndihmu dikujt po, se me i marrë në atë mënyrë dikujt pare kurrë jo. Unë nuk jam i trentë”.

Këngëtarja Ismajli nuk ka pranuar të flasë e kontaktuar nga gazeta.

Bardha Azari, zëdhënëse e EULEX-it, thotë se Enver Sekiraqa është dorëzuar te policia e Eulex-it dhe se është arrestuar në bazë të fletë-arrestit të lëshuar në vitin 20008.

“Për momentin po hetohet për tri akuza, përfshirë edhe vrasjen e policit Triumf Riza dhe po vuan edhe një dënim në burgun e Dubravës për dy vjet, për dy vepra penale. Njëra është kërcënim dhe tjetra pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, tha znj. Azari.

Dënimi ka të bëjë me një rast tjetër, të vitit 2007, i cili njihet si “Rasti i Ferizajt” ku Enver Sekiraqa ishte konfrontuar me pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Rasti është vendosur me aktgjykim përfundimtar të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në vazhdimin e intervistës Enver Sekiraqa flet për gjyqtarët të cilët e paralajmëruan atë që të ikte nga Kosova, presionet nga zyrtarët e policisë, për atë se ku ka qëndruar i arratisur dhe arsyet e dorëzimit në EULEX.

15.10.2012 07:00:45

Enver Sekiraqa: Gangster a Veprimtar Politik?

I përshkruar në kabllo diplomatike dhe dosje policore si gangster dhe i ndjekur për vepra penale, Enver Sekiraqa thotë në një intervistë se me policin Triumf Riza për herë të parë kishte pasur probleme më 2005 në Swiss Casino. Se këngëtaren Adelina Ismajli e kishte vetëm shoqe. Se ka mbledhur vota për LDK-në dhe se e ka takuar Ukë Rugovën. Pohon se ishte rrahur me “palicë” nga Latif Gashi në një ahër kafshësh në Llap, gjatë luftës. Dhe se nuk kishte qenë bashkëpunëtor i regjimit serb.

Me një flet-arrestim që ishte lëshuar nga UNMIK-u në gusht 2007 në Interpol, Enver Sekiraqa, lindur më 18 nëntor 1973 në Prishtinë, i gjatë 183 cm, kërkohej me dyshimin se ka kryer veprat penale të krimit të organizuar ndërkombëtar, vjedhjes, krimeve seksuale etj.

Policia ishte në kërkim të tij që nga vrasja e policit Triumf Riza në fund të gushtit 2007. Në vitin 2005, në një kazino në Prishtinë kishte pasur përleshje mes Rizës dhe Enver Sekiraqës. Kabllot diplomatike, të lëshuara nga wikileaks më 2011, dhe që i takonin vitit 2007, e përshkruanin këtë të fundit si një gangster me lidhje me politikanë të fuqishëm. Ai është i dënuar me dy vjet burg për veprën penale të kërcënimit dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë përmbushjes së detyrës.

Dy policë ishin shpallur fajtorë më 2009 për shpërthimin e 24 shtatorit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se cak i sulmit me eksploziv ka qenë lokali “Sekiraqa Bar” në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Trium Riza. Në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve D.P.H. “Sekiraqa Bar”, shënon për aktivitete bastvënien dhe bixhozin.

Gjatë luftës, më 1999, ai është ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) për dyshime se kishte ndërlidhje me regjimin shtypës serb.

Pas luftës, Sekiraqa ka folur vetëm një herë publikisht, në një intervistë në gazetën LAJM të vitit 2004, në të cilën ka thënë se merret me shitblerje të tokës.

Në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, të dhënë disa ditë përpara vetëdorëzimit në EULEX më 26 shtator të këtij viti, Sekiraqa ka dhënë versionin e tij për një numër ngjarjesh që e ndërlidhin atë. Intervista botohet vetëm tash pasi të gjitha palët e përmendura nga Sekiraqa janë kontaktuar.

Sekiraqa thotë se ka qenë subjekt i disa atentateve, se merret me tregti, se posedon përfaqësinë e “Bruno Coffee” (bari Bruno figuron nën pronësinë e Naser Sekiraqës), se është marrë me patundshmëri, ndërtime të shtëpive, se ka mbledhur vota për parti politike dhe ka qenë viktimë e ndjekjes policore dhe të UÇK-së etj.

“Më kanë përcjellë disa probleme, pa dashjen time, si atentate e montazha”, tha Sekiraqa. Por përse këto probleme e kanë përcjellë pikërisht atë? “Me siguri mendojnë se po të dominojnë tek ne, me të tjerët e kanë më lehtë… Unë nuk i kam lypë problemet, unë kam dalë e kam kërkuar vota për LDK-në edhe i kam ndihmuar LDK-së të fitojë se kam menduar se është më e mira”.

Sekiraqa thotë se nuk ka qenë në strukturat zyrtare të LDK-së. Gjatë intervistës, herë e cilëson vehten si anëtar të kësaj partie, e herë si veprimtar vullnetar i saj.

“Nuk kam pasur kurrfarë afërsie me askënd brenda LDK-së. Asnjëherë nuk jam takuar me Presidentin Rugova, përveç që e kam parë në fjalime, ndërsa me Ukë Rugovën jam takuar një herë”. Ai nuk ka cekur vendin, arsyen dhe kohën e këtij takimi. Ukë Rugova nuk ka pranuar të flasë.

Sekiraqa thotë se nuk ka qenë bashkëpunëtor i policisë serbe, për çka dyshohet se e ka arrestuar Zona Operative e Llapit në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“ZOLL-i, me në krye komandant Remin, më pat kërkuar. Për këtë më kishte çuar fjalë Ilmi Rakovica. Unë vullnetarisht kam shkuar. Së pari jam takuar me Nuredin Ibishin – komandant Lekën. Aty më treguan që mua po më kërkon Latif Gashi – Lata. Gjatë marrjes në pyetje, m’i kanë kërkuar 600mijë marka. Kanë menduar që kam shumë pare. Nuk e di pse i kërkuan ato të holla, nuk më dhanë shpjegim. Unë u thashë që nuk i kam”.

“Në Llapashticë më kanë mbajtur në një ahër të kafshëve. Latif Gashi më ka rrahur me palicë… Ka pasur edhe të burgosur të tjerë, mirëpo me rastin e bombardimeve të NATO-së, aty kanë marrë vendim me na liru, vendimin e mori Sabri Gashi”.

Sekiraqa tregoi se pas lirimit nga Llapashtica, rrugës duke u kthyer për në shtëpi, janë ndaluar në fshatin Majac nga ushtarët përcjellës të UÇK-së.

“Aty na kanë mbajtur një natë në një shtëpi, pastaj në po të njëjtin fshat na kanë çuar në bodrumin e një shtëpie ku na kanë mbajtur për 10 ditë rresht”.

“Një ditë, unë kërkova të shkoj në banjo, që ishte në katin e parë. E pashë të hapur derën e një salloni ku kishin qenë ulur disa oficerë të lartë të UÇK-së. Aty e pashë Latif Gashin. Më vonë kishin marrë disa vendime oficerët e lartë. Ata që do të liroheshin e morën nga një letër. Letra morën 6-7 persona…por jo unë, Agim Musliu dhe Idriz Sfarqa. Më vonë kuptuam që edhe Drita Hoxha nuk kishte marrë letër, sepse atë e kanë mbajtur veçmas nga ne të tjerët, në një dhomë tjetër. Ata që nuk kanë marrë letra, kishin qenë për tu ekzekutuar”, tha Sekiraqa.

“Natën e 7 prillit, diku në orën 22 të natës, na morën me xhipin e komandant Nazif Mehmetit. Shoferi i tij me pseudonimin Besi, njëfarë Shyqa dhe njëfarë Idrizi kanë qenë aty. Na morën dhe na dërguan në një mal. Gjatë rrugës i pyeta ku po shkojmë?Ata na thanëse do të rrëmijmë një istikam. Kjo ishte e pakapshme se ishte ora 22 e natës. Vendi ishte livadh. Forma e atij ‘istikami’ ishte diku 1 metër e gjysmë me 2 metra. Unë nuk kam punuar, as që e kam prek me dorë, të tjerët po…derisa ata e rrëmihnin atëfarë gropën, unë e kam shfrytëzuar mundësinë edhe kam ik prej aty”.

“Ka qenë një gardh afër, e kam kapërcyer. Më kanë gjuajtur me automat, por fati, nuk më ka kapë asnjë plumb. Prej aty kam bërë gjashtë orë me dalë në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë dhe kam arritur të vijë në shtëpi, në Prishtinë”.

Latif Gashi, tani deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Parlament, thotë se qe 13 vjet është duke u marrë me këtë rast (të Majacit) në proces gjyqësor në vend. “Enveri ka shkruar edhe letra për gjykatën, mirëpo as që është ftuar që të dëgjohet si dëshmitar në këtë proces. E çka thotë Enver Sekiraqa sot pas gati 15 viteve, për mua nuk është shumë me rëndësi”, tha Gashi.

Ky i fundit, nuk e mohoi faktin se Enveri ka qenë në zonën e Llapit, mirëpo tha se atje e kanë ndalë në qendrën e ndalimit dhe asgjë më shumë. Sipas tij, me asnjë veprim nuk është shkelë asnjë konventë ndërkombëtare.

“Çka ka për të thënë Enver Sekiraqa, le ta thotë në gjykatë.Unë nuk i komentoj deklaratat e tij”, tha Gashi.

foto
Grupi i Llapit është duke u rigjykuar në Gjykatën e Qarkut

 

Atëherë komandanti i tij, Rrustem Mustafa, tash një nga nënkryetarët e PDK-së, tha se nuk ka pse të merret me fjalët e Sekiraqës dhe nuk pranoi të prononcohet. Nuk u prononcuan as Nuredin Ibishi, Sabri Gashi, Nazif Mehmeti, Idriz Bajrami dhe shoferi me pseudonimin Besi- Skender Krasniqi. Nuredin Ibishi vetëm e konfirmoi që Enver Sekiraqa me të vërtetë ishte ndalur e mbajtur në burgun e Llapit.

Enver Sekiraqa thotë se nuk ka qenë dëshmitar i mbrojtur i UNMIK-ut në rastin kundër Rrustem Mustafës dhe të tjerëve. “Vetëm u kam treguar vendin ku kanë dashtë me na ekzekutu. Aty i kemi gjetur disa gjëra personale të Idriz Sfarqës, jaknen, pantollat, një krahën dhe kemi gjetur kockat e fëlqisë së tij. Aty (së bashku me policinë e UNMIK-ut) kemi gjetur varrezën e tre të vrarëve: Idriz Sfarqa, Agim Musliu dhe Drita Hoxha”.

Në muajin korrik ka filluar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë rigjykimi i Latif Gashit, Nazif Mehmetit me nofkën Nazi dhe Rustem Mustafës me nofkën Remi. Që të tre të pandehurit gjatë luftës kishin mbajtur pozita komanduese në UÇK. Sipas aktakuzës, që nga gushti 1998 deri në prill 1999, ata kishin pasur dijeni për qendrat e ndalimit në vendet Bajgorë, Llapashticë, Majac, Patok dhe Kolec. Në këto qendra ishin ndaluar civilë shqiptarë me arsyetime se janë kolaboracionistë të pushtetit serb.

Deri më tash, zyrtarisht gjykatat nuk kanë marrë për bazë deklarimet e Sekiraqës për këtë rast.

Gjatë vitit 1999, tha Sekiraqa, ai po ashtu ka qëndruar edhe katër muaj e gjysmë në një burg serb, si i dyshuar për terrorizëm.“Më 31 maj 1999, Policia Serbe më ka arrestuar në Prishtinë, kinse për terrorizëm. Më kanë mbajtur 4 muaj e gjysmë në burgun e Sremska Mitrovicës në Serbi”.

Që nga kthimi prej burgut në tetor 1999, Sekiraqa tha se janë bërë diku 10 atentate. “Nuk e di nga kush. I kam 6-7 plagë të plumbave nëpër trup”.

Rasti më i njohur që e ndërlidhë atë është vrasja e policit Triumf Riza, për të cilën ai është në ndjekje. Është përfolur shumë se acarimi mes Rizës e Sekiraqës kishte si burim këngëtaren e njohur Adelina Ismajlin, e cila pati konfirmuar se ishte në lidhje me policin e ndjerë.

“Me Adelinën, kemi qenë në një parti, kemi pasur edhe shoqëri … asgjë më tepër”, tha Sekiraqa.

“Me Triumf Rizën, nuk më kujtohet kur jam pa për herë të parë. Mirëpo më kujtohet kur kam pasur problem me të për herë të parë. Në vitin 2005, në Swiss Casino, ka qenë festë e Krishtlindjes. Unë së bashku me disa shokë e shoqe kemi shkuar të pimë. Aty ka ardhur Triumfi me shokë edhe na kanë sulmuar”.

“Mua, në atë rast, më kanë rrahur shumë keq. Nuk e di as vetë pse na kanë sulmuar. Me siguri kanë pas urdhër prej shefave të tyre. Ka pasur edhe të shtëna armësh, është plagosur Agron Bytyqi, një shoku im dhe Arben Selmani që ka qenë me Triumfin”.

Por babai i policit të ndjerë, Shefqet Riza, thotë se Triumfi ka pasur probleme me Sekiraqën që nga viti 2000.

“Atëherë Sekiraqa ka tentuar që ta aktivizojë bombën për ta vrarë Triumfin së bashku me një polic pakistanez. Kjo ka ndodhur para shkollës së mjekësisë në Prishtinë ku Sekiraqa, së bashku me 14 vetë, ka hyrë edhe në shkollë, i ka rrahur edhe arsimtarët në sallë për t’i marrë me dhunë tri vajza. Mirëpo aty ka ndërhyrë edhe KFOR-i dhe e kanë arrestuar Sekiraqën”.

Në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, personelit nuk i kujtohej një rast i këtillë. Në Policinë e Kosovës nuk kishte evidenca të vitit 2000. Në Prokurori dhe Gjykatë, nuk kishte shkresa zyrtare për një rast të tillë.

Shefqet Riza tha se djali i tij nuk ka pasur probleme me askënd tjetër përveç me Sekiraqën. “Ekskluzivisht Sekiraqa e ka vrarë djalin tim, nuk është kontestuese kjo….prej SwissCasinos e këndej janë 5-6 prita që i ka bërë Sekiraqa ndaj djalit tim Triumfit”.

I gjithë problemi ka të bëjë me punën zyrtare të Triumfit si polic, tha Riza.

“Nuk është e vërtetë ajo që thuhet për Adelina Ismajlin. Me të, Triumfi është lidhur pas rastit të Swiss Casinos. Madje, njëherë Triumfi ka qenë duke ardhur në shtëpi në Kaçanik së bashku me Adelinën kur Sekiraqa me bandën e tij ia ka zënë pritën me gurë të mëdhenj dhe e kanë njekë me vetura e skuterë”.

Me metaforë, Riza fajëson politikën për vrasjen e djalit të tij.

“Politika është ajo që e ka vrarë djalin tim Triumfin, Lidhja Demokratike e Kosovës. Ismet Beqiri së bashku me Sekiraqën dilte nëpër fushata. Personalisht unë me sytë e mi e kam parë para fakultetit ekonomik, me flamuj të LDK-së. Ai ka qenë bandë e LDK-së, ka shkuar në presidencën e Rugovës si në shtëpinë e tij, ka qenë njeriu i LDK-së dhe pikërisht LDK i ka dhënë krye këtij me u bo kështu”, tha Riza.

foto
Ismet Beqiri thotë se Sekiraqa nuk ka qenë në strukturat e LDK-së

 

Ismet Beqiri, tash shef i grupit parlamentar të LDK-së, thotë se Sekiraqën e njeh ngase vijnë nga një lagje e Prishtinës,“Kodra e Trimave”. Por ai mohoi të ketë dalë ndonjëherë në fushatë me Sekiraqën. Beqiri nuk mohoi se Sekiraqa ka mundur të ketë marrë pjesë në tubimet dhe fushatat e LDK-së.

“Nga deklaratat e tij del që ka qenë simpatizant dhe mbështetës i LDK-së, mirëpo kjo nuk mund të prejudikojë asgjë”, tha Beqiri.

Sekiraqa ka mohuar se gjatë kohës sa është kërkuar nga policia ka qëndruar në veri të Kosovës. “Nuk kam qenë në Veri të Mitrovicës qe pesë vite”.

Intervista me Enver Sekiraqën është përgatitur të lëshohet në emisionin e përjavshëm “Drejtësia në Kosovë” që transmetohet çdo të diel në ora 21:00. RTK nuk e ka transmetuar atë.

Në vazhdimin e intervistës, Sekiraqa përgjigjet se a e porositi ai vrasjen e Triumf Rizës, kush nga gjykatësit i çoi fjalë që të mos u dorëzohet organeve të drejtësisë dhe pse vendosi t’i dorëzohej Eulex-it.